Karota, medicinë dhe superushqim

Denisa Kona

Pas këtij artikulli, ju nuk do t’u ndaheni më karotave. Dashuria juaj për to do të shtohet. Lëngu i karotës është një dhuratë e vërtetë për shëndetin. Lëngu i karotës i pirë rregullisht rrit mbrojtjen antioksidante në trupin tonë, falë sasisë së madhe të beta-karotenit, që gjendet në karota. Shikoni edhe lidhjen e emrave karotë-karoten -karotenoid! Vetëm 80 gr karota të gatuara përmbajnë më shumë se dy herë sasinë e rekomanduar ditore (RDA) të vitaminës A ekuivalente. Lëngu i karotës u duhet foshnjave, u duhet pleqve, u duhet të sëmurëve dhe të shëndoshëve. Lëngu i karotës është pjesë e rëndësishme e terapive të mëdha anti-kancer, anti- helm, anti-lodhje, anti-anemi.

Por ne këtu po ndalemi tek një aspekt specifik i karotës: Shëndeti i syve: Karotat janë të pasura në Beta-karoten, lutein dhe zeaxanthin, disa nga ushqyesit më të mirë për sistemin optik, me mbrojtje të veçantë kundër astigmatizmit (shtrembërimi i shikimit), degjenerimit makular dhe kataraktit (perdja). Karota na ndihmon të shikojme në errësirë, pasi Beta-karoteni i gjetur në sasi të mëdha tek ajo, konvertohet në vitaminë A në trup dhe kjo vitaminë është jetike për shikimin. Vitamina A punon në sy si magji, duke u shndërruar në një pigment ngjyrë vjollcë të quajtur rodopsine në retinë dhe ky pigment është esencial për shikimin në dritë te zbehtë.
Si është më mirë ta konsumojmë karotën: të gjallë, të zjerë apo lëng të shtrydhur?
Ne mund ta konsumojme karotën në të gjitha format, por ne nuk kemi për të përfituar sasi ushqyesish nga karota e gjallë. Ushqyesit janë të mbërthyer me mure fibrash të patretshme, e për më tepër, nuk na lejojnë të konsumojmë shumë karota. Por karotat e freskëta (të plota ose lëng) ndihmojnë tretjen duke ofruar enzimat e tyre të gjalla. Ato përmbajnë gjithashtu një fitonutrient (lëndë ushqyese) të quajtur falcarinol, që mbron zorrën e trashë nga kanceri.

Karotat si lëng i shtrydhur do të na japin më shumë vitalitet dhe beta-karoten sesa karotat e plota. Ato nuk do të marrin energji për përtypjen dhe tretjen dhe për këtë arsye janë akoma më të mira për njerëzit shumë të sëmurë. Lëngu i shtrydhur hyn si lumë në gjak, pothuaj po aq shpejt sa edhe alkooli dhe e përmbyt në ushqyes. Karotat lëng do të japin bashkë me vitaminën A në variantin Beta-karoten, edhe ushqyesit e tjerë që gjenden në të, si biotina, vitamina K, molibdeni, kaliumi, vitamina C, vitamina B6 etj., të gjitha në sasi shumë më të madhe, sesa tek karotat e papërpunuara. Veç të tjerash, karotat lëng na lejojnë të konsumojmë më shumë sasi të kësaj perimeje, si lëng ne mund të konsumojmë edhe 1 kg karota, që të gjalla janë të pamundura të haen njëherësh.

Por ka edhe një mënyrë të tretë të përdorimit të karotës:  Karota e zier për sallatë dhe supa me karota. Karotat e zjera nuk i kanë ruajtur shumicën e ushqyesve që gjenden në karotat e freskëta, por ato japin shumë më tepër beta-karoten. Një supë potente në Vitaminë A do të ishte ajo që përmban krahas karotës edhe patate të ëmbël, e cila përmban në 100 gr., 90% të nevojave ditore për Vitaminë A. Nëse ne interesohemi për të përfituar këtë ushqyes nga karota dhe kompensojmë humbjen e ushqyesve të tjerë gjatë gatimit, duke i marrë me lëngje të tjera si lëngu i portokallit etj, atëherë do të preferojmë karotat e zjera. Meqenese beta-karoteni mbron djegien e lëkurës nga rrezet ultra-violetë të diellit, përsëri do të ishin më me përfitim karotat e zjera ose lëng i shtrydhur, që na japin më shumë nga ky antioksidant. Karotat e zjera janë të pëlqyeshme për sistemin e tretjes, gjithashtu, ndihmojne në sajë të fibrave, në uljen e kolerestolit dhe të sheqerit në gjak. Pureja e karotave për foshnjat është një bonus ushqyes..

Si të thithim më shumë beta-karoten?

Beta-karoteni, pararendësi i Vitamiës A, thithet shumë më mirë i shoqëruar me yndyrnat që ka supa ose sallata, sepse Vitamina A nuk është një vitaminë e tretshme në ujë, por në yndyrna. Kjo mund të vijë si një e papritur në dobi të shijes dhe shëndetit. Hulumtimet nga Ohio State University në Amerikë tregojnë se më shumë karotenoide si beta-karoteni janë zhytur në gjakun tonë, kur një sallatë e freskët e përbërë nga karota, marule, spinaq dhe domate- qershi ështe shoqëruar me vaj ulliri.

Po në rast se karotat i kemi zjerë thjesht me ujë?
Përveç ngrënies së karotave, duhet të pimë edhe ujin e tyre. Ky është një lëng i shijshëm, i ëmbël dhe me përmbajtje beta-karoteni i cili nuk shkatërrohet nga nxehtësia e gatimit, ndryshe nga vitamina C. Në këtë lëng karote të nxehtë, pasi e kemi hequr nga zjarri, ne sipas dëshirës mund të hedhim hithra, majdanoz, radhiqe apo tërfil të kuq. Ky infuzion merr vlera të veçanta, pasi kombinon vetitë medicinale të karotës me ato të barishtes tjetër. Ne sapo e kemi eksperimentuar këtë zgjidhje në kuzhinë. Kemi konsumuar një ditë më parë karotat e zjera dhe tani kemi lëngun e karotës me hithër. Thjesht fantastike!

 

SALLATA E SYVE

Karotë me rukola dhe limon

Nëse doni një kombinim që ngadalëson plakjen e syve, ai duhet të përmbajë karotë, rukola e limon. Sepse rukola përmban 2370 IU vitaminë A ose 80% të nevojave ditore, 1425 mcg beta-katoren si dhe 3555 mcg lutein dhe zeaxanthin, të cilat mbrojnë retinën, kornenë dhe pjesë të tjera delikate të syve nga dëmtimi i rrezeve të diellit UV dhe efekte të tjera. Rukolat janë barishte të egra, më ushqyese se sallata jeshile. Ajo është një fabrikë multiushqyesish si folate, vitamina K, kalciumi, hekuri, e sidomos magnez që është i pakët në ushqime. Bëni një sallatë me karota të ziera, rukola të gjalla, vaj ulliri dhe limon. Vaji i ullirit do të ndihmojë thithjen e më tepër beta-karoten nga rukolat dhe nga karotat, limoni do të shtojë vitaminën C, që përveç se ndihmon për të thithur më mirë hekurin e rukolës, parandalon kataraktin (perden). “Vitamina C zgjat funksionimin e duhur të qelizave të retinës”, thonë shkencëtarët e Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon. “Vitamina C luan një rol më të rëndësishëm në shëndetin e syrit, se sa ishte njohur më parë dhe qelizat nervore në sy kërkojnë doza të larta vitamine C të funksionojnë siç duhet”, -thotë Prof. Henrique von Gersdorff.

 

Mbani parasysh, porosinë e shëruesit të madh amerikan, Edgar Cayce: Cdo ditë, 1/3 e perimeve që vëmë në pjatë duhet të jetë rrënjë. Që do të thotë, karotë, panxhar, rrepë, rrikë, (pa futur perimet që përmbajnë amidon si patatja). 4 rrënjë të tjera të shenjta janë erëza ose bimë çaji: Shafrani i Indisë, xhenxhefili, majdanozi, rradhiqja.

  • Disa ushqime të tjera, të pasura në lutein+ zeaxanthin
  • Kale
  • Cikore
  • Rrepa e gjelbër
  • Pazi
  • Radhiqe
  • Krizantema
  • Lule kumaku
  • Kungulli i verës

 

Pijet e syve, kombinimet që forcojnë shikimin

Bimët që kombinojnë me karotën për të dhënë pijet më të shëndetshme të syve

Perimet jeshile kanë lutein dhe zeaxanthin. Lutein dhe zeaxanthin janë karotenoide, që gjenden në retinë. Ushqimet që përmbajnë të dyja këto lëndë ushqyese kanë veti antioksiduese, që zvogëlon rrezikun e degjenerimit makular dhe perdes sw syve. Antioksiduesit mbrojnë sytë nga dëmtimet që mund të shkaktohen nga ndriçimi i diellit, tymi etj.

Luteina dhe zeaxanthina rritin densitetin e pigmentit makular që absorbon dritën e tepërt blu dhe ultravjollcë dhe neutralizon radikalet e lira.

Karotë me…spinaq

Spinaq me karotë do të na japë një mega- pije, duke i shtuar përfitime të tjera lëngut të karotës, siç janë doza të mëdha të vitaminës K1, pasi vetëm 100 gr spinaq përmbush 460% të nevojave ditore për këtë vitaminë si dhe 50% të nevojave ditore për acid folik. Por spinaqi do të japë sidomos doza të shkëlqyera të ushqyesve të syve. 100 gr spinaq përmbajnë 9377 IU vitaminë A, mbi 12 000 mcg lutein dhe zeaxanthin dhe mbi 5600 mcg beta-karoten. Në këtë lëng energjik gjendet edhe një sasi vitamine C, që vjen nga të dyja perimet, e cila mbron kapilarët e syve.

Karotë me…brokoli

Kombinimi i karotës me brokoli si lëngje të shtrydhur do t’i japë trupit ushqyesit e kombinimit të mësipërm, por vitamina K1, ushqyesit e syve dhe acidi folik janë në doza më të vogla tek brokoli në krahasim me spinaqin. 100 gr brokoli ka 360 mcg b-karoten (vetëm 4% e RDA) dhe 1400 mcg lutein dhe zeaxanthin. Mirëpo brokoli e ka Asin nën mëngë: Ai do t’i shtonte lëngut të karotës antioksidantin e tij unik, sulforafane, që ka iniciuar me qindra studime për vetitë anti-kancer. Studime befasuese kanë treguar se qelizat e retinës, membrana e ndjeshme ndaj dritës që fokuson rrezet e dritës, kur trajtohet me sulforaphan, mbrohet nga oksidimi i radikaleve të lira edhe disa ditë pas marrjes së kimikatit të brokolit. Akademia Kombëtare e Shkencave SHBA ka deklaruar se sulforafane rrit aftësinë e qelizave të syrit për të mbrojtur veten. Gatimi i lehtë në avull ndihmon lirimin e ushqyesve. Merreni brokolin e zier lehtë dhe futeni në shtrydhëse bashkë me karotat. Brokoli dhe karota janë dy ushqime të mëdha alkaline, ato bëjnë detoksifikimin e trupit dhe luftojnë acidozën, që mund të shkaktohet nga ilaçi i diabetit Metformin.

Karotë …me gjethe rrepe

Kombinimi i karotës me gjethet e rrepës, që përbëjnë perime me vlera më vete prej rrënjës, do të shtojë vlerat ushqyese dhe më shumë kalium në gjak. Rrepa nuk është aspak një rrënjë modeste. 100 gr gjethe rrepe përmban doza të mira të beta-karotenit, plot 4575 μg dhe doza “të çmendura” të luteinës + zeaxanthinës , 8440 μg! Për krahasim, në 100 gr karota gjenden 8285 μg beta- karoten, por shumë më pak lutein-zeaxanthin se tek rrepa, vetëm 256 μg. Kështu që duke i marrë së bashku, ndërsa njëra jep më shumë karoten dhe tjetra lutein, bëhet një dopjo-kimi ushqyese për sytë. Pra, mos harroni të përdorni gjethet e kësaj rrënje, pasi ato janë edhe një burim i Omega-3 bimore, antiinflamatore. Rrepa është po aq e vlefshme sot, sa 2 mijë vjet më parë, kur Plini Plaku e quajti atë një nga perimet më të rëndësishme. Rrepa ka edhe disa fitonutrientë si quercetin, myricetin, kaempferol, që ulin stresin oksidativ në trup dhe në sy.

Karotë …me majdanoz

Kombinimi i karotës me majdanoz do t’ju japë një tjetër lëng në kuptimin e plotë mrekulli. Sepse majdanozi nuk është thesht një bimë medicinale, ai është një bimë ushqyese (zakonisht bimët medicinale nuk kanë doza të mëdha ushqyesish, por kanë përbërës të tjerë kimikë, që veprojnë si droga farmaceutike). Por majdanozi përmban në doza të mëdha ushqyesish të syrit: 100 gr i freskët, një dozë për shtrydhje, përmban 47% të nevojave ditore për beta-karoten (5054 mcg) si dhe 5560 mcg lutein dhe zeaxanthin. Majdanozi shkëlqen edhe në sasinë e vitaminës K, pasi përmban 1640 mcg ose 1562% të nevojave ditore! Pas këtyre ushqyesve, vjen vitamina C me 133 mg, e pasuar nga gjithë gama e vitaminave e mineraleve të tjera që ka majdanozi, sidomos kalcium organik, që nuk është toksik si kalciumi i tabletave dhe përdoret mjaft mirë nga trupi. (Kujdes! Majdanoz dhe jo selino e cila është e varfër në ushqyes të syrit).

 

Portokallia që fiton sytë, β-Carotene!

β-Carotene është forma më e zakonshme e karotenit në bimë. Kur përdoret si ngjyrosës në ushqim, ajo ka numrin E E160a. Thithja e karotenoideve është e kufizuar në duodenum. Efikasiteti i thithjes është 9 deri në 22%. Thithja e karotenoideve varet nga forma e marrjes së ß-carotene (p.sh., e gatuar, në perime të papërpunuara ose në një shtojcë), varet nga marrja e yndyrave në të njëjtën kohë, rezervat aktuale të vitaminës A dhe ß -karotenit në trup. Që nga viti 2001, Instituti Amerikan i Mjekësisë përdor ekuivalentin e formës aktive Retinol (RAE) për rekomandimet për nevojat ditore. Beta- Karoteni u jep ngjyrën portokalli frutave dhe perimeve si pjepër, mango, kungull, papaja, karota dhe patate e ëmbël. Por ngjyra e B-karotenit është maskuar me klorofil në perimet me gjethe jeshile si spinaq, lakër jeshile, gjethja e patates së ëmbël, hardhia etj.

 

Një gotë lëng karote, sa shumë shishe ilaçesh bashkë!

Pirja e një gote me lëng karote në ditë do t’ju japë më tepër përfitime, se shumë shishe ilaçesh bashkë.

Sistemi imunitar: Karota bën mrekulli për rritjen e sistemit imunitar, duke rritur punën e qelizave të bardha të gjakut; ajo ndërton rezistencën ndaj llojeve të ndryshme të infeksioneve. Ajo mban të shëndetshme qelizat e lëkurës, qelizat në rrugët e frymëmarrjes, në traktin digjestiv dhe në traktin urinar, në mënyrë që ato veprojnë si barriera e parë e mbrojtjes së trupit kundër infeksionit.

Arteroskleroza: Fuqia e pastrimit të depozitave të vjetra në arterie, bën që karota të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru.
Kanceri: Karotat duhet të përdoren nga vajzat e vogla, pasi në kohën kur gjiri i tyre është në formim, do të marrin mbrojtjen më të mirë parandaluese nga kanceri i gjirit. Por roli më i madh i lëngut të karotave është në ushqimin e qelizave të uritura dhe në detoksifikimin e trupit nga toksinat e kancerit, që bllokojnë organet. Sepse siç thotë gjigandi M. Gerson, njerëzit nuk vdesin nga vetë kanceri, por nga toksinat e kancerit të vrarë, që bllokojnë organet dhe çojnë në koma hepatike (helmim të mëlçisë).

Mukusi: Lëngu i karotës heq mukusin nga veshët, hundët, fyti, duke lehtësuar kongjestionin e hundës dhe sinuzitin.
Kapsllëku: Merrni 5 pjesë lëng karote me 1 pjesë lëng spinaqi për të rregulluar problemet kronike me kapsllëkun.
Fertiliteti: Një nga arsyet e infertilitetit është mungesa e ushqyesve dhe enzimave në dietë. Lëngu i karotës i marrë rregullisht ushqen trupin dhe e bën pjellor. Karota ul rrezikun e lindjeve me difekt, për shkak të toksicitetit të lartë në trupin e prindërve. Para nisjes së një fëmije, çiftet të pinë lëng karote.
Inflamacionet: Efekti i saj anti-inflamator ndihmon në zvogëlimin e artritit, reumatizmit, përdhesit etj.

Shtatzënia: Pirja e lëngut të karotës rregullisht gjatë shtatzënisë do të zvogëlojë shanset e verdhëzës tek fëmija. Ju nuk do të keni një fëmijë që merr ngjyrë portokalli! Karotat rrisin cilësinë e qumështit të gjirit tek nënat.
Lëkura: Cilësia e lartë e ushqyesve në lëng karote dhe vetitë e fuqishme pastruese janë efikas në detoksifikimin e mëlçisë dhe ky efekt pastrues duket në shëndetin e lëkurës duke parandaluar thatësinë, psoriazën, njollat dhe puçrat.
Heq krimbat: Një filxhan lëng karote në mëngjes, çdo ditë për 1 javë ndihmon të eliminoni krimbat tek fëmijët.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *