Hulumtuesit po provojnë nëse muzika mund të përdoret për të nxitur zonat e dëmtuara të trurit


Dr. Molnar-Szakacs raporton se duke përdorur terapi muzikore me fëmijët e prekur nga autizmi, mund të arrihet një mjet alternativ i ndërveprimit social dhe zhvillimit krijues. Ai beson se muzika mund të stimulojë pasqyrë-neuronet dhe të përmirësojë funksionin social
Denisa Kona
Një studim i ri hedh dritë mbi të panjohurat se si truri i njeriut e përpunon muzikën. Një vështrim mbi bashkëveprimet e muzikës dhe neurologjisë hap perspektivën për të gjetur të tjera lidhje mes shëndetit mendor, shëndetit të zemrës dhe muzikës. Shkencëtarët e Shëndetit thonë se të dëgjuarit e muzikës mund të shkaktojë ndryshime fiziologjike të tilla, si nivele më të ulëta të kortizolit (hormoni i stresit), gjumë më të mirë dhe ritëm më të ulur të punës së zemrës. Për këtë qëllim, shkencëtarët janë duke hetuar terapitë muzikore si një alternativë për anestezi në disa raste. Por çfarë ndodh me të vërtetë në tru kur dëgjojmë muzikë? Kohët e fundit, një studim nga Dr. Charles Limb dhe ekipi i tij në Universitetin Johns Hopkins, sjell dëshmi mjaft interesante. Dr. Limb është një muzikant pasionant dhe njëherësh kirurg i specializuar në implantet kokleare. Ai kryen kërkime për përgjigjet neurologjike të trurit ndaj një shumëllojshmërie të muzikës, nga xhaz, në hip-hop. Ai i ndërmori këto studime në kushtet kur ka pak ose aspak literaturë shkencore për këtë temë.
Muzika si një gjuhë universale
Një fushë e interesit në punën e Dr. Limb është se si truri i muzikantëve ‘është në gjendje për të llogaritur improvizimin. Duke përdorur rezonancën magnetike (MRI), Dr. Limb dhe kolegët e tij hetuan cilat zona të trurit përgjigjen kur muzikantët e xhazit ose reperët improvizojnë. Rezultatet e ekipit miratuan idenë se “muzika është një gjuhë universale.” Ata vunë re se zonat e trurit që aktivizoheshin kur muzikantët e xhazit improvizonin, ishin qendrat gjuhësore të trurit- gyrus inferior frontal dhe gyrus superior temporal. Ekipi i Dr. Limb vure si se zonat e trurit që përpunojnë informacionin semantik (domethënë kuptimin e fjalëve) ishin çaktivizuar, ndërsa muzikantët improvizonin. Zonat e trurit që aktivizohej kur muzikantët improvizonin, është qendra gjuhësore e trurit.
Si e zhvillon muzika imagjinatën
Çdo adhurues i muzikës ka përvojën e tij, ndërsa imagjinon symbyllur skena ose ndoshta thjesht ngjyra abstrakte dhe forma, që korrespondojnë me meloditë. Muzika zhvillon fonogramën e vet, filmin tuaj privat të brendshëm. Përsëri, Dr. Limb dhe kolegët e tij gjetën një bazë neurologjike për këtë. Ata panë se truri i një këngëtari gjatë të kënduarit kishte një veprimtari të madhe në fushën vizuale dhe koordinimin motorik të trurit, edhe pse ishte në një skaner dhe sytë e tij ishin të mbyllura. Por cilat janë qëllimet përfundimtare për këtë hulumtim? Dr. Limb dëshiron të përdorë shkencën për të zgjidhur disa nga pyetjet më të vjetra dhe filozofike rreth krijimtarisë. Ai beson se me ekipin e tij, brenda dekadës së ardhshme do të ketë përgjigjet për pyetjet e mëposhtme: Çfarë është gjeniu krijues? Pse truri kërkon krijimtari? Si mund ta nxitësh krijimtarinë? Cilët faktorë pengojnë kreativitetin? Mund të mësohet sjellja krijuese?
Muzika si kodim i kujtimeve
Hulumtues të tjerë janë duke përdorur metoda të ngjashme për të shqyrtuar aplikacionet terapeutike me muzikë. Ging-Yuek Hsiung, as.profesor në Divizionin e Neurologjisë në Universitetin ‘British Columbia’ në Kanada, është një ata. Ai konstatoi se truri i pacientëve me Alzheimer kishte aktivitet shumë të ndryshëm, kur ata ishin të angazhuar me muzikë, sesa kur ishin të angazhuar me gjuhën e folur. Prof. Hsiung është i interesuar të kuptojë se si nga terapia muzikore mund bëjë të përfitojnë pacientët me Alzheimer. Ai mendon se truri i kodon kujtimet e muzikës në mënyra të ndryshme se si kodon kujtimet e rregullta. Ai thotë se kur një kujtim është i lidhur me muzikën, informacioni është i ruajtur në disa zona të ndryshme të trurit, në vend se në një vend. Një aspekt interesant i studimit ishte se fshirja e një kujtimi të lidhur me muzikën, tregon më shumë dëme të trurit apo degjenerim të tij, sesa fshirja e një kujtimi apo informacioni të pashoqëruar me muzikë. Hulumtuesit janë duke hetuar, nëse muzika mund të përdoret për të nxitur zonat e dëmtuara të trurit. Ata kanë pasur një sukses fillestar me pacientët me goditje cerebrale, që kanë paraqitur përmirësim të kujtesës dhe ulje të nivelit të hormoneve të stresit si dhe shfaqjen e më pak simptomave të depresionit.
Muzika dhe “neuronet- pasqyrë”
Një tjetër fokus intrigues i neurologjisë në lidhje me muzikën. David Byrne në librin e tij të fundit bestseller “Si punon muzika dhe funksioni i “neuroneve- pasqyrë”, thotë se sistemi pasqyrë i neuroneve jep përgjigje për mënyrën se si ne ndryshojmë emocionalisht nga komunikimi përmes muzikës. Një grup neurologësh të Universitetit të Kalifornisë panë se sistemi pasqyrë- neuron (MNS) kontribuon në përgjigjen tonë empatike dhe fiziologjike ndaj muzikës. Ata thonë se muzika shkakton përhapje ose kontaminim emocional, lejon njerëzit të përjetojnë ndjesi emocionale të përbashkëta. Studimi është i rëndësishëm sepse mund të ndihmojë të kuptohet pse autikët nuk kanë përgjigje emocionale ndaj stimujve. Dr. Molnar-Szakacs raporton se duke përdorur terapi muzikore me fëmijët e prekur nga autizmi (ASDS) mund të arrihet një mjet alternativ i ndërveprimit social dhe zhvillimit krijues. Ai beson se muzika mund të stimulojë pasqyrë-neuronet dhe të përmirësojë funksionin social në njerëzit me ASDS. “Është kjo aftësi e muzikës, për të komunikuar informacion social dhe emocional dhe për të krijuar ndjenjën e të qenit së bashku, që e bën atë kaq tërheqëse për të gjitha moshat dhe kulturat”. Dr. Molnar-Szakacs dhe Dr. Overy shkruajnë se tingujt e organizuar nga ana njerëzore, sjellin një harmoni në mendime dhe në sjelljen sociale.
Muzika harmonike zhvillon mendjen ritmike tek fëmijët
Fëmijët hiperaktivë
Studiuesit thonë se fëmijët me deficite të vëmendjes dhe hiperaktivitet, duke dëgjuar muzikë harmonike rregullisht, janë në gjendje të përqëndrohen më shumë në detyrat e caktuara dhe janë më pak nervozë. Natyra e gjallë e muzikës mund të ndihmojë aftësinë e fëmijës për të shprehur emocione, për të komunikuar dhe për të zhvilluar lëvizje ritmike. Ka edhe disa prova, që tregojnë se të folurit mund të përmirësohet nëpërmjet stimulimit të të dyja hemisferave të trurit.
Foshnjat prematurë
Të sapolindurit mund të gëzojnë përfitime edhe më të mëdha nga muzika. Foshnjat prematurë përjetojnë më shpejt shtim në peshë dhe dalin më herët nga spitali se sa moshatarët e tyre, që nuk janë të ekspozuar ndaj muzikës. Foshnjat e lindura para kohe zhvillohen më mirë në një atmosferë ku luhet muzika qetësuese. Sipas Qendrës Mjekësore Rajonale Utah, kur kasetat me ninulla u luajtën dy herë në ditë për 20 minuta, rrahjet e zemrës së foshnjave u ngadalësuan dhe oksigjenimi i trurit, ishte më i mirë. Ndërkaq, muzika instrumentale është me siguri relaksuese. Muzika krijon mendjen ritmike dhe ndihmon të vegjlit të jenë më të vëmendshëm e më të shpejtë në përgjigje.