Si të riparoni shikimin e dëmtuar

Tendosja mendore, frika dhe ushqimi artificial lodhin sytë, shkaku kryesor i dëmtimit

Dr. Bates: “Shikimi i dëmtuar është rezultat i çrregullimit funksional, furnizimit të dobët me gjak të syve, që mund të korrigjohet me metoda të thjeshta natyrore”

Dr. Suzana Zhuka (*)

Shikimi i dëmtuar është një problem i zakonshëm në fëmijët e ditëve të sotme dhe tek të rriturit e rinj. Arsyet kryesore për defektet e syrit janë leximi në dritë të keqe (ose shumë të zbehtë ose tepër të ndritshme), leximi i tepërt, të lexuarit në lëvizje si në trena, autobusë, të shikosh shumë televizor dhe të hash ushqime artificiale.

Sipas besimit popullor, defektet e shkaktuara në sy janë ndryshime të përhershme. Ky supozim nuk është i saktë.  Shikimi i dëmtuar është rezultat i çrregullimit funksional, që mund të korrigjohet me metoda të thjeshta natyrore. Shkaqet kryesore të shikimit të dëmtuar janë tendosja mendore, frika dhe ankthi, zakonet e gabuara të ushqyerjes dhe furnizimi i dobët me gjak. Dr. W.H. Bates, themelues i metodave revolucionare të trajtimit të syve, e konsideron tendosjen mendore,  si shkaku madhor i defekteve të shikimit. Tendosja apo lodhja mendore i korrespondon lodhjes fizike në sy, në muskujt dhe nervat e tyre dhe karakterizohet nga dhimbje koke, shikim i turbullt, vështirësi për të përqëndruar shikimin. Në zbatim të kësaj teorie, Dr. Bates ka përqendruar përpjekjet e tij në metodat e trajtimit, për të hequr gjendjen e tendosur mendore në sy. Defektet në sy janë kryesisht për shkak të punës jashtë orarit.

Sytë janë pasqyrë e gjendjes së trupit dhe çdo gjë që prek sistemet e tjera, reflektohet aty. Shumica e sëmundjeve që prekin sytë, janë simptoma të gjendjes së përgjithshme toksike të trupit, kryesisht për shkak të marrjes të tepruar të miellit të bardhë, sheqerit dhe proteinave. Furnizimi me gjak i muskujve të syrit dhe pjesëve që e rrethojnë, dëmtohet për shkak të prishjes së metabolizmit të shkaktuar nga një dietë e gabuar. Sytë kane nevojë të jenë të furnizuar si duhet me gjak dhe të kenë përçueshmëri nervore të mirë për shikimin e duhur. Çdo faktor që ndikon mbi enët e gjakut në sy dhe nervat e syve, mund të shkaktojë shikim të dëmtuar. Muskujt që gjenden në pjesën e sipërme të shpinës, poshtë qafës, janë selia e furnizimit me gjak të kapilarëve të syve dhe ndikimit mbi nervat e syve.

Ushtrime për të relaksuar sytë e tensionuar

Me pamje nga dielli: Uluni në një stol përballë diellit me sytë mbyllur dhe qëndroni për për 18 minuta. Hapini sytë dhe hiqeni vështrimin nga ana e diellit dhe kërkoni me sy një gjelbërim. Jo më kot, natyra është treguar bujare duke ofruar shumë peizazh të gjelbër. Kërkoni me vetëdije të soditni sytë mbi pemët. Kjo ndihmon për të kuruar miopinë dhe është e mirë edhe për sytë e acaruar.

Spërkatni sytë: Spërkatni me ujë të ftohtë disa herë duke i mbajtur sytë mbyllur. Fshini kapakët e mbyllur për një minutë me një peshqir të pastër. Kjo rrit furnizimin me gjak në sy.

Mbulimi me pëllëmbë: Uluni të qetë në një kolltuk dhe relaksohuni me sytë mbyllur. Mbuloni sytë tuaj me pëllëmbë. Shtypini lehtë me pjesët e fundit të pëllëmbëve. Me sytë mbyllur, shikoni në errësirë të plotë. Mbulimi me pëllëmbë dhe errësira relakson sytë dhe indet përreth tij.

Lëkundje mbi një këmbë: Qëndroni me këmbët 30 cm larg, duart mbajini lirshëm anash, i tërë trupi dhe mendja e relaksuar. Lëkundni trupin nga njëra anë në tjetrën, ngadalë, në mënyrë të qëndrueshme. Mendoni sikur jeni një lavjerrës. Lëkundja duhet të bëhet para një dritareje ose një fotoje. Ju do të shihni objektin se si ‘lëviz’ në drejtim të kundërt të lëkundjes suaj. Ky ushtrim ka efekt të dobishëm mbi sytë dhe sistemin nervor.

Ushtrimet Yoga: Në Yoga, katër ushtrime janë për forcimin e muskujve të dobët në sy, lehtësimin e lodhjes së syve dhe kurimin e sëmundjeve të syrit. Ata janë të njohur si ‘Trataka’, që në sanskritisht do të thotë ‘shikimi në një pikë të caktuar’. Katër ushtrimet janë: 1.Sytë foksohen mbi cepin e kofshës së djathtë, 2. Sytë janë të fiksuar në cep të shpatullës së majtë, 3. Sytë fokusohen mbi majën e hundës, 4. Sytë ‘fokusohen’ në hapësirën në mes të ballit. Këto ushtrime duhet të praktikohen nga një pozicion meditativ si pozicioni tipik i Yoga-s, ulur këmbëkryq, me shputat e këmbëve nga jashtë.  Vështrimi duhet të mbahet për aq kohë, sa ju jeni rehat, në fillim 10 sekonda dhe kur ta përsërisni, zgjateni 20-30 sekonda. Personat me miopi akute duhet t’i kryejnë ushtrimet me sytë mbyllur.

(Dr. Suzana Zhuka është okuliste në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë)

 

Ushtrime për të rritur furnizimin me gjak në sy

Konsideroni si trajtim kryesor për shikimin e dëmtuar, lirimin e muskujve të tendosur dhe të kontraktuar përreth syve. Ushrimet për sytë, qafën dhe supet do të ndihmojnë në arritjen e këtij objektivi:

*Mbani qafën lirshëm dhe relaksohuni. Butësisht lëvizni sytë lart dhe poshtë gjashtë herë. Përsëriteni të njëjtën lëvizje dy-tri herë në dy sekonda. Sytë duhet të lëvizin ngadalë dhe rregullisht, aq poshtë sa të jetë e mundur dhe pastaj aq lart sa të jetë e mundur.

*Lëvizni sytë nga njëra anë në tjetrën, sa të jetë e mundur, pa ndonjë përpjekje sforcuese, gjashtë herë. Përsëriteni dy ose tri herë.

*Mbani gishtin tregues të dorës së djathtë rreth 20 cm para syve, pastaj shikoni mbi ndonjë objekt tjetër të madh që gjendet dhjetë apo më shumë metra larg, pas gishtit, përshembull, shikoni kuadratin e derës ose dritares. Shikoni herë me njërin dhe herë me tjetrin sy dhe bëjeni këtë ushtrim mjaft shpejt.

*Lëvizni sytë lart butësisht dhe ngadalë në formë rrethi, pastaj në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Bëjeni ketë 4 herë. Të gjitha ushtrimet me muskujt e syrit duhet të kryhen ndërsa jeni ulur në një pozicion të rehatshëm.

*Rotulloni qafën në formë gjysmë-rrethore. Bëni lëvizje të kokës përpara dhe prapa si dhe ktheni kokën në të djathtë dhe të majtë, sa të jetë e mundur, disa herë

*Lëvizni edhe supet në kahun orar dhe anti-orar me zhdërvjelltësi, duke i tërhequr ata sa më shumë të jetë e mundur disa here. Këto ushtrime ndihmojnë për të liruar muskujt e qafës të kontraktuar, të cilët mund të kufizojnë furnizimin me gjak në kokë.

 

Dieta natyrore për sytë

Ushqimet e papjekura janë dieta më e mirë. Këto përfshijnë fruta të freskëta si portokall, mollë, rrush, pjeshkë, kumbulla, qershi, perime jeshile -marule, lakër, spinaq. Rrënjë- rrepa, patate, karota, qepë, panxhar si dhe fruta të thata si arra e produkte qumështi. Drithërat janë gjithashtu të nevojshme, por ato duhet të konsumohen me masë. Buka me miell të pasitur është më e përshtatshme. Ëmbëlsirat, pasta, buka e bardhë, kafeja, etj. duhet të shmangen, ndërsa peshku dhe vezët janë të dobishme. Peshku përmban Omega 3, acide yndyrore që i duhet membranave të qelizave, sidomos qelizave të syrit dhe qelizave nervore. Ndërsa veza është një superushqim, e pasur me biotinë dhe karotenoide, që mbrojnë shikimin.

 

Vaji i mëlçisë së merlucit për glaukomën dhe retinopatinë diabetike

Syrit i duhet Omega 3, Vitaminë A dhe Vitaminë D3. Të gjitha këto gjenden së bashku dhe në sasi shumë të mëdha tek vaji i mëlçisë së merlucit. (Është në formë kapsule ose të lëngshme, si variantet e tjera të peshqve, Omega 3). Sipas USDA, një lugë gjelle (15 ml) vaj mëlçie merluci përmban 4080 mg Retinol (vitaminë A) dhe 34 mg vitaminë D. Sipas Institutit Kombëtar Mbretëror të të Verbërve (RNIB), vitamina A vjen nga disa fruta dhe perime në formën karotenoid, ndërsa në formën Retinol gjendet me sasi në vajin e mëlçisë së merlucit. Retinol ndihmon në mbrojtjen e qelizave të indeve në sy. Vajrat e peshkut Omega-3, veçanërisht DHA, mbrojnë kundër prishjes së shikimit. Një mega-studim me 89.999 njerëz, zbuloi se futja në dietë e sasive të mëdha omega-3 acide yndyrore zvogëlon rrezikun e zhvillimit të AMD. Dhe vaji i mëlçisë së merlucit ka gati gjithçka që i duhet syrit, ai ndalon glaukomën (verbimin), retinopatinë diabetike si dhe shumë nga diagnozat e syve. Por ndryshe nga variantet e tjera Omega 3, duhet të merret nën udhëzimet e mjekut, për të mos kaluar në hipervitaminozis, pasi Vitamina A është toksike në doza të mëdha dhe merluci është një depo e kësaj vitamine.

 

Degjenerimi makular  i syve, ushqyesit që e parandalojnë

Vaji i peshkut dhe vitaminat D+E+A mbrojnë indet e syrit nga inflamacioni

Mbi 25% e njerëzve të globit mbi 65 vjeç kanë degjenerim makular të syve. Kjo mund të çojë në verbëri dhe prek më shumë njerëz sesa glaukoma dhe katarakti (perdja e syve) dhe se të dyja bashkë. Me moshën, rreziku rritet në mënyrë dramatike. Degjenerimi Makular i lidhur me Moshën (AMD), ndodh kur makula- një zonë në pjesën e pasme të retinës, fillon të prishet. Dy studime të reja tregojnë se degjenerimi makular mund të parandalohet përmes një diete, që përmban sasi të drejta të disa ushqyesve bazë. Se si janë gjendur këta ushqyes të domosdoshëm, këtë e tregojnë Arkivat e Okulistikës Amerikane në të cilat përfshihen studime të mëdha me mijëra njerëz. Studiuesit thonë se njerëzit që hanë peshk më shumë se dy herë në javë, të pjekur, jo të skuqur, kanë më pak rrezik për AMD. Studimet e shtrira në hark kohor prej dhjetëra vitesh kanë konfirmuar se edhe vitamina D ul rrezikun e degjenerimit makular. Kur pjesëmarrësit u ndanë në 5 grupe në bazë të nivelit në gjak të vitaminës D, u pa se ata që kishin  sasinë më të lartë të ‘vitaminës së Diellit’, kishin 40% më pak shfaqje të sëmundjes se syrit dhe në moshë më të shtyrë. Studiuesit konkluduan se vitamina D ul rrezikun e hershëm të degjenerimit makular dhe këtë gjë e bën duke ulur inflamacionin ose parandaluar zgjerimin e enëve të gjakut në retinë. Ndërkohë, ka një numër ushqyesish të tjerë thelbësorë, që gjithashtu përmirësojnë shikimin.

Lutein dhe zeaxanthin: Këto karotenoide shkojnë bashkë për të parandaluar dhe trajtuar Degjenerimin Makular të Lidhur me Moshën (AMD). Ato janë kombinimi më i fuqishëm i karotenoideve dhe gjenden në retinë e sidomos shumë të koncentruara në makulë, prandaj edhe i duhen asaj.

Vitamina E: Kjo vitaminë është një mbrojtës jetik për shikimin. Njerëzit me përqendrime të larta në retinë të këtyre dy karotenoideve, nuk priren për të zhvilluar AMD. Këta ushqyes rrisin densitetin e pigmentit makular. Sa më e lartë dendësia, më shumë mbrojtje kanë sytë.

Vitamina A: Themelore për përmirësimin e shikimit. Futja e sasive të duhura të vitaminës A është një masë parandaluese për dëmtimet e syve dhe një trajtim në rast se dëmtimi ka ndodhur. Burimet më të mira të vitaminës A janë vaji i mëlçisë së merlucit, lëng spinaqi, e verdha e vezës, djathi dhe gjalpi, karotat, domatet, marulet, lakra, bizelet e njoma, embrion gruri, portokalli, hurmat e arabisë. Ju mund të keni nevojë për shtesë Vitamine A 25.000 IU si dozë ditore. Shtesa merret për një kohë të limituar nën kontrollin e mjekut, për të mos kaluar në toksicitet.

 

Këshilla të mira për të ruajtur shkëlqimin e syve

Trajtimi i shikimit të dëmtuar me barnat e natyrës

Ashtu si lëkura dhe flokët, sytë thonë shumë për gjendjen e shëndetit tuaj, zakonet tuaja dhe mënyrën e jetesës. Sëmundja, mangësitë ushqyese, mungesa e gjumit, ankthi dhe stresi mundet të gjitha të reflektojnë tek sytë që janë ‘të shurdhër’, të lodhur dhe të tendosur. Rëndësia e kujdesit për sytë është rritur në kohët moderne. Kurrë më parë, sytë e njerëzve nuk kanë qenë kaq të tendosur. Sytë po konsumohen të përqëndruar mbi ekranet e tv dhe kompjuterit për orë të tëra, në lexime intensive ose mbi shifra. Gjatë kohëve të lashta, sytë janë përdorur në profesione, që ishin një ushtrim i mirë për ta dhe i mbanin të shëndetshëm. Profesionet e fermerit, gjuetarit, peshkatarit përdornin një shumëllojshmëri të lëvizjeve natyrore të syrit, duke u fokusuar në objekte të largëta. Kurse sot, lodhja e syve ka filluar që në moshë të re. Me kalimin e kohës, ata shtrembërojnë vizionin. Nëse nuk kemi vetëdije për t’i ushtruar dhe ndihmuar që të shlodhen, ata nuk mund të kryejnë mirë detyrën, nuk do të qëndrojnë të shëndetshëm e të bukur. Për të ruajtur fuqinë e shikimit, ju vijnë në ndihmë ushqyesit bimorë.

Jamballi: Një ilaç efektiv për miopinë është likorice apo jamballi. Gjysma e një luge çaji pluhur nga rrënja, e përzier me një sasi të barabartë mjalti, të përziera të gjitha në një filxhan qumësht, duhet të jepet dy herë në ditë me stomak bosh për trajtimin e kësaj gjendjeje.

Çikorja: Kjo barishte apo radhiqja është jashtëzakonisht e vlefshme në shikimin e dëmtuar për shkak të miopisë. Ajo përmban elemente ushqimore të cilat janë të nevojshme vazhdimisht nga sistemi optik. Kjo është një nga burimet më të pasura të vitaminës A, shumë e dobishme për sytë.

Lëngu magjik për sytë: Shtimi i lëngjeve të karotave, selinosë, majdanozit ushqejnë nervin optik dhe sistemin muskulor të syve. Këto lëngje sjellin rezultate të mahnitshme në korrigjimin e defekteve në sy. 2-4 gota, deri në 1 litër në ditë me këto lëngje të kombinuara korrigjon shpesh problemet me sytë brenda disa muajve, deri në atë masë, saqë rikthen shikimin normal dhe i bën të panevojshme syzet. Formula proporcionale më e dobishme është kjo: 200 ml lëng karrote, 150 ml lëng selino, 75 ml lëng radhiqe dhe 75 ml lëng majdanozi për të realizuar 1/2 litër.

 

Boronica përmirëson shikimin në errësirë dhe ndal perden

Boronica u bë shumë e njohur pas Luftës së Dytë Botërore, kur disa aviatorëve të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike raportuan se shikimi i tyre natën ishte përmirësuar djeshëm. Sipas raportit, boronica kishte përmirësuar shikimin e pilotëve aq shumë, saqë ata ishin në gjendje për të përfunduar misionet e tyre të fluturimit natën, me saktësinë më të madhe. Këto raporte për pilotët e Luftës së Dytë Botërore nxitën hulumtuesit në Evropë për të studiuar ndikimin e boronicave për shikimin në errësirë. Rezultatet treguan se përfitimet shëndetësore të boronicës kanë efekt thelbësor mbi shikimin në disa mënyra: Përmirësojnë mprehtësinë e shikimit natën, sytë reagojnë më shpejt në errësirë dhe shikimi rregullohet më shpejt pas ekspozimit ndaj shkëlqimit verbues. Dozat e larta të boronicës (80-160 miligramë tri herë në ditë) kombinuar me vitaminë E, ndalin përparimin e hershëm “senil” të kataraktit. Boronicat, së bashku me rrushin e malit, manaferrat, mjedrën, qershinë, manat e tokës dhe fruta të tjera pylli- blu, të kuqe dhe vjollcë, përmbajnë sasi të mira flavonoidesh, si anthocianinë. Anthocianina ka treguar se përmirëson ndjeshmërinë makulare dhe shikimin tek pacientët dhe tek individët e shëndetshëm.

 

Kompresa me eufrazia për lodhjen dhe qeskat e syve

Eufrazia (EUPHRASIA OFFICINALIS) është bimë barishtore që rritet në Shqipëri, në livadhe e kullota, që nga zonat e ulëta, deri në atë subalpine. Përdoret e gjithë bima bashkë me rrënjët. Shkulet nga korriku në shtator. Eufrazia përmirëson shikimin, kundër lodhjes se syve, kundër irritimit si dhe kundër ndjeshmërisë së tepruar të syve ndaj dritës dhe infeksionit. Përdoret veçanërisht me sukses kundër qeskave, që krijohen poshtë syve. Bima ka veti anti-inflamatore dhe tkurrëse. Formula e infuzionit: 10g bimë e thatë, hidhet në një litër ujë, pasi të ketë valuar 1-2 minuta. Kur çaji është ftohur, me të shplahen sytë si dhe bëhen kompresa të freskëta. Përdoret edhe si çaj 1-3 gota në ditë. Forma tjetër e përdorimit është një kombinim bimor: Marrim 5 g bimë të thatë eufrazie, i bashkojmë me

5 gr. lule livandoje, me 5 gr petale trendafilash të kuq, dhe me 5 gr petale karafili. I përziejmë katër bimët e mësiperme dhe mbushim 1lugë gjelle me këtë përzierje. E ziejmë 1 minutë në 250 ml ujë, e heqim

nga zjarri dhe e lëmë në qetësi 30 minuta. Me këtë çaj bëjmë lavazh të syve disa herë në ditë për të kuruar qeskat poshtë syve. Kura u shërben miopëve dhe veçanerisht fëmijëve me shikim të dobët.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *