Denisa Kona
Fjala rrënjë ka një kuptim të drejtpërdrejtë dhe figurativ të lidhur me origjinën, tokën, fuqinë. Rrënja ka qenë një nga ushqimet më të hershme të njeriut, por rrallë kujtohet për lidhjet e saj me shëndetin. Pas një publikimi disa ditë më parë në faqen e gazetës Molla e Shëndetit në facebook, po sjellim sot një material më të plotë, të parin e këtij lloj për këtë pjesë të kuzhinës me vlera të veçanta. E vërteta është se perimet rrënjë, shumica e tyre, janë më pak të njohura dhe më pak të përdorura nga konsumatorët shqiptarë. Këtu është rasti të rikujtojmë porosinë e shëruesit mitik Edgar Cayce, i cili thoshte se 75% e perimeve që konsumohen në një ditë duhet të jenë ato që rriten mbi tokë dhe 25% ato që rriten nën tokë- rrënjë. Kjo do të thotë: karota, panxhar, rrepa, rrepka, rrika kur na rastis, pastinak, finok si dhe erëza rrënjë, xhinxher e shafran Indie. Më tej do ta zgjeronim këtë listë me rrënjët e bimëve medicinale si rrënjë radhiqe, çikore (që zëvendëson kafen), rrënjë hithre, majdanozi, rrodheje, lëpjete etj.
Po pse duhet të përdorim patjetër perimet rrënjë?
Duhet se përveçse kanë ushqyes (vitamina e minerale, kanë disa kimikate të veçanta që u japin atyre cilësi të fuqishme anti-bakteriale, anti-virale, anti-kancer. Ato rritin sistemin imunitar të dobësuar duke shtuar numrin e qelizave të bardha- leukocite, rrisin numrin e qelizave të kuqe të gjakut-eritrocite, kur është i ulët ose parandalojnë rënien e tyre, janë të pasura me fibra dhe ndihmojnë në shëndetin e zorrëve, ndihmojnë kundër kapsllëkut dhe për elegancën e trupit. Fibrat e rrënjës së çikores në veçanti janë ushqim i shkëlqyer për bakteret e mirë të zorrëve. Iinulina e çikores jo vetëm që rrit absorbimin e kalciumit, por gjithashtu rrit parametrat minerale në kockat e tërë trupit.
Shumica e perimeve rrënjë janë të pasura në beta-karoten dhe ndihmojnë në fuqizimin e shikimit, pengojnë ose vonojnë sëmundjet e syve që vijnë me plakjen, kanë veprim anti-koagulant (hollues të gjakut), eliminojnë radikalet e lira që shkaktojnë dëmtim qelizor. Perimet- rrënjë ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe të triglicerideve, janë ushqime alkaline, detoksifikojnë trupin dhe bëjnë një freskim të frymëmarrjes qelizore. Perimet- rrënjë mbrojnë materialin gjenetik.
Një studim i madh në të gjithë Evropën, që shqyrton lidhjet mes dietës, kancerit dhe sëmundjeve të tjera, zbuloi se njerëzit që hanin perimet rrënjë kishin 13% më pak rrezik diabeti dhe kanceri, në krahasim me ata që hanin më pak. Kjo nuk është befasi. Ato janë një burim i karbohidrateve të shëndetshme, janë pikërisht ato karbohidrate që na duhen. Perimet rrënjë kthejnë mineralet inorganike të tokës në minerale organike dhe i bëjnë ato mjaft të përdorshme nga organizmi. Këto perime marrin me vete edhe probiotikët e tokës. Perimet- rrënjë përmirësojnë elasticitetin e enëve të gjakut dhe presionin e gjakut.
Për të gjitha veprimet e tyre -hipoglicemike, hipo-kolesterolemike, anti-mikrobike, imunomodulatore, anti-kancer, anti-ulcerative, anti-obezitet etj, perimet rrënjë janë quajtur ushqime funksionale. Nëse njerëzimi do të kthehet tek ushqimi- rrënjë, do të fuqizojë shëndetin e tij.
Rrënjët tuberoze dhe rizomat, vlera të tjera në kuzhinë
Tek perimet rrënjë janë një kategori e veçantë, ato në fakt nuk janë rrënjë klasike, por janë rrënjë tuberoze. Këtu futen patatet e bardha dhe të kuqe. Gjëja më e shquar tek patatet është kaliumi dhe vitamina B6, ndërsa tek patatja e kuqe, vitamina e syve. 100 gr patate kanë 425 mg kalium apo 13% të nevojave ditore dhe 30% të nevojave për vitaminë B6. Ndërkohë që patatja e kuqe është ushqimi më i pasur në tregjet tona me vitaminë A dhe beta-karoten. Ajo ka 14200 IU vitaminë A në vetëm 100 gr patate dhe 17 mijë mcg beta-karoten. Pra, diçka më tepër se karota.
Në këtë kategori të rrënjëve tuberoze futet edhe rrënja e artiçokës së Jeruzalemit, e njohur në Europë që nga Mesjeta. Artiçoka e Jeruzalemit përmban fibra inulin me sasi të madhe, ashtu si rrënja e radhiqes dhe vepron për trajtimin e diabetit. E ka rekomanduar Kejsi i madh. Së shpejti do të hyjë në Shqipëri dhe kultivohet, ashtu si shumë produkte që Molla e Shëndetit ka bërë të mirënjohura. Kjo perime është bimë krejt e ndryshme nga artiçoka apo argjinarja.
Vitet e fundit po përdoren si erëza edhe rrënjët e llojit rizoma si shafrani i Indisë dhe xhinxheri. Tek vetitë e tyre nuk po ndalemi, sepse tashmë janë të popullarizuara dhe vulën e njohjes si ereza medicinale ia dha Molla e Shëndetit mbi 4 vjet më parë, në një kohë kur ende nuk u diheshin as emrat nga mjekët popullorë dhe dietologët, që flasin sot ekraneve për to.
Finoku, një perime për programet anti-kancer dhe të dobësimit
Rrënjët bulba- hudhra, qepa dhe finoku,
Finoku i kombinuar me ilaçet e kimioterapisë, uli dozat e tyre të rrezikshme
Tek perimet rrënjë futen edhe qepët, hudhrat, finoku të cilat hyjnë në grupin e rrënjëve bulba. Finoku është ndoshta rrënja më bombastike në ushqyes. Në 100 gr finok ka tejkalim spektakolar të nevojave ditore (mbi 100%) për kalcium, magnez, hekur, manganez si dhe doza të shkëlqyera të zinkut që nuk e gjen lehtë në ushqimet e tokës (40% të nevojave), ka doza të mira të kaliumit, të fosforit dhe të të gjitha vitaminave, me përjashtim të acidit folik. Ne e kemi përfshirë këtë perime në programin ushqimor të pacientëve tanë për kancerin, diabetin, arterosklerozën dhe mbipeshën.
Finoku është i përdorur në recetat e herbalistëve midis të tjerave për uljen e mbipeshës dhe ka qenë pjesë e recetave galenike, që realizonin farmacistët. Dy vjet më parë, në Itali, Ministria e Shëndetësisë i pengoi farmacistët të realizonin përzierje me finok, aloe vera, çaj jeshil dhe disa bime të tjera anti-obezitet, duke thënë se nuk ka prova shkencore për to, gjë për të cilën protestoi Urdhri i Farmacistëve të Italisë dhe profesorët atje, për këtë përpjekje për të bllokuar produkte, që me të vërtetë jepnin rezultat për mbipeshën. Sigurisht që shumica e bimëve për të cilat Ministria Italiane tha se ‘nuk ka prova shkencore’, kanë prova të shkëlqyera shkencore nga shumë laboratorë anembanë botës, plus njohuritë e herbalistëve dhe përvojat e tyre klinike, që janë një shkollë e madhe për njerëzimin.
Disa gjëra të tjera për finokun: Është konsideruar prej kohësh një nutraceutikal i fuqishëm që në kulturat e lashta. Është përshëndetur se ka potencial antioksidues, antinflamator, antiproliferativ dhe antitumor dhe prandaj duhet të jetë rregullisht në kuzhinën kundër kancerit. Disa hulumtime kanë provuar se anethole, një përbërës kryesor i vajit esencial të finokut (ka vaj esencial ashtu si nuk kanë perime të tjera), frenoi rritjen dhe migrimin e qelizave të kancerit të prostatës (PC-3) si dhe shtypi rritjen e tyre. Një studim tjetër konstatoi se u zvogëlua doza e medikamentit të kimioterapisë, Cisplatinës, duke e kombinuar atë me një ekstrakt finoku, duke dhenë të njëjtën ulje të qelizave të kancerit të qafës së mitrës, ashtu si kimio e vetme në dozë më të madhe. Kjo mundësoi një dozë më të ulët të cisplatin, duke reduktuar kështu efektet anësore të kësaj droge të fuqishme. Rezultatet konfirmuan gjetjet e shkencëtarëve. Një tjetër studim tregoi se finoku ka vepruar si antioksidant natyror për zvogëlimin e efekteve dëmtuese mbi mëlçinë prej ciklofosfamidit- ilaç i kimioterapisë (CP).
Finoku nuk ndalet këtu: Ai është shumë qetësues për mukozën e stomakut dhe rrjedhimisht një trajtim i shkëlqyer për një protokoll të shërimit të zorrëve kur janë dëmtuar nga trajtimet e kimioterapisë të cilat shkatërrojnë rëndë mukozën mbrojtëse të zorrëve. Gjithashtu ndihmon në reduktimin e spazmave të muskujve dhe përjashton gazin e tepërt. Finoku është i lidhur ngushtë me selinonë dhe cilësitë e tyre ngjasojnë.
Rrënjët, këto ushqime të mira për diabetikët
Emri i një universiteti nuk të jep gjithnjë të drejtë…Gabimi i profesoreshës së Harvard-it
2 vjet më parë botuam kardiologun amerikan, Dr. Davis me një artikull të madh që ndryshoi jetën e shumë njerëzve në Shqipëri. Ata kanë eliminuar bukën nga tryeza me një vullnet heroik. Por atë kohë patëm mjaft telefonata të llojit: “Mirë ta heqim bukën, por me çfarë ta zëvendësojmë?” Shprehja e diktatorit Hoxha “patatja edhe bukë, edhe gjellë” vjen e ridimensionuar sot: Perimet rrënjë kanë niseshte, zëvendësojnë drithërat, por pa dëmët e tyre.
Universiteti i Harvardit ka botuar një material udhëzues për perimet rrënjë, duke tërhequr vëmendjen se ato kanë përveç anëve të mira, edhe anë të këqija. “Perimet rrënjë janë të mbushura me ushqyes, por të larta në karbohidrate niseshte. Perimet rrënjë – si rrepa dhe pastinak nuk mund të jenë ushqimet më seksi në tryezë,- thotë Teresa Fung, profesore në departamentin e të ushqyerit në Harvard,- edhe pse ato janë ushqime trend të kuzhinës. Por ato janë kaq të pasura në karbohidrate, sa ato janë më shumë si drithëra, sesa si zarzavate. Ka më shumë kuptim t’i vendosni ato në të njëjtën kategori si bukë, oriz ose makarona”. Duke folur për të mirat e rrënjëve perime, profesoresha e Harvardit përmend faktin se bulbat, rrënjët dhe zhardhokët thithin ujin dhe ushqyesit për të ushqyer pjesën tjetër të bimës dhe këto lëndë ushqyese i bëjnë ushqime diete për ne. Ato janë të ulëta në kalori dhe të larta në antioksidantë. Secila përmban një shumëllojshmëri të gjerë të vitaminave dhe mineraleve. “Disa kanë lëndë ushqyese me sasi të habitshme”. Teresa Fung përmend në mënyrë krahasuese ushqyesit në disa perime, ngjashëm siç kemi bërë ne më sipër. Po veçojmë një detaj që nuk e kemi ezauruar. Një filxhan me pastinak të pjekur (ngjan si karotë e bardhë) ka 51 kalori dhe 76 mg kalcium, ka më shumë kalcium se gjysma e një fete djathi çedar. Një patate e mesme e pjekur (përfshirë lëkurën e saj) ka 164 kalori dhe 935 mg kalium, më shumë se dyfishi i kaliumit të një bananeje të mesme.
Më pas, Teresa Fung tregon për të këqijat e rrënjëve perime, që janë sipas saj, karbohidratet e shumta. (Paradoksalisht, Teresa harron se ka diçka që nuk shkon, se si mundet të jetë një ushqim me kalori të ulëta dhe njëherësh me shumë karbohidrate, pasi karbohidratet njihen për kaloritë e larta!!) “Shumica e perimeve rrënjë janë niseshte – një lloj karbohidrati që trupi e prish, e kthen në glukozë për energji. Nëse jeni të shëndetshëm, ndoshta çdo ditë mund të hani një racion perime- rrënjë. Vetëm sigurohuni që kjo është një pjatë shoqëuese ose pjesë e një pjate tjetër dhe se kjo është e vetmja niseshte në pjatën tuaj”, këshillon ajo. Me fjalë të tjera, nuk duhet të konsumoni njëherësh një racion orizi me një racion patate. Ajo paralajmëron se “nëse hani karb më shumë se nevojat e trupit tuaj, ai do t’i ruajë ato si yndyrë, duke çuar në zhvillimit të diabetit dhe ta bëjë atë më të vështirë për ta menaxhuar, nëse e keni tashmë atë”.
Pse profesorja e Harvardit gabon?
Por ku gabon profesoresha e Harvardit, duke i vendosur perimet rrënjë në një kategori me brumrat dhe jo bashkë me perimet e tjera? Gabimi i saj, që është nga ata ‘me thes’, qëndron në faktin se ajo nuk llogarit se tek rrënjët, gjenden fibra të tretshme dhe të patretshme me shumicë, ndërkohë që prodhimet e drithit janë miell i rafinuar pa fibra dhe të varfëruar në ushqyes, pra gati vetëm niseshte. Ndërsa perimet rrënjë janë të ngarkuara me fibra, disa madje kanë fibra inulin me një efekt të madh në rregullimin e sheqerit në gjak. Po ashtu, një ushqim i pasur në ushqyes nuk mund të vihet në një kategori me një ushqim të varfër për shkak të metodave të rafinimit.
Së dyti, edhe për nga sasia e karbohidrateve, perimet rrënjë qëndrojnë bashkë me perimet e tjera dhe jo me drithërat. Sasitë e tyre janë të krahasueshme. Ndryshimi është se perimet e tjera i kanë karbohidratet kryesisht në formën e sheqernave natyralë (glukozë, fruktozë etj), ndërsa rrënjët i kanë në formën e niseshtesë, gjë që u jep një ngjashmëri me drithërat. Shihni tabelat krahasuese që kemi përgatitur! Përjashto pastinakun dhe rrënjën e artiçokës së Jeruzalemit, gjithë perimet e tjera rrënjë të mirëfillta (jo patate), kanë karbohidrate po aq sa edhe perimet gjethe, në mos edhe më pak. Psh, fasulet dhe bizelet që njihen si ushqim i mirë për diabetikët, kanë 14 gr karbohidrate për 100 gr fasule. Kjo është më tepër se në çdo perime rrënjë. Bamjet që janë të njohura si ushqim anti-diabetik, që ul nivelet e sheqerit në gjak, kanë 7 gr karbohidrate për 100 gr, që është më shumë se disa perime rrënjë dhe e ngjashme me disa rrënjë të tjera. Tabelat krahasuese tregojnë se sa të ngjashme janë sasitë e karbohidrateve mes perimeve rrënjë dhe perimeve gjethe e bishtajore.
Rrënjët nuk janë =drithëra
Së treti, është e vërtetë që rrënjët kanë niseshte, por nuk kanë sasinë e niseshtesë që gjendet në drithëra. Psh. 100 gr miell ka 76 gr karbohidrate, ndërsa perimja më e pasur në karbohidrate që është pastinaku, ka vetëm 18 gr karbohidrate. Articoka e Jeruzalemit që ka gjithashtu më shumë karbohidrate se shumica e perimeve rrënjë, konkretisht 17.44 gr, ka edhe 1.6 gr fibra inulinë, që janë terapi e fuqishme për diabetin. Kjo rrënjë është rekomanduar për shërimin e diabetit nga shëruesi mitik Edgar Kejs, gjë që do të thotë se vlerësimi i efekteve nuk bëhet duke parë thjesht sasitë e sheqerit në një ushqim, por edhe përbërësit e tjerë që luajnë rol madhor.
Psh, panxhari është ndër rrënjët me shijen më të ëmbël, por nëse sheqeri i tij do të ishte problematik, nuk do të ishte i tillë vetëm për gliceminë në gjak, por edhe për kancerin, i cili e ka sheqerin ushqim. Në të kundërt të kësaj, panxhari është një perime e madhe anti-kancer. Gjeniu Maks Gerson ndalonte totalisht sheqerin në terapinë anti-kancer, por ai rekomandonte lëngun e panxharit. Panxhari, me gjithë shijen e tij të ëmbël në të vërtet sjell përfitime edhe për diabetikët, sepse përmban nitrate që ulin presionin e lartë të gjakut, nga i cili vuajnë shpesh diabetikët si dhe është një mbështetje për sistemin kardiovaskular të tyre, pasi diabetikët janë të kërcënuar më shumë se njerëzit e tjerë nga sëmundjet e zemrës.
Rrepkat ulin glukozën e thithur nga zorrët
Për rrepat dhe rrepkat, për finokun dhe rrënjën e selinosë kemi hetuar mjaft studime, që dëshmojnë veprimin e tyre anti-diabetik përmes mekanizmave të ndryshëm. Psh, duke shkëputur një detaj nga një studim i madh për rrepkën “ekstrakti ujor i rrepkës frenoi enzimat α-amylase dhe α-glucosidase të cilat janë të nevojshme për degradimin e polisakarideve dhe oligosakarideve në zorrë para absorbimit. Prandaj, një ndalim i tillë enzimatik zvogëlon sasinë e glukozës së absorbuar nga zorrët, duke i bërë rrepkat të efektshme për menaxhimin dhe parandalimin e diabetit. Në përmbledhje, rrënja e rrepkës duket të ketë një efekt antidiabetik për shkak të aftësisë së saj për të zvogëluar stresin oksidativ dhe peroksidimin e lipideve, për të përmirësuar hemeostazën e glukozës të nxitur nga hormonet, për të zvogëluar thithjen e glukozës nga zorrët, për të nxitur tërheqjen e glukozës nga gjaku në qeliza, duke e bërë të përdorshëm për kthimin e saj në enegji (tek diabetikët është i dëmtuar shndërrimi i glukozës në energji, gjë që shpjegon lodhjen e tyre dhe urinë e vazhdueshme të qelizave për sheqer, edhe pse ka tepër sheqer në gjak- shpjegimi ynë).
Rrënja e rrepës pengoi nekrozën e mëlçisë tek diabetikët
Rrënja e rrepës është ndër gjërat më të mira në tryezën e një diabetiku. Studimi që do të sjellim më poshtë gjendet në ‘Australian Journal of Basic and Applied Sciences’. Pamjaftueshmëria hepatike (që do të thotë punë e dobët e mëlçisë) është një nga pasojat më të rëndësishme të diabetit mellitus. Studiuesit nxitën plagët hepatike tek minjtë, duke shkaktuar tek ata diabetin me alloxan. 80 minj morën një ekstrakt të rrepës (200 mg / kg në ditë) për 8 javë. Në fund të eksperimentit, u matën nivelet e shënuesve funksionalë të mëlçisë si transaminanzat, albumina, bilirubina dhe disa lloje enzimash. Së fundmi, gjetjet biokimike u përputhën me verifikimin histopatologjik. Studimi tregoi se ekstrakti etanolik i rrepës uli ndjeshëm nivelet e biomarkerëve të dëmtimit hepatik në serum. Në vlerësimin e shëndetit të mëlçisë, përdoren gjerësisht matjet e enzimave ALT, AST, LDH. Kur ndodh nekroza (vdekja) e një pjese të mëlçisë apo dëmtimi, kjo shkakton lirimin e këtyre enzimave në qarkullimin e gjakut. ‘Rritja e niveleve të enzimave është tregues i infiltrimit të qelizave dhe shqetësimit funksional të membranave të qelizave të mëlçisë’, konstatonin që në 1978 autorët Drotman dhe Laëhan. Normalizimi i niveleve të enzimave të mëlçisë për shkak të veprimit të ekstraktit alkoolik të rrepës vjen si rezultat i parandalimit të infiltrimit intraqelizor, pasi rrënja ka stabilizuar membranat e qelizave. (Sqarim: Membranat qelizore përbëhen nga yndyrna (lipide) të cilat janë mbrojtja e parë e tyre, si lëkura për njeriun. Kur yndyrnat oksidohen, aty nis dëmtimi qelizor. Këtë oksidim ka penguar rrënja e rrepës). Mekanzimi i dytë është rigjenerimi i qelizave të reja. Ajo që është më interesante, eksperimenti ishte mjaft i egër, dozat e helmit që u përdor për të provokuar diabet tek minjtë, ishin të tilla që shkaktuan ndryshime degjeneruese të mëdha në mëlçi dhe nekrozë lobulare qendrore. Pra, dëmtime dhe vdekje të mëlçisë. Por në grupin e minjve diabetikë, që mori rrënjën e rrepës u vunë re vetëm ndryshime të buta degjenerative dhe nuk pati asnjë nekrozë, që tregon efektin mbrojtës të perimes kundër komplikimeve hepatike të diabetit. Studiuesit përfundojnë me rekomandimin e ekstraktit të rrepës si drogë bimore për njerëzit me diabet.
Studimet tregojnë se konsumimi i perimeve të kryqëzuara mes lakrave dhe rrepave (rutabaga) mund të shoqërohet me një rrezik më të ulët të kancerit në stomak, gjirit, kancerit kolorektal dhe në mushkëri. Rutabagat janë perime- rrënjë që kultivohen për gjethet dhe rrënjët e tyre të ngrënshme. Rutabaga furnizon trupin me shumë vitaminë C, kalium dhe mangan, së bashku me antioksidantë që luftojnë sëmundjet. Rutabagat janë gjithashtu një burim i mirë i fibrave, që ndihmojnë në shëndetin e tretjes, në uljen e presionit të gjakut dhe nivelit të kolesterolit. Kjo perime e rrjedhur nga rrepa, ka glukozinolate që përmban squfurin që gjenden zakonisht në perimet lakërore dhe që mbron nga zhvillimi dhe rritja e qelizave të kancerit dhe parandalon stresin oksidativ. Rutabaga mund të bëhet pure, e pjekur ose e shijuar në supa, sallata, dhe madje edhe ëmbëlsira.
PËRFUNDIME
Një ushqim me sheqer mund të jetë anti-diabet. Ja pse!
Ju themi të dashur lexues të Mollës, se ne duhet njëherë e mirë të çrrënjosim paradigmën se çfarë përmban sheqer apo karbohidrate, është e dëmshme, shkakton diabet ose rëndon diabetin. Është koha të marrim në konsideratë të gjithë kiminë ushqimore, përpara se të vëmë shenjën e barazimit mes karbohidrateve në rrënjë dhe karbohidrateve në drithëra (kryesisht grurë), siç bëri autorja e Harvardit. Kjo është njësoj si të thuash se e kuqja në flamurin shqiptar dhe e kuqja në flamurin italian përfaqësojnë të njëjën gjë, ndërkohë që se çfarë përfaqëson kjo ngjyrë nuk varet vetëm prej pranisë së saj, por edhe prej dominancës së saj si dhe prezencës dhe raportit të ngjyrave të tjera.
Këtu do t’u kujtojmë lexuesve të Mollës, gjetjen e bukur të doktorit të madh Amerikan, Dr. Hyman, i cili thotë: Unë asnjëherë nuk rekomandoj një dietë të varfër në sheqer, ajo është e rrezikshme, ne kemi nevojë për karbohidratet. Por jo për karbohidratet e thjeshta (sheqeri i bardhë) dhe për karbohidrate të rafinuara (mielli i rafinuar). Unë e kam fjalën për karbohidratet me ngjyra, në fruta dhe në perime”. Hyman ka ridimensionuar konceptin tonë për piramidën ushqimore dhe kategorizimet e ushqimeve në të, duke vendosur në katin e karbohidrateve, frutat dhe perimet, ndërkohë që piramida zyrtare këto i vendos në një kat tjetër dhe nuk i llogarit si karbohidrate.
Logjika e kimisë komplekse ushqimore vlen edhe për drithërat dhe është për këtë arsye, që ndërsa prodhimet e grurit japin një kulmim të sheqerit në gjak, prodhimet e elbit psh nuk e japin këtë kulmim. Përkundrazi, studimet tregojnë se elbi jep përfitime në kontrollin dhe menaxhimin e diabetit mellitus, besohet përmes fibrave të tij të shkëlqyeshme të shumta, të tretshme e të patretshme. Mes tyre edhe fibrat beta-glukan, të cilat japin ndjenjë ngopjeje, ulin nivelet e kolesterolit dhe të triglicerideve, plus përfitimeve të tjera për zorrët dhe shëndetin e zemrës, për rritjen e sistemit imunitar etj. Për këto cilësi të shquara këto fibra ekzistojnë edhe si suplement specifik.
Përfundimisht, ne na duhen perimet rrënjë në kuzhinën tonë, sepse ato na zëvendësojnë nevojën tonë për drithëra, përmbushin joshjen tonë për amidon dhe ndërkohë na i dhurojnë këto karbohidrate si një paketë bashkë me fibra, minerale, vitamina, enzima, antioksidantë, përbërës aktivë medicinalë.
Ps. Artikulli analitik është punim ekskluziv i gazetës Molla e Shëndetit. Konvergjencat me mendime autorësh të tjerë janë shprehje e formimit të ngjashëm, por Molla i ka ravijëzuar ato përpara se të ballafaqohej me qëndrimet e të tjerëve rreth kësaj teme. Jo rrallë, i kemi tejkaluar ato.
Receta
Tava me të gjitha rrënjët
Në doni një ushqim të shijshëm, të larmishëm në shije dhe të shëndetshëm, kjo është tava me rrënjë të ndryshme. Kur perimet rrënjë përgatiten bashkë me pataten, ulet konsumi i patates në sasi, pasi perimet e tjera shtojnë volumin, por ato ndihmojnë që ushqyesit e patates, në veçanti kaliumi për të cilin patatja shquhet, të thithen më mirë nga zorrët. Një tavë interesante me shumësi ushqyesish do të ishte ajo që përmban patate 2 llojesh, karota, rrepa, rrepka, rrënjë selinoje, pastinak dhe finok. Në kuzhinë, perimet rrënjë kanë përdorime të pjekura në furrë, të zjera me avull ose ujë për t’i përdorur si sallata, disa mund të përdoren edhe të gjalla në sallata si panxhari i kuq apo karota. Me këto rrënjë mund të përgatitni supa të ndryshme.
Përbërësit
- 900 gr perime rrënjë (përdorim patate, patate të ëmbla, karota, pastinak, rrepa, rrepka, panxhar), pa lëkurë, të prerë në copa nga 2-3 cm.
- 1 qepë e mesme, e zhvishur dhe prerë në kubikë
- 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra- i virgjër
- Kripë për shije
- 1 hudher kokë, të ndarë në thelpinj
- Barishte të freskëta të copëtuara si rozmarinë ose uthull balsamike (opsionale)
Udhëzime
- Ngrohni furrën në 400 gradë. Vendosni perimet rrënjë dhe qepët në një tigan.
- Hidhni perimet me vaj ulliri dhe kripë për shije. Mos i ngjeshni perimet.
- Piqni përzierjen për një total prej 45-50 minutash, duke i përzier perimet çdo 15 minuta. Pas 30 minutash, hidhni thelpinjtë e hudhrës mbi perime. Vazhdoni të përziejnë çdo 15 minuta derisa perimet të jenë të buta dhe të thekura (të kenë marrë ngjyrë pjekjeje).
- Para se ta shërbeni, shtoni një spërkatje me bimë të freskëta të copëtuara ose uthull balsamike, nëse dëshironi për shije shtesë.
Për 100 gr të secilës
Sasia e karbohidrateve tek drithërat
- Miell gruri 76 gr karbohidrate
- Thekër 76 gr
- Elb 73 gr
- Tërshërë 66. 3 gr
Amaranth 65 gr - Oriz 28 gr
- Pica 33 gr
- Byrek 35 gr
- Makarona integrale 25 gr
(Sqarim: Në gatime dalin më pak sasi karbohidraesh për 100 gr, sepse janë shtuar produkte të tjera si psh vaj, gjalpë, djathë apo perime, qoftë tek byreku, picat, makaronat. Prandaj rezultojnë më pak karbohidrate sesa në 100 gr miell, edhe pse janë bërë prej miellit).
Sasia e karbohidrateve në perimet rrënjë
- Rrepa 6 gr
- Repka 3,4 gr
- Pastinak 18 gr
- Karota 4.7 gr, më shumë se gjysma janë fibra
- Panxhar 10 gr, nga të cilat vetëm 7 gr sheqer
- Rrika 1 gr, nga e cila 0 gr sheqer
- Finok 7 gr, gjysma e tyre janë fibra
- Rrënjë selinoje 9 gr
- Rrënjë çikoreje 4.7 gr, thuajse të tëra fibra
Sasia e karbohidrateve në perimet ajrore (gjethe) dhe bishtaja
- Fasule 14 gr karbohidrate
- Bamje 7 gr
- Domate 4 gr
- Patëllxhan 6 gr
Spinaq 3.6 gr - Brokoli 7 gr
- Kale 9 gr
- Lakër 6 gr
- Sallator 3.6 gr
- Speca të ëmbël 4.6 gr
Mjekësia e diamanteve të nëntokës
Ushqimi si mjekësi, kombinimi panxhar-hudhër për hipertensionin
Nga Dr. Andrew Weil, një pionier i shëndetit natyror
Perimet rrënjë (me përjashtim të patateve dhe karotave) janë disa prej ushqimeve më të nënvlerësuara. Por këto magazina ushqyese janë thesare të fshehura, të denja për t’u njohur. Jo vetëm që janë në dispozicion në dimër, kur zarzavate të tjera janë të vështira për t’u gjetur, por ato janë gjithashtu shumë të lira. Eksperimentoni me rrepa, rutabaga, panxhar dhe pastinak dhe mësoni shijet e tye. Rutabaga është një perime aksidentale – rezultat i një hibridizimi të rastit të rrepës me lakër. Ashtu si karota, ato janë të ulëta në natrium dhe janë të larta në vitaminë C. Rrepat dhe patatet duhet të ruhen në një vend të ftohtë dhe të errët jashtë frigoriferit. Pjesa tjetër e këtyre rrënjëve do të mbahet mirë në frigorifer për të paktën një javë.
Të gjitha perimet rrënjë përmbajnë fibra të shëndetshme dhe karbohidrate, që ngadalësojnë tretjen, por panxhari ka disa veti të veçanta. Ndryshe nga shumica e perimeve të tjera të kuqe, të cilat kanë anthocianinën që u jep ngjyrën e kuqe ose të zezë, dalluese (manaferra, boronica, lakra e kuqe shtogu, etj), panxhari e nxjerr ngjyrën e kuqe nga pigmentet e quajtura betalain, që veç vetive antioksiduese dhe anti-inflamatore, aktivizon një familje të enzimave, që lidhin substancat toksike në qeliza, duke i neutralizuar dhe duke i lejuar ato të dalin nga trupi. Panxhari krijon një kombinim të fuqishëm medicinal me hudhrën, e cila ka molekula që përmbajnë squfur, polisulfide që konvertohen nga qelizat e kuqe të gjakut në sulfid hidrogjeni (H2S), i cili zgjeron enët e gjakut, duke ndihmuar në rregullimin e presionit të gjakut.
Të dhënat e mëposhtme janë hulumtuar nga Molla.
Panxhari, edhe për kujtesën e diabetikëve
Panxhari përmirëson performancën e stërvitjes dhe rrit rrjedhjen e gjakut në tru. Përveç kësaj, studimet kanë gjetur se ekstraktet e panxharit mund të kenë veti antikancerike dhe të ngadalësojnë rritjen dhe përhapjen e qelizave të kancerit. Panxhari është i ulët në karbohidrate dhe kalori dhe përmban sasi të mirë të fibrave dhe vitaminës C. Fuqia që ndjen pas pirjes së lëngut të panxharit nuk vjen nga kaloritë e tij, por nga rritja e prodhimit të oksidit nitrik.
Një studim i botuar në “Journal of Nutritional Science” i realizuar nga një grup autorësh nga universitete dhe qëndra të ndryshme kërkimore në botë, tregoi se 225 ml lëng panxhari shkaktoi një shtypje të konsiderueshme të glicemisë postprandiale (pas vaktit) në kurbën e reagimit të insulinës në gjak 0-30 minuta, 0-45 minuta dhe 0-60 minuta pas pirjes së lëgut. Studimi u krye në 16 njerëz të shëndetshëm. Rezultatet treguan një ulje të ndjeshme të përgjigjes së insulinës pas vaktit në fazën e hershme (0-60 minuta) dhe një përgjigje të konsiderueshme më të ulët të glukozës në fazën 0-30 minuta pas buke. Një tjetër studim nga Universiteti i Exeter tregoi se lëngu i panxharit i pasur në nitrate dietike përmirësoi funksionin njohës në diabetikët, kur u konsumua për 14 ditë.
Rrepkat, për mykun dhe ulcerat
Rrepkat kanë veti antifungale dhe kanë qenë efektive kundër disa llojeve të kërpudhave në test-tub tek studimet e kafshëve. Jo vetëm kaq, por një studim zbuloi se edhe gjethet e bimës së rrepkës mund të mbronin nga ulcerat e stomakut. Rrepkat janë të mira në sanduiçe, sallata dhe në shumë lloje pjatash duke përmirësuar shijen e ushqimit. Rrepkat përmbajnë anethole, që u jep aromë të veçantë dhe një gamë të gjerë të përfitimeve shëndetësore.
Anethole ka treguar se modifikon disa nga enzimat e përfshira në metabolizmin e karb. për të ndihmuar në uljen e nivelit të sheqerit në gjak. Anetole ka veti antimikrobike dhe pengon rritjen e baktereve. Rrepa mund të shijohet e freskët, e pjekur ose e skuqur, si dhe e përzier në sallata, supa, salcat dhe enë makarona.
Rrënjë selinoje e mirë për kockat dhe antileucemi
Ajo është një burim i mire i vitaminës K, duke marrë 80% të vlerës së përditshme të rekomanduar në vetëm 156 gramë. Vitamina K është një lëndë ushqyese thelbësore, e nevojshme për koagulimin e duhur të gjakut. Është gjithashtu e nevojshme për funksionin e osteokalcinës, një hormon proteinik, që është kyç për shëndetin e kockave.
Si karota dhe anëtarët e tjerë të familjes Apiaceae, rrënja e selinosë përmban shumë antioksidantë si falcarinol, falcarindiol, panaxydiol dhe methyl-falcarindiol. Disa studime kërkimore nga shkencëtarët në Universitetin e Neëcastle në Tyne zbuluan se këto komponime posedojnë veti kundër kancerit të zorrës së trashë dhe leuçemisë akute limfoblastike. Rrënja e selinosë ka një shije të shijshme dhe punon veçanërisht mirë në sallata. Haet e gjallë ose e gatuar. Gatuhet e pjekur, e zjerë, e zbardhur në ujë të valuar ose pure si patatja. Eshtë e mirë për sistemin kardiovaskular dhe sistemin tretës.
Avantazhet e perimeve rrënjë ndaj drithërave
- Perimet rrënjë nuk përmbajnë gluten. Gluteni shkakton probleme digjestive dhe deri reaksione autoimune.
- Perimet rrënjë janë më të ulëta në kalori, kanë indeks glicemik më të ulët se drithërat
- Perimet rrënjë i paketojnë karbohidratet-niseshte bashkë me fibra dhe ushqyes e antioksidantë
- Perimet rrënjë përmbushin dëshirat për ëmbëlsi, pa bombardimin e trupit me sheqer dhe kokrra inflamatore.
- Perimet rrënjë kanë disa fibra speciale me veprim biologjik, anticancer, antikoagulant, antikolit etj.
- Perimet rrënjë janë karbohidrate me djegie të ngadalshme, nuk e rrisin sheqerin papritmas si kokrrat
- Perimet rrënë janë ndër burimet më të mira të karotenoideve dhe sidomos beta-karotenit
- Perimet rrënjë na ndihmojnë të humbasim mbipeshën trupore, e kundërta e miellit të rafinuar