Kakia, mbrojtja natyrale nga rrezatimi radioaktiv

Ky frut mbron nga efektet negative të diagnostikimeve spitalore dhe kimioterapisë

Nisur nga rrjedhojat e ngjarjeve të Nagasakit, Hiroshimës dhe Fukushimës dhe nga besimi popullor për fuqinë e një peme në trajtimin e pasojave, studiuesit vendosën të eksplorojnë natyrën anti-radiaoaktive të hurmës japoneze (kaki). Një studim i jashtëzakonshëm, i botuar në “Journal of Environmental Radioactivity” me titull “Nxjerrja, pastrimi dhe veprimi anti-radioaktiv i taninave të hurmës nga pema Diospyrus kaki” (Extraction, purification and anti-radiation activity of persimmon tannin from Diospyros kaki) tregoi efektin mbrojtës të frutit japonez kundër dëmeve të rrezatimit. Po shkëpusim një pasazh të përshtatur për lexuesit: Në ditët e sotme, rrezatimi jonizues (IR) është përdorur gjerësisht në Mjekësi, veçanërisht në radioterapi dhe radio-diagnoza si dhe në industri dhe laboratorë kërkimorë. IR është një valë elektromagnetike, që prodhon jone që shkaktojnë dëme të kodit gjenetik. Ekspozimi afatgjatë ndaj IR shkakton dëmtime akute në sistemet e trupit të njeriut, që çojnë në mosfunksionim të shumëfishtë të organeve dhe vdekshmëri. “Një numër trajtimesh janë tani në dispozicion për mbrojtjen kundër rrezatimit jonizues, por kanë shumë efekte negative për trupin e njeriut. Janë bërë përpjekje për të gjetur mbrojtës të rinj. Në vitet e fundit, njerëzit preferojnë mjekësinë e natyrës dhe të ushqimit për të mbajtur shëndetin dhe trajtuar sëmundjet”, shkruajnë autorët Shi, Kalpana, Materska etj. “Prandaj ekziston një nevojë urgjente për të zhvilluar komponime bioaktive natyrore, që ofrojnë mbrojtje nga rrezatimi”. Fenolet e bimëve si radioprotektant (radio-mbrojtës) kanë shfaqur interes në rritje. Studimi nxorri në dritë një fakt të ri: 200 mg/ ml tanina të hurmës (kakisë) frenuan thithjen e rrezeve Gama me dozë rrezatimi 8 Gy. Ky studim shërben si një vlerësim para-klinik për përdorimin e kakisë (hurmës) tek njerëzit, për mbrojtjen nga rrezatimi.”

Një tjetër studim tregoi mbrojtjen nga rrezatimi jonizues të gjetheve të hurmës (Diospyros Kaki). Një studim i tretë “Antioxidant Research of Persimmon Extraction in Ionizing Radiatio Mice” (Vol. 343-344, pp. 1198-1206, 2012) tregoi se minjtë e jonizuar me rreze Y të cilëve iu dha ekstrakt hurme nga goja për 35 ditë, mbrojti qelizat e minjve nga rrezatimi. “Rezultatet tona sugjeruarn rolin mbrojtës të ekstraktit të kakisë, duke penguar oksidimin in vivo pas jonizimit”, përfundon studimi.

 

Katastrofa bërthamore e Fukushimës mbi tiroiden

25 vjet pas shpërthimit të Çernobillit, që shkaktoi rritje të pagabueshme në normat e kancerit të tiroides, ndodhi një aksident i ngjashëm në centralin bërthamor, në Fukushima, me pasoja të ngjashme. Noboru Takamura, Profesor në Universitetin e Nagasakit, Japoni thotë se ngjarja shkaktoi kancerin e tiroideve pediatrik, për shkak se fëmijët pinë qumësht të kontaminuar me jod radioaktiv dhe Jodi ka tendencë për t’u grumbulluar në tiroide. Sipas Raportit të Prefekturës Fukushima në shkurt 2013, më shumë se 40% e fëmijëve u diagnostikuan me nodule të tiroides ose ciste. Në tetor 2015, 137 fëmijë nga prefektura e Fukushimës u diagnostikuan me kancer të tiroides dhe deri në fund të vitit 2015, numri ishte rritur në 166 fëmijë.

Pas shpërthimit radioaktiv të Fukushimës, mjekët natyropatë në Japoni u vunë në kërkim të kurave natyrore për mbrojtjen e shëndetit nga pasojat e radioaktivitetit. Një prej tyre ishte Miki Nakamura, mjeke diete, e cila nisur nga pasiguria radiologjike e shpërthimit dhe mbështetur në njohuritë e saj mbi cilësitë e ushqimit, ndan dhe publikon receta me përbërës “radioprotektivë”. Ushqimet që përmbajnë beta-karoten dhe vitaminë C për shembull mund të ndihmojnë të shpëtoni trupin nga radionuklidet. Një ushqim që njerëzit në zonat e prekura nga Fukushima e kanë gëzuar, është hurma (kakia), një pemë e cila në mënyrë aktive thith radionuklidet.

Përballë mollës si fruti i ndaluar, mëkati origjinal, marrëzia e njerëzimit në kërkim për të kontrolluar natyrën përmes shkencës (simboli i pasojave me emrat Çernobill, Fukushima) në anën tjetër, ngrihet hurma e cila në mendimin budist simbolizon transformimin e injorancës së njerëzve, në urtësi. Pema e hurmës është mbjellë nëpër kopshtet e tempujve si simbol i virtyteve dhe jetëgjatësisë.

MBROJTJA NGA RREZATIMI

Trajtimi me jod radioaktiv mund të dëmtojë dhe të tjerët

Masat e izolimit të pacientëve në terapinë e tiroides. Pacientet femra nuk duhet të nisin konceptimin e një fëmije, deri 6 muaj pas mbarimit të terapisë me jod

“Rrezatimi beta vret qelizat tepër aktive të tiroides dhe udhëton në distanca të vogla, zakonisht nuk del nga trupi i pacientit. Ndërsa rrezatimi gama udhëton disa metra larg nga pacienti dhe mund të ndikojë në individë të tjerë në afërsi”

Nga Yolanda Smith, farmaciste

Jodi Radioaktiv (I-131) mund të përdoret si një mjet diagnostik, por është më i përdorur në trajtimin e hipertiroidizmit, sëmundjen Graves ose zgjerimin e gjëndrave (gusha). I-131 mund të merret si kapsulë e vetme nga goja. Jodi radioaktiv lëshon dy lloj rrezesh: beta dhe gama. Rrezatimi beta vret qelizat tepër aktive të tiroides dhe udhëton në distanca të vogla, zakonisht nuk del nga trupi i pacientit. Ndërsa rrezatimi gama udhëton disa metra larg nga pacienti dhe mund të ndikojë në individë të tjerë në afërsi. Mjekimi me jod radioaktiv ka si rrezik hipotiroidizmin, për shkak të shkatërrimit të tepërt të qelizave tiroide. Ekspozimi ndaj jodit radioaktiv gjithashtu ka rrezik potencial për kancer të tiroides apo në zona të tjera të trupit të pacientit. Për shkak të ekspozimit ndaj jodit I-131, pacientët kanë nevojë për izolim në vijim të terapisë, për të minimizuar rrezikun për individët përreth. Një pjesë e madhe e jodit radioaktiv eliminohet nga trupi në 3-5 ditë pas trajtimit, por eliminimi total kërkon disa javë. Këshillat e mëposhtme ndihmojnë për të ulur efektin e rrezatimit:

Tualeti të jetë i pastër dhe i ajrosur

Krevati të jetë me çarçafë të ndërruar shpesh

Pacienti të veshë pandofla personale, çorape dhe pantallona për të rritur izolimin fizik nga të tjerët

Të përdoren pastrues të posaçëm që heqin jodin radioaktiv (të shmanget klori dhe zbardhuesit)

Pacienti të shmangë marrëdhëniet seksuale për një muaj pas terapisë

Pacientet femra të përdorin mbrojtje kontraceptive për 6 muaj, për të parandaluar rreziqet e mundshme të rrezatimit tek fetusi (foshnja) në zhvillim.

Udhëzimet nga Shoqata e Mjekësisë Molekulare

Një person që bën terapinë me jod I-131 do të vazhdojnë të lëshojë rreze gama dhe beta, derisa jodi të jetë zhdukur nga trupi i tij. Për pacientët me hipertiroide, indet e tiroides e mbajnë më gjatë jodin radioaktiv I-131, edhe pse pacienti merr doza më të vogla se një pacient me tumor të tiroides. Jodi radioaktiv I-131 përpunohet nga pjesët e trupit, që prodhojnë lëngje, si veshkat, gjëndrat e djersës, gjëndrat e pështymës dhe gjëndrrat e qumështit (tek gratë në laktacion). Jodi radioaktiv I-131 është i paqëndrueshëm, kështu që lirohet si gaz gjatë frymëmarrjes. Nëse funksioni i veshkave është normal, heqja e jodit të lirë ndodh brenda disa ditëve permes urinës. Por ndotja e zonës së pacientit mund të ndodhë në një numër mënyrash: Të vjellat, djersa apo lëngjet e tjera trupore, kollitja, teshtitja mund të infektojnë objektet në një dhomë. Siguria e rrezatimit përfshin respektimin e kohës dhe distancës së duhur për të reduktuar ekspozimin ndaj tjerëve.

Shoqata e të mbijetuarve nga kanceri i tiroides gjithashtu jep informacione për mbrojtjen nga rrezatimi, duke theksuar kujdesin për fëmijët e vegjël, që nuk kuptojnë se pse duhet mbajtur distancë nga i rrituri. Fëmija mund të prekë sende dhe të vendose duart në gojë, duke u kontaminuar me jod 131. Mirëpo gjëndrat tiroide të tij janë më të vogla dhe e njëjta sasi radioaktive do të japë një dozë më të madhe rrezatimi në tiroiden e fëmijës, sesa për tiroiden e një të rrituri. Në këto raste rekomandohet që pacientët të mos qëndrojnë në banesat private.

Trajtimi zyrtar në rast helmimi me jod

Jodat Kaliumi (me formulë kimike KIO3) mund të përdoret për të mbrojtur kundër akumulimit të jodit radioaktiv në tiroide, duke ngopur trupin me një burim të qëndrueshëm të jodit para ekspozimit. Ky trajtim është miratuar nga OBSH për mbrojtjen nga rrezatimi. Qeveria e Irlandës, pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, lëshoi rekomandimin që të gjitha familjet të pajisen me kuti të pahapura tableta jodat kaliumi. Ndërkohë, FDA nuk e miratoi këtë masë, madje ndëshkoi të gjithë ata, që e kanë promovuar. Më vonë, qeveria irlandeze e konsideroi të gabuar këtë hap, pasi këto tableta hidhen në mbeturinat komunale duke rrezikuar shëndetin nga ndotja mjedisore.

Simptomat e helmimit akut të jodit përfshijnë djegien e gojës, fytit dhe stomakut, ethe, të përziera, të vjella, diarre, një puls i dobët, cianozë dhe gjendje kome. Akumulimi i jodit radioaktiv në tiroide rrit rrezikun e zhvillimit të kancerit tiroid, sidomos tek fëmijët.

