Studimet kanë provuar llojin e gabuar të Niacinës

Qëndrimi i FDA-së dhe kardiologëve Dr. Sinatra, Dr. Levy dhe Dr. Davis mbi parandalimin e ngjarjeve kardiake, me Vitaminën B3

Përplasen tre kardiologët me vendimin e FDA-së, sipas të cilit, mjekët nuk duhet të rekomandojnë më rëndom një pilulë ushqyese për kolesterolin, por të rekomandojnë drogën statinë… 

FDA: Jo më Niacinë! Ulja e kolesterolit dhe triglicerideve nuk e ul rrezikun e goditjes në zemër

Nga Michael O’Riordan, 19 prill 2016

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) ka kërkuar heqjen nga terapia e mjekimit të kolestetolit, të kombinimit të statinave me vitaminë B3 (Niacinë), saktësisht, heqjen e Niacinës dhe ndjekjen e monoterapisë vetëm me statina. FDA njoftoi këto ndryshime të hënën, më 18 prill 2016, në Regjistrin Federal, gazetën ditore të qeverisë amerikane. Sipas FDA-së, ky vendim është marrë pasi dy vëzhgimet e fundit klinike (AIM-HIGH dhe HPS2-THRIVE) kanë qenë zhgënjyese. Sipas njërit prej testimeve të botuar në “Neë England Journal of Medicine në vitin 2011”, nuk kishte pasur asnjë përfitim shtesë klinik, kur niacina ishte shtuar në terapinë me statina, në pacientët me sëmundje kardiovaskulare arterosklerotike dhe nivele të ulëta të kolesterolit LDL, pavarësisht përmirësimeve të dukshme që kishte sjellë në nivelet e kolesterolit HDL dhe triglicerideve . Dhe studimi i dytë tregoi se, shtimi në terapinë me statina i niacinës plus laropiprant (një agjent që përdoret për të parandaluar skuqjen e niacinës), gjithashtu nuk arriti të zvogëlojë rrezikun e ngjarjeve të mëdha vaskulare krahasuar me vetëm statinat. Bazuar në rezultatet e testeve, FDA ka konkluduar se ulja e triglicerideve dhe rregullimi i niveleve të kolesterolit të mirë HDL nuk e redukton rrezikun e ngjarjeve kardiovaskulare. “Në përputhje me këtë përfundim, FDA ka përcaktuar se përfitimet e tabletave të niacinës për bashkë-administrim me statinat nuk tejkalojnë rreziqet e mundshme dhe miratimi për këtë trajtim duhet të hiqet”.

 

Udhëzimi i FDA-së: Hiqni niacinën, rrisni dozën e statinës!

FDA nuk kursen pasojat e dozave të rritura të statinave, pavarësisht se ekziston një alternativë shumë më e sigurt ushqyese, si Niacina, qoftë për rritjen e kolesterolit të mirë, qoftë për uljen e kolesterolit të keq apo dhe për parandalimin e ngjarjeve kardiake.

Në gusht të vitit 2014, një sërë institucionesh si Departamenti i Menaxhimit të Përfitimeve të Farmacisë (PBM), Paneli Këshilldhënës i Mjekësisë (MAP), Drejtuesit e Farmacistëve VISN (VPEs), Zyra e Drejtorit të Programit Kombëtar për Kardiologji dhe Qendra për Sigurinë e Barnave (VA MedSAFE) publikuan një buletin që detajonte rezultatet e dy nga tri testimeve, që kanë të bëjnë me niacinën dhe dhanë rekomandimet e mëposhtme.

  1. Shqyrtoni dhe diskutoni përdorimin e niacinës me pacientët tuaj të cilët aktualisht marrin niacinë ose janë planifikuar të marrin niacinë në vizitën e tyre të ardhshme.
  2. Niacina nuk duhet të përdoret në mënyrë rutinore ose të kombinohet me statina. Dëshmitë mbështesin monoterapinë me statina, duke pasur dëshmi më të mira për reduktimin e rrezikut kardiovaskular.
  3. Nëse niacina është shtuar vetëm për qëllimin e rritjes së kolesterolit të mirë HDL-C në një pacient që merr të paktën një statinë në dozë të moderuar, PBM rekomandon ndërprerjen e niacinës, pasi rritja e kolesterolit të mirë HDL nuk i ka përmirësuar rezultatet kardiovaskulare, nuk ka parandaluar ngjarjet e rënda.
  4. Niacina mund të rekomandohet si monoterapi në pacientët që nuk tolerojnë statinat (domethënë që kanë efekte anësore serioze dhe të rrezikshme prej statinave-Shpjegimi Molla). Megjithatë, mjekët duhet të kenë parasysh rreziqet e terapisë në niacinë (duke përfshirë përdorimin e produkteve kundër skuqjeve të niacinës) tek pacientët e tyre që do të fillojnë ose vazhdojnë terapinë e niacinës.
  5. Rishikoni dozën e statinës në kohën e ndërprerjes së niacinës. Nëse është e nevojshme, rritni dozën e statinës ose ndryshoni një statinë me një statinë tjetër me fuqi më të lartë.
  6. Nëse pacienti nuk merr një dozë të moderuar statine (por merr dozë të vogël), rrisni dozën e statinës në një dozë të toleruar ose dozë të lartë, sipas treguesve klinikë të kolesterolit dhe ndërprisni niacinën.
  7. Nëse doza e statinës është rritur në maksimum, por ulja e dëshiruar e kolesterolit LDL-C bazë nuk ka ndodhur, kaloni në një statinë alternative të fuqisë së lartë (p.sh., atorvastatin ose rosuvastatin).
  8. Nëse, paraqiten rreziqe të mundshme dhe ka mungesë të rezultateve nga statinat, një klinicist dhe pacienti të zgjedhin terapinë e kombinuar për reduktimin e mëtejshëm të kolesterolit, të vazhdojnë niacinën ose një alternativë zëvendësimi të niacinës me ezetimib ose sekuestruesit e acidit biliar (p.sh., kolestipoli, kolestiraminë). Megjithatë, është e rëndësishme që pacientët të jenë të vetëdijshëm se shtimi i drogave të tjera të uljes së lipideve nuk është provuar të zvogëlojë ngjarjet kardiovaskulare (si goditjet) dhe prandaj, këto kombinime nuk duhet të përdoren rutinë.
  9. Në pacientët që marrin statina dhe kanë të ngritura nivelet e triglicerideve (> 500 mg / dL) me gjithë modifikimet e jetesës dhe menaxhimin e shkaqeve sekondare të hiper-trigliceridemisë, vaji i peshkut duhet

të përdoret në vend të niacinës. Nëse vajrat e peshkut ulin në mënyrë të pamjaftueshme trigliceridet ose, nëse pacienti nuk mund të tolerojë vajrat e peshkut, alternativa më e mirë për terapi kombinimi është e paqartë, duke pasur parasysh potencialin për ndërveprim/ dëmtim ose për parandalimin e pankreatitit kur një statinë është kombinuar me një fibrate ose niacinë për uljen e niveleve të triglicerideve.

Dr. Sinatra: Në studime provuan llojin e niacinës pa efekt

Dr. Stephan SINATRA

Siç mund ta keni parë, një raport i ri i publikuar në revistën ‘New England Journal of Medicine’ ka vënë në pikëpyetje efikasitetin dhe sigurinë e niacinës-vitaminës B3, të përdorur shpesh për të kontrolluar problemet e kolesterolit. Përfitimet kryesore të niacinës janë zvogëlimi i kolesterolit LDL, rritja e kolesterolit HDL dhe zvogëlimi i Lp (a)-lipoproteina e dëmshme. Megjithatë, raporti, bazuar në rezultatet e dy studimeve të kohëve të fundit, tregoi se doza të larta të niacinës nuk arritën të zvogëlonin rrezikun e infarktit, sëmundjeve të zemrës dhe vdekjes. Përveç kësaj, sipas raportit, Niacina ka shkaktuar efekte serioze anësore, duke përfshirë problemet skeletore dhe gastrointestinale si dhe diabetin. Këto gjetje mbi niacinën bazohen në rezultatet e dy studimeve klinike. Studimi i parë u zhvillua me 3414 pacientë me rrezik të lartë, që morën niacinë me çlirim të zgjatur (dmth. jo lloji me skuqje). Por ky studim u ndal pas vetëm tre vjetëve, për shkak të faktit se shkencëtarët gjetën dobi të vogël për niacinën. Studimi tjetër shumë më i madh shqyrtoi efikasitetin e niacinës me lirim të qëndrueshëm, në kombinim me laropiprant, një medikament i cili dyshohet se redukton nxehtësinë dhe skuqjen e niacinës. Ky studim gjithashtu vë në pikëpyetje efikasitetin e niacinës. Përveç kësaj, sipas studimit, niacina me çlirim të zgjatur (pa skuqje) shkaktoi ndryshime të sheqerit në gjak në diabetikët e rënduar, gjakderdhje gastrointestinal dhe probleme dhe muskulare.

Në fakt, Niacina me veprim të gjatë – që përdoret në të dyja studimet – nuk punon. Unë e kam ndërprerë përdorimin e saj për vite me radhë. Problemi më i madh me niacinën pa skuqje, në doza të larta është se mund të shkaktojë mosfunksionim të mëlçisë. Në studimin HPS-THRIVE, pjesëmarrësit morën lapropiprant – një drogë e dhënë për të ngadalësuar veprimin e niacinës së bashku me niacinën. Është pothuajse e pamundur të kuptosh përfitimet e niacinës ose sigurinë e niacinës, kur një ilaç është dhënë bashkë me niacinën.

Ndërsa Niacina me veprim të shkurtër (Niacina me skuqje), për shkak se është një vazodilatator (zgjeruese e enëve të gjakut), mund të shkaktojë një rrymë nxehtësie dhe shpimesh. Në fakt, shumica e njerëzve nuk mund të tolerojnë doza prej më shumë se 500 mg niacinë me veprim të shkurtër.

Për ata me Lp(a) të lartë dhe me kolesterol të ulët HDL, kam pasur sukses të mirë me niacinën me veprim të shkurtër. Rekomandimi im është që të fillojnë me 250 mg niacinë me veprim të shkurtër tre herë në ditë dhe të punojë ngadalë deri në 1-3 gramë, në doza të ndara tri herë në ditë. Por konsultohuni me mjekun tuaj të parë.

Së fundi, njerëzit me diabet nuk duhet të përdorin niacinë, përveç nëse ndjekin një doktor.

Merrni Niacinë për shqetësimet e kolesterolit

Unë jam pyetur shumë herë nga njerëzit me shqetësime të kolesterolit, nëse marrja e niacinës është një ide e mirë. Niacina (vitamina B3) zë një rol qendror në arsenalin tim të shtesave kundër sëmundjes arteriale.Vetëm mbani mend se kolesteroli i lartë nuk është fajtori real. Pjesa më e madhe e asaj që llogaritet  si “kolesterol i lartë” është në të vërtetë e padëmshme. Trupi juaj e bën vetë dhe i nevojitet kolesteroli për të funksionuar. Shifrat për kolesterolin total që dalin nga një analizë, nuk kanë shumë rëndësi. Ajo që duhet t’ju tregojë doktori juaj është lloji i kolesterolit që keni. Është vetëm një fraksion grimcash me densitet të ulët, që përbëjnë rrezik sepse ato janë grimca inflamatore. Në mënyrë ideale, grimcat e kolesterolit duhet të jenë kryesisht të mëdha dhe me “gëzof”. Siç kam shkruar më parë, testet standarde të lipideve (yndyrnave) në gjak nuk do të zbulojnë modelin tuaj të kolesterolit. Pyetni mjekun tuaj për të përshkruar një nga testet e kolesterolit të ri. Testet që unë rekomandoj janë testi për nivelet e Lipoproteinës a (LPP), NMR LipoProfile Test ose Raporti i Kardio IQ.

Arsyeja që unë rekomandoj niacinën është se ajo bën një punë të shkëlqyer në uljen e grimcave të vogla dhe të dendura të kolesterolit LDL, pra pikërisht, të grimcave të rrezikshme. Plus, niacina- Viamina B3 ndihmon në mënyrë të mrekullueshme për të ngritur numrin e grimcave më të mëdha “të mira” HDL. Niacina gjithashtu ul nivelet e triglicerideve si dhe komponentin shumë të rrezikshëm të kolesterolit, Lp (a). Këto janë përfitime të mëdha. Në fakt, kur i trajtoj pacientët e mi, u them atyre se do të bëjmë gjithçka që mundemi, për të rritur kolesterolin HDL dhe për të mbajtur poshtë shifrën e Lp(a). Unë nuk i kushtoj vëmendje kolesterolit total. Mbajtja e numrave tuaj HDL dhe Lp (a) ku duhet, është e rëndësishme për parandalimin dhe kthimin e problemeve kardiovaskulare.

Kur është fjala për lipoproteinën Lp (a), e cila është forma më e rrezikshme e kolesterolit, niacina është ndoshta ushqyesi i vetëm që e ul atë. Vaji i peshkut, Nattokinase dhe Lumbrokinase mund të ndihmojnë duke neutralizuar ndikimin pro-mpiksje të gjakut që shkakton Lp (a), por ato nuk e zvogëlojnë Lp(a)-në. Në të njëjtën kohë, duke rritur nivelet e kolesterolit HDL, niacina ndihmon në regresin (zhdukjen) e pllakave të arterosklerozës. Në fakt, sa më të larta nivelet e HDL-së, aq më e madhe është mbrojtja e enëve të gjakut.

Një efekt anësor i marrjes së niacinës për kolesterolin

E vetmja dobësi e niacinës është se disa njerëz përjetojnë një fluks skuqjeje dhe djegieje. Kjo ndjesi gjilpërash dhe nxehtësie të lëkurës zakonisht fillon në ballë dhe punon poshtë krahëve dhe kraharorit. Kjo mund të ndodhë fillimisht në doza 50 mg në ditë dhe zakonisht nuk zgjat më shumë se gjysmë ore deri në një orë, pastaj zhduket.

Sa më e lartë të jetë doza fillestare që merrni, aq më e madhe është ndjesia e skuqjes. Për fat të mirë, ju mund të minimizoni intensitetin e skuqjes duke i marrë pilulat pas ngrënies. Ndërsa vazhdoni trajtimin, intensiteti i skuqjes zvogëlohet dhe shpesh brenda një ose dy javësh zhduket. Nëse ndaloni marrjen e niacinës dhe pastaj e rifilloni në një datë të mëvonshme, mund të përjetoni sërish skuqjet e fillimit. Gjatë viteve, unë kam pasur pacientë, që u alarmuan aq shumë, saqë vrapuan në dhomën e urgjencës, duke menduar se kishin një reagim të keq fizik ndaj kësaj lënde ushqyese. Megjithatë, nuk është asgjë për t’u shqetësuar. Disa njerëz përdorin formën jo-skuqje të niacinës. Problemi me këtë është se ju nuk merrni të njëjtat përfitime të mira vaskulare. Prandaj, nëse doni rezultate të besueshme, duhet të përdorni niacinën standarde për kolesterolin, e cila është më e lirë.

 

SINATRA: Ja çfarë u jap pacientëve, kur u heq statinat

Siç e dinë shumë prej jush, unë besoj fuqimisht se njerëzit e vetëm që duhet të marrin droga për uljen e kolesterolit – siç janë Zocor, Lipitor ose shumë të tjerë – janë njerëz të moshës së mesme me sëmundje të arteries koronare. Për të gjithë të tjerët, statinat në fakt mund të ngrenë incidencën e dështimit të zemrës, sepse ato e zbrazin trupin nga një lëndë ushqyese jetike, nga CoQ10, një biokimike kritike për shëndetin e zemrës. Ndërkohë, shumë mjekë përshkruajnë statina çdo ditë dhe shumë njerëz vuajnë efektet anësore të padëshiruara, duke përfshirë dhimbjen dhe dobësinë e muskujve, humbjen e kujtesës dhe neuropatinë periferike.

Çfarë të bëni?

  • Rindërtoni muskujt tuaj dhe zemrën tuaj me katër lëndë ushqyese, që unë i quaj “kuarteti i tmerrshëm”. Ju do të merni si vijon:
  • 200 mg koenzimë Q10 (CoQ10) në ditë
  • 200-600 mg magnez në ditë
  • 2-3 gr karnitinë në ditë
  • 5 gr D-Ribose, dy deri tre herë në ditë
  • Nëse jeni duke vuajtur nga polineuropatia, e cila është dëmtim nervor që ndikon në këmbë dhe duar dhe që shkakton dobësi, humbje të ndjesisë ose dhimbje djegieje, unë rekomandoj marrjen e 100-300 mg acid- alfa- lipoik në ditë.

Së fundi, të jeni shumë optimist. Unë e kam parë këtë regjim ushqyes përsëri dhe përsëri gjatë viteve. Pasi të lejoni që ilaçet e statinave të pastrohen nga trupi juaj dhe pasi të ndërtoni funksionin mitokondrial në qelizat tuaja me “katërshen e tmerrshme”, ju jo vetëm që do të ndryshoni efektet anësore të statinave, por do të lulëzoni!

Mjekimi i kolesterolit me statina, një mjekësi e keqe

Një pacient më shkruan: “Doktori im dëshiron që unë të marr një ilaç statinë. A duhet ta marr?”

Unë kam thënë për vite, se statinat janë një bekim dhe një mallkim, sepse ato bëjnë gjëra tepër të mira, por ato mund të bëjnë gjëra të këqija. Problemi me statinën është ky: Ju shkoni të zgjidhni një statinë për të ulur numrat e kolesterolit. Nuk duhet. Për mua, kjo është mjekësi e keqe dhe unë do t’ju them pse. Drogat statina mund të kenë efekte anësore të tmerrshme. Unë kam parë efekte anësore në të gjithë tabelën e efekteve. Kam parë dobësi të gjymtyrëve, dobësi të duarve. Unë kam parë gjendje para-Alzheimer ku njerëzit nuk dinë kush janë vetë. Ne e quajmë atë, “amnezi globale e plotë”. Kam parë vështirësi me shikimin, kam parë probleme të mëlçisë, kam parë probleme të veshkave, polineuropati… kam parë gjithçka. Pse? Sepse unë jam një kardiolog dhe shoh efektet anësore të statinave, që mjekët e tjerë u japin pacientëve dhe ata vijnë tek unë për t’i nxjerrë jashtë statinave. (I dashur lexues! Ilaçet e ndryshme që merrni për kolesterolin mund të kenë emrat e markave të ndryshme por janë statina). Më lejoni t’ju tregoj se si funksionojnë drogat statina. Para së gjithash, statinat ulin numrat e kolesterolit, por nga mënyra se si punojnë, me të vërtetë janë antiinflamatorë  dhe ne e dimë se inflamacioni është një shkak i madh i sëmundjes së arteries koronare. Pra, nëse ju merrni një anti-inflamator si statina, ajo mund të bëjë ndonjë të mirë: ajo ndryshon formën e qelizave të kuqe të gjakut, bën që qelizat e gjakut të ngjiten më pak. Pra, drogat statina punojnë në dy mënyra: Ata janë agjentë të fuqishëm anti-inflamatorë dhe e bëjnë gjakun më pak të trashë.

Kush duhet të përdorë drogat statina?

A do t’i përdorja unë ato, në një popullsi me sëmundje koronare të avancuar? Natyrisht. Por unë jam specifik. Unë do ta përdorja tek meshkujt e moshës 50-75 vjeç. Pse jo më shumë se 75. Pas kësaj moshe, unë nuk shoh dobi nga një statinë, sepse unë kam më shumë frikë nga efektet e saj mbi Sistemin Nervor Qendror dhe memorien. Dhe mos harroni, sa herë që zgjedh të përdor një drogë statine, i jap çdo pacienti, qoftë mashkull apo femër, të paktën 200 mg CoQ10, sepse një nga efektet anësore më të këqija të statinave është se ato ‘përgjojnë’ rreth 20 rrugë të ndryshme biokimike dhe një nga këto rrugë është për CoQ10 dhe ato bllokojnë prodhimin e saj. Tani, çfarë popullate tjetër mund të përdorë statina? Unë mund t’i përdor ato në gratë, por vetëm në gratë me sëmundje të arteries koronare të avancuar, sidomos kur janë edhe diabetike, gratë me ndërmjetësues inflamator si proteina C-reaktive tepër e lartë. Por në përgjithësi unë nuk rekomandoj statina për gratë, ashtu si bëj me burrat në mesmoshë.

Ku tjetër do të përdorja një ilaç statine?

E pra, tek çdokush me sëmundje të avancuar të zemrës, qoftë me stent ose angioplastik, sulm në zemër, dikush me një rezultat të lartë të kalciumit, madje edhe një rezultat kalciumi mbi 200, do të përdorja një drogë statine, por jo për të ulur kolesterolin. Në rastin e një mashkulli me një HDL shumë të ulët dhe me kalcium koronar, do të përdorja një dozë të ulët statine, sepse një HDL e ulët e bën gjakun më të trashë, e bën gjakun si salcë dhe kjo është arsyeja pse një mashkull me një kolesterol të mirë të ulët është më i prirur ndaj sëmundjeve të zemrës. Por, unë do të përdor një drogë statine në atë situatë, por, përsëri, jo për të trajtuar kolesterolin. Një nga konsultimet më të zakonshme që pashë në zyrën time ishte një grua me kolesterol 280 dhe një HDL prej 100 dhe doktori i saj i kishte dhënë statina. Për mua, ky është ilaç i keq. Sepse, droga e statinës zbraz CoQ10 dhe CoQ10 është një nga ushqyesit më të rëndësishëm për të mbrojtur sistemin tuaj imunitar. Në përmbledhje- statinat nuk duhen dhënë për të ulur kolesterolin, por nëse keni sëmundje koronare të avancuar, jeni mashkull i moshës së mesme dhe keni një tregues inflamator të lartë, keni kalcifikim koronar, jeni diabetik. Dhe nëse jeni një grua, vetëm në rast se keni sëmundje të arteries koronare jashtë kontrollit. Duke pasur një numër LDL më poshtë se niveli i rekomanduar, (pra kolesteroli i ulët) është shoqëruar me probleme të imunitetit dhe kujtesës.

Dr. Sinatra: Niacina, vitamina e shëndoshjes së zemrës

Niacina (vitamina B3) është një lëndë ushqyese fantastike, që mund t’ju ndihmojë të rrisni kolesterolin e shëndetshëm HDL si dhe të ulni trigliceridet dhe nëntipin e kolesterolit LDL, të njohur si Lp(a). E vetmja dobësi për niacinën është ndjesia e shpërthimit të nxehtë në lëkurë. Kjo ndjenjë e nxehtë dhe si shpim gjilpërash është shqetësuese për shumë njerëz, por zakonisht nuk zgjat më shumë se 30-60 minuta dhe është më e theksuar gjatë javës së parë ose ndodh kur rritni dozën. Ju mund të gjeni forma të niacinës no-flush, pa nxehtësi, por ato nuk janë aq efektive, kështu që unë rekomandoj niacinën e rregullt. Filloni duke marrë 250 mg niacinë tri herë në ditë dhe ngadalë punoni deri në 1-2 gramë në ditë për një efekt të fortë mjekësor. Statinat kanë më pak efekt se niacina në uljen e triglicerideve dhe ngritjen e kolesterolit HDL (“kolesteroli i mirë”).

 

Studimi i Dr. Levy dhe Dr. Pearsom për niacinën

Kombinimi i terapisë niacin dhe statin në parandalimin parësor dhe dytësor të sëmundjeve kardiovaskulare

Disa kohë më parë sesa FDA të nxirrte Niacinën jashtë terapisë në kombinim me statinat, Dr. Tomas Levy dhe Dr. Pearsom ndërmorën një studim mbi rastet klinike të cilat tregonin se drogat statina nuk arrinin të vetme parametrat e kënaqshëm për kolesterolin, sidomos nuk ishin në gjendje të trajtonin hiperlipideminë. Ndërsa vitamina B3, Niacina, e futur në trajtim, arrinte të realizonte këtë dhe më tepër. Ja se si shkruanin autorët: “Monoterapia e statinës mund të mos jetë e mjaftueshme për të arritur nivelet e kërkuara të lipideve (yndrnave) në shumë pacientë, veçanërisht në ata me anomali të kombinuara të lipideve. Statinat shkaktojnë vetëm një rritje modeste në kolesterolin e llojit lipoproteinë me densitetit të lartë (HDL), që është një faktor i pavarur mbrojtës për sëmundje koronare të zemrës (CHD). Statina gjithashtu ka arritur vetëm një rënie modeste në trigliceride (TG). Niacina është një agjent farmakologjik më efektiv për rritjen e kolesterolit të mirë HDL si dhe në uljen e TG. Kombinimi i terapisë niacin dhe statin është efikas në parandalimin parësor dhe dytësor të sëmundjeve kardiovaskulare.”

Një tjetër studim me autorë Bruckert, Labreuche, Amarenco, mbi efektet e acidit nikotin      ik vetëm ose në kombinim , në ngjarjet kardiovaskulare dhe aterosklerozë, paraqet  argumenta se si nivelet e ulëta të kolesterolit të mirë HDL-C (me grimca të mëdha) janë një parashikues i fortë i ngjarjeve kardiovaskulare, si në pacientët pa mjekim edhe në ata me trajtim me statina. Acidi nikotinik është një opsion tërheqës për zvogëlimin e rrezikut në pacientët e trajtuar me statina ose që përjetojnë efekte anësore negative prej statinave dhe e rrit 20% kolesterolin e  mirë, ndërkohë që ul lipoproteinën e rrezikshme me densitet të ulët. Në kundërshtim me pretendimet e FDA-së, autorët konkluduan se, mbi bazën e qindra studimeve të publikuara në internet në mes të janarit 1966 dhe gushtit 2008, mbi provat klinike që vlerësonin niacinën vetëm ose në kombinim me barna të tjera për uljen e yndyrnave, konkluzioni është: Kjo meta-analizë zbuloi efektet pozitive të niacinës 1-3g/ ditë, vetëm ose në kombinim me trajtime të tjera, në të gjitha ngjarjet kardiovaskulare dhe në evolucionin e aterosklerozës.

 

Kardiologu William DAVIS: Vitamina zemërshpëtuese…

Përse është luftuar kaq shumë?

Të gjitha këto arsye për të cilat mjekët kanë këshilluar pacientët që të ndalojnë niacinën

Një trajtim i thjeshtë që mund të zvogëlojë në mënyrë dramatike rrezikun për sulme në zemër, Niacina, ka vuajtur më shumë se çdo tjetër, pjesën e goditjeve, ofendimeve dhe kritikave të pamerituara. A e meriton kjo shtojcë e thjeshtë ushqyese, vitamina B3- përbërësi i ushqimit, këtë breshëri? Ose, a mund të përdoret në mënyrë inteligjente për të përfituar në mënyrë të sigurtë dhe efektive?

“Niacina është e sigurt – përveç njerëzve me sëmundje kronike të mëlçisë ose disa problemeve të tjera, përfshirë diabetin dhe ulçerën peptike, ajo ka shumë efekte anësore”….E çuditshme! Pas një titulli të dizajnuar për të tërhequr lexuesit, artikulli pastaj vazhdon t’i trembë ata. Shumica e lexuesve zor se do të merrnin guximin të provonin niacinën, pasi të lexonin atë listë të rreziqeve. A janë këto paralajmërime të vërteta? A është niacina aq e rrezikshme? Unë do të argumentoj se nuk është. Në fakt, unë do të argumentoja se Niacina është ndër mënyrat më të sigurta, më efektive dhe mrekullisht të lira për të korrigjuar shkaqet e sëmundjeve të zemrës dhe për të zvogëluar rrezikun e sulmeve të ardhshme të zemrës, kur përdoret siç duhet.
Kritikët e niacinës, që injorojnë fuqinë reale dhe dobinë e niacinës, ankohen për efektet anësore të shpeshta të saj. Por unë po i them cilitdo prej jush: Niacina është ndër mjetet më efektive dhe më të sigurta në dispozicion për korrigjimin e kolesterolit HDL të ulët, të kolesterolit LDL dhe lipoproteinave të tjera që përmbajnë trigliceride, dhe lipoproteinës (a). Niacina e vetme, pas asnjë faktor tjetër, zvogëlon rrezikun e sulmit në zemër me 22-30%. Nëse shtohet në një agjent statine, reduktimi i rrezikut nga sulmet në zemër mund të arrijë 90% (siç tregohet nga HATS Trial). Ndryshe nga statina që redukton grimcat e kolesterolit LDL në të gjithë segmentin, pavarësisht nga madhësia e grimcave të kolesterolit, niacina inteligjente ul sasinë e grimcave të vogla LDL, që janë të rrezikshme. Ajo nuk e ul kolesterolin në shifra të rrezikshme si statina.
Paradoksalisht, shumë mjekë nuk e njohin…
Një nga agjentët më të vjetër të reduktimit të kolesterolit, me një histori të gjatë të efektshmërisë dhe sigurisë, ajo paradoksalisht sot është e panjohur nga shumë mjekë. Ata janë të pavetëdijshëm për përfitimet e saj. Shumica në fakt, janë ose injorantë ose të frikësuar për të këshilluar pacientët e tyre mbi përdorimin e niacinës. Si rezultat, unë zakonisht duhet t’i kërkoj pacientëve të mi për të rifilluar Niacinën, që mjeku i tyre i kujdesit parësor (gabimisht) ua ka ndalur për shkak të kruarjeve kronike, infeksioneve të traktit urinar, anktheve të këqija, diarresë, humbjes së flokëve, hundëve të lëngshme etj. Të gjitha këto arsye për të cilat mjekët kanë këshilluar pacientët që të ndalojnë niacinën, në fakt, asnjë nuk është në të vërtetë për shkak të niacinës.
Statinat janë shumë të lehta për mjekët që t’i rekomandojnë. Niacina, nga ana tjetër, kërkon një shpjegim të mirë 15-20 minuta se si ta përdorim atë. Ajo mund të shkaktojë një telefonatë nga ana e pacientit që lufton me ndjenjën e bezdisshme, por kryesisht të padëmshme dhe të përkohshme “të nxehtësisë”, si një nxehtësi ose një blic menopauze. Shumica e mjekëve thjesht zgjedhin që të mos shqetësohen. Kjo është arsyeja pse unë shoh shumë, shumë njerëz me kolesterol të mirë të ulët dhe grimca të vogla LDL, të cilat do të përmirësoheshin në mënyrë dramatike me Niacinë, por pacientët mbeten të neglizhuar keq nga mjekët.
Niacina është aq afër zgjidhjes për shumicën e shkaqeve të sëmundjeve të zemrës. Shumë më afër në të vërtetë, sesa çdo ilaç me recetë. Kombinojeni niacinën me vaj peshku dhe ju keni një strategji të kombinuar të fuqishme, që redukton ose eliminon një sërë shkaqesh të sëmundjeve të zemrës. Ndërsa niacina vepron për të ngritur kolesterolin HDL, redukton LDL të vogla, redukton trigliceridet dhe redukton lipoprotein (a), vaji i peshkut rrit efektin reduktues të triglicerideve.

Niacina pa skuqje, një nga mashtrimet e mëdha

Niacina pa skuqje është një nga mashtrimet më të mëdha në dyqanet e ushqimit të shëndetshëm. Zakonisht, i dua dyqanet e ushqimit të shëndetshëm. Ka shumë argëtim dhe gjëra interesante në to, që kanë fuqinë reale për programet tuaja shëndetësore. Për fat të keq, aty do të gjesh edhe ndonjë pakuptimësi. Niacina pa skuqje është në kategorinë e absurditetit absolut. Niacina non -flush është inositol hexaniacinate ose një molekulë inositol me 6 molekula niacine. Megjithatë, edhe pse punon në minjtë, në përvojën time klinike dhe në atë të shumë mjekëve të tjerë që e kanë përdorur, niacina pa nxehtësi nuk ushtron asnjë efekt tek njerëzit. Një shembull tipik: Një grua 41-vjeçare erdhi në zyrën time për konsultim, sepse mjeku i saj nuk e dinte se çfarë të bënte me lipoproteinën (a) të saj, që ishte tepër e lartë. Ajo kishte shkuar tek një kardiolog që i kishte thënë asaj të merrte niacinë pa skuqje. Si kardiologu ashtu edhe pacientja u zhgënjyen, kur lp(a) nuk shfaqi rënie dhe, në fakt, ishte paksa më e lartë. Pavarësisht se mungojnë provat, prodhuesit vazhdojnë ta prodhojnë atë dhe dyqanet e ushqimit të shëndetshëm vazhdojnë ta konsiderojnë atë si një alternativë ndaj niacinës që shkakton skuqje. Niacina pa skuqje është gjithashtu e shtrenjtë, zakonisht kushton 30$ – 50$ për 100 tableta. Mos bini në këtë mashtrim! Niacina është ndër trajtimet më të dobishme për të fituar kontrollin mbi rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ngre kolesterolin e mirë HDL, korrigjon LDL-në e rrezikshme me grimca të vogla, zvogëlon trigliceridet dhe punon mrekullisht me mikun e saj, vajin e peshkut. Niacina redukton lipoproteinën (a) dhe kontribuon ndjeshëm në zvogëlimin e rrezikut të sulmit në zemër. Niacina pa nxehësi (no-flush) nuk e bën këtë. Paralajmërimi i njëjtë vlen edhe për mashtrimet e tjera të niacinës si nikotinamida. Megjithëse mund të duket dhe të tingëllojë si niacinë, nikotinamida apo niacinamida nuk posedon asnjë nga përfitimet e niacinës për zemrën.

Si të zvogëlosh skuqjet e Niacinës?

Këtu janë hapat që unë ju këshilloj, për ta bërë marrjen e niacinës të lehtë dhe të durueshme: Merrni niacinën me ushqim. Merreni me 2 gota shtesë uji. Nëse përjetoni nxehtësi më vonë, pini një një gotë shtesë, një total prej 2 deri në 4 gota gjithsej. Hidratimi shtesë është shumë efektiv për bllokimin e nxehtësisë.  Njerëzit që janë kronikisht të nën-hidratuar janë më të prirur për të ndjerë të nxehtë. (Diskutoni këtë me mjekun tuaj, nëse keni ndonjë problem me mbajtjen e lëngjeve.) Merrni një aspirinë 325 mg. Kjo zakonisht është e nevojshme në fillim të marrjes së Vitaminës B3 (Niacinës) ose me ndonjë rritje të dozës. Një apo dy javë më pas, ju nuk do të keni më bezdi nga niacina. Njerëzit që me të vërtetë janë intolerantë ndaj niacinës janë më pak se 5%. Niacina është shumë më efektive dhe më e sigurt sesa besojnë shumica e mjekëve. Vetëm niacina e thjeshtë, e quajtur edhe niacina me çlirim të menjëhershëm. Kjo formë mund të merret dy herë në ditë në doza më të vogla. Rritja e dozës së niacinës me çlirim të menjëhershëm bëhët shumë gradualisht (p.sh., filloni me 50 mg dy herë në ditë dhe rriteni në 100 mg). Për shkak të një rreziku të vogël të mëlçisë dhe efekteve anësore të tjera, trajtimi me niacinë duhet të kryhet me ndihmën e mjekut tuaj, nëse ju merrni më shumë se 500 mg në ditë.

 

DR.DAVIS: Kolesteroli total s’thotë asgjë. Ja çfarë duhet matur!

Nuk janë yndyrnat shtazore, por sheqeri që bën batërdi në rritjen e triglicerideve

Shumica e njerëzve, për fat të keq, vazhdojnë të përqëndrohen në uljen e konsumit të yndyrnave, sidomos tek yndyrnat e ngopura, si shkak për kolesterolin e lartë dhe janë ushqyer me idenë, se ndërprerja e yndyrës së ngopur dhe marrja e statinave janë zgjidhja. Më lejoni të përpiqem ta sqaroj këtë çështje disi konfuze dhe t’ju tregoj se 1) Nuk ka përfitim të vërtetë nga heqja e yndyrës së ngopur; 2) Drithërat dhe sheqernat shkaktojnë deformime që rrisin sëmundjet kardiovaskulare dhe 3) Drogat statina nuk i adresojnë plotësisht shkaqet e sëmundjeve kardiovaskulare, duke llogaritur përfitimet e tyre relativisht të parëndësishme.

Këtu është një pasqyrë tipike e pacientit që konsumon drithëra:

  • Trigliceridet 170 mg/ dl
  • Kolesteroli LDL (llogaritur) 150 mg/ dl
  • Kolesteroli HDL 40 mg/ dl
  • Kolesteroli total 224 mg/ dl

Me fjalë të tjera, kolesteroli HDL është i ulët, trigliceridet janë të larta, kolesteroli LDL dhe kolesteroli total, të larta. Çfarë do të thotë kjo? Le të marrim secilin, një nga një. Është pak komplekse, por përqëndrohuni dhe do të dilni më të zgjuar se 95% e mjekëve që “trajtojnë” kolesterolin e lartë.  Trigliceridet janë nënprodukt i dy proceseve të tretjes: Lipogjenezës ose konvertimit të amylopektinës së drithërave dhe sheqernave të tjera, në grimca kolesteroli VLDL, të pasura me trigliceride që hyjnë në qarkullimin e gjakut; dhe konsumit të yndyrnave dietike (të cilat janë vetë trigliceride). Lipogjeneza dominon nivelet e triglicerideve në gjak, duke tejkaluar konsumin e yndyrës si një përcaktues i niveleve të triglicerideve. Ky fakt i thjeshtë u identifikua vetëm kohët e fundit, pasi rritja e triglicerideve që ndodh pas konsumimit të yndyrave dhe vajrave zhvillohet brenda 2-4 orëve, por rritja shumë më e madhe e triglicerideve nga konvertimi i karbohidrateve në trigliceride fillon 6-8 orë më vonë, një fakt i pazbuluar në studimet e vjetra, që nuk arritën ta gjurmonin këtë gjë me kohë. Konsumi i drithërave rrit nivelet në gjak të triglicerideve dhe grimcave VLDL. Grimcat VLDL bashkëveprojnë me grimcat LDL. Kjo çon në një proces të “rimodelimit” të grimcave LDL, duke çuar në krijimin e grimcave të vogla të rrezikshme LDL, të prirura ndaj glikacionit, të oksidueshme, të lidhura me qelizat inflamatore të gjakut dhe të vazhdueshme në qarkullimin e gjakut për 7 ditë. Ndërsa grimcat e mëdha të LDL qarkullonin vetëm 1 ditë. Gruri dhe farat e tjera të drithërave në këtë mënyrë nxisin procesin e krijimit të grimcave të vogla të vazhdueshme dhe të dëmshme LDL, gjë që yndyrnat qofshin edhe shtazore, nuk e bëjnë. Këtu ne duhet të ndërpresim drithërat, ndërsa llogaritja për kolesterolin nuk është e vlefshme. Për fat të keq, edhe pse matja e kolesterolit total dhe LDL nuk ka rëndësi, kjo gjë nuk e ka ulur entuziazmin midis kolegëve të mi dhe as të industrisë faraceutike, për ta trajtuar me ilaçe statina me një vlerë prej 23 miliardë dollarë në vit.

