Do të shkosh të diagnostikohesh? Ja si të mbrohesh nga rrezatimi kanceroz i pajisjeve diagnostike!

Të dashur lexues!
Ne e dimë që rrezatimet nuk janë të mira, e dimë që duhet t’i shmangim, por kjo nuk është gjithnjë e mundur. Herë pas here, secili nga ne është i detyruar të bëjë një diagnostikim për të zbuluar në kohë një sëmundje serioze. Në spitalet tona nuk ka asnjë ditë pushimi, madje mund të ketë radha në dyert e skanerave, ekove e grafive. Burimet e autorëve amerikanë tregojnë se fluksi i ekzaminimeve të tilla është edhe atje. Çdo vit, 1 në çdo 4 vetë në SHBA sipas këshillës së mjekut, i nënshtrohet tomografisë së kompjuterizuar, skaneri CT dhe rrezatimit jonizues. Por Instituti Kombëtar i Kancerit paralajmëron se 72 milionë skanime CT të kryera çdo vit janë duke rritur rrezikun për kancerin. Në fakt, Instituti vlerëson se skanimet CT të vetme, pa llogaritur të tjerat, mund të jenë përgjegjëse për rreth 29,000 diagnoza të reja të kancerit çdo vit. Megjithatë, diagnostikimet kanë përparësi të rëndësishme mjekësore. Ato u mundësojnë mjekëve të diagnostikojnë çdo gjë, nga frakturat e kockave e deri tek kanceri dhe aneurizmi i enëve të gjakut dhe aortës dhe shpesh zbulojnë rreziqet dhe gjëndjet shëndetësore, që përndryshe do të kalonin pa u vënë re. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të ndërmerrni masa paraprake për zvogëlimin e efekteve të rrezatimit jonizues të shkaktuar nga skanimet e CT.
Skanerat dhe grafitë kontribuojnë në rritjen e numrit të kancereve të parandalueshëm. Skanerat jo vetëm që zbulojnë punën e brendshme të kokës dhe trupit, por edhe çdo anomali, siç janë tumoret apo abscesi. Një ekzaminim i vetëm mund ta ekspozojë një pacient ndaj një sasie rrezesh X, që rritin ndjeshëm rrezikun e kancerit.Të kuptuarit e mënyrave për të zvogëluar efektet e rrezatimit mjekësor mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit. Më poshtë janë shembuj të mënyrave natyrore për të parandaluar efektet negative të rrezatimit jonizues të shkaktuar nga skanimet CT.
Bari i bletës (Melissa Officinalis) 
Bari i bletës ose milca mund të ndihmojë në reduktimin e rreziqeve të rrezatimit jonizues, duke parandaluar formimin e kimikateve të dëmshme të shkaktuara nga imazheria mjekësore. I njohur për aftësinë e tij për të ruajtur mishin dhe ushqimet e tjera duke parandaluar stresin oksidativ që shkakton prishje, bari i bletës (milca) punon në mënyrë të ngjashme për të parandaluar një formë të stresit kimik, që rrezatimi jonizues shkakton në trupin e njeriut. Bari i bletes është gjithashtu i njohur për të rritur nivelet e superoksidit dismutase (SOD), një komponent i rëndësishëm në aftësinë e trupit për të luftuar efektet e dëmshme të rrezatimit që rrjedhin nga teknologjitë mjekësore. Hulumtimet kanë treguar se bari i bletës gjithashtu mbron trupin duke mbrojtur membranat e qelizave, lipidet si dhe mbron ADN-në. Një studim që përfshiu radiologë të ekspozuar ndaj rrezatimit në nivele të ulëta çdo ditë, tregoi me rezultate të matshme, mbrojtjen nga çaji i barit të blerës (Melissa officinalis) 1.5g bimë e tharë në100 ml ujë, dy herë në ditë për 30 ditë.
Ginkgo biloba 
Është një bimë e mirënjohur që mund të përdoret për të zvogëluar efektet e dëmshme të imazherisë mjekësore duke zvogëluar nivelet e thyerjeve së fibrave të ADN-së që çojnë direkt në kancer. Në një nga studimet, trajtimi me ginko biloba reduktoi numrin e kromozomeve anormale në subjektet e ekspozuara ndaj rrezatimit jonizues me gati 60%. Në një tjetër studim njerëzor, pacientët e ekspozuar ndaj rrezatimit morën 40 mg gingkobiloba 3 herë në ditë gjatë një periudhe dy- mujore. Ata treguan një përmirësim të dukshëm dhe mbrojtje të ADN-së pothuaj si personat që nuk ishin ekspozuar ndaj rrezatimit.
Spirulina 
Nxit prodhimin e qelizave të bardha të gjakut pas ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues. Palca e kockave është veçanërisht e ndjeshme ndaj efekteve të toksicitetit pas ekspozimit të rrezatimit. Shpesh, efektet mund të çojnë në infeksione fatale dhe dërrmuese, ndonjëherë duke u shfaqur shumë më vonë. Ekstrakti i Spirulinës stimulon prodhimin e palcës së eshtrave, që stimulon faktorët e rritjes. Gjithashtu rrit prodhimin e antitrupave-qelizave vrasëse të sistemit imunitar. Antitrupat kanë aftësinë për t’iu bashkuar organizmave invadues për t’i shkatërruar.
Vitamina C 
Një antioksidant i fuqishëm, që është provuar të jetë shumë efektiv në trajtimin e ekspozimeve të rrezatimit. Për shembull, aksidenti nuklear në Fukushima në Japoni ilustroi se, edhe kur vitamina C jepet në doza të moderuara, ajo ka aftësinë për të parandaluar dëmtimin e qelizave, që shihet normalisht pas ekspozimit ndaj rrezatimit. Sasi të mëdha të kësaj vitamine kanë treguar aftësi për të ndryshuar ose parandaluar dëmet e shkaktuara nga ekspozimi i rrezatimit, si në laborator ashtu edhe në pacientët që i nënshtrohen terapisë rrezatuese. Rekomandohet që sa më shumë vitaminë C të jetë e mundur të merret para ekspozimit për të maksimizuar përfitimet antioksiduese, parandaluese të kancerit.
Farat e gjëmbgomarit (Silybum Marianum) 
Kanë treguar përmes studimeve, rol radioprotektiv ndaj rreziqeve të radioterapive. Departamenti i Radiologjisë i Fakultetit tw Mjekësisë, Shahrekord, Iran tregoi se radioterapia është mënyra më e zakonshme e trajtimit të kancerit duke aplikuar rrezatimin jonizues. Në shumicën e rasteve, Radioterapia domosdoshmërisht ndikon në indet normale rreth tumorit. Farat e gjëmb gomarit kanë treguar efekt në pastrimin nga radikalet e lira që shkakton rrezatimi, kanë ndalur dëme radio-oksidative, kanë lehtësuar riparimin e ADN-së dhe riparimin qelizor në tërësi, kanë luajtur rol imuno-modulues, pra kanë përshtatur sistemin imunitar sipas nevojës dhe kanë lehtësuar ripërtëritjen e organeve të dëmtuara dhe të prekura nga rrezatimi diagnostikues.
Ps. Kohë më parë, gazeta Molla e Shëndetit botoi studimet për mbrojtjen nga rrezatimi radioaktiv që ka dhënë hurma në rastet e shpërthimit të Cernobillit dhe Fukushimas si dhe në mbrojtjen nga trajtimi me jod radioaktiv i pacientëve të tiroides.
Studimi
Me farat e lirit pacientët mund t’i mbijetojnë rrezatimit
Një studim i botuar në BioMed Central Cancer dhe i kryer nga Universiteti i Pensilvanisë ka zbuluar edhe një herë vetitë mbrojtëse prej rrezatimit, të farave të lirit. Studiuesit vunë në dukje se mbrojtja e ofruar nga farat e lirit përfshinte edhe riparimin e indeve pas ekspozimit. Hulumtimi u fokusua në aftësinë e farave të lirit për të mbrojtur indet e mushkërive para ekspozimit të rrezatimit dhe aftësinë e lirit për të riparuar indet e dëmtuara të mushkërive pas ekspozimit. Ata përdorën minj për studimin e tyre të botuar, por tani po bëjnë një studim klinik mbi njerëzit që marrin rrezatim për trajtimin e kancerit. Një ekip studiuesish të udhëhequr nga Melpo Christofidou-Solomidou ushqeu disa minj me fara liri, para se t’i rrezatonin dhe pas rrezatimit. Ata gjetën se, si para dhe pas rrezatimit, minjtë që u ushqyen me fara liri gëzuan shëndet të mirë edhe pas ekspozimit ndaj rrezatimit në doza vdekjeprurëse, ndërsa minjtë e grupit që nuk u ushqyen me fara liri, ngordhën. Jo vetëm që minjtë e ushqyer me liri mbijetuan, por edhe arritën të bëheshin më të shëndetshëm. Ata kishin peshë më të lartë trupore dhe inflamacion minimal në mushkëri, i cili është i zakonshëm me terapinë e rrezatimit. Qëllimi i këtij studimi ishte gjetja e një mënyre për pacientët e kancerit për t’i mbijetuar rrezatimit.
Kujtojmë terapinë që ka botuar gazeta Molla e Shëndetit të shkencëtares së lartë gjermane Dr. Johanna Budëig, e cila zbuloi se kombinimi i vajit të farave të lirit me gjizë, shtonte furnizimin me oksigjen në qeliza, duke ia bërë jetën të pamundur kancerit. Ndërsa për konsumin e farave të lirit, ajo tha se nuk duhen shtypur shumë kohë para, për shkak se prishen, por mund të futen për bluarje në një mulli dhe të konsumohen brenda pak orësh.
PËRFUNDIM
Aksidentet bërthamore dhe radiologjike mund të rezultojnë me dëmtime të rrezatimit mesatar dhe të rëndë dhe vdekshmëri masive. Efekti i dëmshëm i rrezatimit γ në sistemet biologjike është i njohur mirë. Bimët janë në thelb të talentuara në aftësinë për të bërë rezistencë ndaj rrezatimit të dëmshëm. Ekspozimi intensiv ndaj rrezatimit jonizues nga aksidentet, për qëllime profesionale ose terapeutike shkakton dëmtim qelizor. Kohët e fundit, interesi i mbrojtjes nga rrezatimi ka ndikuar në vlerësimin e potencialit radioprotektiv të bimëve dhe shpresojmë se një ditë do të jetë e mundur për të gjetur një agjent farmakologjik të përshtatshëm, që mund të mbrojë njerëzit kundër efekteve të dëmshme të rrezatimit jonizues. Përdorimi i fitokemikaleve në radio-mbrojtje ka marrë shumë vëmendje në dekadën e fundit, për shkak se fitokemikalet kanë më pak toksicitet në qeniet humane.
