Probiotikët dhe paraprobiotikët në infeksionin viral
Studiuesit raportojnë llojet e baktereve të mira, që çaktivizojnë viruse të ndryshme
Studimi: Aplikimi Klinik dhe Efektet në Sistemet Imune- të lindur dhe të fituar
Kohët e fundit, rreziku i infeksionit viral është rritur në mënyrë dramatike për shkak të ndryshimeve në ekologjinë njerëzore siç është ngrohja globale dhe një lëvizje e shtuar gjeografike e njerëzve dhe e mallrave. Megjithatë, efikasiteti i vaksinave dhe i mjeteve juridike për sëmundjet infektive është i kufizuar nga shkalla e lartë e mutacionit të viruseve, veçanërisht, viruseve të ARN-së.
Shpjegim Molla: Fakti që viruset pësojnë mutacione do të thotë se krijojnë gjithnjë mekanizma të rinj për t’i shpëtuar mjekimeve të zbuluara, pra ndryshojnë që të bëhen të pakapshëm, të pavdekshëm.
Studiuesit nga Shiga University of Medical Science, Japoni, Tropical Infectious Diseases Research and Education Centre (Qendra e Edukimit dhe Kërkimit të sëmundjeve Infektive Tropikale, Malajzi, Universiteti i Mjekësisë Malajzi, Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive, Japoni si dhe disas struktura të tjera bashkëpunuese me Organizatën Botërorë të Shëndëtësisë kanë përgatitur një studim, të cilin në pjesën më të madhe po e sjellim në ligjëratë të drejtë.
Studiuesit shqyrtojnë ndikimin e baktereve të mira mbi sistemin imunitar të mukozës. Për më tepër, ata ofrojnë një përmbledhje të mekanizmit unik me të cilin viruset eliminohen përmes stimulimit të prodhimit të interferonit tip 1 nga probiotikët dhe paraprobiotikët, përmes aktivizimit të qelizave dentrike.
Shpjegim Molla: Qelizat dentrike janë lloje të qelizave të sistemit imunitar, janë leukocite që prodhohen në palcën e kockave. Detyra e tyre është të aktivizojnë qelizat e tjera të imunitetit, pasi qelizat dentrike veprojnë si lajmëtarë dhe si ndërmjetës mes sistemit imunitar të lindur dhe sistemit imunitar adaptiv, dmth përshtatës sipas rastit. Qelizat dentrike përpunojnë antigjene që të rregullojnë përgjigjen e sistemit imunitar).
Studiuesit shkruajnë: “Këtu, ne rishikojmë efektivitetin e disa probiotikëve dhe paraprobiotikëve (probiotikë të sterilizuar) për parandalimin ose trajtimin e sëmundjeve infektive virale”.
Edhe pse kërkime të mëtejshme të hollësishme janë të domosdoshme në të ardhmen, probiotikët dhe/ ose paraprobiotikët pritet të jenë ndër opsionet ndihmëse racionale për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme virale.
Strategji të ndryshme, siç janë vaksinat dhe antibiotikët, janë shfrytëzuar për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive, por kontrolli i infeksionit ende nuk është arritur në një nivel të mjaftueshëm. Përveç gripit të shpendëve, sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes dhe ethes hemorragjike Ebola, shumë sëmundje problematike me origjinë tropikale mbeten të kontrolluara dobët, siç janë ethet e dengosë dhe infeksioni i virusit Zika.
Ndërsa ndryshimet klimaterike përfshirë ngrohjen globale dhe lëvizja e rritur gjeografike e njerëzve dhe mallrave janë shfaqur, numri i llojeve të viruseve patogjene dhe zonave të prekura është rritur. Prandaj, rreziku i infeksionit viral tani është bërë një çështje kritike. Një virus përfaqësues patogjen, virusi i gripit, ndonjëherë i nënshtrohet një procesi të mutacionit të ndërprerë. Si rezultat, efikasiteti i vaksinave kundër virusit të gripit mund të ndërpritet dhe ky fenomen nganjëherë ka shkaktuar pandemi. Në Japoni, rasti i parë i infeksionit me virusin Zika u raportua në vitin 2016. Disa raste të infektuara me virusin dengue ishin raportuar në vitin 2014 pasi virusi kishte munguar për 70 vjet më parë. Përveç kësaj, infeksionet e gripit dhe Norovirusi shpesh ndodhin sezonalisht.
Me përparimin e hulumtimit imunologjik të kohëve të fundit, është zbuluar reagimi i lindur imunitar dhe reagimi imunitar i aktivizuar më pas, që kanë vlerë për njohjen dhe eliminimin e viruseve. Është raportuar se procesi i eleminimit të viruseve në masë të madhe varet nga induksioni i interferonit të tipit 1 (IFN), dhe se rregullimi i citokinave inflamatore ndërmjetësohet përmes receptorëve të njohjes së modelit dhe gjenit të induktueshëm acid-retinoik. Studimet kanë filluar të sqarojnë efektet imunostimuluese të baktereve të acidit laktik (probiotikët e kosit) dhe kanë raportuar aftësinë e tyre për të kontribuar në parandalimin e infeksioneve virale përfshirë gripin, si dhe trajtimin e infeksionit Helicobacter pylori.
Shpjegim Molla: Bakteret e mira të kosit, turshive, kefirit nxisin prodhimin e intereferoneve Tip 1, që janë proteina që rregullojnë aktivitetin e sistemit imunitar.
Studiuesit vazhdojnë: Në këtë përmbledhje, ne së pari përmbledhim strategjitë e fundit parandaluese dhe terapeutike kundër sëmundjeve infektive, me theks të veçantë në infeksionin viral dhe pastaj përshkruajmë aplikimet e mundshme të disa probiotikëve dhe paraprobiotikëve si profilaktikë (parandalim) ose terapi kundër sëmundjeve infektive (virale). Meqenëse është shumë e vështirë të citojmë të gjitha studimet në lidhje me efektet e paraprobiotikëve ose probiotikëve në sëmundjen infektive të virusit, ne u përqëndruam vetëm në disa studime përfaqësuese të zgjedhur mbi bazën e dy kritereve: 1) Studim me probiotikë ose paraprobiotikë në provën klinike njerëzore (përjashtimi i shtameve dhe studimeve në kafshë) 2) Vlerësimi i efikasitetit në sëmundjen infektive (virale).

Strategjitë parandaluese dhe terapeutike kundër infeksioneve virale
Sëmundjet infektive, veçanërisht infeksionet nozokomiale, (nozokomiale quhen infeksionet që merren gjatë shtrimit në spital), d.m.th. gripi, pneumonia, Staphylococcus aureus rezistent ndaj meticilinës, Norovirus, virusi korona i sindromës së rëndë respiratore, etj., kanë shkaktuar periodikisht shpërthime të përhapura dhe konsiderohen se paraqesin kërcënime serioze për shëndetin publik. Në këtë përmbledhje, ne përshkruajmë strategjitë për parandalimin dhe trajtimin e infeksioneve të traktit të sipërm respirator dhe gastrointestinal si sëmundje infektive përfaqësuese.
Dihet se virusi i gripit, rinovirusi dhe virusi sinkytial i frymëmarrjes, luajnë role kryesore në infeksionet e traktit të sipërm respirator (URTI), ndërsa norovirusi dhe rotavirusi janë gjithashtu shkaqe të rëndësishme të sëmundjeve gastrointestinale.
Në përgjithësi, pranohet se masat kryesore profilaktike kundër këtyre sëmundjeve infektive janë vaksinimet dhe rregullat e përditshme higjeno-sanitare siç janë gargarat dhe larja e duarve. Grupi i autorëve Nagatake et al. përvijoi se gargara me një solucion povidon-jod ishte i efektshme për të zvogëluar incidencën e episodeve të infeksioneve akute të frymëmarrjes, pasi bakteret e kolonizuara u shkatërruan duke bërë gargarë.
Grupi i autorëve Heijne et al. raportoi se masat higjienike të kujdesshme, përfshirë pastrimin e duhur të duarve duke përdorur sapun dhe peshqir letre të disponueshëm në mënyrë efektive, kufizuan transmetimin e norovirusit gjatë një shpërthimi.
Megjithëse vaksinat premtojnë profilaksi (profilaksi dmth parandalim) kundër infeksionit të gripit, efikasiteti i tyre është i kufizuar nga mutacioni i shpeshtë dhe i shpejtë i viruseve të ARN-së, përfshirë virusin e gripit. Regjimet tipike të trajtimit të gripit përfshijnë frenuesit e neuraminidazës dhe frenuesit e proteinave të kanalit jonik M2, të cilat përshkruhen në mënyrë aktive në mjediset klinike. Frenuesit e hemagglutininës, sialidazës, proteinës nukleokapsid, ose ARN polimerazës të varur nga ARN, përdoren gjithashtu aktualisht.
Sidoqoftë, zhvillimi i rezistencës së fituar ndaj ilaçeve aktuale kundër gripit dhe mutacioneve të shfaqura të virusit të gripit vazhdojnë të paraqesin sfida për trajtimin efektiv të gripit. Norovirus dhe rotavirus janë patogjenë përfaqësues gastrointestinal shumë infektivë dhe shkaktojnë diarre të rëndë. Në situatën aktuale, pa një vaksinë apo ilaç efektiv, parandalimi i transmetimit viral duhet të mbështetet kryesisht në masat themelore, përfshirë karantinën dhe larjen e plotë të duarve pas kontaktit fizik.
Në veçanti, rotavirusi është rezistent ndaj klorit dhe alkoolit, megjithëse infeksioni mund të parandalohet duke fshirë vendet e kontaminuara me një tretësirë etanol 79 % që përmban 0,1% o-fenilfenol. Vaksinimi i foshnjeve gjithashtu po kryhet dhe ka treguar një efikasitet të mirë.
Norovirus është gjithashtu shumë ngjitës dhe rezistent ndaj alkoolit. Për vendet e ndotura, rekomandohet t’i dezinfektoni me zbardhues që përmbajnë më shumë se 500 ppm klor. Vaksinat për norovirusin aktualisht janë në zhvillim e sipër. Aktualisht nuk ka trajtime efektive për asnjë nga këto infeksione virale. Kështu që, trajtimi që rekomandohet në përgjithësi është të parandaloni dehidratimin e shkaktuar nga diarreja dhe vjellja, duke mbajtur një konsum të mjaftueshëm të lëngjeve dhe të prisni që virusi të eliminohet nga trakti gastrointestinal.
Profilaksia dhe trajtimi mjekësor i sëmundjeve infektive nga Probiotikët dhe Paraprobiotikët
Me përparimin e hulumtimeve për marrëdhëniet midis mikrobiotës dhe sëmundjeve në vitet e fundit, bakteret e zorrëve janë hetuar për aftësinë e tyre për të moduluar sistemin imunitar të strehuesit, jo vetëm në individë të shëndetshëm, por edhe në ata që vuajnë nga një gamë e gjerë e sëmundjeve. Është zbuluar se bakteret kommensale *mikrobiota apo bakteret e mira të zorrëve, rregullojnë gjithashtu qelizat T, qelizat limfoide të lindura të tipit 3 dhe qelizat T ndihmëse dhe ndikojnë shumë në imunitetin mukozal.
Probiotikët veprojnë si në sistemin imunitar të lindur, ashtu edhe atë të fituar dhe kanë fuqinë për të ulur ashpërsinë e infeksioneve në traktin gastrointestinal si dhe në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Probiotikët përcaktohen si mikroorganizma të gjallë, që kanë përfitime shëndetësore dhe ato zakonisht konsumohen si një përbërës i ushqimeve të fermentuara si kos, djathë dhe turshi ose si suplemente.
Kohët e fundit, “probiotikët e sterilizuar” ose paraprobiotikë u raportuan për fuqinë e tyre imunomoduluese. Probiotikët përmbajnë substanca imunostimuluese si acidi lipotikoik, peptidoglikani dhe acidi nukleik. Në seksionet e mëposhtme, ne përqëndrohemi në efektet e probiotikëve përfshirë paraprobiotikët në infeksionet virale. Veçanërisht, ne diskutojmë probiotikët përfaqësues që kanë treguar aftësi unike parandaluese ose terapeutike, kundër sëmundjeve virale në studimet klinike.
Lactobacillus casei Shirota (LCS)
LcS u provua që uli titrat e antitrupave të virusit citomegalovirus në gjak dhe virusit Epstein-Barr tek njerëz shumë aktivë fizikisht (atletët e universitetit). Sidoqoftë, nuk ka ndonjë ndryshim domethënës në incidencën e gastroenteritit të shkaktuar nga norovirusi, midis atyre që morën Laktobacilin CS dhe grupeve të kontrollit që nuk morën, tek të moshuarit me qëndrim të gjatë në një institucion të shërbimit shëndetësor. Megjithëse efektiviteti i probiotikut mbetet i diskutueshëm, një mekanizëm potencial u raportua ku LcS u gjet për të moduluar aktivitetin e qelizave vrasëse natyrore (NK), të cilat janë një nga mekanizmat mbrojtës të linjës së parë kundër infeksionit viral.
Lactobacillus rhamnosus (LGG)
Ky probiotik është vlerësuar për efektet parandaluese në infeksionet prej rinovirusit, në vullnetarë të shëndetshëm. Pas konsumimit të LGG për 6 muaj, subjektet u infektuan në mënyrë intranazale *nga hunda, me rinovirus. Frekuenca dhe ashpërsia e simptomave të ftohjes dhe numri i personave me infeksion të rinovirusit në grupin që mori probiotikun LGG, ishin më të ulëta se ato të grupit të kontrollit, megjithëse ndryshimi midis grupeve nuk arrinte domethënie.
Kur LGG u administrua për 4 javë tek fëmijët me gastroenterit, të cilët ishin pozitivë për llojet e rotavirusit ose Cryptosporidium në jashtëqitje, një rritje e konsiderueshme në imunoglobulinat (Ig) u vërejt në fëmijët me diarre të shkaktuar nga rotavirusi, të cilët morën probiotikun Lactobacillus rhamnosus.
Midis fëmijëve me diarre kriptosporidiale, ata që morën LGG treguan një përmirësim të ndjeshëm në përshkueshmërinë e zorrëve. Mekanizmat me të cilët probiotikët ushtrojnë efekte imunomoduluese nuk janë kuptuar plotësisht. Sidoqoftë, LGG tregoi se rregullon reagimet imune të lindura dhe adaptive, veçanërisht ato kundër patogjenëve gastrointestinalë, duke rezultuar në rritje të niveleve të imunoglobinave IgG dhe IgA, që synojnë patogjenët enterikë përfshirë rotavirusin.
Lactobacillus delbrueckii ssp. bulgaricus OLL1073R-1 (R-1)
Studimi tregoi se konsumi i kosit të fermentuar me Lactobacillus delbrueckii ssp. bulgaricus R-1 uli rrezikun e kapjes nga ftohja e zakonshme tek individët e moshuar. Studime të tjera treguan se R-1 dhe polisaharidet e saj të sekretuara përmirësuan funksionet e sistemit imunitar me rritjen e aktivitetit të qelizave NK. Kështu, ky probiotik mund të kontribuojë në parandalimin e infeksioneve të frymëmarrjes të shkaktuara nga viruset e frymëmarrjes ose të gripit.
Lactobacillus paracasei ssp. paracasei (L. casei 431)
L. Casei 431 u raportua të ketë fuqi të shkurtojë kohëzgjatjen e simptomave në traktin e sipërm të frymëmarrjes, megjithëse nuk tregoi asnjë efekt në reagimin imunitar ndaj vaksinimeve të gripit tek të rriturit e shëndetshëm. Në një studim tjetër, L. Casei 431 moduloi sistemin imunitar në subjekte të shëndetshme. Rritja nga niveli fillestar e hemoglobinave IgG, IgG1 dhe IgG3 si dhe e IgA të sekretuar në pështymë, ishin dukshëm më e mëdha në të grupet që morën probiotikë, krahasuar me grupin e kontrollit që nuk mori. Megjithëse janë të nevojshme studime më të hollësishme për të eksploruar mekanizmat gjithëpërfshirës që janë në themel të efekteve imunomoduluese dhe anti-infektive të L. Casei 431, konsiderohet se ky probiotik stimulon mekanizmat e lindura të mbrojtjes virale dhe zvogëlon inflamacionin.
Lactobacillus paracasei MCC1849 (MCC1849)
MCC1849 nuk ka treguar efekte të rëndësishme në parametrat imunitarë të përfshirë në përgjigjen ndaj vaksinimit të gripit tek njerëzit e moshuar me imunitet të përkeqësuar.
Lactobacillus casei strain DN-114 001 (DN-114)
Autorët Pedone et al. zbuluan se administrimi i DN-114 zvogëloi incidencën e diarresë akute tek fëmijët e shëndetshëm të moshës 6-24 muaj. Incidenca dhe shpeshtësia e diarresë u ulën ndjeshëm nga plotësimi me probiotikun DN-114 në krahasim me grupin e kontrolli. Merenstein et al. raportoi që DN-114 001 mund të zvogëlojë incidencën e sëmundjeve infektive të zakonshme, përfshirë diarrenë në fëmijët e moshës 3-6 vjeç të cilët frekuentonin kujdesin ditor ose shkollën, megjithëse mekanizmi i detajuar është akoma i paqartë.
Lactobacillus plantarum L-137 (HK L-137)
Më parë u vlerësuan efektet imunomoduluese të HK L-137 dhe rezultatet treguan se HK L-137 rriti përgjigjet e lindura dhe të fituara imune në minj dhe në subjektet njerëzore, veçanërisht në funksion të prodhimit të IFN-ve të tipit 1 dhe interleukin (IL ) -12. Autorët Hirose et al. vlerësuan efektet e marrjes së HK L-137 për 12 javë, në simptomat e infeksionit e traktit te siperm respirator dhe funksionet imune, në subjektet njerëzore të cilët po përjetonin nivele të larta të stresit psikologjik. Incidenca e infeksionit urinar ishte dukshëm më e ulët në grupin e trajtuar me probiotikun HK L-137, sesa në grupin e kontrollit.
Enterococcus faecalis FK-23
Autorët Oo et al. raportuan se paraprobiotikët FK-23 ulën ndjeshëm nivelet e alaninë aminotransferazës (ALT) në të rriturit e diagnostikur pozitiv për HCV (hepatiti C), por nuk uli ngarkesën virale. Megjithëse mekanizmi i detajuar ishte ende i paqartë, ata sugjeruan që FK-23 mund të ndryshojë mikrobiotën në pacientët me HCV, dhe të luaj një rol në uljen e nivelit të ALT.
Saccharomyces boulardii
Administrimi oral i Saccharomyces boulardii dhe rehidratimi shkurtuan ndjeshëm kohëzgjatjen e diarresë në fëmijët me gastroenterit akut rotavirus në Bolivi, krahasuar me vetëm rehidrimin në grupin e fëmijëve të kontrollit.
Bifidobacterium animalis Bb12
Është hetuar efekti i formulës fillestare për foshnje, që përmban probiotikun Bifidobacterium animalis subispies (Bb12), në imunitetin dhe inflamacionin e zorrëve. Foshnjat e shëndetshme, gjashtë javëshe u regjistruan në një studim të ardhshëm. U vlerësuan anti-polivirusi specifik IgA dhe anti-rotavirusi specifik IgA. Studimi tregoi se probiotiku Bb12 rriti ndjeshëm anti-polivirirusin specifik IgA, por jo anti-rotavirusin-specifik IgA.
Bifidobacterium lactis B94
Në Turqi, Erdoğan et al. raportoi se Bifidobacterium lactis B94 me trajtim të rehidrimit oral e shkurtoi ndjeshëm periudhën diarreale tek fëmijët me gastroenterit rotavirus akut, krahasuar me grupin e kontrollit të fëmijëve që morën vetëm rehidratim oral (dmth lëngje nga goja).
Probiotiku uli ndjeshëm numrin e ditëve me kollë dhe ethe

Efektet profilaktike të L. lactis JCM5805 në sëmundjen e ngjashme me gripin, në vullnetarë të shëndetshëm gjatë sezonit të dimrit u raportuan në bazë të rezultateve të një studimi të dyfishtë të verbër. Administrimi i L. lactis JCM5805 rezultoi në një rënie të konsiderueshme të numrit të ditëve me “kollë” dhe “ethe”, të cilat u përcaktuan si simptomat kryesore të një sëmundjeje të ngjashme me gripin, në krahasim me grupin e kontrollit. Për më tepër, kur nga vullnetarët e trajtuar me L. lactis JCM 5805 u kultivuan me virusin e inaktivuar të influencës njerëzore A / H1N1 (A / PR / 8/34), shprehja e IFN-α tregoi një tendencë më të lartë dhe interferoni ISG15 u ngrit në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me grupin e kontrollit. Këto rezultate sugjerojnë që marrja e L. lactis JCM5805 mund të parandalojë patogjenezën e një sëmundje të ngjashme me gripin përmes përmirësimit të një përgjigjeje të ndërmjetësuar nga IFN ndaj virusit të gripit.
Grupi i autorëve Fujii et al. tregoi efektet e L. lactis JCM 5805 në parametrat imunologjikë sistemikë dhe mukozalë të vullnetarëve të shëndetshëm në dimër (sezoni i zakonshëm i ftohjes në Japoni). Pas 4 javësh të vazhdueshme të administrimit të probiotikut L. lactis JCM 5805, u ul ndjeshëm numri i ditëve me simptoma të dhimbjes së fytit, krahasuar me grupin e kontrollit.
Mekanizmi i L. lactis JCM 5805 . si vepron ndaj infeksioneve virale
Qelizat dendrike (DC) dihet se janë një nëndegë kryesore e qelizave imune që lidh përgjigjet imune të lindura dhe të fituara duke njohur sinjale inflamatore patogjene dhe endogjene. Për të zbuluar praninë e baktereve dhe viruseve, këto qeliza imunitare pDC përdorin TLR të caktuara. Sidomos, ata përdorin TLR9 për njohjen e acideve nukleike mikrobike. Aktivizimi i pDCs nga lidhja e lidhësit TLR çon në prodhimin e IFNs të tipit 1. Familja e tipit 1 IFN përfshin IFN-α dhe IFN-β, të cilat shërbejnë si përbërës të mbrojtjes së shtresës së parë mukozale apo epiteliale kundër infeksionit, duke bllokuar replikimin viral. Dihet mirë se bakteret patogjene stimulojnë prodhimin e IFN-α. Sidoqoftë, bakteret jo-patogjene, përfshirë probiotikët e përdorur në përgatitjen e ushqimit, janë studiuar më pak intensivisht në lidhje me aftësinë e tyre për të stimuluar induksionin e IFN-ve të ndërmjetësuar nga DC. Siç përshkruhet veçmas në detaje, më parë kemi ekzaminuar baktere të ndryshme të acidit laktik që gjenden në kos, për aftësinë e tyre për të stimuluar prodhimin e IFN-α dhe zbuluam që probiotiku L. lactis JCM 5805 ishte stimuluesi më i fuqishëm i prodhimit IFN të tipit 1.
Mekanizmi i veprimit të L. Lactis JCM 5805 mbi sistemin imunitar në modelet e sëmundjeve infektive
Kur një dozë vdekjeprurëse e virusit parainfluenza (mPIV1) u inokulua në mënyrë intranazale te minjtë e ushqyer me L. lactis JCM5805, niveli i mbijetesës ishte dukshëm më i lartë se ai i grupit të kontrollit (69% mbijetesë në L. lactis JCM 5805 dhe 0% mbijetesë në grupi i kontrollit në ditën 15 pas vaksinimit me virus). Në pDC-të e zorrëve (lloje të qelizave të sistemit imunitar që gjenden në epitelin e zorrëve) nga minjtë e trajtuar me L. lactis JCM 5805, shprehja IFN e tipit 1 u ngrit në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa u vërejt një efekt parandalues i shquar kundër infiltrimit të neutrofileve në indet e mushkërive.
Një rritje e konsiderueshme në shprehjen e gjeneve me aktivitete antivirale përfshirë mRNA të induktueshme nga IFN … është vërejtur pas trajtimit me L. lactis JCM 5805. Megjithëse mushkëritë ndodhen larg nga vendi i kontaktit (pjesa e zorrëve e njohur si gjëndrat limfatike Payer) dhe L. lactis JCM 5805 nuk mund të stimulojë direkt qelizat dentrike lokale në mushkëri, trajtimi oral me L. lactis JCM 5805 rezultoi në një rezistencë të fortë kundër virusit të parainfluenzës in vivo.
Ky probiotik nxiti prodhimin e IFN-a dhe siç dihet, IFN-α luan një rol të rëndësishëm në reagimin imunitar antiviral duke nxitur aktivitetin citotoksik të qelizave imunitare vrasëse NK, i cili kontribuon në mbrojtjen kundër infeksioneve.
Edhe pse kemi diskutuar aktivizimin e drejtpërdrejtë të qelizave dentrike -pDCs nga L. lactis JCM 5805 si mekanizmi më i besueshëm për pengimin e infeksionit viral, mekanizmat e tjerë themelorë nuk janë përjashtuar. Në të vërtetë, Salminen et al. raportoi që bakteret specifike probiotike mund të lidhin dhe çaktivizojnë rotaviruset. Përveç këtij ndërveprimi të drejtpërdrejtë me viruset, është gjithashtu e mundur që L. lactis JCM 5805 garon për receptorët viralë në sipërfaqen e qelizave të synuara, prodhon substanca antimikrobike dhe potencialisht antivirale dhe stimulon sistemet e mbrojtjes imune të qelizës pritëse. Kështu që, në të ardhmen, është e nevojshme të testohet nëse L. lactis JCM 5805 gjithashtu mund të lidhë drejtpërdrejt dhe të çaktivizojë viruse, pasi të dhënat që rezultojnë mund të ofrojnë një bazë për qasje të reja për të çaktivizuar viruset dhe për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve virale të lidhura me mukozën.
Përfundim
Ne përshkruam efikasitetin e probiotikëve dhe paraprobiotikëve për parandalimin ose trajtimin e sëmundjeve infektive, të cilat janë rritur në incidencë vitet e fundit. Edhe pse përfitimet e vaksinave dhe ilaçeve antivirale për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve infektive janë të dukshme, efektiviteti i tyre pengohet nga numri i madh i specieve virale dhe nëntipet e tyre, si dhe shkalla e lartë e mutacionit të viruseve. Meqenëse viruset evoluojnë vazhdimisht dhe prodhojnë një popullatë virale serologjikisht të ndryshme, është sfiduese të vendosni një mjet efektiv për të mbrojtur njerëzit nga infeksionet virale.
Ka pasur disa raporte klinike në lidhje me përdorimin e probiotikëve ose paraprobiotikëve për profilaksinë ose trajtimin e sëmundjeve infektive. Këtu, ne kemi rishikuar literaturën në lidhje me disa agjentë probiotikë ose paraprobiotikë. Agjentë të tillë konsiderohen të jenë të sigurt, të përballueshëm dhe të lehtë për t’u konsumuar për shkak të historisë së gjatë të përdorimit në ushqime.
Gjendja e njohurive në lidhje me efektet imunomodulues të probiotikëve kohët e fundit ka avancuar dhe studime të ndryshme janë përqendruar veçanërisht në ndërveprimet midis baktereve të mira në zorrë dhe sistemit imunitar të mukozave të zorrëve.
Në këtë përmbledhje, ne diskutuam për aktivitetin e probiotikut L. lactis JCM 5805, i cili ka fuqinë për të stimuluar drejtpërdrejt qelizat dentrike pDC dhe në këtë mënyrë të promovojë kontrollin viral. Edhe pse kërkime të mëtejshme të hollësishme janë të domosdoshme, probiotikët dhe/ose paraprobiotikët pritet të jenë ndër opsionet ndihmëse racionale për trajtimin dhe profilaksinë e infeksioneve virale.
Autorët e studimit: Osamu Kanauchi, Akira Andoh, Sazaly AbuBakar dhe Naoki Yamamoto
Shenim: Ne foto, ushqimet e pasura ne probiotike: Kosi, kefiri, lakra turshi, kastravecat turshi, turshite e perziera, taratori, dhe suplementet probiotike
Shënim nga Denisa Kona: Vitamina D për imunitetin mukozal
Qelizat dentrike, mbrojtja mukozale, imuniteti mukozal, peptidet mikrobike,… sjellin ndër mend studimet për vitaminën D3. Ju kujtoj se kjo vitaminë është shumë e studiuar për veprimin e saj në imunitetin e mukozës dhe aktivizon peptidet anti-mikrobike të qelizave.Shumica e qelizave tona kanë receptorë përgjegjës për të tërhequr vitaminën D, prandaj edhe mbrojtja e saj është e shtrirë në shumë qeliza, inde dhe organe. Tani që mësuam se edhe probiotikët ndikojnë në imunitetin mukozal, t’i kombinojmë këto të dyja dhe nga ana tjetër përforcojmë membranat qelizore me vitaminë E për të mos lejuar oksidimin e këtyre membranave vajore qelizore si dhe marrim edhe vitaminë C për të rritur imunitetin. Nëse vitamina C merret në doza të mëdha, nuk është thjesht një përforcuese e imunitetit, por një anti-virale e fuqishme.
Imuniteti mukozal është mjaft i rëndësishëm: është vija e parë e mbrojtjes. Për këtë arsye duhet të kemi mukoza të shëndetshme, të padëmtuara, jo të përshkueshme nga ushqimi (bëhet fjalë për mukozat e zorrëve ku është vendosur pjesa më e madhe e sistemit imunitar), por edhe shëndeti i mukozave në tërësi. Për të riparuar mukozat ka shumë dhurata natyrore: Caji i lëvores së vidhit, rrënja e mëllagës (ul inflamacionin mukozal), glutamina, një aminoacid që nxit shërimin e zorrëve, aloe vera për shërimin e lëkurës siç e dimë, por edhe të epitelit të zorrëve dhe mukozave në tërësi, colostrum, nga më të mirët për të shëruar përshkueshmërinë e zorrëve. Mbajini shënim se nuk janë gjetur gjëra më të mira se këto sot për sot.