Mënyra më e mirë për të përcaktuar sasitë e LDL-së

Ju duhet të matni Apoproteinat A dhe B si dhe lipoproteinën (a). Testimi i lipoproteinave ka qenë prej 20 vjetësh, është i lirë dhe i disponueshëm, por kërkon që një doktor të informuar që ta interpretojë. Kolesteroli HDL, ndryshe nga kolesteroli LDL, është një vlerë e matur dhe e besueshme. Për ironi, ai është ndër më të injoruarit. Njerëzit që konsumojnë drithë, kanë tendencë të kenë kolesterolin e mirë HDL të ulët. Sa më e ulët të jetë HDL, aq më i lartë është rreziku kardiovaskular. Kolesteroli total është shuma e të trija vlerave: kolesteroli LDL + kolesteroli HDL + trigliceridet.  Duke pasur parasysh përzierjen e vlerave, kolesteroli total është pra në thelb i padobishëm. Një rritje e madhe në HDL, për shembull – një gjë e mirë – do të rrisë kolesterolin total; një reduktim i madh në HDL – një gjë e keqe – do të zvogëlojë kolesterolin total: e kundërta e asaj që do të mendoni. Futja në këto detaje ju vlen, ndërkohë që këto që ju thashë, qëndrojnë jashtë interesave të shumicës së kardiologëve, të obsesionuar pas aktiviteteve që prodhojnë para si kateterizimet e zemrës, implantimi i stentës (unazës) dhe defibrilatorit .

Në vend të këtyre, një përgjigje tipike në pasqyrën e kolesterolit të dikujt që ka eliminuar të gjithë grurin, drithërat dhe sheqernat do të dukej diçka si kjo:

  • Trigliceridet 50 mg/ dl
  • Kolesteroli LDL (llogaritur) – mg / dl
  • Kolesteroli HDL 70 mg/ dl
  • Kolesteroli total 200 mg/ dl

E lashë kolesterolin LDL bosh, për shkak se mund të bëjë vetëm një gjë: të ngjitet, të zbresë, të mbetet i pandryshuar,  por nuk ka rëndësi, sepse është i pasaktë, i pasigurtë, i pavlefshëm. Megjithatë, nëse do të matnit lipoproteinat e avancuara, do të shihni një reduktim ose eliminim dramatik të grimcave të vogla të LDL dhe zvogëlimin e numrit total të grimcave të LDL. Përfitimet relativisht të parëndësishme të drogës së kolesterolit- statinës (një reduktim prej 1% të rrezikut real), të cituara në reklama dhe studime të manipuluara në mënyrë statistikore, nuk duhet të jenë të habitshme, pasi kolesteroli i lartë nuk është shkaku i sëmundjes kardiovaskulare.

Çfarë statinash?! Hiqni grurin, rregulloni kolesterolin!

Është tronditëse që kaq shumë njerëz janë ngacmuar nga mjekët në marrjen e drogës së kolesterolit, statinës. Ata ju thonë: “Provat janë të mëdha: statinat ju shpëtojnë jetën”. “Kolesteroli juaj është një minë me sahat. Unë nuk mund të jem përgjegjës për sigurinë tuaj, nëse nuk merrni statinë.” ” Kolesteroli juaj është kaq i lartë, saqë mund të vdisni nga ndonjë atak në zemër në çdo kohë.” Unë kam dëgjuar edhe për shumë pacientë që u bojkotuan  nga mjekëte tyre,  për shkak të refuzimit për të marrë receta për Lipitor, Zocor, Crestor ose droga të tjera.

Njerëzve u janë dhënë dieta të gabuara, një dietë e reduktuar në yndyrna të plota dhe të ngopura por të pasur në “kokrra të shëndetshme” (grurë), që shkakton inflamacion, rritje të proteinës C-reaktive (CRP), rënie në kolesterolin HDL (“të mirë”), trigliceride ndonjëherë dramatike dhe një shpërthim të grimcave të vogla LDL si edhe sheqerin në gjak më të lartë, HbA1c më të lartë, presionin e gjakut më të lartë. Këto shtrembërime metabolike vërtet rritin rrezikun kardiovaskular.

Këtu është një mënyrë më e mirë për reduktimin e rrezikut kardiovaskular. Nëse eliminoni grurin, sheqerin, alkoolin dhe rivendosni statusin e vitaminës D, shtoni vaj peshku, plotësoni mangësitë e mundshme në jod, rivendosni nivelet e magnezit dhe kultivoni florën e shëndetshme të zorrëve me baktere të mira, atëherë:

  • Grimcat e vogla të LDL, shkaku më i zakonshëm për sëmundjet e zemrës, reduktohen ose eliminohen në mënyrë dramatike.
  • Kolesteroli HDL rritet bukur, për shembull nga një nivel rreziku prej 35 mg/ dl, në një nivel të shëndetshëm 70-90 mg/ dl me kalimin e kohës.
  • Trigliceridet bien. Nuk është e pazakontë që një vlerë prej 350 mg/ dl të ulet në 45 mg/ dl, një ulje prej 87%.
  • Vlera totale e kolesterolit mund të rritet, sepse ai pasqyron rritjen e madhe të HDL-së, një arsye tjetër pse kolesteroli total është i pavlefshëm.
  • Sheqeri i gjakut, HbA1c pëson rënie
  • Presioni i gjakut bie
  • Inflamacioni / proteina C-reaktive bie. Nivelet e saj (CRP) mund të bëhen zero. Dhe ju nuk keni nevojë për statina të dozës së lartë për të reduktuar CRP, siç argumentojnë disa prodhues të statinave.

Pra, përgjigja e vërtetë është kjo: Nëse dobia e statinave për uljen e rrezikut kardiovaskular në njerëzit që marrin statina dhe dietën e gabuar të mjekëve është 1-3%  (por mbetet 97% e rrezikut),  ndërkohë, përfitimi për njerëzit që ndjekin dietën dhe mënyrën e jetesës së duhur është shumë i madh dhe rreziku kardiak është ndoshta zero

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *