Nëse nuk hani kolinë mjaftueshëm, mëlçia nuk mund të transportojë kolesterolin me grimca të rrezikshme
Nga Dr. Joseph Mercola
Kolina e gjetur në sasi të mira në të verdhën e vezës, është një lëndë ushqyese thelbësore për funksionimin e trurit, sistemin nervor, kardiovaskular dhe mëlçinë dhe është thelbësore për parandalimin e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur. Rreth 90% e popullsisë së SHBA-së janë të mangët në kolinë, një lëndë ushqyese e nevojshme për të hequr yndyrën nga mëlçia. Sëmundja e mëlçisë së dhjamosur jo alkoolike – NAFLD është forma më e zakonshme e sëmundjes së mëlçisë. Mungesa e kolinës duket të jetë shkaktar shumë më i rëndësishëm i NAFLD, se fruktoza e tepërt. Rritja e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur, NAFLD, mund të jetë kryesisht rezultat i shmangies së gjerë të mëlçisë dhe të verdhës së vezëve nga dieta.
Funksionet e çmuara për organizmin
Kolina e zbuluar fillimisht në 1862, u njoh zyrtarisht si një lëndë ushqyese thelbësore për shëndetin e njeriut nga Instituti i Mjekësisë në 1998. Kjo lëndë ushqyese është e nevojshme për zhvillimin e fetusit të shëndetshëm. Kolina kërkohet për mbylljen e duhur të tubave nervorë, zhvillimin e trurit dhe vizionin (shikimin) e shëndoshë. Hulumtimi tregon se nënat që marrin kolinë të mjaftueshme, ndikojnë për rritjen e kujtesës gjatë gjithë jetës për fëmijën e tyre, për shkak të ndikimemeve në zhvillimin e hipokampusit (qendra e kujtesës) në tru. Mungesa e kolinës gjithashtu rrit rrezikun e lindjes së parakohshme, nën peshë dhe të preeklampësisë.
Kolina nevojitet për sintezën e fosfolipideve, më e zakonshmja e të cilave është fosfatidilkolina, e njohur si lecithin. Fosfatdilkolina përbën 40-50% të membranave qelizore dhe 70-95% të fosfolipideve në lëngun biliar. Kolina është e domosdoshme për të bërë acetilkolinën, një neurotransmetues në tru. Betaina, një metabolite e saj është e nevojshme për funksionin normal glomerular të veshkave dhe ndoshta për funksionin mitokondrial. Kolina ndihmon sintezën e ADN-së, së bashku me vitamina të tjera, si folate dhe vitamina B12 dhe merr pjesë në reaksionet e Metilimit si dhe në funksionin e shëndetshëm mitokondrial. Studimet kanë lidhur marrjen e kolinës me sasi të lartë, me një sërë përfitimesh, duke përfshirë një rrezik të zvogëluar për sëmundjet e zemrës, ulje të rrezikut për kancerin e gjirit dhe parandalimin e sëmundjes joalkoolike të mëlçisë (NAFLD), e cila është nxitur kryesisht nga sheqeri i tepërt në dietë, e krahasueshme me konsumimin e tepërt të alkoolit.
Mungesa e kolinës, një shkak primar i NAFLD
NAFLD është forma më e zakonshme e sëmundjes së mëlçisë në SHBA. Duke marrë parasysh se rreth 80% e amerikanëve kanë rezistencë ndaj insulinës dhe 90% kanë mangësi në kolinë, prevalenca e lartë e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur jo-alkoolike (NAFLD), nuk është e habitshme. Sipas Prof. Chris Masterjohn, Ph.D. në shkencën ushqyese, mungesa e kolinës në të vërtetë duket të jetë një shkaktar shumë më i rëndësishëm i NAFLD, se fruktoza e tepërt dhe rritja e NAFLD është kryesisht rezultat i shmangies nga dieta të mëlçisë dhe të kuqes së vezëve.” Më saktësisht, unë besoj se yndyra dietetike, qoftë e ngopur ose e pangopur, dhe çdo gjë që mëlçia pëlqen të kthehet në yndyrë, si fruktoza dhe etanoli, do të nxisë akumulimin e yndyrës, për aq kohë sa ne nuk marrim mjaft kolinë”. Masterjohn shton: “Sapo të grumbullohet yndyra, faktori kritik që ndez zjarrin inflamator është konsumimi i shumë PUFA- yndyrnat e poliunsaturuara nga bimët”. (Pufa janë yndyrnat e pangopura Omega 3,6 dhe 9) . Në artikullin e tij, Prof. Chris Masterjohn shqyrton literaturën mjekësore që mbështet këtë pikëpamje. Lidhja midis kolinës dhe mëlçisë yndyrore fillimisht doli nga hulumtimi mbi diabetin e Tipit 1. Studimet në vitet 1930 treguan se lecithina në të verdhën e vezës (që përmban sasi të larta të kolinës) mund të shërojë sëmundjen e mëlçisë yndyrore në qentë me Diabet tip 1. Prof. Masterjohn vazhdon të shpjegojë: “Tani e dimë se kolina është e nevojshme për të prodhuar një fosfolipid të quajtur fosfatidilkolinë (PC), një komponent kritik i grimcave të lipoproteinës me densitetit shumë të ulët (VLDL). Kolina lidhet me këtë lloj kolesteroli dhe e transporton. Metionina, një aminoacid, mund të veprojë si një pararendës i kolinës dhe gjithashtu mund të përdoret për të konvertuar një fosfolipid të ndryshëm të quajtur fosfatidiletanolamin direkt në fosfatdilkolinë. Kështu, mungesa e kombinuar e kolinës dhe metioninës do të dëmtojë rëndë aftësitë tona për të paketuar yndyrnat në mëlçi dhe për t’i dërguar ato në gjak.”
Edhe futja me sasi e yndyrnave të ngopura rrit kërkesën tuaj për kolinë
Që mëlçia të jetë në gjendje të shpëtojë veten nga yndyra e tepërt, ajo ka nevojë për kolinë – dhe sa më shumë yndyrë diete që ju konsumoni, aq më e lartë është kërkesa juaj për kolinë. Kjo është e vërtetë, pavarësisht nga lloji i yndyrës, por, interesant, marrja e yndyrnave të ngopura e shton nevojën për kolinë në një shkallë më të lartë, sesa konsumi i një vaji jo të shëndetshëm si vaji i misrit.
Sipas Prof. Masterjohn, “kërkesa e kolinës është rreth 30% më e lartë në një dietë me 30% gjalpë, sesa me 30% vaj misri “. Fajtori më i rëndësishëm për mëlçinë e dhjamosur është fruktoza e tepruar, pasi e gjitha duhet të metabolizohet nga mëlçia juaj dhe konvertohet kryesisht në rezerva dhjamore të trupit, ndryshe nga glukoza që është përdorur kryesisht për energji. Sipas Masterjohn, “Në vitin 1949, hulumtuesit treguan se saharoza dhe etanoli kishin potencial të barabartë për të shkaktuar mëlçi yndyrore dhe dëme inflamatore, dhe shtimi i proteinave në dietë, metionina shtesë dhe kolina shtesë mund të mbronin krejtësisht nga ky efekt. Pamja që dal qartë nga të gjitha këto studime është se yndyra ose çdo gjë nga e cila yndyra është bërë në mëlçi, si fruktoza dhe etanoli, çon në zhvillimin e mëlçisë yndyrore. Por përveç kësaj, disa faktorë si mungesa e kolinës e privojnë mëlçinë nga aftësia e saj për të eksportuar yndyrën.”
Ndërsa karbohidratet janë shkaku kryesor i mëlçisë së dhjamosur, edhe yndyrnat e ngopura dhe vajrat vegjetale PUFA, të gjitha kanë aftësinë për të ndërtuar yndyrën në mëlçi. Por oksidimi dhe inflamacioni është më i madh nga vaji i misrit. Siç është cekur nga Prof. Masterjohn, “Vaji i misrit me siguri nxit inflamacionin duke rritur ndjeshmërinë ndaj peroksidimit të lipideve. Ky vaj zvogëlon në inde nivelin e acideve yndyrore DHA (që gjenden në vaj peshku), duke prishu raportin omega-6-omega-3 (dmth, shumë Omega 6 dhe pak Omega 3”.
Burimet e shëndetshme ushqimore të Kolinës
Në vitet ’70, shumë mjekë u thanë pacientëve të tyre të mos hanin vezë ose të paktën të verdhën e vezës, për të minimizuar kolesterolin dhe marrjen e yndyrnave të ngopura. Në të vërtetë, të dyja këto janë të mira për ju, dhe vezët janë një nga ushqimet më të rëndësishme shëndetësore. Një vezë e fortë e zier 147 mg, kurse 100 gr vezë (rreth 2 kokrra) përmbajnë 294 mg kolinë sipas USDA dhe Institutit Pauling. Kështu veza përmbush 60% të kërkesës suaj ditore, duke e bërë atë një nga burimet më të mira të kolinës. Vetëm mëlçia e viçit ka më shumë kolinë, ka 470 mg për racion. Vaj krustacesh, një ushqim plot kolinë. Një studim vitin 2011, tregoi se fosfolipidet që gjenden në vaj krustacesh (e thirrur si vaj karkalecash deti) përfshijnë 60 substanca fosfatidilkoline, që ndihmon në mbrojtjen nga sëmundjet e mëlçisë (duke përfshirë hepatitin dhe cirrozën në alkoolikë), ulin inflamimin e traktit digjestiv dhe pakësojnë simptomat që shoqërohen me kolit ulceroz dhe sindromin e zorrës nervoze.
Burime të tjera të shëndetshme të kolinës: 
- Pulë organike e kullotave
- Embrion gruri (nuk gjendet në miell, është hequr)
- Perime si brokoli, lulelakër dhe asparagus
- Kërpudha Shiitake
- Mëlçi viçi nga viçi që ka ngrënë bar
- Salmon
A po merrni mjaft kolinë për të mbrojtur shëndetin?
Ndërsa vlera e referencës dietetike ende nuk është përcaktuar për kolinën, Instituti i Mjekësisë USA ka vendosur një vlerë “të pranueshme ditore” prej 425 mg në ditë për gratë, 550 mg për meshkuj dhe 250 mg për fëmijët, për të ndihmuar në parandalimin e mungesës dhe rrezikut për dëmtime të muskujve dhe organeve. Mbani në mend, megjithatë, se kërkesat mund të ndryshojnë shumë, varësisht nga dieta juaj e përgjithshme, mosha, etnia dhe përbërja gjenetike. Siç është vërejtur në një artikull, “Njerëzit me një nga polimorfizmat gjenetikë shumë të zakonshëm kanë më shumë gjasa të zhvillojnë mosfunksionim hepatic, kur privohen nga kolina”. Një studim tjetër zbuloi se në disa burra, 550 mg kolinë në ditë ishte e pamjaftueshme, pasi ata ende kishin probleme me mosfunksionimin e organeve. Gratë në postmenopauzë ishin gjithashtu më të prirura për të zhvilluar shenja të mosfunksionimit të organeve, sesa gratë premenopauzale, kur u privuan nga sasi të mjaftueshme të kolinës për më pak se 6 javë. Gratë shtatzëna dhe ato me gji, atletët dhe gratë në postmenopauzë gjithashtu kanë nevojë për sasi më të larta. Niveli i tolerancës së sipërme të konsumit të kolinës është 3.5 gramë në ditë. Efektet anësore të kolinës së tepërt përfshijnë ulje të presionit të gjakut, djersitje, diarre dhe aromë e trupit si peshk.
Kolina e vezës për sëmundjet inflamatore të zorrëve
Një studim mbi mikrobiomën e zorrëve dhe funksionin e barrierës (epitelit) tregon se rivendosja e integritetit të barrierave mukozale mban premtimin si një trajtim i ardhshëm për IBD (sëmundjet inflamatore të zorrëve). Ndalimi i TNFα dhe citokineve të tjera inflamatore çon në përmirësimin e funksionit të barrierës mukozale. Rimodelimi i mikrobiotës gjithashtu është treguar për të përmirësuar funksionin e barriers (mukozave të zorrëve).
Disa substanca janë të njohura për të vepruar drejtpërdrejt në rivendosjen e funksionit mukozal (barriera gjak-zorrë, shpjegim nga Molla e Shëndetit). Studimi i autorëve Stremmel, Karner etj tregoi se fosfatidilkolina punoi duke ndihmuar në riparimin e shtresës mukozale të zorrëve. Një tjetër studim nga Departamenti i Mjekësisë dhe Shkencës Molekulare në Universitetin Hiroshima, Japoni, tregoi se nivelet në serum të kolinës dhe derivateve të saj janë më të ulëta në pacientët me sëmundje inflamatore të zorrëve (IBD), sesa në individë të shëndetshëm. Sëmundjet inflamatore të zorrëve si sëmundja Crohn (CD) dhe koliti ulcerativ (UC) rezultojnë nga përgjigje imunologjike e pakontrolluar e imunitetit ndaj mikroflorës dhe antigjeneve dietikë si dhe prej anomalive gjenetike të pakontrolluara. Studiuesit japonezë kanë raportuar se ka një lidhje mes ecurisë së sëmundjes së mëlçisë yndyrore dhe sëmundjeve inflamatore të zorrëve dhe, kur e para ka një ecuri më të mirë, edhe këto ecin më mirë. Pacientët me sëmundjen Kron dhe kolitin ulcerativ të zorrëve kanë nivele më të ulëta të kolinës dhe derivateve të saj, se sa individë të shëndetshëm. Kolina është dukshëm më e ulët në mukozën e pacientëve me sëmundjet inflamatore të zorrëve, që përjetojnë faza aktive, agresive të sëmundjes, sesa në pacientët që kanë nën kontroll këto sëmundje.
Nivelet e zvogëluara të kolinës dhe glycerophosphorylcholinës janë shkaktuar nga një përdorim në rritje i kolinës për shkak të inflamacionit në zorrë. Pra, krahasimisht me disa situata stresi apo sëmundjesh që konsumojnë më tepër vitaminë C dhe ushqyes të tjerë, këtu kemi rastin e një konsumi më të lartë të kolinës, për shkak të sëmundjes, gjë që çon në nevoja më të mëdha plotësimi, ose përndryshe, në mangësi. Ndryshimet e shkaktuara nga mikroflora e zorrëve (pakësimi i baktereve mirëbërëse) shkakton probleme në metabolizmin e kolinës, reduktim të përthithjes së saj nga dieta, gjë që kontribuon në steatohepatitin joalkoolik (NASH).
Grupet kryesore të ushqimit që kontribuojnë në marrjen e kolinës janë mishi, qumështi, drithërat, vezët dhe produktet e tyre. Këto ushqime mund të jenë të kufizuara në pacientët me IBD (sëmundjet inflamatore të zorrëve) prandaj, mund të krijohet mangësi në kolinë. Sindromi i zorrës së shkurtër (pas heqjes së një pjese me kirurgji) dhe ushqimi parenteral ndikojnë në metabolizmin e kolinës.
Parandalon kancerin në zorrë
Disa studime kanë raportuar se dietat me shumë kolinë dhe betainë janë shoqëruar me rrezikun e zvogëluar të kancerit të mushkërive dhe karcinomës nazofaringeale, ndërsa asnjë lidhje nuk është gjetur për kancerin ovarian epitelial. Richman zbuloi një rrezik në rritje të kancerit të prostatës tek meshkujt me konsum të lartë të kolinës. Por një studim 4 vjet më parë nga Kina, tregoi se fosfatidilkolina dhe sphingomyelina- që përmbajnë kolinë të tretshme në yndyrë dhe ujë, ulin rrezikun e kancerit kolorektal (në zorrën e trashë).
Kolina parandalon fibrozën dhe karcinomat në mëlçi
Roli i kolinës në ruajtjen e funksionit të mëlçisë: dëshmi e re për mekanizmat epigjenetikë
Sëmundja e mëlçisë së dhjamosur nganjëherë përparon në dëmtim të mëlçisë dhe hepatokarcinoma (kancer). Shtimi i kolinës e parandaloi plotësisht zhvillimin e kancerit në kafshët eksperimentale.
Njerëzit që hanë dieta të ulëta në kolinë zhvillojnë mëlçi yndyrore dhe dëmtime të mëlçisë. Brejtësit e ushqyer me dieta të mangëta në kolinë dhe metioninë kanë zhvilluar mëlçi yndyrore, gjithashtu kanë avancuar në zhvillimin e fibrozës dhe hepatokarcinomës. Marrja dietike e donatorëve metil si kolina ndikon në metilimin e ADN-së dhe histones, duke ndryshuar kështu rregullimin epigjenetik të shprehjes së gjeneve në mëlçi. Mëlçia është organi kryesor brenda të cilit ndodhin reaksione të metilimit dhe shumë nga gjenet hepatike janë të përfshira në rrugët e zhvillimit të sëmundjeve të mëlçisë- yndyrore, fibrozës hepatike dhe karcinomave. Ne nuk mund të ndërrojmë gjenet, por mund të ndërhyjmë tek ato përmes ushqimit i cili luan rol epigjenetik. Kolina nga dieta dhe si suplement ka ndikim epigjenetik. Por shumë njerëz kanë polimorfizma gjenetikë, që rrisin kërkesën e tyre për kolinë. Pra, njerëz të ndryshëm kanë nevojë më të madhe se zakonisht për kolinë, për shkak të faktorit gjenetik.
Pjesa më e madhe e metabolizmit të kolinës ndodh në mëlçi, dhe kjo është ndër organet e para për të grumbulluar kolinën e absorbuar nga zorra. Kur njerëzit hanë dieta të varfëra në kolinë, mëlçia yndyrore është një nga ngjarjet më të hershme të dëmshme, dhe në disa njerëz ndodhin dëme të konsiderueshme hepatike (siç vlerësohet nga çlirimi i enzimave të mëlçisë në gjak). Mekanizmi i mundshëm përgjegjës për zhvillimin e mëlçisë yndyrore në mungesën e kolinës lidhet me sintezën e lipoproteinës me dendësi shumë të ulët (VLDL), e cila është paketa brenda së cilës trigliceridet sekretohen nga mëlçia. Fosfatidilkolina është një komponent i domosdoshëm i zarfit VLDL dhe kur nuk është i disponueshëm, trigliceridet nuk mund të eksportohen nga mëlçia. Gratë para menopauzës kanë më pak gjasa të zhvillojnë mëlçi të dhjamosur, sepse estrogjeni bën që një gjen në mëlçi të formojë fosfatidilkolinë.
Krahas kolinës, edhe aminoacidi metioninë merr pjesë në kontrollin epigjenetik të sëmundjeve të mëlçisë. Metionina gjendet sidomos në të bardhën e vezës (3.2 gr për 100 gr), e pasuar nga farat e susamit (1.6 gr), arrat e brazilit (1 gr), pula (0.8 gr) etj. Dietat me mangësi të metioninës dhe kolinës sensibilizojnë ndaj kancerogjenëve të mëlçisë siç është aflatoksina B1. Pra, kur dieta nuk ka kolinë dhe metioninë, mëlçia dëmtohet nga doza më të vogla të mykut alfatoksinë dhe shfaqen karcinomat. Kështu që këto dy lëndë ushqyese janë barrierë e mbrojtjes së mëlçisë nga kanceri.
PËRFUNDIM
Mëlçia, një vend i rëndësishëm i metilimit
Mekanizmat epigenetikë modifikojnë funksionin e mëlçisë. Mëlçia është organi ku kolina, folati metil, metionina dhe rrugët metabolike SAM janë më aktive dhe është organi ku ndodhin më shumë reaksione metilimi. Mëlçia është shumë e ndjeshme ndaj disponueshmërisë së donatorëve metil në dietë, duke përfshirë kolinën. Kur privohet nga këto ushqyes, mëlçia bëhet e dhjamur, hepatocitet vdesin, zhvillohet fibrozë dhe përfundimisht shfaqet kanceri. Ky progres ndodh jo vetëm sepse këto lëndë ushqyese nevojiten për të prodhuar përbërës të rëndësishëm strukturorë (membranat e qelizave) dhe molekula sinjalizuese, por gjithashtu sepse këta ushqyes ndikojnë në rregullimin epigjenetik të shprehjes së gjeneve.
Marrë nga studimi i University of North Carolina “Choline’s role in maintaining liver function: neë evidence for epigenetic mechanisms”



