A duhet bërë apo jo Testi i Prostatës?

Prof. Ablin: ‘Testi PSA nuk është i saktë, shpesh shkakton alarm fals për kancer’

 “Shumë operacione do të ishin shmangur, në qoftë se këta burra kurrë nuk do të ishin testuar dhe do të kishin mundur të vazhdonin një jetë të shëndetshme, pavarësisht faktit se kanë disa qeliza kanceroze në prostatën e tyre. Disa qeliza kanceri janë normale pas moshës 60 vjeç…”

Denisa Kona

Testi i prostatës PSA është një test i thjeshtë gjaku, që zbulon nivelet e antigjenit specifik të prostatës, por kritikët e kundërshtojnë bërjen e shpeshtë të këtij testi, pasi ai nuk është i saktë dhe shpesh ngre dyshime të kota. Testi PSA nuk është aspak i përkryer si një provë për zbulimin e kancerit të prostatës. “Së pari, testi nuk është një test specifik për kancer, që do të thotë se mund të zbulojë se diçka po ndodh në prostatë, por kjo shpesh nuk është kancer”, thotë Richard J. Ablin, Ph.D., profesor i hulumtimit në Imunobiologji dhe Patologji në Universitetin e Arizonës. Prof. J.Ablin është autori që zbuloi testin PSA në vitin 1970. “Së dyti, testi PSA nuk mund të dallojë nëse qelizat e tumorit që janë normale, domethënë dashamirëse ​​apo të këqija. Së treti, kanceri i prostatës është një sëmundje e lidhur me moshën. Nëse ju bëni një biopsi në një grup të rastit të njerëzve të moshuar mes 60-70 vjeç, ju do të gjeni se mbi 65% e tyre kanë kancer të prostatës. Me fjalë të tjera, prania e qelizave të kancerit në gjëndrën e prostatës është normale për shumicën e njerëzve mbi 60 vjeç.”

Por heqja e prostatës është pikërisht ajo që po ndodh paradoksalisht, pas një dyshimi të turbullt për kancer prostate. ‘Shumë operacione të kryera, do të ishin shmangur, në qoftë se këta burra kurrë nuk do të ishin testuar dhe do të kishin mundur të vazhdonin një jetë të shëndetshme, pavarësisht faktit se kanë disa qeliza kanceroze në prostatën e tyre, njësoj si grupi hipotetik i njerëzve 60- 70-vjeçarë, që nuk janë testuar dhe që vazhdojnë të rrojnë normalisht’, sikurse thotë Prof. Dr. Ablin. “Ka një dallim në mes të një alarmi tymi dhe një alarmi zjarri”, thotë ai. “Testi PSA është si një alarm tymi, por mjekët dhe pacientët reagojnë ndaj tij si në rastin e një alarmi zjarri.” Prof. Ablin pëlqen të bëjë një krahasim: Kanceri i prostatës është si një kuti e hapur, që përmban breshka dhe lepuj. Breshkat vetëm do të vazhdojmë të vërtiten rreth kutisë (prostatës) pa shkuar askund. Këto janë qelizat e kancerit të padëmshëm. Ndërsa lepujt mund të qëndrojnë për një kohë e pastaj papritmas kërcejnë nga kutia. Këta janë agresivë, janë tumoret malinje të rrezikshme për jetën. “Ky është si rebus. Askush nuk ka qenë në gjendje deri sot, për të dalluar cilat tumore janë të padëmshme dhe të cilat janë potencialisht vdekjeprurëse. Të gjithë ne e dimë se ka shumë më shumë breshka, sesa lepuj,- thotë Prof.Dr. Ablin.- Derisa kjo të duket, nuk duhet të ketë alarme të rreme zjarri, që veç kësaj, prishin mirëqenien e kaq shumë burrave, duke i vendosur në një gjendje të fortë stresi”.

Përfitimet, kufizimet dhe pasiguritë

PSA është një molekulë proteine, ​​që mat një enzimë të prodhuar thuajse ekskluzivisht nga qelizat në gjëndrën e prostatës. PSA është sekretuar nga kanali i prostatës, kur uretra është e zbrazur. Ajo lëngëzon spermën dhe nxit lirimin e saj. Tek një burrë i shëndetshëm, prania e molekulave PSA është shumë e vogël në gjak, por niveli do të ndryshojë në varësi të madhësisë së gjëndrës së prostatës. Një anomali në prostatë mund të prishë ‘arkitekturën’ normale të gjëndrës dhe të krijojë një çarje, që PSA të kalojë në gjak. Kaq gjë zbulon testi PSA. Kur nivelet e PSA në gjak janë të larta, kjo është shenjë e diçkaje të gabuar në prostatë. Dobësia e testit është se ai nuk mund të thotë se çfarë është e gabuar. Kur një provë shqyrtimi zbulon një PSA të lartë ose një PSA në rritje, hapi tjetër është një biopsy që tregon faktorët e rrezikut dhe ajo është e dhimbshme. Rezulton se në rreth 50%  të rasteve, një PSA e lartë është për shkak të një prostate të zgjeruar. Një prostatë më e madhe se normalja do të prodhojë më shumë antigjenin e prostatës. Në 20-40% të rasteve, arsyeja për një PSA të lartë është kanceri. 10-30%  të rasteve, arsyeja për një PSA të lartë është një infeksion apo një shkak i panjohur. Testi gjithashtu ka një probabilitet të lartë fals pozitiv, që do të thotë se testi zbulon diçka si të gabuar, por pa e gjetur sa serioz është si dhe një probabilitet edhe më të lartë fals negativ, që do të thotë se nuk e ka gjetur kancerin edhe kur është. PSA gjithashtu mund të luhatet ndjeshëm nga dita në ditë, pa arsye të dukshme.

 

Polemika të ashpra mes studiuesve: “87% e burrave po ‘hanë’ bisturinë kot”

 Reduktimi frekuencës së bërjes së testit PSA mund të zvogëlojë numrin e njerëzve, që humbin prostatën e tyre me kirurgji të panevojshme.

Studimet janë kontradiktore lidhur me faktin nëse testi PSA parandalon apo jo vdekjet nga kanceri i prostatës. Sipas një studimi të publikuar në pranverën e vitit 2010 në “New England Journal of Medicine” dhe që përfshiu 182.000 burra, testimi ulte me 20% vdekjet nga kanceri i prostatës. Ndërkohë anketimi zbuloi gjithashtu se në çdo 48 burra, 47 prej tyre (87%) i nënshtroheshin kirurgjisë së panevojshme, për të shpëtuar jetën e vetëm njërit prej tyre, që është vërtet i rrezikuar. Ndërsa sipas një studimi tjetër të madh me 76.693 burra amerikanë, testi PSA nuk ka ndikuar në shpëtimin e më shumë jetëve. Një studim i tretë, në Evropë i botuar në “Lancet Oncology”, gjeti se rreziku i vdekjes nga kanceri i prostatës nuk ndyshonte mes meshkujve që ishin testuar dhe atyre që nuk e kishin bërë testin PSA. Gjetjet kontradiktore kanë shkaktuar polemika të thella, pasi studimet kanë bërë bujë në mbarë botën. Studimet europiane dhe amerikane, pavarësisht rezultateve, bashkohen në një pikë: E kursen apo jo jetën, testi i antigjenit specifik të prostatës çon në mbitestime dhe mbitrajtime të panevojshme. Kjo e ka ushqyer zjarrin mes tyre edhe më shumë.

 

Letra e Harvardit

‘Kur nuk ka shqetësim, Testi PSA nuk duhet bërë’

Universiteti i Harvardit i përgjigjet kërkesës nga “Molla e Shëndetit” të dërguar në mars 2015

I dashur Irfan!

Katër nga fjalët e tmerrshme, që një njeri mund të dëgjojë, janë: “Ju keni kancer të prostatës.” Kanceri i prostatës është kanceri i dytë më i zakonshëm, i diagnostikuar në meshkujt amerikanë dhe shkaku i dytë-kryesor i vdekjes nga kanceri. Ndonjëherë efektet anësore të trajtimit të kancerit, të cilat përfshijnë mosfunksionim seksual dhe mosmbajtjen e urinës, janë më keq se sëmundja. Kjo për shkak se disa lloje kanceresh të prostatës, të zbuluar duke përdorur teknikat e sotme të teknologjisë së lartë diagnostikuese, kurrë nuk do të kishin shkaktuar ndonjë problem shëndetësor ose shkurtim të jetës. Kjo është një arsye që shumë doktorë janë duke i këshilluar njerëzit, që të mos e bëjnë testin rutinë të gjakut për antigjenin e prostatës (PSA) për të zbuluar kancerin e e hershëm të prostatës.

Si mund të vendosni se çfarë është e mirë për shëndetin tuaj?

Shikoni Raportin Vjetor të Harvard Medical School 2015, që ju kemi postuar për Sëmundjet e Prostatës! Ky raport potencialisht kursen jetë dhe ju ndihmon të kuptoni, pse ekspertët tani janë duke thënë, se në qoftë se ju nuk keni simptoma, nuk duhe të kryeni një test PSA. Ky raport ju sjell lajmet e fundit mbi çdo sëmundje të prostatës, nga kanceri i prostatës, tek zgjerimi i mirë prostatik (i quajtur gjithashtu BPH), prostatitis akut dhe kronik. Aty do të gjeni si të ulni rrezikun e BPH me 25%; Si ulni rrezikun e kancerit të prostatës me 30%; Testin e përmirësuar PSA që kursen 20% të njerëzve që kanë nevojë për biopsi; 2 ushqime që mund të rrisin rrezikun e kancerit të prostatës dhe ato që ndihmojnë për ta parandaluar. Një trajtim efektiv të kancerit të prostatës, pa rrezikun e disfunksionit seksual; 5 medikamente të reja, që ndihmojnë njerëzit me kancer të fazën e fundit. Ju gjithashtu do të lexoni një seksion të veçantë për biomarkerin – e ardhmja e zbulimit dhe trajtimit të kancerit të prostatës! Ju do të lexoni se një biomarker i urinës mund t’ju shmangë kirurgjinë e panevojshme. Ky është një test i mirastuar nga FDA, që ndihmon të përcaktoni, nëse kanceri juaj është me rrezik të lartë dhe madje edhe një test gjenetik, që me saktësi përjashton kancerin e prostatës 90% të rasteve! Raporti vjetor i Harvard Medical School për Sëmundjet e prostatës duhet lexuar nga të gjithë burrat.

Sinqerisht, Marc B. Garnick, M.D.

Kryeredaktor, i Raportit Vjetor mbi sëmundjet e prostatës, 2015

Shënim: Të gjitha udhëzimet  e Harvardit për prostatën, janë notuar në numrat e gazetes “Molla e Shëndetit” dhe Bio Shendeti

 

Terapia për prostatën, 58% e meshkujve pësojnë fraktura

  “97% e burrave të diagnostikuar me kancer fillestar të prostatës, edhe pa ndonjë trajtim, nuk do të vdesin nga kjo sëmundje”- Instituti Kombëtar i Kancerit (SHBA)

Meshkujt të cilët i nënshtrohen një trajtimi për uljen e hormoneve, për të mjekuar kancerin e prostatës, kanë 58% më shumë gjasa të pësojnë fraktura. Dhe shumë prej tyre që pësojnë fraktura, kanë 40% më shumë rrezik të vdesin në dy vitet e ardhshme, sipas një studimi të kryer nga hulumtuesit e Institutit të Kancerit New-Jersey. Studimi është financuar nga Instituti Kombëtar i Kancerit dhe Fondacionit ‘Robert Wood Johnson’. “Gjetjet tona sugjerojnë se trajtimi me terapi afatgjatë për të ulur nivelin e hormonit androgen tek burrat, sjell rrezik të lartë për thyerje të kockave dhe me pasoja serioze negative”, thotë autori i lartë Grace Lu-Yao. Studimi u fokusua në trajtimin e kancerit të prostatës me terapinë ADT, e cila është përdorur shpesh në meshkujt, që konsiderohen kandidatë për rrezatim apo kirurgji. Kërkuesit analizuan informacionin mjekësor dhe demografik për 75.994  burra mbi moshën 65 vjeç, që ishin diagnostikuar me kancer të lokalizuar të prostatës. Një studim i 2014, i publikuar në Gazetën e Institutit Kombëtar të Kancerit, Amerikë del në përfundimin se edhe pa trajtim, 97% e njerëzve të diagnostikuar me kancer fillestar të prostatës, nuk do të vdesin nga kjo sëmundje.

 

Udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit

Mjekët të informojnë pacientët për të këqijat e testit PSA

Në dritën e polemikave që rrethuan testin dhe pasojat e tij, kur PSA del e lartë, udhëzimet u kujtojnë mjekëve doktrinën e Hipokratit: “Së pari, të mos bëj asnjë të keqe.”

Polemika mbi testin PSA, që është përhapur në mbarë botën, nuk do të ndalet për shumë kohë. American Cancer Society (ACS) pranoi se kjo është një çështje komplekse dhe njerëzit duhet të përfshihen në vendimin për të bërë analizën e gjakut apo jo. “23%- 42%  e kancereve të zbuluara prej testimit nuk do të ishin zbuluar kurrë, pa dhënë ndonjë shqetësim, që do të thotë se prania e qelizave të kancerit nuk mjafton si argument për ndërhyrje kirurgjikale. Në dritën e polemikave që rrethuan testin dhe pasojat e tij kur PSA del e lartë, udhëzimet u kujtojnë mjekëve doktrinën e Hipokratit: “Së pari, të mos bëj asnjë të keqe.”

Udhëzimet vlerësojnë se për shkak se dëshmitë nuk janë të qarta, nëse peshojnë më shumë përfitimet apo rreziqet nga ekzaminimi, preferencat e një individi duhet të jenë faktor në vendim. Udhëzimet thonë se vendimin  duhet ta marrin së bashku mjeku me pacientin, pasi mjeku të ketë shpjeguar natyrën e kancerit të prostatës, si zhvillohet ai dhe aspektet e tjera të sëmundjes. Ai duhet t’i shpjëgojë pacientit pasiguritë, rreziqet, kufizimet dhe përfitimet e mundshme që lidhen me bërjen ose jo të testit PSA. Ai duhet të ndihmojë pacientin që të marrë një vendim të informuar. Ndërkohë, një sondazh i kryer nga Anketa Kombëtare e Vendimeve Mjekësore që përfshiu 3010 njerëz, zbuloi se diskutimet mes mjekëve dhe burrave nuk kanë qenë të balancuara dhe se me mjekët theksonin përfitimet e testimit, pa paraqitur anët negative. Studiuesit konstatuan se përfitimet e testimit u shpjeguan në 70%  të rasteve, ndërsa aspektet negative të tij, vetëm në 30%. Shumica e meshkujve raportuan se mjeku i tyre mendonte në favor të testit dhe e rekomandonte atë. Hulumtuesit dolën në përfundimin se “këto diskutime mjek-pacient nuk i kanë plotësuar kriteret për mirëinformim të pacientëve”.

Çfarë duhet të dijë një pacient, para se të vendosë?

Në një diskutim mjek-pacient mbi testin PSA, mjeku juaj duhet t’ju lejojë të dini:

Ekzaminimi me një test gjaku i PSA vetëm, ose bashkë me një test dixhital të zorrës së trashë mund të zbulojë kancerin në një fazë më të hershme, sesa ne rast se depistimi nuk është kryer. Nëse ekzaminimi ka zbuluar një kancer, aktualisht nuk është e mundur të parashikohet se kur trajtimi është i panevojshëm.

Zbulimi i kancerit nuk kërkon trajtim të menjëhershëm. Ka shumë njerëz që nuk marrin trajtim, por kjo kërkon testim të vazhdueshëm vigjilent dhe vizita mjekësore për të mbajtur në kontroll kancerin.

Rreziqet e trajtimit kirurgjikal janë të konsiderueshme dhe mund të përfshijnë impotencën seksuale, vështirësi urinare, mosfunksionim të zorrëve etj. në varësi të trajtimit. Këto probleme mund të jenë minimale apo të mëdha, të përhershme apo të përkohshme.

Nuk ka evidenca përfundimtare, se ekzaminimi do të zvogëlojë rrezikun për të vdekur nga kanceri i prostatës.

Testi PSA mund të prodhojë lidhje logjike të gabuara, që do të thotë se njerëzit pa kancer, por me rezultate jo normale të testit, do të jenë subjekt i kotë i testeve të tjera. Rezultatet jonormale të testimit mund të pasojnë me biopsi, për të përcaktuar nëse ka apo jo kancer. Por Biopsia është e dhimbshme dhe mund të çojë në komplikacione, duke përfshirë gjakderdhje dhe infeksione qw mund tw kwrkojnw hospitalizim (shtrim nw spital). Edhe një Biopsi ndodh të mos e gjejë kancerin.

 

Sa duhet të jetë antigjeni i prostatës?

Nuk ka numër magjik

SA matet në nanogramë për mililitër (ng/ mL), kështu që kur merrni rezultatet e testit, ju do të lexoni se SA është diku nga 0.1 ng/ ml deri në 10 ng/ ml apo 20 ng/ ml e më shumë. American Cancer Society (ACS) ka caktuar 4 ng/ ml si prag që ndan sigurinë nga dyshimi, por pranon se nuk ka “asnjë tregues dallimi, që dallon kancerin nga jokanceri.” Disa vende evropiane e konsiderojnë 3 ng/ ml si Pragu më i sigurt. Megjithatë, studimet kanë gjetur se qelizat e kancerit janë të pranishme në 40% të rasteve, kur antigjeni PSA është në nivelet 3 dhe 4 ng/mL.

 

Terapia me testosteron rrezikon zemrën dhe prostatën

Rishikimi i Harvardit: Ushtrimet, jo terapia hormonale, zgjat rininë tuaj

Patrick J. Skerrett (*)

Reklama e terapisë me testosteron mund të ketë joshur mjaft burra ta provojnë, por shkenca e fundit nuk i inkurajon. Një studim i ri, i publikuar në revistën PLoS One, janar 2015 tregon rritjen e rrezikut të një sulmi në zemër në muajt pas fillimit të terapisë me testosteron. Potenciali për rrezik ishte më i lartë në meshkujt më të vjetër. Një raport më i hershëm, në 6 nëntor 2013 kishte treguar se meshkujt që përdorën terapi me testosteron nuk patën hapje të mjaftueshme të arteries pas angioplastisë.

FDA ka njoftuar se do të shikojë lidhjen e mundshme në mes të terapisë me testosteron të miratuar prej saj dhe sulmit në zemër ose vdekjes. Në një njoftim, FDA u bëri thirrje profesionistëve të kujdesit shëndetësor për të shqyrtuar nëse rreziqet e trajtimit me testosteron, i tejkalojnë përfitimet prej trajtimit. Miliona burra amerikanë (dhe plot të tjerë në Shqipëri), janë duke përdorur një xhel ose injeksion për të rritur nivelin e tyre të testosteronit. Ky trajtim mund të ndihmojë ata me nivele të ulëta të testosteronit, për probleme të tilla si humbja e kockave dhe e muskujve apo dobësia seksuale. Siç raporton Harvard, ” marketingu premton se trajtimi me hormonin testosteron mund të bëjë njerëzit të ndjehen më energjikë, mendjemprehtë dhe të fortë seksualisht. Por fushata publicitare nuk ka vënë në dukje rreziqet e mundshme”. Burrat që marrin testosteron mund të pësojnë ënjtje të këmbëve. Tek disa, testosteroni shkakton mbiprodhim të qelizave të kuqe të gjakut, gjë që rrit rrezikun e mpiksjes së gjakut brenda arterieve e venave. Ka gjithashtu dyshime, se terapia me testosteron mund të stimulojë rritjen e kancerit të prostatës.

Çfarë të bëni sot? Deri në një verifikim të qartë, jini të kujdesshëm. Nuk do të thotë se keni patjetër testosteron të ulët, nëse keni vështirësi seksuale. Nëse mjeku mendon se ju mund të keni testosteron të ulët, mateni atë midis orës 07:00-10:00, kur hormoni është në kulm. Konfirmoni rezultatin me një test të dytë në një ditë tjetër. Të jeni i ndërgjegjshëm për rreziqet e panjohura. Kujdes më të veçantë duhet të kenë burrat në rrezik të lartë për kancerin e prostatës, ata që kanë simptoma të rënda urinare nga zgjerimi i prostatës ose që janë diagnostikuar me sëmundje të zemrës. Së fundi, terapia me testosteron nuk ju bën më të rinj. Mos e provoni atë me shpresën e fitimit të vetive më rinore fizike ose seksuale, për të jetuar më shëndetshëm. Fizkultura do të ishte më shumë efektive për arritjen e këtyre qëllimeve.

(*)Autori është Editor Ekzekutiv në Universitetin Shëndetësor të Harvardit

 

Rekomandime për ushqyesit

Për fat të mirë për meshkujt, kanceri i prostatës është një kancer relativisht i ngadaltë dhe i lehtë për t’u kontrolluar nëse kapet në fillim, megjithëse parandalimi është gjithmonë opsioni më i mirë. Shumica e trajtimeve konvencionale për kancerin e prostatës janë treguar jo vetëm të paefektshme, por janë edhe të dëmshme.

Çfarë mund të bëni për të reduktuar rrezikun e kësaj sëmundjeje?

Janë disa qasje themelore dhe të thjeshta, që do të zvogëlojë rrënjësisht rrezikun e kësaj sëmundjeje.

  • -Ekspozimi i rregullt në diell dhe marrja e niveleve optimale të vitaminës D
  • -Marrja e yndyrnave Omega-3, si vaj karkaleci
  • -Përdorimi i farave të lirit me gjizë
  • -Përdorimi i ushqimeve të pasura me lykopen, sidomos salcë domate
  • -Pirja e çajit jeshil
  • -Marrja kapsulave të vitaminës E në formë natyrore, d-alpha tocopherol
  • -Marrja me aktivitet fizik

editor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *