Carmen Marrero bleu bimën nga fermeri spanjoll Josep Pamiies, një avokat i zjarrtë i mjeteve të natyrës, dhe hoqi perden e syrit

Nga Carmen Marrero
Emri im është Carmen Marrero Garcia, unë jam 68 vjeç (shkurt 2018) dhe jetoj në Tenerife. Në maj të vitit 2016, unë u diagnostikova me katarakt (perden e syrit) nga një qendër oftalmologjike në qytetin tim si dhe nga një spital prestigjioz ndërkombëtar okulistik në Oviedo. Unë u informova nga të dy klinikat se kisha nevojë për një operacion, për shkak të gjendjes së katarakteve të mia. Për më tepër, unë gjithashtu u informova, se kisha një shkëputje Posterior Vitreous (PVD). Ky është një ndryshim që ndodh gjatë moshës madhore, kur xheli i tejdukshëm që mbush syrin, ndahet nga retina, shtresa nervore që ndjen dritën në pjesën e prapme të syrit. Kjo në shikim përjetohet si pika të zeza që lëvizin në fushën vizuale. Ata më thanë se kjo ankesë ishte e pashërueshme dhe se do ta kisha për pjesën tjetër të jetës.
Është e vështirë për mua, që të marr vendime të shpejta në lidhje me çështjet e shëndetit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet, por përsa i përket historisë sime, kam poseduar një dozë të mirë durimi dhe nuk isha me ngut për ta kryer operacionin; edhe pse ishte e vërtetë se kataraktet e mia ishin të avancuara dhe në fakt kisha blerë tashmë bileta avioni për të shkuar në Oviedo dhe kisha një datë për operacionin.
Një ankth i madh po më pushtonte dhe unë vendosa ta shtyja datën e operacionit, pasi të gjithë mjekët thoshin se ka një rrezik për operacionin. Ankthi im i madh ishte shkaku që e shtyta. Ndërkohë, me anë të një rekomandimi nga djali im, një ndjekës i përhershëm i Josep Pamiies, kam kontaktuar me të dhe me ekipin e tij me e-mail, në mënyrë që të më këshillonin diçka natyrale për të përmirësuar gjendjen e syve të mi. Ai më tha të përdor latrapecin e madh (Chelidonium majus) dhe ta zbatoja atë në sytë e mi. Në atë kohë ishte e pamundur, që unë të gjeja bimën në Tenerife dhe djali im, ma solli nga Hortícoles Palmi në gusht 2017. Unë kam qenë me fat që e kam përdorur bimën vazhdimisht për muaj të tërë. E kam zbatuar atë në këtë mënyrë: Kur unë nuk mund të përdorja bimët e freskëta, i përdorja ato të thata. Bëra infuzione ujore të koncentruara dhe me disa topa pambuku i fshiva mbi qepallat e të dy syve, dy herë në ditë. Kur kisha bimët e freskëta, merrja disa gjethe, i shtrydhja me gishtat e mi dhe i fshija mbi qepalla, siç e shpjegon Josep Pàmies në një nga videot e tij. Fillova ta bëja këtë në shtator 2017, deri në fund të dhjetorit. Tani po pres që të marr disa bimë dhe të filloj përsëri trajtimin.

Përdorimi i vazhdueshëm i latrapecit të madh ka pasur efekte befasuese në sytë e mi. Kohët e fundit bëra disa teste të syrit dhe më është thënë se kataraktet janë zhdukur dhe se nuk ka ndonjë shpjegim shkencor për to. Ata nuk mund ta besonin, dhe për më tepër, pikat nga shkëputja e qelqtë janë pastruar shumë. Mprehtësia ime vizuale në tërësi është përmirësuar në të gjitha mënyrat, dhe megjithëse ende mbaj syze, ato kanë ndryshuar forcën e lentes dhe unë mund të shoh 120% më mirë. Kam vënë re përmirësim para se të bëja testet, por konfirmimi teknik që mora kohët e fundit, ishte ajo që doja ta ndaja me ju. Unë jam shumë mirënjohës. 
(Komisioni Gjerman i Monografive cilëson se ‘përveç përdorimit të jashtëm të lëngut të bimës si një ilaç për lythat, në forma të tjera përdorimi latrapeci i madh nuk është i përshtatshëm si vetë-mjekim. Çdo përdorim i brendshëm i bimës duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e një mjeku ose një herbalisti të licencuar. Aplikimi i barishtes direkt në sy si një trajtim për probleme të ndryshme të syve, siç është bërë në të kaluarën, është i dekurajuar”. Pra, mbani parasysh detajin, jo brenda në sy!)
MARIA TREBEN
Kura për kataraktin dhe glaukoman fshihet në gjethe
Herbalistja austriake: Shkaku i glaukomas kurohet duke kthyer veshkat në funksion normal


Nga John Draper
Herbalistja e ish- perandorisë Austro- Hungareze, Maria Treben, këmbëngul se glaukoma nuk është thjesht një çrregullim syri, por më tepër një mosfunksionim i veshkave. Në shumicën e rasteve, kjo ndodh së bashku me dhimbjen reumatike në kyçe. Për këtë problem duhet të bëhet një çaj me pjesë të barabarta të hithrës, njëmijëfletëshit (bar pezmi), lule kumakut (kalendula) dhe bishtkalit (këputja). Nga ky çaj duhen konsumuar 2-3 gota çdo ditë. Dy lugë gjelle me bimët shtohen në 1 litër ujë dhe vihen të ziejnë për 7 minuta. Pastaj hiqen nga zjarri dhe rrinë mbuluar me kapak për 45 minuta të tjera. Ëmbëlsohet me mjaltë. Maria Treben është entuziaste e barërave të freskëta dhe thotë se ato duhet të përdoren për të përshpejtuar shërimin sepse veprojmë edhe më mirë.

Banja me bishtkali
Për glaukomën, herbalistja austriake rekomandoi veçanërisht banjat me bishtkali të cilat i konsideroi shumë të rëndësishme për të lehtësuar presionin në sy, të shkaktuar nga mosfunksionimi i veshkave. Këto banja janë kaq të dobishme, që presioni nganjëherë hiqet nga sytë gjatë banjës. 100 gramë bimë e thatë ose më mirë, katërfishi i saj i freskët lihen në ujë të ftohtë brenda natës. Uji duhet të mbulojë bimët. Ditën tjetër kjo ngrohet dhe kullohet, lëngu shtohet në ujin e banjës i cili duhet të mbulojë rajonin e veshkave, por jo rajonin e zemrës. Pas banjës, nuk duhet tharë trupi, por të mbështillet me një peshqir dhe të qëndrohet në shtrat për 1 orë.
Banja me avull për sytë
- 20 gramë eufrazia (edhe për konjuktivitin dhe inflamacionin e qepallave)
- 20 gramë sanëz (gentiana)
- 10 gramë bar i shpretkës (sporishi mjekësor)
- 30 gramë lule shtogu
- 20 gramë kamomil
Një gjysmë litër verë e bardhë hidhet në ibrik dhe derdhen në të mbi 5 lugë gjelle me këto barëra të përziera. Avulli i verës bimore lejohet të depërtojë në sytë e mbyllur. Vera ruhet në një shishe dhe, në sasi të vogla, përdoret për të përgatitur banja me avull, në vazhdimësi.
Fasha mbi sy me eufrazia
Eufrazia kërkon një trajtim të kujdesshëm, infuzioni duhet të jetë shumë i dobët. Nëse problemi përkeqësohet pas këtij trajtimi, infuzioni ishte shumë i fortë. Duhet vetëm gjysmë lugë çaji eufrazia për një filxhan dhe lihet aty për një kohë të shkurtër. Maria Treben rekomandon fasha me këtë infuzion të dobët të aplikuar në sy. Infuzioni duhet të përgatitet i freskët çdo herë dhe duhet të përdoret vetëm një herë. Maria Treben tregon se një ditë, një grua i kishtë thënë, se ishte prekur nga glaukoma dhe duke ndjekur këshillat e dhëna në librin e saj, ankesat ishin zhdukur.
Marrë nga libri “Enciklopedia e Heinerman’s për frutat, perimet dhe bimët”
Për kataraktin
Toniku i lashtë Suedish Bitter 
Për kataraktin, Maria Treben këshilloi furçosjen e qepallave shpesh me Suedish Bitters (një tinkturë e lashtë bimore, e ringjallur nga Maria Treben). Një top pambuku, i lagur me Biterin Suedez, aplikohet mbi sytë e mbyllur për 1 orë pas drekës, për të lehtësuar dhimbjen e mundimshme. Por çfarë është Biteri suedez? Është një tinkturë bimore, një tonik i hidhur që daton që nga shekulli i 15-të. Mendohet se shpikësi i saj ishte mjeku dhe alkimisti mesjetar, Paracelsus. Ky tonik që mendohet se kuron një numër të madh sëmundjesh, duke nisur me tretjen, humbi dhe u bë popullor nga Maria Treben.
Aloe Vera dhe qumështore heq njollat e errëta në korne
Një alternativë po aq e efektshme, qepallat fërkohen me xhel aloe vera, të marrë nga gjethja e freskët, e përzier me sasi të barabartë të lëngut të qumështores. E bëjmë përzirjen e lëngjeve mes gishtave dhe prekim me gisht butësisht qepallat e mbyllura drejt qosheve të syrit, por në asnjë rrethanë direkt në sy! E aplikuar në këtë mënyrë, duket se përzierja bimore ndihmon në katarakt dhe njollat e errëta në korne për t’u zhdukur gradualisht. Natyrisht, si me çdo gjë, kjo mund të funksionojë më mirë për disa, sesa për të tjerët.
Shënim: Qumështorja nuk është radhiqja
Qumështorja nuk është radhiqja, sikurse mendojnë shumë njerëz. Qumështorja është Lactuca virosa, ndërsa radhiqja është Taraxum officinale. Në fillim të moshës, qumështorja i ka lulet dhe gjethet të ngatërrueshme me radhiqen. Sa është e re, gjethet e saj janë të buta, të ngrënshme, janë si të radhiqes. Më pas, sa më shumë centimetra që rritet, aq më të egra e shpuese bëhen gjethet dhe më të dallueshme në pamje nga ato të radhiqes. Kur bima ka ardhur afër gjurit, aty nuk ka më dyshim, se kjo nuk është radhiqe (luleshurdhe), pasi radhiqja mbetet shtatvogël, rreth 1 apo 2 pëllëmbë. Një tipar tjetër që do t’ju ndihmojë të dalloni radhiqen nga qumështorja, është se radhiqja vendos një lule në një kërcell të vetëm, ndërsa kërcelli i qumështores ndërsa rritet, degëzohet e degëzohet dhe mbushet me lule. Gjithashtu, nëse ju prisni kërcellin e qumështores, del një lëng si i bardhë, prej të cilit ka marrë edhe emrin, ndërsa nga kërcelli i radhiqes nuk del ‘qumësht’.

Pse duhen dalluar këto dy bimë nga njëra- tjetra?
Për shkak të veprimeve të ndryshme farmakologjike dhe sigurisë. Radhiqja është një bimë mjaft e sigurt, një barishte e egër e klasifikuar tashmë ushqim. Ju mund të hani një tas të madh me sallatë radhiqeje, ajo do të bëjë vetëm mirë për pastrimin e gjakut dhe të mëlçisë, edhe pse shija e hidhur është bezdisëse. Ndërkohë, qumështorja ka veti hipnotike, narkotike, analgjezike dhe qetësuese. Grekët dhe egjiptianët e lashtë e kanë përdorur për hipnozë. Lëngu i bardhë që rrjedh nga dega ka veti të opiumit, ndërsa gjethet mund të haen vetëm disa gjethe të reja, pasi në sasi shkaktojnë të përziera, vjellje, ankth, marramendje e më keq.Nga ana tjetër, siç e thamë, gjethet e radhiqes janë mjaft të sigurta.
Treben: “Lëngu i latrapecit heq mjegullën nga sytë “
Një nga trajtimet më të evidentuara të latrapecit të madh është veprimi në retinopati, në degjenerimin makular të syrit për shkak të moshës dhe në katarakt (perden e syrit). Katarakti dhe njollat në korne zhduken gradualisht me fërkimin me gjethet e shtypura të bimës, mbi kapakët e syve të mbyllur. Lëngu i bimës ndihmon edhe në rastet e gjakderdhjes nga retina ose të shkëputjes së saj. Një gjethe latrapeci, e larë dhe e fërkuar midis gishtave lëshon lëngun e tij dhe me këtë lëng, me gishtin tregues lyen butësisht kapakët e syve të mbyllur, nga brenda drejt qosheve. Përveç se një ilaç për kataraktin (perden e syve) dhe shikimin e dëmtuar, është edhe një profilaktik për sy të shëndetshëm por të lodhur. Maria Treben, herbalistja e famshme gjermane dhe austriake tregon se kur punonte deri vonë në mbrëmje për korrespondencën e saj, merrte një fletë latrapeci nga kopshti dhe e përdorte atë siç përshkruhet më sipër. “Është sikur një mjegull hiqet nga sytë”, thoshte ajo. Dhe, pothuajse menjëherë, ajo përjetonte kthimin e jetës në ata sy. Një tretësirë homopatike e latrapecit të madh përdoret për çrregullimet e mësipërme, 10-15 pika, e holluar në ujë dhe e marrë 2-3 herë në ditë.
Histori shërimi nga Maria Treben
Pastaj Maria Treben tregon për një të njohur nga rrethi i Mainzit (Gjermani) i cili përdori lëngun e Celidonium Majus gjatë shëtitjeve të tij të përditshme në natyrë. Një qen ishte shoqëruesi i tij besnik prej vitesh. Si një shaka, ai i pikoi sytë qenit me lëng, i cili me sa duket ishte i dobishëm, pasi qeni që nga ajo kohë, i ulej të zotit para këmbëve, sa herë që ai përdorte për vete lëngun e bimës.
Një histori tjetër që ajo tregon: “Në Austrinë e Sipërme, ku mbajta një leksion në nëntor, aty në sallë ishte edhe një kishtar që mbante syze. Kur u ktheva në shkurt, ai nuk mbante më syze. E pyeta dhe ai më tha se që nga nëntori, kishte ndjekur këshillën time për trajtimin me latrapec çdo ditë. Ai tha se shihte tani më mirë, sesa më parë me syze. Në këtë kohë, ai kishte gjetur gjethet e latrapecit, duke i zbuluar poshtë dëborës. E them këtë, për të treguar se disa bimë mjekësore gjenden të freskëta në dimër, kur të gjitha bimët e tjera duket sikur janë të vdekura.”
Bima e latrapecit te madh (tamblagjaku) dallohet sepse kercelli i saj kur keputet, nxjerr nje leng te verdhe ne portokalli si jodio.

