Ja pse Enver Hoxha e kishte ruajtur këtë bimë për përdorim popullor dhe kishte hyrë në çdo mencë punëtori dhe ushtari
Irfan Gjeçi
Çaji i malit kurrë nuk fitoi famën e çajit jeshil (Camellia sinensis), as nuk hyri në sallonet britanike shoqëruar me sanduiçe dhe kiflet e pasdites. Në vend të kësaj, ai ka mbetur një bimë e përulur, i konsumuar kryesisht nga barinjtë e maleve të Ballkanit.
Bariu është një nga profesionet më të vjetra në botë dhe në vargjet alpine piktoreske të Evropës Juglindore, barinjtë banojnë në këto kullota malore për periudha të gjata gjatë muajve të verës. Kjo është koha kur ata kullotin tufat e tyre me një florë malore cilësore. Në këto rajone të izoluara të largëta, këta barinj zhvillojnë një intimitet të thellë me mjedisin e tyre natyror. Falë kësaj lidhjeje, ata kanë zbuluar cilësitë unike të shumë bimëve alpine, që rriten mbi 2000 metra mbi nivelin e detit. Këta çobenj, këta herbalistë alpinë të rrallë, kanë njohur mjetet e natyrës si medicinë. Çaji i malit është konsideruar si një element jetësor në Farmakopenë e bariut apo “kabinetin e mjekësisë së tij”, së bashku me një grup bimësh të tjera të egra malore. Prej çobenjve këto ilaçe të zbuluara iu dhanë popujve të qyteteve në Gadishullin Ilirik. Sideritis -çaj mali, rritet në shumë vende të Ballkanit, në Shqipëri më i njohur është mali i Gramozit, në Maqedoni në Malin Bistra.
***
Ju kujtohet ushqimi i ushtrisë dhe i mencave të punëtorëve e nxënësve para ’90-s? Mëngjesi: çaj mali me djathë, ndonjëherë edhe darka. Mijëra familje e kanë pasur këtë, ushqimin e përditshëm. Kështu që çaji i malit është çaji me i sprovuar në traditën e popullit tonë për sigurinë e tij. Enver Hoxha ishte një diktator, por ai donte të kishte një ushtri të shëndetshme dhe një popull të aftë për punë. Ai kishte interes që populli të ishte energjik, të shkonte në pune çdo ditë dhe të bënte normat e prodhimit. Enver Hoxha ka pasur disa raporte për çajin e malit (Sideritis) nga Bullgaria, të cilat dëshmonin se ky çaj kishte një ndikim në jetëgjatësinë e popullsisë me përdorimin afatgjatë. Çaji i malit do të ishte çaji kryesor i shqiptarëve, më masivi në përdorim dhe do të bënte mbrojtjen kryesore ndaj infeksioneve respiratore, ftohjeve, gripit, alergjive, emfizemës së mushkërive, rritjen e sistemit imunitar të popullsisë, rritjen e energjisë, detoksifikimin, përshpejtimin e shërimit, mirëmbajtjen e sistemit tretës, mbrojtjen nga kanceri etj.
Ushqimi i ushtrisë dhe çaji i malit kanë qenë sinonim i njëra-tjetrës. Por Enveri nuk ishte i pari që e kishte njohur vlerën e çajit të malit në ushtri. Dioskoridi, farmakolog dhe botanist i cili shkroi veprën e njohur “De Materia Medica”, shkroi se çaji i malit është “ilaç kundër traumave nga armët prej hekuri,” që do të thotë nga plagët e luftës në kohët e lashta. Dioskoridi e këshillon këtë çaj për ushtarët, si rinovues, rigjenerues dhe ndihmës për t’i ndihmuar ata të shërohen shpejt. Greqia akoma dhe sot nëpër ushtri, spitale, burgje e përdorin çajin e malit çdo mëngjes.
Çaji i malit nuk ka qenë pjesë e rëndësishme e eksporteve të bimëve medicinale të vendit, ashtu si mjaft bimë të tjera. Sipas një burimi konfidencial, Enver Hoxha e ruajti këtë bimë për të plotësuar nevojat e brendshme të
popullatës, ndërkohë që 95% e sasisë së prodhuar në territorin kombëtar e të gjitha bimëve medicinale ishte e destinuar për eksportet. Vendet e Evropës Lindore, si dhe vendet perëndimore si Franca, Gjermania, Austria, Italia, Hollanda, Zvicra ishin përfituesit kryesorë. Pjesa tjetër e prodhimit u transformua nga industria farmaceutike ose agro-ushqimore në vaj esencial (Kutrolli, Ukaj, 2009). Qëllimi i ekonomisë socialiste gjatë periudhës komuniste ishte të menaxhonte bimet aromatike dhe medicinale për të plotësuar nevojat e vendit me produkte farmaceutike, kimike, kozmetike dhe agro-ushqimore. Kështu, ndërsa disa bimë morën rëndësi të madhe në përgatitjen e preparateve nga Profarma jonë, çaji i malit u bë ushqimi dhe ilaçi kryesor dhe më i lirë për parandalimin e sëmundjeve. Burime për gazetën thonë se kjo ishte një bimë strategjike për ushtrinë tonë. Eksplorimi shkencor i kësaj bime nga perëndimorët vetëm sapo ka filluar. Kjo bimë mban premtimin për të përmirësuar rrënjësisht shëndetin, për shkak të mungesës së substancave helmuese, gjë që i jep mundësinë të përdoret pa kufizime kohore, si ushqim. Kjo bimë endemike e Gadishullit Ilirik, kohët e fundit po zbulohet nga ekipe studiuesish për veti të tjera medicinale, të panjohura. Duke analizuar gamën e jashtëzakonshme të përbërësve të saj kimikalë, studiuesit kanë paralajmëruar se mund të jemi duke zbuluar një ilaç, që vlen pothuajse për gjithçka, edhe si mjekësi antiplakje.
Çaji i malit për fëmijët hiperaktivë
Një lexuese e gazetës Molla e Shëndetit na shkruan në facebook: “Djali im e ka shumë qejf çajin e malit dhe e do përditë, mirëpo unë kam nisur t’ia ndaloj, duke menduar se është bimë medicinale dhe si e tillë nuk duhet përdorur tërë kohën. Më thoni, a bëj mirë apo gabim që përpiqem ta kufizoj djalin tim? Për më tepër, ai është i diagnostikuar me ADHD (çrregullim të vëmendjes dhe hiperaktivitet).”
Mos e kufizoni! Kjo është një bimë e sigurt. Djali juaj e dëshiron çajin e malit dhe duket se intuita e tij fëminore e ka çuar tek gjetja e ilaçit. Ky çaj i përgjigjet gjuhës së trupit të tij. Studimet e reja po tregojnë se çaji i malit mund të jetë një trajtim për ADHD. Sideritis po tregon potencial në parandalimin e absorbimit nga receptoret nervorë të serotoninës, noradrenalinës dhe dopaminës, gjë që sugjeron se Sideritis scardica mund të ketë aplikim në shëndetin mendor, veçanërisht në hiperaktivitet, por edhe në parandalimin dhe përmirësimin e kujtesës si dhe në çmenduri (demencë). Bima jonë ka treguar madje epërsi mbi Gingo Bilobën. Çaji i malit ka rritur gjithashtu hemoglobinën dhe oksigjenin në korteksin paraballor gjatë kryerjes së detyrave të lidhura me kujtesën. Rezultatet kanë qenë akoma edhe më të mëdha, kur çaji i malit është kombinuar edhe me vitaminat B kompleks.
Çaji i malit ka dëshmuar se ka rritur ndjeshëm prodhimin e glutathiones- antioksidantit mjeshtër të vetë trupit, në rajonet e trurit si korja e trurit, korteksi cerebral, truri i mesit, duke sjellë si rezultat uljen e stresit, të ankthit si dhe duke rritur mbrojtjen e neuroneve të trurit.
Çaji i malit, përfitime të njëjta si çaji jeshil
Raporti i Brunsëick Labs nxjerr në pah vetitë antioksiduese, anti-inflamatore, anti-mikrobike dhe gastro-mbrojtëse nga çaji i malit (Sideritis)
Një raport i ri nga Brunsëick Laboratories, zbulon se çaji i malit ka veti të rëndësishme antioksidante. Çaji malor i njohur edhe si “Çaji i Bariut”, është një infuzion bimor pa kafeinë, i bërë nga lule të thata, gjethe dhe kërcej të bimës Sideritis. Konsumi i çajit të malit daton në qytetërimin e lashtë në Greqi, kur filozofi grek Hipokrati, babai i mjekësisë moderne, përshëndeti përfitimet e tij për sistemet imunitare dhe të frymëmarrjes. Raporti i ri i Brunsëick Labs nxjerr në pah aktivitetin biologjik dhe vetitë funksionale të lidhura me çajin e malit bazuar në një trup të konsiderueshëm hulumtimi. Një studim nga Gazeta e Shkencës së Ushqimit dhe Bujqësisë ka zbuluar se çaji i malit është po aq i fuqishëm sa çaji jeshil (Camellia sinensis) në mbrojtjen antioksiduese qelizore. Megjithëse ekstrakti i çajit të malit kishte një përqendrim më të ulët fenolik dhe kapacitet më të ulët antioksidues sesa çaji jeshil, efektet e tyre antioksidante qelizore ishin të ngjashme, për shkak të thithjes së krahasueshme. Raportet e Brunsëick Labs gjithashtu i referohen hulumtimeve të botuara në revistën kryesore ndërkombëtare ‘Planta Medica’ që vëzhguan efekte të rëndësishme antiinflamatore si dhe aktivitet anti-mikrobik kundër 5 llojeve të mikroorganizmave, përfshirë Epidermidis Staphylococcus, Candida albicans dhe E. coli. Analiza Brunsëick Labs zbuloi se çaji Sideritis ka një vlerë të lartë ORAC. Kapaciteti absorbues i radikaleve të lira të oksigjenit fillon nga 6900 në 7400 umol TE3 për çdo filxhan çaji. (sa kanë 80 gr boronica- Molla). Çaji i malit ka një përmbajtje totale fenolesh prej 136 mg dhe një përmbajtje totale bioflavonoidesh prej 65.1 mg për filxhan, që është dy herë sasia bioflavonoide e çajit të kamomilit.
STUDIMET BALLKANIKE QË TREGOJNË MADHËSHTINË E ÇAJIT TË MALIT
Bima ilire për osteoporozën, ulcerën dhe kancerin
“Natyra nuk bën asgjë kot dhe pa qëllim” – Aristoteli
Çaji i malit, latinisht Sideritis scardica, është një barishte gjithëvjetore që i përket familjes nenexhik (Lamiaceae). Sideritis vjen nga greqishtja dhe përkthehet “ai që është i hekurt”. Në kohët e lashta, Sideritis njihej si bimë e aftë për shërimin e plagëve të shkaktuara nga armë hekuri. Çaji i malit është përdorur tradicionalisht për të ndihmuar tretjen, forcimin e sistemit imunitar, për ftohje, grip dhe viruse të tjera, zbutjen e kollës, alergji dhe bllokim sinusiti, madje edhe dhimbje dhe ankth të butë. Një bimë e vërtetë bakteriostatike, dezinfektuese, diuretike, stimuluese, antianemike, detoksifikuese. Shumica e hulumtimeve për të janë kryer në universitetet në Holandë, Greqi, Turqi, Maqedoni, Bullgari dhe Shqipëri.
Çaji i malit përmban mbi 60 përbërës kimikë të provuar klinikisht përmes studimeve universitare, për vetitë anti-mikrobiale, anti-inflamatore dhe anti-oksidante. Çaji i malit ka një përmbajtje të lartë hekuri, duke lehtësuar qarkullimin e gjakut, ai është luftëtar i anemisë dhe lodhjes si dhe një rregullator i temperaturës trupore. Në saj të diterpenoideve që përmban, frenon inflamacionin në mushkëri. Në Kretë, nën sundimin e Venedikut, Sideritis fitoi një tjetër emër popullor ‘malotira’, që do të thotë që nxjerr jashtë sëmundjen. Një studim i kryer nga UCLA raportoi “flavonoidet mund të mbrojnë kundër kancerit duke bllokuar formimin e enëve të gjakut të tumoreve duke penguar përhapjen e tyre, një proces i quajtur angiogjenezë”. Sideritis caesarea u studiua edhe në Turqi për efektet anti- kancer dhe rezultatet u publikua në mars 2011 në “British Journal of Nutrition.”
Çaji i malit vret 18 lloj bakteresh
Vajra esenciale në Sideritis Italica janë hetuar për vetitë e tyre antibakteriale. Studimi është publikuar në “Journal of Ethnopharmacology” në vitin 2006. Ekstrakti i esencës së Sideritis ishte efektiv në reduktimin ose vrasjen e 18 llojeve të baktereve in vitro, duke përfshirë salmonelën dhe H. pylorin- baktere që shkaktojnë ulcera.
Një studim bullgar tregon se vaji esencial nga pjesët ajrore të Sideritis (me gjithë ndryshimet në përbërje midis nënpopullimeve maqedonase dhe bullgare), përdoret për të kuruar bronkitin dhe astmën bronkiale, emfizemën e zakonshme, ftohjen e mushkërive (Kostadinova et al. 2007, Knorle 2012).
Mbron stomakun nga ulcera dhe gastriti
Disa studime, me 3 lloje Sideritis treguan efekte të rëndësishme mbrojtëse të bimëve kundër çrregullimeve gastrointestinale, veçanërisht ulcerave. I pari, i publikuar në vitin 2005 në “Journal of Ethnopharmacology”, tregoi se Sideritis Cezare hyn në listën e bimëve që mbron stomakun kundër ulcerave, ndërsa studimi tjetër në “Journal of Food Medicinale”, tregoi se Sideritis syriaca ishte në gjendje të parandalojë gjakderdhjen e stomakut, dhimbjet dhe ulcerat, në minj laboratori. Studimi i tretë në po këtë revistë, në maj të vitit 2011 tregoi se Sideritis raeseri ishte e dobishme në parandalimin e spazmave të zorrëve dhe çrregullime të ndryshme gastrike.
Një bimë aleate e kockave
Ekstraktet ujore nga Sideritis Euboea dhe Sideritis Clandestina ishin në gjendje për të promovuar aktivitetin e qelizave kockëformuese të quajtura osteoblaste, në një studim të raportuar në vitin 2004 në “Journal of The Science of Food and Agriculture“. Ky rezultat, i kombinuar me hulumtimet e publikuara në prill 2011 në revistën “Menopauza”, tregojnë se Sideritis promovon dendësinë minerale të kockave dhe forcën. Përfundimi: Çaji i malit është një ushqim funksional për osteoporozën.
Përdorimet kryesore të çajit të malit për:
- Ftohjet e zakonshme
- Problemet e frymëmarrjes
- Bronkit dhe astmë
- Alergji sezonale
- Dispepsi (mostretje) dhe ulcer
- Largon metalet e rënda
- Problemet e prostatës
- Vështirësi urinare
- Tension të lartë
- Stimulant për mashkullin (impotencë)
- Për osteoporozë
- ADHD dhe Alzhejmer
- Për ankth dhe relaks
Ndësa shkenca i ka hedhur sytë mbi bimët, mjekët ende jo. Sepse të rejat shkencore sidomos mbi natyrën, qëndrojnë mbyllur akademive dhe bibliotekave shkencore, por nuk bëhen pjesë e rifreskimit të kurrikulave universitare. Duhet të ndodhë kjo, që të ndryshojë perceptimi i mjekëve, se me bimet duhet marrë seriozisht dhe se ato duhen përfshirë në protokollet e trajtimit të sëmundjeve.
SIGURIA
Çaji më popullor, i të sëmurit dhe të shëndoshit
Çaji i malit i rritur në gjendje të egër është i kërcënuar nga zhdukja, për shkak të mbledhjes pa kriter dhe kjo ka vënë në alarm të tëra shtetet e Ballkanit. Për shkak se ky nuk është një çaj thjesht medicinal, ky është çaji që pi masivisht gjithë popullata me periudha të gjata, jo vetëm për ilaç, por edhe për ushqim. Eshtë nga të paktët çajra për tërë familjen, për çdo moshë, për të sëmurë e të shëndoshë. Nëse çajin e mëlçisë e pi vetëm i sëmuri nga mëlçia, dhe çajin e zemrës e pi një kardiak, çajin e malit e pi kushdo. Epërsia e tij rritet për shkak të sigurisë që ofron dhe aromës dhe shijes së këndshme si rrallë bimë.
STUDIMI GREK
Çaji i malit, ky mbrojtës i trurit
Studimi i një grupi autorësh grekë titulluar “Phytochemical composition of mountain tea from Sideritis clandestina subsp. Clandestine…” tregoi se çaji malit rriti dukshëm nivelin e antioksidantit mjeshtër, Glutathionit, në disa rajone të trurit. Më hollësisht ata shkruajnë: “Efektet neurotoksike të stresit oksidativ dhe neurodegjenerimit pasues në zonat specifike të trurit njihen si faktorë shkaktarë në sëmundjen Alzheimer, Parkinson dhe procesin e plakjes. Truri është më i madhi organ i prekshëm ndaj dëmtimit oksidativ për shkak të kërkesës së madhe të tij për oksigjen, përmbajtjes së lartë të lipideve (veçanërisht acideve yndyrore të poliunsaturuara -Omega 3), nga proceset e larta redoks, aktiviteti i ulët i sistemit mbrojtës antioksidant, kapaciteti i vogël që ka truri për rigjenerim qelizor.
Sideritis demonstroi efekt në parandalimin e oksidimit të yndyrnave në qelizat e trurit. Qelizat e trurit janë të pasura me Omega 3 që prishet lehtë, duke prodhuar gjatë këtij procesi, një produkt përfundimtar (MDA), mjaft reaktiv, i rrezikshëm me efekt citotoksik. Ndërkohë, ana tjetër e medaljes është antioksidanti i vetë trurit, Glutathioni që bën parandalimin e dëmtimit të indeve dhe pastron nga radikalet e lira shkatërruese. Pikërisht këtu çaji i malit ka treguar veprim duke rritur prodhimin e glutathionit.
Autorët e studimit kanë përmendur në studim edhe cilësitë chelation (të tërheqjes së metaleve të rënda, kryesisht të aluminit) dhe nisur nga përbërja e çajit, ky veprim i atribuohet apigenin, i njëjti përbërës i shquar në majdanoz dhe koriander, që i bën këto bimë të shquara për pastrim nga metalet toksike. “Struktura e apigenin në ekstrakt është treguar të ketë një shumëllojshmëri të veprimeve farmakologjike në sistemin nervor qendror si antidepresant dhe si neurokemikal. Por efektet e çajit të malit nuk ndalen këtu. Ai gjithashtu jep mbrojtje neurovaskulare të trurit, kundër toksicitetit të pllakave amyloid, pengon prostaglandinat inflamatore PGE2, pengon llojin e oksidit nitrik që shkakton stres oksidativ. U gjet se çaji i malit rrit mbrojtjen edhe kundër Hepatokarcinogjenezës (thjesht, kancer në mëlçi). Gjithashtu autorët konkluduan se pirja e rregullt e çajit të malit ndikon në parandalimin e sëmundjeve të neuro-sjelljes dhe efektet e dëmshme të plakjes. Studimet e fundit tregojnë një lidhje midis stresit oksidativ dhe ankthit. Studiuesit grekë nga dy universitetet të Patras dhe të Janinës konkluduan se çaji i malit ka efekt anksiolitik (anti-ankth).
PËRFITIMET KOZMETIKE
Një bimë për bukurinë
Në kozmetikë, Sideritis vetëm kohët e fundit është duke u shfrytëzuar si një burim i pasur i antioksidantëve, të cilët i bëjnë kremrat të ofrojnë një performancë më të mirë anti-plakje. Në përgatesat e shampove, çaji i malit punon kundër dekolorimit dhe dëmeve të flokut për shkak të ekspozimit të përditshëm ndaj rrezatimit UV. Polifenolet e tij gjenden edhe në çajin e zi ose të gjelbër, por sideritis është superior- ai nuk përmban aspak kafeinë.
Por edhe pse çaji i malit / Sideritis është një bimë aromatike, nuk ka fituar popullaritet në parfume, ndryshe nga bimë të tjera të Mesdheut (si lule akja ose lulesapuni ose labdanum nga trëndafili shkëmbor). Ky çaj do të siguronte parfume të mrekullueshme, falë përbërësve të tij si alfa-pinene dhe ß-pinene, linalool dhe eukaliptol.