Ati i Vitaminës C
Pleqëria ime e artë, koha kur zbulova mrekullinë Vitaminë C për zemrën dhe ftohjet
Intervista e fundit me Dr. Linus Pauling dhënë për një televizion amerikan, një vit para vdekjes
Ky artikull eshte botuar ne vitin 2014 ne gazeten tone Molla e Shendetit
Në qoftë se keni një histori të sëmundjeve të zemrës në familjen tuaj, në qoftë se babai juaj ose një anëtar i familjes ka vdekur nga një atak në zemër ose goditje ishemike, ose ndjeni se keni një zemër të dobët, atëherë është më mirë të merrni Vitamina C dhe lysine
Nga Tony Edwards
Pas lumit të qindra artikujve shkencorë mbi Vitaminën C për shumë vite, nuk ka dyshim për mua se Vitamina C punon edhe në reduktimin e stresit oksidativ (stres oksidativ quhet veprimi oksidues i radikaleve të lira që fajësohen për shumëçka, që nga inflamacioni, sëmundjet e zemrës, plakja e shpejtë e deri tek kanceri-shpjegimi D. Kona). Që nga kanceri, tek sëmundjet kardiovaskulare, Vitamina C ka efektin e saj kurativ. Këtu kemi fatin të dëgjojmë edhe një herë Dr. Linus Pauling, dy herë Fituesi i Çmimit ‘Nobel’, i cili tejkaloi 25 vjet kërkime mbi Vitaminën C. Kjo është intervista e tij e fundit para se të vdiste, në moshën 93-vjeçare.
Dr. Pauling vdiq nga kanceri i prostatës dhe kundërshtarët e teorisë së tij e shfrytëzojnë këtë fakt për të rrëzuar teorinë e tij për vonimin e kancerit me doza të larta vitamine C. Mirëpo vetë Dr. Pauling i cili përdorte pesonalisht këto doza të larta mbi 10 gramë në ditë, thotë se me ndihmën e vitaminës C e ka vonuar kancerin e prostatës 20 vjet. Edhe pse një teori me shumë mbështetës por edhe kundërshtarë, ajo aplikohet nga mjaft mjekë dhe pacientë në mbarë botën që raportojnë efektet e saj. Pauling është quajtur ‘Ati i Vitaminës C. Ky material është i rëndësishëm për t’u lexuar për këdo që interesohet për anti-plakjen, shëndetin dhe jetëgjatësinë.
Pyetje: Tani ju rekomandoni Vitaminën C dhe lysine për trajtimin e sëmundjes kardiovaskulare. Si arrin aminoacidi lysine, që të ndihmojë për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare?
Shumë studiues kanë kontribuar për të treguar se lipoproteina (a) është pikërisht ajo që depozitohet në enët e gjakut si pllakë bllokuese, pra jo kolesteroli, por lipoproteina. Nëse ju keni më shumë se 20mg/ dl në gjakun tuaj, atëherë fillon depozitimi i pllakave dhe arteriosklerozës. Shkencëtarë mjaft të fortë dhe biokimistë të panumërt, njerëz inteligjentë, zbuluan se çfarë është kjo arsye që e bën lipoproteinën të mbërthehet në murin e arteries (endotelium) dhe të formojë pllaka arterosklerotike. Dhe në fund të fundit të çojë në sëmundje të zemrës, goditje arteriale periferike dhe goditje në tru. (Shpjegimi në numrin e ardhshëm të “Mollës” që ka në bazë deficitin në vitaminë C…)
Por ka një gjë që mund ta pengojë formimin e pllakave. Eshtë një amino-acid i veçantë, është një proteinë e murit të arteries- lysine quhet, një nga njëzet amino-acidet që ka aftësinë të lidhet kimikisht me lipoproteinën (a). Nëse prodhimi i lysine është i mjaftueshëm, duke u lidhur kimikisht me molekulat e lipoproteinës, nuk lejon krijimin e pllakave sklerotike. Ndërsa kur lysine është e paktë, atëherë ndodh procesi i pllakave dhe forcimi i arterieve. Unë mendoj se është një zbulim shumë i rëndësishëm.
E pra, në qoftë se ju keni pak lysine në gjak, gjëja që duhet të bëni, është që të merrni atë si shtesë në farmaci. Sigurisht që ju merrni lysine nga ushqimi juaj, nga mishi në veçanti. Duhet të merrni rreth një gramë në ditë lysine shtesë, lysine të pastër, një substancë e përkryer jo toksike ushqimore, ose mund ta merrni si tabletë 500 mg. Kjo sasi kundërshton veprimin e lipoproteinës dhe nuk e lejon të depozitohet në murin e arteries. Lysine i shkatërron pllakat arterosklerotike nëse janë krijuar.
Pyetje: A mendoni se trajtimi i lysine dhe Vitamina C mund të ndryshojnë procesin aterosklerotik?
Unë kam arritur në pikën ku mendoj se ne mund të marrim nën kontroll pothuajse të plotë sëmundjet kardiovaskulare, sulmet në zemër dhe goditjet në tru, me përdorimin e duhur të vitaminës C dhe lysine. Vitamina C mund të parandalojë sëmundjet kardiovaskulare dhe madje edhe t’i kurojë me sukses. Nëse ju jeni në rrezik për sëmundje zemre ose në qoftë se keni një histori të sëmundjeve të zemrës në familjen tuaj, në qoftë se babai juaj ose një anëtar i familjes ka vdekur nga një atak në zemër ose goditje ishemike, ose ndjeni se keni një zemër të dobët, atëherë është më mirë të merrni Vitamina C dhe lysine.
Pyetje: Kur ju botuat “Vitamina C dhe parandalimi i ftohjeve”, çfarë reagimesh prisnit nga bota mjekësore?
Kur libri im u botua afër fundit të vitit 1970, kam menduar se profesionistët e mjekësisë dhe njerëzit e zakonshëm do të jenë të kënaqur. Ata do të jenë të kënaqur, se ftohjet janë një sëmundje e zakonshme për të cilën nuk kanë pasur asnjë trajtim shumë të mirë, pasi bota mjekësore është fokusuar në sëmundje më serioze për studim. Kështu që isha i tronditur nga pritja e një Profesori të Mjekësisë në Malin Sinai, Kolegji i Mjekësisë, i cili u ankua për deklaratën time se Vitamina C, 3 gramë në ditë do të ofrojë mbrojtje të konsiderueshme kundër ftohjeve.
Ndërsa provat që sillte për të kundërshtuar zbulimin tim, i bazonte mbi doza tepër të vogla të Vitaminës C, midis 200-500 mg në ditë. Unë mendoj se një nga dëshmitë më të mira është ofruar nga Dr. Ritzel, mjek për sistemin shkollor në Bazel të Zvicrës. Ai u dha 270 fëmijëve të shkollës në një kamp dimëror të skive, një gram Vitaminë C në ditë dhe një grupi tjetër i dha një kapsulë pa efekt. Rezultati ishte: 63% më pak raste ftohje tek djemtë që kishin marrë Vitaminë C, në krahasim me ata që morën një tablet false (placebo).
Një tjetër profesor në Universitetin e Helsinkit, pas botimit të librit tim provoi Vitaminën C në dozat 1 gramë, 2 dhe 3 gramë. Ai u bind se doza e vitaminës C, madje duke u rritur, aq më tepër mbrojtje jepte ndaj ftohjeve. Rekomandimi im është 1 gram në ditë ose 2 gramë vitaminë C, në shenjën e parë të një ftohjeje. Një orë më vonë, nëse ende ekzistojnë simptomat, si teshtitje ose hundë që rrjedhin, ndjeni të dridhura etj, atëherë duhet të merrni edhe 1 ose 2 gramë vitaminë C sërish. Pas disa orëve, mund të merrni prapë një dozë të tillë që nuk ka asnjë lloj rreziku shëndetësor, pasi shpesh doza përkthehet në një frikë irreale. Por nuk bëhët fjalë për një barnë toksike, bëhet fjalë për një suplement që gjendet në ushqime, si Vitamina C.
Pyetje: Çfarë mendoni në lidhje me kritikat e mëdha se çdo sasi vitamine C mbi 100mg, është një humbje e parave, pasi ajo largohet nëpërmjet urinës nga trupi?
Dëshmitë tregojnë se kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë vetë, njëzet vjet më parë apo më shumë, kur lexova një deklaratë të tillë, vendosa për ta kontrolluar. Unë mora nga 10 gramë në ditë Vitaminë C. Pastaj mblodha urinën time për 24 orë dhe analizova vetë përmbajtjen e Vitaminës C. Në vend të rreth 10.000 mg që unë kisha marrë, ishte në urinë vetëm një sasi prej 1.500 mg, pra 15% e dozës. Kështu që këto deklarata janë thjesht të pabaza. Sigurisht, ka disa lloje të vitaminës C që mbeten në përmbajtjen e zorrëve dhe nuk futen dot në qarkullimin e gjakut dhe mund të ketë humbje më shumë se 1/3 e dozës. Por unë rekomandoj vitaminën C të pastër acid askorbik, pa shtesa dhe prezervantë të tjerë.
Por ka disa dëshmi se edhe ajo sasi që mbetet në zorrën e trashë lufton kancerin, duke shkatërruar kacinogjenet që janë të pranishme në materialin fekal dhe gjithashtu bën mirë për shkak të efektit laksativ që ka vitamina C, e cila sjell më shumë ujë në zorrë dhe rrit vëllimin e mbeturinave për të dalë më shpejt jashtë. Por duhet të them se vetëm një pjesë e vogël humbet duke dalë me urinën. Pjesa tjetër qëndron në zorrë ose kalon në gjak. Dhe nëse më pyesni se çfarë ndodh ne 5 gramët e tjerë të dozës që ke marrë, do të përgjigjesha: “Unë jam i sigurt, dhe kemi dëshmi të drejtpërdrejta eksperimentale, se Vitamina C konvertohet me shpejtësi në substanca të tjera, produkte oksidimi dhe këto substanca të tjera, këto produkte oksidimi janë treguar me vlerë më të madhe kundër kancerit edhe se vetë Vitamina C. Studimi është 15-vjeçar dhe është ende në shqyrtim.
Thënie
Vitamina C transformon qelizat burimore në muskujt e zemrës!
“Ne kemi mësuar me dekada, se kur një pjesë e qelizave të zemrës kanë vdekur, ata kanë vdekur dhe nuk ka asgjë që mund të bëjmë në lidhje me këtë. Por ne jemi të ngazëllyer pasi ndodhemi përpara një zbulimi që sugjeron se zemra ka aftësinë të ripërtërihet dhe të rritë qeliza të reja”.
Richard T. Lee, MD (Harvard)
C, Vitamina e jetës
Dobitë e Terapisë Pauling Vitaminë C+ Lysine
Kur merren së bashku në doza të rekomanduara nga Pauling, ushqyesit e terapisë orthomolekulare janë treguar shkencërisht efektiv në:
*Forcimin e sistemit kardiovaskular, duke rritur formimin e kolagjenit
*Shpërndarjen e pllakave arterosklerotike duke penguar lipoproteinën, lloj i veçantë i kolesterolit, të ngjitet në muret e arterieve
*Ul lipoproteinën e shtuar në gjak, për shkak të mangësisë në Vitaminë C
*Lehtëson dhimbjen e zemrës, angina pektoris
*Zvogëlon gjasat e sulmit në zemër, atakut dhe koagulimit të gjakut në arterie
*Rrit forcën e zemrës, forcën e muskujve dhe qëndrueshmërinë
*Ndihmon në balancën hormonale
*Parandalon osteoporozën duke rritur dendësinë e kockave
*Ngadalëson plakjen dhe rrit marrjen e antioksidantëve
*Nxit sistemin imunitar kundër sëmundjeve bakteriale, virale dhe fungale duke përfshirë rezistentencën antibiotike
*Rrit funksionin seksual, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut
*Nxit shëndetin e përgjithshëm dhe ndjenjën e mirëqenies
*Përmbys sëmundjet e zemrës
Linus Pauling: Në doni të jetoni gjatë, merrni dozë të lartë Vitamine C
Shkencëtari nobelist qorton mjekët, që nuk gjejnë kohë të mësojnë për zbulimet e reja dhe vazhdojnë me praktika te vjetra
Kur Linus Pauling ishte në fillim të viteve të tij prej 60-vjeçari dhe kishte fillesën e një kanceri prostate, i kishte thënë Irëin Stone se do të jetonte edhe 25 vjet të tjerë, në mënyrë që të mund të bëhej dëshmitar i përparimit të madh në shkencë. Stone e shkroi këtë si dhe pretendimin e shkencëtarit se mund të jetonte aq gjatë, nëse do të fillonte duke marrë vitaminë C në dozë të madhe. Por Pauling nuk jetoi edhe 25 vjet, ai jetoi edhe 30 vjet të tjerë…Gjithashtu, nga autobiogradia e Pauling (botuar nga Barbara Marrinachi), mësojmë se në moshën 40-vjeçare, Pauling u prek nga një sëmundje (zakonisht fatale) e veshkave. Por pasi kishte mësuar se shumica e pacientëve vdiqën nga trajtimi standard (më proteina të larta), ai përmblodhi me një Profesor të Stanfordit njohuritë për të zhvilluar një terapi të ndryshme (të ulët me proteina).
Ai mbijetoi, por gruaja e tij filloi duke i dhënë një pilulë multivitaminë të përditshme. Kjo ishte deri në moshën 60 vjeç, kur Linus Pauling mësoi vlerën e dozës së lartë të Vitaminës C me të cilën shkoi përpara edhe 30 vjet të tjera. Prandaj një nga këshillat e tij të forta ka qenë: Në doni jetëgjatësi, përdorni vitaminë C me dozë të mirë”
Pyetje: Pse është kundërshtuar nga disa zëra, puna juaj për parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve me ushqyesit? A është injoranca, a është xhelozia apo interesat financiare në këtë mes?
Shumica e shkencëtarëve në përgjithësi e kanë pranuar idenë pioniere. Sikurse edhe unë e mora një ide nga Irëin Stone dhe studiues të tjerë të mëparshëm që kishin treguar interes për Vitaminën C. Pra, shkencëtarët në përgjithësi e kanë çmuar si të drejtë. Por pastaj ndahet qëndrimi i tyrë nga i mjekëve të zakonshëm, që ndajnë kohën dhe energjinë e tyre për kujdesin e duhur ndaj pacientëve. Ata shpesh nuk kanë kohë për të lexuar literaturë shkencore dhe mjekësore dhe nuk mendojnë nëse ka diçka të re dhe të rëndësishme që është zbuluar. Ata duhet të mbështeten nga autoritetet mjekësore dhe ushqyese dhe unë në fakt fajësoj ata dhe jo vetëm mjekët, që tregohen dembelë dhe të njëanshëm dhe nuk janë të gatshëm për të qenë në linjë me zhvillimet e reja.
Pyetje: Po pse janë ata të njëanshëm?
E pra 40-50 vjet më parë, duke u përpjekur për të kuptuar veprimin e barnave dhe të ushqyesve (vitamina, minerale, acide yndyrore, amino-acide), unë gjeta se kur e japim një ilaç me dozë të madhe, nëse toksiciteti i tij nuk do ta vrasë pacientin, atëherë do ta shpëtojë jetën e tij. Dhe ka vërtet disa barna që kanë vlerë të madhe në mbrojtjen kundër sëmundjeve të caktuara. Mjekët dhe studiuesit kanë punuar shumë për të përcaktuar se cila është doza e duhur e një bari. Me vitaminën C për shembull, ata thanë ‘ne e dimë se çfarë bën Vitamina C. Ajo i mbron njerëzit nga vdekja apo një ekzemë dhe studiuesit kanë hetuar se sa Vitaminë C duhet të japin, për ta parandaluar. Mirëpo kjo dozë ishte diçka e papërfillshme, si 60 mg në ditë Vitaminë C për të parandaluar zgjeben, 2mg në ditë Tiamin (B Kompleks) apo vitaminë B1 për parandalimin e sëmundjes së beriberit (deficitetet në vitaminë B që shfaqen me shqetësime nervore dhe fizike) dhe kështu me radhë. Por ata nuk i dhanë përgjigje një pyetjeje: “Pse këto doza, për një substancë që nuk i është njohur ndonjë efekt toksiciteti dhe që mund të merret shumëfish për të bërë parandalim serioz të sëmundjeve të mëdha?’
Pyetje: A ka mundësi, që doza shumë të mëdha të vitaminës C, vitaminave B, Vitaminës A, beta carotene dhe Vitaminës E, të kenë shumë vlerë si shtesa ushqimore në përmirësimin e shëndetit të popullit?
Njëzet e pesë vjet më parë, kur unë u bëra i interesuar për vitaminat, kjo ishte pyetja e vetme që më kishte interesuar. Kam parë në literaturën mjekësore dhe ushqyese për të gjetur se sa Vitaminë C duhet të marrë një person në mënyrë që të jetë me shëndet të mirë, për të kontrolluar sëmundjet. Dhe nuk e gjeta. I kam kushtuar shumë prej jetës sime, për të gjetur përgjigjen e pyetjes se sa prej këtyre substancave shumë të fuqishme dhe të rëndësishme duhet të marrim si doza, që të kenë ndikim të ndjeshëm mbi shëndetin. Përgjigja e pyetjes suaj është: Sigurisht, për shumë nga vitaminat. Fati e deshi të jetoj gjatë që të dëshmoja këtë zbulim. Mendoj se pleqëria mund të jetë një periudhë e artë për zbulime dhe të jetosh gjatë është një avantazh në shkencë.
Pyetje: Si do ta krahasonit këndvështrimin tuaj për mjekësinë orthomolekulare me mjekësinë konvencionale? (Orthomolekulare u quajt teoria e Pauling, ndërsa konvencionale quhet sistemi shëndetësor që mbështetet në mjekimin me medikamente farmaceutike kimike dhe në ndërhyrjet kirurgjikale. Shpjegimi D. Kona.)
Një nga kolegët e mi në fushën e mjekësisë ortomolekulare shpiku fjalën ‘toksimolekulare’ për ilaçet e përshkruara në mjekësinë konvencionale dhe kjo për mua duket përcaktim i saktë, sepse praktika konvencionale mjekësore mbështetet kryesisht në drogat (medikamentet), të cilat në thelb janë substanca toksike. Është e vështirë për mua që të besoj se mund të ketë ndonjë shembull medikamenti me zero toksicitet. Le të marrim rastin e aspirinës që jepet pa recetë.
Tek disa pacientë me artrit të rëndë është këshilluar nga mjeku që të marrin sa më shumë, si psh. 10 gram aspirinë në ditë. Ndërkohë që doza që do të vriste 50% të njerëzve do të ishte 28 gramë aspirinë. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz kryejnë vetëvrasje duke marrë mbidozë të këtij bari që jepet pa recetë, një shishe të tërë me tableta. Kështu që unë mendoj se termi ‘toksikomolekular’ është një përshkrim i goditur për mjekësinë konvencionale. Unë nuk jam kundër barnave, kur ato janë përdorur si duhet.
Për të mbrojtur çdo pacient me kancer, duhen doza të larta të vitaminës C si një zëvendësues për një terapi konvencionale me barna, por unë jam dakord me Dr. Cameron, kirurg, se operacioni është shpesh trajtimi më i mirë për kanceret malinje të avancuara, ndërsa kimioterapia është e njohur të ketë vlerë për disa lloje, edhe pse rrezatimi i energjisë së lartë ka efekte mjaft të rënda anësore. Megjithatë, përfitimi mund të peshojë më shumë se disavantazhet.
Pyetje: Si mund të vendosni se sa Vitaminë C duhet marrë? Nëse ju merrni 3 gramë, a duhet ajo të ndahet gjatë gjithë ditës?
Të rriturit duhet të marrin të paktën 2 gramë në ditë. Ka dëshmi për rritjen e shëndetit me 2 gramë në ditë dhe natyrisht edhe më shumë me 4 ose 6 gramë në ditë. Edhe një shtesë 60mg ka treguar se shton vlerën duke shkurtuar numrin e vdekjeve nga sëmundjet e zemrës, kanceri dhe sëmundje të tjera. Tani unë besoj se njerëzit më të vjetër duhet ta rritin më shumë dozën e vitaminës C, ata duhet të ndjekin atë që kam bërë unë, duke vonuar kancerin e prostatës tek vetja për 20 vjet. Vitamina C mund të jetë një dozë në mëngjes, por më mirë tre doza gjatë gjithë ditës. Ajo përshpejton edhe eliminimin e mbeturinave nga zorrët. Pra sugjerimi im është çdo person i cili dëshiron të ketë shëndet më të mire, duhet të rritet futjen e vitaminës C për të, diçka më pak sesa doza që i shkakton diarre të konsiderueshme të zorrëve.
Pyetje: Si mendoni se do t’ju mbajnë mend kundërshtarët tuaj?
Biologët molekularë sigurisht do të më kujtojnë si një nga themeluesit e biologjisë molekulare, kimistët në përgjithësi do të më kujtojnë si një nga themeluesit e kimisë moderne, duke e ndryshuar atë nga një model përshkrues, në një lloj shumë më racional të shkencës. Dhe mjekët do të më kujtojnë për atë që të paktën pjesërisht, kam qenë përgjegjës për revolucionin në mjekësi, në përmirësimin e shëndetit të njerëzve dhe në kontrollin e sëmundjes përmes përdorimit të vitaminës C dhe vitaminave të tjera. Kjo do të përfshijë kundërshtarët e mi, edhe pse kundërshtarët mund të kenë vdekur sikurse unë deri atëherë.
(Pjesë nga intervista me Tony Edwards për Televizionin EDK, BBC dhe në konferencën ‘Fuqia e Parandalimit’).
Ku ka sëmundje, ka para…
Kostoja e vlerësuar e drejtpërdrejtë dhe e tërthortë e sëmundjeve kardiovaskulare në Shtetet e Bashkuara është astronomike dhe kjo shpjegon pjesërisht se përse kura e Linus Pauling për sëmundjet e zemrës nuk është e njohur sa duhet sot dhe nuk respektohet në protokollet e mjekimit në SHBA. Pauling apo teoria e Vitaminës C dhe trajtimi i saj janë të lidhura me një kërcënim të thellë ekonomik për industrinë mjekësore dhe farmaceutike dhe kjo mund të jetë arsyeja që historia e Terapisë Pauling asnjëherë nuk ka fituar hapësirën që meritonte.
Rrëfimi i pacientes amerikane
Mjeku më tha: “Ju po luani ruletën ruse”
8 nëntor 2004
Emri im është Pauline (Sarah) Sowders. Unë jam 62 vjeçe dhe kisha kaluar një operacion zemre në mars 2002. Ishte një kohë tepër e vështirë rikuperimi dhe unë nuk po pajtohesha më me mjekun tim për trajtimin me statina. Problemet e mia me statinat ishin dhimbje të muskujve, dhimbje të forta të kyçeve, dhimbje në stomak, depresion dhe probleme nervore të cilat më në fund më detyruan të marr leje mjekësore nga puna. Por një kohë, një mik më rekomandoi të marr shtesat e mëposhtme, në vend të barnave me recetë:
- Pilula vaj peshku 1,000 mg – 6/ditë
- Vitamins E 400 mg – 1/ditë
- Acid folik 400 mg – 2/ditë
Unë nuk ndjeva asnjë ndryshim të rëndësishëm. Por në 1 shtator të këtij viti (2004), lexova për një suplement për të çliruar enët e gjakut nga kolesteroli në gjashtë javë. Suplementi përmbante: 6000 mg Vitaminë C, 6000 mg L-lysine, 200 mg CoQ10. Fillova duke marrë këtë kombinim, përveç vajit të peshkut që e vazhdoja. Unë nuk jam e sigurt nëse regjimi nga vaji i peshkut në kombinim me Vit. C e bëri ndryshimin apo ishte vetëm Vitamina C. Por, pas vetëm dy javësh unë fillova të ndjehem si një person i ri. Për herë të parë, unë nisa të bëj gjëra që kisha qenë e detyruar për të mos i bërë. Fillova pastrimin, gatimin, qepjen, duke punuar në oborr. Unë në fakt tani po gëzoj ditën, tani që kam gjetur vitaminën C.
Unë tani kam gjetur një suplement më të përshtatshëm, pasi realisht ishte e vështirë kur pija 24 tableta vitaminë C në ditë. Tani unë e marr vitaminën C në dozën e dy lugëve të mëdha, plus 2 kapsula vaj peshku dhe një kapsulë koenzimë CoQ10. Rezultatet e testit tim të gjakut nga maji 2004 në tetor 2004 ranë: LDL ra nga 203 në161 dhe kolesteroli total ra nga 290 në 248. Përpara testit unë kisha 2-3 muaj pa përdorur statina, ndërsa vetëm një muaj që kisha nisur Vitaminën C. Mjeku im ishte i kënaqur me rezultatet e fundit të testit, deri sa ai zbuloi se nuk kisha marrë ndonjë recetë. Dhe atëherë më tha: “Ju jeni duke luajtur ruletën ruse, por ju e dini.” Unë nuk di mund të quhet kështu, por unë di që ndjehem mrekullueshëm.