Taninat në çaj jeshil dhe hurmë janë anti-tiroide

Hurma nuk përmban jod dhe nuk trajton hipotiroiden. Taninat e saj veprojnë kundër strumës

Goitrogjenet janë substanca në ushqim, që mund të bëjnë kërdi në funksionin e gjëndrës tiroide. Ato e kanë marrë emrin nga “goiter”, që do të thotë ‘një gjëndër tiroide e zgjeruar’

 

Denisa Kona

Duke hulumtuar studime shkencore mbi përbërësit antioksidantë në hurmë, gazeta Molla e Shëndetit gjeti se hurma japoneze përmban të njëjtët flavonoide, që gjenden edhe në çajin jeshil (epicatechin, epicatechin3Ogallate, epigallocatechin). Kërkimet e mëtejshme na treguan, se flavonoidet tek çaji jeshil- katekinat, janë raportuar për efektin anti-tiroid. Ato shtypin aktivitetin e gjëndrës tiroide. Një studim i titulluar “Potenciali anti-tiroidal Goitrogjenik i ekstraktit të çaji jeshil në lidhje me katekinat në minj”, shqyrtoi nëse doza të larta të çajit të gjelbër ka ndonjë efekt të dëmshëm në fiziologjinë e tiroides. Përfundimi i eksperimentit ishte se ‘nivelet e hormoneve tiroide T3 dhe T4 në gjak janë ulur, duke u ndjekur nga një rritje e madhe e hormonit të hipofizës (TSH). Të marra së bashku, këto rezultate sugjerojnë se katekinat e pranishme në çajin jeshil sillen si agjentë anti-tiroidë dhe konsumi i çajit të gjelbër në dozë të lartë mund të ndryshojë funksionin e tiroides negativisht”.

“Çaji jeshil është veçanërisht i pasur në katekina si epigallocatechin dhe epicatechin të cilat shtypin veprimtarinë e tiroides dhe rrisin rrezikun e strumës (goiter)”, thuhet në një tjetër studim, të publikuar në “Human & Experimental Toxicology”. Studiuesit thonë se për shkak të efektit të katekinave mbi tiroiden, njerëzit me çrregullime autoimune të tiroides si sindromi Hashimoto, një lloj hipotiroidizmi i trashëguar, duhet të shmangin çajin e gjelbër dhe ushqimet që e përmbajnë.

Në një tjetër studim publikuar në PubMed del se efekti i epigallocatechin-3-O-gallate (EGCG), një tanin e izoluar nga gjethet e çajit jeshil është krahasuar me erfektin e kësaj tanine tek hurma japoneze për efektin hipertensiv në minj (Uchida S1Ozaki MAkashi T etj).

Nga rezultatet e këtyre studimeve mësojmë tërthorazi, se për të njëjtën arsye që çaji ka efekt goitrogjenik, edhe hurma duhet të ketë të njëjtin efekt: Ajo ka pikërisht taninat e studiuara për veprimin shtypës të tiroides! Ndër dy tipet e hurmave, hurma astringente (mbytëse) është e dokumentuar si më e pasura me tanina, që e bëjnë të pamundur konsumin e saj. Por edhe kur hurma zbutet, një sasi e konsiderueshme taninash mbeten në të. (Shënim: Kjo është ajo që në Shqipëri e quajmë ‘hurma farëbardhë’). Përfundimi ynë: Konsumi i hurmave sidomos në doza të mëdha, jo vetëm nuk mund të jetë trajtim për hipotiroiden, por do shkaktonte përkeqësim të saj.

Ndërsa lidhur me informacionet e pasakta në gazeta dhe portale shqiptare e të huaja, se hurma përmban jod, mjafton të themi se jodi nuk gjendet në listën e ushqyesve të hurmës në burimet zyrtare (USDA dhe të asnjë institucioni që bën kërkime mbi ushqyesit). Hurma nuk gjendet as në fundin e listës së ushqimeve më të pasura në jod.

Ne zbardhëm këtë keqkuptim dhe gjetëm se ka rrjedhur nga një fakt i thjeshtë: Hurma është përmendur në disa studime kundër zmadhimit të tiroides (strumës) dhe kundër kancerit të tiroides. Por veprimi i hurmës nuk vjen nga prania e jodit (që nuk e ka), por në sajë të disa polifenoleve të veçanta e të fuqishme si proanthocianidinat dhe katekinat (lloji diosporin etj), që kanë jo vetëm veprim të shquar anti-kancer, por edhe veprim mbrojtës ndaj rrezatimit radioaktiv si dhe veprim frenues të aktivitetit të tepruar të tiroides, që mund të çojë në zgjerim të gjëndrave (strumë).

Edhe lakrat, me një tipar anti-tiroid

Janë konsideruar ushqime goitrogjenike, sepse shtypin aktivitetin e gjëndrës tiroide. Është gjetur edhe një nga përbërësit bioaktivë, përgjegjës për këtë veprim anti-tiroid: Thiocyanate, një flavonoid që gjendet në familjen e lakrave (lakër, lulelakër, kale, rrepkë, lakër Brukseli, brokoli…dhe veçanërisht rrepë e bardhë nga e cila thithet edhe më tepër thyacianate, nëse konsumohet në kohë të afërt me disa fruta). Një studim në minj tregoi se konsumi i bimëve goitrogjenike është një faktor për vazhdimin e çrregullimeve të mungesës së jodit. Për më tepër, pavarësisht nga jodizimi i kripës, zgjerimi i gjëndrave tirode vazhdon. Prandaj marrja e moderuar e jodit mund të jetë e pamjaftueshme për të përmbushur kërkesat, ndërkohë që merren ushqime me përmbajtje thiocyanate. Thyocianate është një substancë e fuqishme anti-tiroide dhe mund të shkaktojë hipotiroidizëm në sasi të larta. Ekzistojnë disa studime që tregojnë se thiocianate pengon futjen e jodur kaliumit në gjëndrën tiroide, duke penguar prodhimin e hormoneve tiroide (referuar studimit të Steinmaus C1, Miller MD, Cushing L etj). Kjo është arsyeja që familja e lakrave është e ndaluar për pacientët e hipotiroides dhe e rekomanduar për ata me hipertiroide.

Dr. Lu nga Universiteti i Pensilvanisë tha në një deklaratë për shtyp. “Bashkësia e hulumtimeve merr një kuptim më të mirë për të dy ndikimet pozitive dhe negative të thiocyanate në shëndetin e njeriut, prandaj do të ishte e mençur për të gjithë, të marrin në konsideratë se ushqimi me thiocyanate ka efekte negative në doza të papërshtatshme dhe/ ose në kushte të papërshtatshme”.

Hurma dhe mandarina kundër kancerit të tiroides

Një tjerër studim në Korenë e Jugut “Efekti i perimeve të gjalla dhe konsumi i frutave në rrezikun e kancerit tiroid mes grave” (Jung SK1, Kim K etj) tregoi se në mesin e frutave, hurmat kishin një lidhje të zhdrejtë me rrezikun e kancerit të tiroides, në të dy rastet malinj dhe beninj, ndërsa futja e mandarinave kishte një lidhje të zhdrejtë vetëm më kanceret malinje. “Këto rezultate sugjerojnë se konsumi i lartë i perimeve të papërpunuara dhe sidomos hurmave dhe mandarinave mund të parandalojë fillimin e kancerit tiroid”.

 

Receta japoneze

Trajtimi natyral i hipertiroides (tiroidja mbiaktive)

Shtrydhni lëngun e hurmave (200 ml lëng)

Merrni alkool ushqimor 70% (40 ml)

Miksoni 200 ml lëng kakie me 40 ml alkool

Merrni 3 herë në ditë përpara buke nga 1 lugë gjelle tretësirë

Sipas një burimi japonez, të ngrënit e hurmave me ushqime që përmbajnë shumë kalcium do të shkaktojë dhimbje barku ose diarre të rëndë. Ky është një kombinim i keq kimik

 

Taninat e hurmës kundër helmit të gjarprit kobra

Hurmat përmbajnë mjaft tanina, molekula bioaktive me veprim të shquar medicinal. Kolegji i Agrikulturës dhe Shkencës së Jetës i Cornell University e ka përmendur kakinë në radhët e para, kur shkruan se “taninat janë të zakonshme në fruta (si rrush, hurmë, boronicë, etj), në çaj, në çokollatë, në foragjere (tërfil etj), në fasule, në kullosa (melakuqe, misër, etj). Taninat kontribuojnë në shumë aspekte të jetës sonë të përditshme. Vetia e taninave është ajo që shkakton një ndjesi të thatë dhe rrudhëse në gojë, pas konsumimit të frutave të papjekura apo verës së kuqe ose çajit”.

Në mjekësinë japoneze dhe kineze, studimet tregojnë për një shumëllojshmëri efektesh frenuese të toksinave nga taninat e kakisë. Një studim i madh me titull “Persimmon tannin composition and function” tregon se hurma, është e ngarkuar në antioksiodantë si: katekin, katekin-3-O-gallate, gallokatekin dhe gallokatekin-3-O-gallate, acid galic, proanthocianidine, anthocianate etj, të cilat tregojnë aktivitet të madh antioksidant. Studimi gjeti se taninat në hurmë mund të pengojnë veprimin e helmit të gjarpërinjve dhe kanë një efekt të fortë detoksifikues nga helmi i Kobrës së Tajvanit, kobrës së Filipineve dhe kobrës së Indisë. Autori Gu HF etj. raportuan se helmi i gjaprit kobra mund të frenohet mjaft nga taninat në hurmë, in vitro. Taninat gjenden në shumë bimë, ku luajnë rol në mbrojtjen e tyre nga grabitqarët. Ato kanë një peshë molekulare që varion nga 500 deri në mbi 3000 da (tek acidi galik) dhe deri në 20.000 da tek proanthocianidina (që gjendet në hurmë, boronica etj.) Në vitet e fundit, më shumë vëmendje i është kushtuar anthocianinave për shkak të kërkesave shëndetësore. Studimet nga Akiyama et al. treguan se disa tanina në hurma si acidi tanik, acid galik, acid elagik, epikatekinat dhe katekinat pengojnë bakterin rezistent ndaj antibiotikëve, Staphylococcus aureus.

 

HOMEOPATI

Fjala japoneze “Kaki” rrjedh nga “Kagayaki (shndrit)”. Në gjysmën e dytë të shekullit të 18, kakia (hurma japoneze) u përhap nga Japonia nëpër botë. Emri shkencor në latinisht është “kaki Diospyros”, që do të thotë “Ushqim i dhënë nga Zoti”. Vëllezërit e fidanëve Kaki janë në të gjithë botën, deri më tani në 23 shtete duke përfshirë Itali, Zvicër, Francë, SHBA, Gjermani etj.

 

Pema kaki, e mbijetuara e shpërthimit në Nagasaki…

Ilaç për pasojat e kemioterapisë dhe ëndrrat e këqija

Nga Marijke Creveld (*)

“Më 9 gusht 1945, bomba që u hodh në Nagasaki, nënkuptonte fundin e Luftës së Dytë Botërore. Pjesa më e madhe e qytetit u shkatërrua, një përqindje e madhe e popullsisë u vra. Pranë epiqendrës, një pemë mbijetoi: Pema Kaki. Kjo pemë ka arritur t’i mbijetojë Ferrit dhe fuqia e saj për mbijetesë i ka dhënë emrin “Pema e Botës”. ..Një filiz nga pema Kaki që i mbijetoi bombës në Nagasaki, u vendos në kopshtin botanik në Leiden dhe në kopshte të tjera në të gjithë botën, si simbol i mbijetesës dhe rritjes në vendin më të papritur! Kur e kam lexuar këtë, unë vendosa të përdor energjinë e kësaj peme të veçantë për një ilaç të ri homeopatik, një ilaç që mund të ndihmojë tokën dhe të gjithë jetën në tokë në këto kohë të ndotjes…Pasi kisha kërkuar në shumë vende në botë dhe nëpër vende të shenjta, unë gjeta pemën e Kakisë në Nagasaki dhe vendosa të bëj ilaçe prej saj. Me këtë ilaç natyror kam trajtuar me sukses rastet e pacientëve që vuajnë nga ankesa të rënda fizike dhe mendore për shkak të sindromës post-traumatike për shkak të luftës, burgimit me torturë, përdhunimit, incestit dhe traumave të tjera. Ilaçi nga pema Kaki ndihmon njerëzit të kapërcejnë ëndrrat e tmerrit si zjarre, ushtarë, përdhunime, shtëpi të rrënuara etj.

Gjatë viteve të fundit, rrezatimi është në rritje. Pas vitit 1986, rrezatimi nga shpërthimi i Çernobillit ka rritur nivelin e radioaktivitetit në Tokë. Numri i shtyllave pa tel, telefonat pa tel, interneti pa tel si dhe burime të tjera të rrezatimit elektro-magnetik janë rritur në mënyrë eksponenciale.  Mjetet e prodhuara nga pema Kaki (hurma) ndihmojnë ankesat e shkaktuara nga rrezatimi, duke përfshirë radioterapinë. Në vitet e fundit, shumë njerëz janë bërë të ndjeshëm ndaj rrezatimit. Ata tregojnë simptoma si lodhje ekstreme, pagjumësi, dhimbje koke, marramendje, të përziera, mbingarkesë e sistemit imunitar, alergji, ngushtim në gjoks etj. Pas marrjes së ilaçit Diospyros (hurma japoneze), unë shoh një përmirësim tek ata. Në disa raste është i shpejtë; në disa të tjera kërkon më shumë kohë. Fjetja përmirësohet shumë e pas kësaj, trupi duhet të shërohet.

Unë e përshkruaj ilaçin e hurmës gjatë dhe pas radioterapisë dhe kimioterapisë dhe kam trajtuar disa pacientë, që vuanin nga ankesat, edhe 6-7 vjet pas këtyre trajtimeve. Me ilaçin nga pema e kakisë, ata kanë kapërcyer ankthin, ka pasur raste që metastazat e kancerit janë reduktuar më shpejt se pritej ose janë zhdukur.  Pacientët që vuajnë trauma të rënda së bashku me kancerin ose radioterapi dhe/ose kemioterapi tregojnë një reagim edhe më të drejtpërdrejtë ndaj mjeteve të prodhuara nga pema Kaki. Ilaç rrit detoksifikimin.

 (*) Marijke Creveld ka lindur në Utrecht, Holandë. Në vitin 1981 mori doktoraturën në ekologjinë e bimëve. Ajo ka hulumtuar në terren pemët e vjetra indigjene në Holandë, Norvegji, Belgjikë etj. Në vitin 1999, ajo filloi të përgatisë ilaçe të reja homeopatike nga rrënjët e pemëve, që i shikon të lidhura me silikonin. Në vitin 2000, prodhoi një ilaë bimor nga pema e kakisë që mbijetoi në Nagasaki, Japoni. Në vitin 2005, Marijke bëri një tjetër ilaë nga pisha ‘longaeva Pinus’, e njohur si pisha më e vjetër në botë. Marijke është anëtare e Shoqatës Holandeze të Homeopatisë Klasike.

Gjethet e kakive kanë veprim mbrojtës nga radioaktiviteti dhe nga rrezet e skanimeve mjekësore. Një studim i botuar në Pubmed me titull “Nxjerrja, pastrimi dhe veprimtaria anti-rrezatuese e taninave nga Diospyros kaki”, tregon se taninat e nxjerra nga hurma (kakia) ofruan një efekt të fuqishëm radioprotektiv në vitalitetin e qelizave dhe apoptozën e qelizave të ekspozuata ndaj rrezatimit Gamma në qelizat HEK 293T. Ky studim do të shërbejë si një vlerësim para-klinik i hurmave të taninës për përdorim në njerëzit me mbrojtje nga rrezatimi…..Taninat gjenden në frutin e hurmës dhe në përqëndrime edhe më të mëdha në lëkurë dhe gjethet e saj.

 

Bimët dhe rrezatimi

Gjatë vitit 2007 janë bërë teste në pemë si gështenja dhe banania, të ekspozuara ndaj rrezatimit. Një pemë banane në afërsi të një kulle telefonie celulare kishte gjethe kafe. Por duke e ujitur me ujë + ekstrakt “Diospyros Kaki” me fuqi 200K, brenda disa javësh pema zhvilloi gjethe të shëndetshme.

 

Kafshët dhe rrezatimi

Që nga dimri i vitit 2006/2007, bletët në të gjithë botën janë duke vuajtur nga një sëmundje e quajtur ‘Colony Collapse Disorder’. Shumë bletë nuk arritën të kthehen në kosheret e tyre. Në Gjermani, një grup pune i Universitetit Landau studioi këtë fenomen dhe hetoi mundësinë e efekteve të rrezatimit. Studimi tregoi se bletët janë penguar nga telefonat mobil. Ato nuk rriten mirë dhe aftësia e tyre për të gjetur rrugën prapa në koshere, pengohet.

Në rastin e disa lloje shpendësh, është vërejtur se ata të humbasin rrugën gjatë migrimit, ndoshta për shkak të ndryshimeve të fushës elektromagnetike të tokës nga mjetet e komunikimit pa tel. Zogjtë varen nga fusha magnetike e tokës për ndjekur rrugët e tyre të migracionit. Në Universitetin e Lundit, Suedi, minjtë ishin objekt i ekspozimit afatgjatë ndaj rrezatimit të telefonit celular. Pas 50 ditësh, forma e trurit të tyre është ndryshuar dhe truri ka treguar shumë tumore. Kafshët e goditura nga rrezatimi përfituan nga ektrakti i kakisë.

 

Gjethet e hurmës kundër ishemisë dhe arteroskleroës së trurit

Një studim botuar në PubMed, mbi përdorimet tradicionale, dhe vetite fito-kimikale dhe farmakologjike të gjetheve të hurmës, tregon se kjo pemë me origjinë nga Kina dhe Japonia, ka një histori të gjatë si medicinë në mjekësinë tradicionale kineze për trajtimin e goditjes së ishemisë (ishemia e trurit), anginës, hemorragjisë së brendshme, hipertensionit, aterosklerozës dhe disa sëmundjeve infektive etj. Gjithashtu, gjethet e hurmës mund të përdoren në produkte kozmetike dhe kështu me radhë, të cilat janë bërë gjithnjë e më popullore në Azi, si Japoni, Kore dhe Kinë.

Dokumenti në fjalë shqyrtoi etnofarmakologjinë, fitokiminë, metodat analitike, aktivitetet biologjike dhe toksikologjinë e gjetheve të hurmës (kakisë), në mënyrë që të vlerësojë përdorimin etnofarmakologjik dhe të eksplorojë potencialet terapeutike dhe mundësitë e ardhshme për hulumtim. Studiuetsit përfundojnë studimin me me këto konkluzione që provojnë dëshmitë e traditës popullore: “Gjethet e hurmës kane mundësi të kenë potencial terapeutik në parandalimin dhe trajtimin e arterosklerozës cerebrale (arteroskleroza e trurit), diabet dhe hipertension. Gjethet e pemes se hurmes treguan neuroproteksion (mbrojten neuronet-qeliza e trurit), kundër ishemisë/ lëndimit reperfuzionit si in vivo dhe in vitro. Për më tepër, gjethe e hurmes (kakise) mund të rregullojnë funksionimin e imunitetit dhe të pengojnë inflamimin. Hetimet e mëtejshme janë të nevojshme për të eksploruar komponimet bioaktive individuale përgjegjëse për këto efekte farmakologjike in vitro dhe in vivo dhe mënyrën e veprimeve. Vlerësimet e mëtejshme të sigurisë dhe studimet klinike duhet të kryhen para se të integrohen në praktikat mjekësore.”

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *