Një mangësi e vitaminës D mund të rezultojë në një potencial të rritjes prej 50% të diabetit. Një mangësi e vitaminës D ju vë në rrezik më të lartë për kancer, veçanërisht të gjirit, prostatës, zorrës së trashë, ovarian (vezoreve) dhe melanoma (kanceri më agresiv i lëkurës). Në shoqërinë moderne mungesa e vitaminës D është rregull, jo përjashtim. Rivendosja e niveleve të vitaminës D është e dyta dhe më e rëndësishmja strategji, pas eliminimit të grurit, kur merren parasysh strategjitë më të fuqishme të stilit të jetesës.
Stili i jetesës moderne ka dëmtuar statusin tonë të vitaminës D. Si? Gjatë shekujve, ne filluam të banonim në klimat e ftohta, duke privuar vetveten nga rrezet e diellit, veshur me rroba që mbulonin lëkurën tonë dhe duke rritur kohën e kaluar në ambiente të mbyllura. Kjo është vendimtare, pasi ekspozimi ndaj dritës së diellit është i nevojshëm për të aktivizuar vitaminën D në lëkurën tonë. Ne gjithashtu kemi adoptuar një neveri për konsumin e organeve. Dhe mishi i organeve është ai që përmban nivelet më të larta të vitaminës D, sidomos mëlçia. Le të mos harrojmë plakjen, e cila shoqërohet me humbje progresive të aftësisë për të bërë vitaminën D në lëkurë nga dielli, pas moshës 40 vjeç.
- Mungesa e vitaminës D lejon që të ndodhin një numër dukurish anormale të shëndetit:
- Inflamacion i madh, siç pasqyrohet në nivele të larta të proteinës C-reaktive, faktori i nekrozës së tumorit etj.
- Sheqer i lartë i gjakut dhe rezistencë ndaj insulinës (kushte që çojnë në diabet)
- Lëndim i qelizave beta pankreatike, që prodhojnë insulinë
- Shtim në peshë
- Rrezik më i madh për osteoporozë dhe fraktura
- Sëmundje periodontale (të mishrave të dhëmbëve)
- Rrezik më i lartë për kancer, veçanërisht të gjirit, prostatës, zorrës së trashë, ovarian dhe melanoma
- Rrezik më i lartë për sulme në zemër, dështim të zemrës dhe vdekshmëri kardiovaskulare
- Preeklampsi dhe eklampsi gjatë shtatzënisë
- Depresion dhe çrregullim emocional sezonal
- Sëmundje autoimune/ inflamatore (artrit reumatoid, lupus eritematoz sistemik, sklerozë e shumëfishtë)
Për shumë prej tyre, lidhja midis niveleve më të ulëta të vitaminës D dhe sëmundjes është e fuqishme. Prandaj, të gjitha fenomenet e mësipërme përmirësohen ose kthehen me rivendosjen e vitaminës D në nivele të shëndetshme, duke përfshirë lehtësimin e humbjes së peshës.
Për sa vitaminë D kemi nevojë?
Ju lutem, vini re se arritja e një niveli ideal të vitaminës D është çelësi – jo i ulët, por gjithashtu jo shumë i lartë. Niveli ideal i vitaminës D, i matur si 25-hidroksi mbetet i hapur për debat. Megjithatë, duke zbatuar vëzhgimet epidemiologjike ndaj sëmundjeve të mësipërme, të kombinuara me studime që tregojnë marrëdhëniet e vitaminës D në minimizimin e niveleve jo të shëndetshme të hormonit paratiroid që mund të dëmtojnë shëndetin e kockave, sugjerohet se 60 deri 70 ng/ml është niveli ideal. Shumë vitaminë D nuk është gjithashtu një ide e mirë. Përveç provokimit të depozitimit jonormal të kalciumit në inde, nivelet e vitaminës D që tejkalojnë 100 mg/dl lidhen me rrezikun për ritmin anormal të zemrës, të quajtur fibrilim atrial.
Shumica e njerëzve kanë nevojë për doza të vitaminës D nga 4000 deri në 8000 njësi ndërkombëtare (IU) për të arritur vlerën e synuar prej 60 deri në 70 ng/ml në gjak. Vitamina D duhet të merret si D3 (kolekalciferol) e cila është forma që prodhohet natyrshëm në trupin e njeriut dhe është gjerësisht e disponueshme si një shtesë ushqyese. Ju nuk duhet të përdorni formën D2 (ergocalciferol), e cila gjithashtu jepet nëpër receta si vitaminë D. Kjo formë gjendet në kërpudha dhe në këtë rast janë më mirë kërpudhat si shtesë ushqimore, sesa receta e vitaminës D2.
Në mënyrë ideale, niveli i vitaminës D duhet të rivlerësohet çdo 6-12 muaj për të ruajtur nivelin e dëshiruar, pasi nevojat tuaja mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.
Idealisht, filloni me një matje të nivelit të vitaminës D në gjak, para se të filloni të merrni vitaminë D dhe kjo për shkak se do t’ju japë një indikacion se cila duhet të jetë doza juaj. Testi që duhet të bëni është niveli i 25-hidroksi vitaminë D në gjak. Le të themi që niveli yt është 20 (ng/ml), që është mangësi e moderuar dhe je një person me moshë mesatare. Një dozë prej 6000 deri në 8000 IU kapsulë xhelatinoze vitaminë D është forma jonë e preferuar, jo tableta pasi tabletat thithen në mënyrë shumë të çrregullt. Nëse niveli juaj i vitaminës D në gjak është 20 ng/ml, 6000-8000 IU në përgjithësi ju jep sasinë optimale të vitaminës D, e cila është 60 deri në 70 nanogramë për mililitër – niveli në të cilin shfaqet shëndeti ideal nga vitamina D. Po sikur niveli juaj të jetë 5 ng/ml – një mangësi shumë e thellë, atëherë ju mund të keni nevojë për më shumë: 10000 deri në 12000 IU. Kjo është një dozë tipike e nevojshme për të arritur nivelin 60-70 ng/ml. Po sikur niveli juaj i fillimit të jetë 47 ng/ml? Mund të duhen vetëm 3000 IU ose 2000 IU dhe është e lehtë për të arritur nivelin ideal 60-70. Matja e nivelit fillestar ju tregon se sa do të keni nevojë. Nëse nuk keni bërë një analizë për një nivel fillestar të vitaminës D në gjak, mund të zgjidhni një dozë 6000 IU, sepse kjo është rreth nevojës mesatare. Nevojat individuale ndryshojnë shumë, por nevoja mesatare është rreth 5000-6000. Pasi të keni marrë vitaminë D3 mos bëni matje më shpejt se 3 muaj, sepse duhet kohë që niveli i gjakut të ngopet me vitaminë D dhe te nivelizohet. Mund të prisni edhe 6 muaj për të matur nivelet. Nëse niveli nuk ka arritur në 60-70 ng/ml, rregulloni dozën. Përshembull, nëse keni marrë 6000 IU vitaminë D3 dhe keni kapur nivelin në gjak 43 ng/ml, shtoni edhe 4000 IU dhe bëni një dozë ditore 10000 IU. Në qoftë se niveli juaj është psh 92 ng/ml, mjekët të gjithë thonë “oh, ndaloni vitaminën D”. Mos e bëni këtë, sepse nivelet e vitaminës në gjak do të binin dukshëm. Vetëm ulni dozën. Nëse me 6000 IU ju arritët në 93 ng/ml, uleni atë në 3000 IU.
Unë e llogaris vitaminën D, të dytën në listën e strategjive për rimarrjen e shëndetit, pas eliminimit të grurit. Marrja e vitaminës D është një nga ato gjëra, që bën pjesë ndër vendimet më të rëndësishme që ju merrni për shëndetin tuaj, sepse çmimi i mangësisë së saj është shumë i lartë. Ju e paguani shtrenjtë atë: me osteoporozën, frakturat e legenit, sëmundjet e zemrës, sheqerin e lartë në gjak, problemet mendore/ emocionale, më shumë çrregullim afektiv sezonal, rrezik më të madh për çmenduri, potencial më i madh për inflamacion, sëmundje autoimune; kështu që marrja e vitaminës D është vendimtare.
Rrisni dozën nëse jeni mbipeshë
Merrni doza më të larta të vitaminës D në qoftë se jeni mbipeshë. Kjo është për shkak se qelizat e yndyrës sekuestrojnë vitaminën D dhe e bëjnë atë të padisponueshme. Për shembull, disa njerëz me mbipeshë kanë nevojë për megadoza si 20000 IU në ditë. Në anën tjetër, pasi dikush humbet peshën, mund të ketë nevojë të reduktojë marrjen e vitaminës D sepse ky ushqyes i ruajtur më parë në qelizat dhjamore, lëshohet në gjak.
Pas moshës 40 vjeç, lëkura bën pak vitaminë D nga dielli
Le të mos harrojmë plakjen, e cila shoqërohet me një humbje progresive të aftësisë për të aktivizuar vitaminën D në lëkurë. Një fakt interesant është se, pas moshës 40 vjeç, shumica prej nesh përjetojnë zvogëlim të aftësisë për të aktivizuar sasi të mjaftueshme të vitaminës D në lëkurën tonë, nga ekspozimi ndaj rrezeve të diellit. Të jetosh në tropik nuk është garanci për statusin e duhur të vitaminës D. Një vlerësim i kohëve të fundit i meshkujve të moshuar që jetonin në një klimë tropikale zbuloi se 66.7% ishin të mangët në vitaminë D. Mos e pranoni se ekspozimi në diell do të rrisë nivelin e gjakut të 25-hidroksi-Vitamin D, veçanërisht nëse jeni mbi 40 vjeç. Kur jeni në dyshim, bëni testin. Por nëse jeni ndër të paktët njerëz që arrijnë të prodhojnë vitaminë D nga dielli dhe keni luhatje sezonale të niveleve të saj nga dimri në verë, mund të keni nevojë ta rregulloni dozën disi, duke e ulur nga 8000 IU në dimër, në 4000 IU në verë.
Kardiologu amerikan qorton mjekët
Vitamina D është një faktor kyç në shëndetin tuaj, prandaj do të ishte e udhës të mendoni se shumica e mjekëve janë ekspertë në vitaminë D. Mjerisht nuk është kështu. Shumica e mjekëve janë të paditur, ata nuk lexojnë shkencë dhe as nuk përpiqen të kuptojnë gjërat thelbësore, duke thënë gjëra të tilla budallallëqe si “niveli i gjakut i vitaminës D prej 30 ng/ml është mirë” ose “Ju nuk keni nevojë për ndonjë vitaminë D, sepse ju merrni mjaft nga dieta.” Synoni sasinë e vitaminës D në gjak 60-70 ng/ml, jo 20-30 ng/ml që zakonisht citohen nga laboratorët. Kjo përafron nivelet e arritura nga të rinjtë që ekspozohen bollshëm në diell. Ky nivel është ai, ku rreziku për sëmundje si kanceri dhe osteoporoza janë të shtypura maksimalisht. Dhe, nëse keni një mjek që nuk është bashkëpunues ose i painformuar, ju mund ta bëni atë analizë vetë. Unë flas në librin tim të ri “Pa doktor” – pse kujdesi shëndetësor ka dështuar dhe si mund të bëheni më të zgjuar se doktori juaj. Ju mund të bëheni më të ditur, më të aftë në çështjet e shëndetit, sepse kemi një situatë të trishtuar në kujdesin shëndetësor, ku mjekët dhe spitalet janë kryesisht të ndërtuara për fitim; për gjenerimin e të ardhurave dhe doktori është shumë i mirë në dhënien e medikamenteve dhe shtrimin në spital për procedurat e gjenerimit të të ardhurave, por ai është i keq në dhënien e mjeteve informative për shëndetin. Pra, mos u habitni nëse mjeku juaj nuk di pothuajse asgjë rreth vitaminës D ose e hedh poshtë atë: Ai shpesh hiqet se e njeh mirë rolin e saj, por shpesh rezulton se nuk i njeh vetitë terapeutike të saj.
KONKLUZIONI I TESTIMIT: Shqiptarët kanë nivele të pamjaftueshme të vitaminës D
Nga Denisa Kona
Shpesh nuk jemi fare koshientë, se një mangësi në vitaminë D mund të jetë shkaku i vetëm apo një shkak më tepër i simptomave apo diagnozave që kemi. Pra, nuk kemi vetëm stres shumë, por kemi edhe diell pak në trupin tonë. Për disa kohë, t’ju them sinqerisht, unë nuk besoja se ne si popull jemi masivisht të mangët në vitaminë D. Unë mendoja që ne jemi një popull mesdhetar, që ka diell plot dhe mangësitë në këtë vitaminë janë për popuj të tjerë. Nuk më vinte të adoptoja shifrat e amerikanëve apo të kanadezëve, sipas të cilave shumica e popullsisë kanë mangësi të rëndë ose të moderuar në vitaminë D. Mirëpo sot dyshoj, se kjo është e vërtetë edhe për popullin shqiptar. Pse? Çdo njeri që unë kam rekomanduar për të bërë analizën e kësaj vitamine, pavarësisht nëse ankohej nga diçka apo jo, ka dalë me mangësi të dukshme në vitaminë D. Me 2-3 përjashtime, gjithë të tjerët (rreth 100 persona që dërguan analizat) nuk e kishin kapur nivelin ‘e normales’ që shënojnë laboratorët. Ndërsa nivelet optimale që rekomandon kardiologu i madh amerikan, Dr. Davis, nuk i gjeta në asnjë rast.
Ajo që rekomandova rreth 3 muaj më parë përmes profileve dhe faqeve tona në rrjetin social facebook ishte: “Të dashur miq! Unë gjithnjë ju them merrni këto çajra e këto vitamina. Ndërsa këtë radhë ju rekomandoj: Matni nivelet e vitaminës D në gjak dhe më dërgoni rezultatet e analizave tuaja. Ndërsa gjithë ata që janë duke bërë ose planifikojnë të bëjnë analiza të ndryshme, të shtojnë edhe testin e Vitaminës D. Duhet të kthehet në analizë rutinë për popullën. Jam e interesuar të shoh në veçanti analizat e atyre që kanë bërë 1 muaj plazh e më tepër. Analizat e atyre që janë esmer dhe bojgruri po ashtu. Ata që rrinë brenda në zyra, ata që kanë kaluar 50 vjeç, ata që janë mbipeshë ose që kanë kolesterol të lartë, ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës. Pres po ashtu analizat nga astmatikët, alergjikët, ata me ekzemë e psoriazë, me infeksione të shpeshta urinare e të mushkërive, ata me diabet, depresion, kancer, osteopeni dhe osteoporozë. Nxitoni të më jepni rezultatet brenda 2 javëve, që të mund të kalkuloj diçka. Bëni analizën 25-Hidroksi Vitamin D dhe më kontaktoni, t’ju them se për sa vitaminë D3 shtesë keni nevojë. Ndiqni vlerat referente të laboratorit dhe përpiquni t’i tejkaloni ato, pra të mos mbeteni në shifrat kufitare”.
… Pas ardhjes së përgjigjeve të analizave….
Dielli i Mesdheut nuk na paska mjaftuar….
Testi i matjes së niveleve të vitaminës D në gjak rezultoi mjaft interesant. Edhe pse numri i njerëzve të përfshirë është modest, më lejoi të vizatoj një panoramë mbi mangësitë e kësaj vitamine në popullatën shqiptare. Për këtë ndihmuan rreth 100 pergjigje nga miqtë, për nivelet e tyre të vitaminës D në gjak, disa fotografim analize dhe disa vetëm si shifër. Gati gjysma e përgjigjeve janë nga shqiptarët e këtushëm, gjysma janë nga shqiptarë që banojnë në Greqi, Itali, Gjermani, Amerikë, Holandë, Suedi, plus 2 qytetarë të huaj. Përfundimi: Të tërë me nivele të vitaminës D nën normë, (me përjashtim të 3 rasteve, që kishin kapur pragun e vargut normal dhe një rasti me nivele më të mira 48 ng/ml 25-OH (D). Këta kishin përdorur shtesë vitamine D. Shumica binin në zonën e pamjaftueshmërisë (insuficiencës), ndërsa pak raste binin në nivelin e mungesës (deficencës). Duhet thënë se pjesëmarrësit janë testuar në laboratorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit dhe vlerat referente ndryshojnë mes laboratorëve.
Por cilat ishin konkluzionet e tjera pas këtij përfundimi?
1. Dielli nuk na mjafton për të mbushur depozitat e vitaminës D dhe për t’i mbajtur ato të qëndrueshme në 365 ditë të vitit. Dy persona nga zonat bregdetare Shqipëri dhe Itali, që kishin bërë 3 muaj plazh, na rezultuan gjithashtu të mangët në vitaminë D3. Befasia më e madhe e sondazhit.
2. Shumë njerëz kanë humbur kontaktin me diellin, për shkak të punës mbyllur dhe të shkëputjes nga fshati, puna në bujqësi. Kjo rezultoi në mangësi në vitaminë D3 edhe në persona me moshë të re 20-35 vjeç, që e kanë aftësinë të bëjnë bollshëm vitaminë nga dielli.
3. Shumica nuk kanë mundësi të hane çerek kg salmon çdo ditë të vitit ose gjysmë kg sardele çdo ditë, që të plotësonin një minimum kërkese për vitaminë D ditore.
4. Kultura e suplementeve është e dobët në popull dhe e dobët edhe ndër mjekët. Mjekët zakonisht rekomandojnë doza të vogla të shtesave të cilat nuk e korrigjojnë plotësisht gjendjen, ose një dozë të vetme mujore, në dukje e lartë por realisht e ulët kur pjesëtohej për 30 ditë.
6. Popullsia është e padiagnostikuar, për shkak se mjekët e rekomandojnë rrallë këtë analizë dhe vetëm në disa diagnoza. Ky testim duhet të kthehet në rutinë, si analizat e tjera të gjakut.
- Disa njerëz besojnë, nisur nga çfarë shkruajnë dietologë e portale, se ata i përmbushin nevojat për Vitaminë D3 nëse pinë qumësht apo lëng portokalli, hanë vezë, gjizë apo cereale. Prandaj nuk e vlerësojnë suplementin.
7. Njerëzit vetëmjekohen duke marrë doza të vogla që nuk e ndryshon gjendjen si duhet as në analizën e ardhshme. Ata dëgjojnë farmacistët, që u rekomandojnë dozat e vogla që kanë në rrafte, sepse ato kanë dhe ato janë më të lira.
8. Njerëzit ndodh që vetëmjekohen duke u nisur nga lajmet që gjejnë në internet ku flitet për doza modeste që kanë dëshmuar edhe në sondazhin tonë se nuk i kanë vendosur nivelet normale të vitaminës D në gjak.
9. Njerëzit i shikojnë vitaminat si kapsula dhe i përfytyrojnë ato si ilaçe. Ata kanë frikë të marrin shumë vitaminë D3, ndërkohë që nuk kanë frikë të marrin të njëjtën sasi vitamine D duke qëndruar zhveshur ne diell.
10. Njerëzit vuajnë nga mangësitë e vitaminës D3, jo nga tepricat. Nuk ka vdekur njeri nga teprica në D3, edhe kur kane marrë doza jashtëzakonisht të larta për një kohë të gjatë.
Nivelet e vitaminës D nuk restaurohen me ushqim
Pretendimet se vitaminën D e keni në qumësht, e keni në vezë etj. janë marrëzira. Dhe më e keqja është se ato u japin njerëzve një shpresë të rreme, se janë duke marrë vitaminë D3 dhe nuk e ndihmojnë veten me një suplement të mirë, sidomos në gjysmën e ftohtë të vitit. Më absurd është fakti se këto këshilla lëshohen pa kalkuluar sasitë që gjenden në ushqime. Psh, 200 ml qumësht ka vetëm 4 IU vitaminë D3. 100 gr gjizw ka vetwm 3 IU vitaminw D3. Kjo është baras me hiç fare. Cerealet kanw 0. Dy vezë 100 gr kanë 87 IU vitaminë D. Ndërkohw kwto sasi nuk arrijnw as minimumin e miratuar për vitaminën D3 (600-800 IU), që duhet thënë se nuk parandalon sëmundjet, parandalon vetëm distrofinë, pra një situatë ekstreme mangësie. Janë vetëm pak lloje peshqish, që japin nga 300-400 IU vitaminë D për 100 gr dhe kjo është tashmë e pëlqyeshme, por swrish jo e mjaftueshme. Dhe a do të hanë përditë njerëzit nga këta peshq dhe sa do të hanë, që të marrin dozën optimale të vitaminës D3 për të parandaluar sëmundjet nga mangësia e saj? Përfundimisht, vitamina D3 si suplement, sidomos pas moshës 50 vjeç, nevojitet 365 ditë të vitit.- D.KONA
Dr.Davis: Asnjëherë tableta Vitamine D+ kalcium
Mos e merrni vitaminën D me calcium, për shkak se shumë aspekte të stilit të jetesës si eliminimi i grurit, janë të lidhura me një rritje të dukshme në absorbimin e kalciumit nga zorrët. Kur eliminohet buka, dhe gliadina që përmban gruri, sasia e kalciumit që humbet me urinën është më e vogël, pra trupi mban më tepër kalcium. Nga ana tjetër, Vitamina D rrit thithjen e kalciumit nga zorrët. Kultivimi i baktereve të mira në zorrë, Lactobacillus dhe Bifidobacteria ndihmojnë thithjen e ushqyesve, përfshirë kalciumin. Për këto arsye dhe për shkak se marrja e kalciumit shtesë është shoqëruar me rrezikun e rritur kardiovaskular dhe nuk parandalon frakturat osteoporotike, ne nuk duhet të marrim kalcium dhe sigurisht nuk duhet të marrim kurrë tableta kombinimi të vitaminës D me kalcium.
Merrni një dozë ditore, jo një dozë javore ose mujore. Doza ditore ka treguar të ushtrojë efekte më të dobishme.
Merrni vitaminën D në mëngjes. Disa njerëz zhvillojnë pagjumësi nëse vitamina D është marrë në kohën e gjumit, një efekt që unë supozoj se do të thotë që trupi në një farë mënyre barazon marrjen e vitaminës D me rrezet e diellit.