Një diuretik i sigurt për uljen e tensionit, heqjen e edemave të lidhur me veshkat ose zemrën
Në rastet e dështimit të veshkave nuk mund të merret pa mbikqyerje mjekësore, dhe kjo vlen në tërësi për bimët medicinale, medikamentet, vitaminat, lëngjet ushqimore, ushqimet e ngurta, pra për gjithçka që futet në trup, për shkak se veshka nuk është në gjendje të ruajë homeostazën e lëngjeve dhe produkteve metabolike.
Denisa Kona
Ky artikull merr shkak nga pyetja e një lexueseje: Ajo thotë: “Kam lexuar në internet se majdanozin ‘duhet ta shmangin njerëzit që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut ose diabeti’. Ndërsa ju keni postuar në facebook, se majdanozi e ul tensionin dhe sheqerin në gjak. Unë vuaj nga hipertensioni dhe jam me diabet dhe këto lajme kontradiktore më kanë çoroditur dhe frikësuar: “Kujt t’i besoj tani?”
Unë po ju them: Ju duhet t’i bindeni vetëm logjikës së shëndoshë dhe logjika e shëndoshë arrihet duke studiuar gjërat me themel. Atëherë nuk do të mund të manipuloheni nga gjithçka që lexoni/ dëgjoni dhe do të jeni në gjendje të dalloni cilësinë e informacionit. Tani më duhet ta nis, duke kërkuar si fillim, pranimin e majdanozit si një diuretik. Majdanozi është një bimë diuretike dhe kjo nuk lë as gjurmën më të vogël të dyshimit. Ai është cilësuar si i tillë në çdo studim ku lakohet emri i tij, është njohur si diuretik në praktikën e shumë popujve, në përshkrimet e Këshillit Botanik Amerikan dhe të Komisionit Gjerman të Monografive, në ‘World Journal of Urology’, në materialet e Institutit te Hipokratit, në trashëgiminë herbologjiste të gjigandit amerikan të herbalizmit, Dr. Christopher e të mjaft herbalistëve të tjerë. Mjeku i lashtë ilir, Galeni, e përshkroi majdanozin midis të tjerave si diuretik për urinimin e dhimbshëm, mbajtjen e ujit të tepërt (edemë) dhe urinimin e rrallë ose të vonuar.
Majdanozi jo thjesht një akuaretik, por diuretik
Nga një studim në Journal of Ethnopharmacology mbi “Aktivitetin diuretik dhe hipotensiv të ekstraktit ujor të farave të majdanozit në minj”, i Departamentit të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës së Fakultetit të Mjekësisë, Brazil, veçojmë: “Asnjë studim nuk ka provuar mekanizmin e veprimit të bimëve diuretike tek njerëzit. Farmakognocisti i vonë, Varro Tyler, PhD, teorizonte se barishtet veprojnë vetëm si akuaretikë, dmth rrisin sekretimin e ujit, normën e filtrimit glomerular, pa ndikuar në trajtimin renal të elektroliteve. Meqenëse vetë futja e ujit ka efekt akuaretik, edhe shumë bimë që merren si çajra, do të kenë efektin e pirjes së ujit, mendonte ai. Mirëpo studiuesit thonë se ekstrakti ujor i majdanozit nuk ka thjesht efektin e ujit, sepse grupet e pacientëve u trajtuan me të njëjtën sasi uji (lëngu) dhe rezultoi se grupi që mori çaj fara majdanozi pati efekt diuretik më të madh, se grupi që piu të njëjtën sasi uji. Barishtet diuretike ndikojnë në trajtimin e elektrolitik të veshkave, veçanërisht të natriumit dhe kaliumit dhe kështu kanë aktivitet diuretic. Gjendja diuretike është pasojë e rritjes së nxjerrjes së kripës përmes veshkave (natriuresis).
Edhe studimi i Universitetit Amerikan të Bejrutit “Diuretic effect and mechanism of action of parsley”, tregoi se majdanozi frenon veprimin e pompës Na + -K +, duke penguar riabsorbimin e natriumit dhe kaliumit nga veshkat, duke çuar në diurezë (rritje të urinimit). Diuretikët njihen në popull ndryshe me emrin ‘shkarkues’.
Por ç’lidhje ka efekti diuretik i majdanozit, me hipertensionin?
Diuretikët të njohur si “pilula uji” janë barna që ndihmojnë veshkat të heqin qafe ujin dhe kripën e tepërt nga trupi. Ashtu si një zorrë uji, kur nuk ka volum uji (sasi), presioni brenda zorrës është më i ulët, kështu ndodh edhe me trupin: Largimi i lëngjeve ul volumin e gjakut dhe rrjedhimisht bie presioni mbi muret e enëve të gjakut, gjithashtu e bën më të lehtë punën e zemres për të pompuar gjak. Diuretikët janë linja e parë e trajtimit të hipertensionit, që ndjekin mjekët. Por një studim i publikuar në ‘American Journal of Chinese Medicine’ sugjeron majdanozin për të ndihmuar në këtë problem. “Në Gjermani ku barishtet janë më të përdorura se në Amerikë, çaji i farave të majdanozit është përshkruar nga mjekët për uljen e presionit të lartë”, shkruan Chastleman në veprën “Thë neë healing herbs”. Po kështu, në studimin nga Brazili, autorët thanë se kontrolli i presionit arterial është kompleks dhe ka disa mekanizma që ndikojnë, si nervorë, hormonalë dhe renalë. Por efekti hipotensiv (ulës i tensionit) i majdanozit vinte prej uljes se volumit të ujit dhe të kripës (efekti natridiuretik).
E ndërsa mjekët rekomandojnë diuretikët farmaceutikë për trajtimin e hipertensionit, populli ka në dispozicion edhe diuretikët natyrorë-bimët, të cilët i njeh, zakonisht i përdor për gurët e veshkave dhe edemat, por nuk ka një traditë të përdorimit të tyre për hipertensionin. Majdanozi është një kujtesë. Në një studim me titull “Ilaçet bimore si diuretikë: një rishikim i provave shkencore”, studiuesit nga Holanda evidentuan disa nga bimët kryesore që nxisin diurezën dhe ulin tensionin, duke bërë të njëjtën gjë, si ilaçet farmaceutike. Midis barishteve të evidentuara ishin majdanozi, finoku, pjepri i verdhë, hibiskus, bishtkali, shtogu etj.
Diuretikët e farmacisë mund të shkaktojnë diabet…
Diuretikët farmaceutikalë, duhet të themi se njihen për disa efekte anësore. Disa lloje diuretikësh shkarkojnë kaliumin nga trupi dhe pacienti duhet të marrë ushqime me shumë kalium si banane, bajame, spinaq, patate me gjithë lëvore, patate të ëmbël, spinaq me ngjyra, panxhar të kuq, shalqi, fasule, avokado etj. ose shtesa kaliumi me recetë. Disa diuretikë të tjerë të farmacisë me përmbajtje kaliumi kërkojnë të kundërtën, pra që të ulni konsumin e ushqimeve me shumë kalium.
Marrja e diuretikëve gjithashtu rrezikon për dehidratim dhe thjesht pirja e më shumë lëngjeve mund të mos jetë e mjaftueshme. Pacienti mund të ankohet për gojë të thatë dhe etje vazhdimisht. Pa llogaritur shqetësime të tjera si dhimbje koke e keqe, ndjenja e trullosjes etj. Kimia e gjakut del jashtë ekuilibrit të elektroliteve, që do të thotë, se ka pak natrium ose kalium në gjak. Kjo mund të japë lodhje, dobësi, dhimbje të muskujve ose dhimbje koke. Ndonjëherë, zemra mund të arrijë mbi 100 rrahje në minutë, për shkak të nivelit rrezikshëm të ulët të kaliumit.
Këtu, pyetja për të gjithë ju që merrni ilaçe për uljen e tensionit, është kjo: A ju ka rekomanduar mjeku juaj të merrni ushqime të pasura me kalium?
Diuretikët mund të bëhen shkas për përdhes (rritjen e acidit urik në veshka e kyçe). Diuretikët e bëjnë më të vështirë kontrollin e sheqerit në gjak, gjë që mund të çojë në diabet nëse nuk e keni atë. Një studim i Universitetit të Bernit, Zvicër tregon se ‘aktualisht trajtimi i hipertensionit me diuretikë është i diskutueshëm, për shkak të efekteve të pafavorshme në profilin e rrezikut kardiovaskular, përfshirë përkeqësimin e kontrollit të glukozës, veçanërisht në pacientët me tolerancë të dëmtuar të glukozës. Përveç kësaj, ka shqetësime për vdekshmërinë e tepërt prej terapisë diuretike në praninë e diabetit mellitus”. Studimi tregon se disa diuretikë paraqesin keqësim të kontrollit të glukozës dhe disa nuk duhet të përdoren në pacientët me nefropati për shkak të hiperkalimisë.
KONKLUZIONI
Në internet hyjnë të gjithë, por interneti është si një qytet, që ka edhe biblioteka e muze, ka edhe shtëpi publike e kabare. Interneti ndihmon njerëzit e ditur të gjejnë dokumente të rëndësishme të shkencës, por është një grackë për të paditurit. Konkretisht, padituria për bimët, familjet e tyre, natyrën e tyre kimike, padituria në anën tjetër për të kuptuar efektet e shumëfishta të një diuretiku, paaftësia për të bashkërenduar, ndërlidhur dhe implementuar informacionin, bën që të biesh në grackën e çdo pohimi në internet dhe të mos kesh filtra kontrolli mbi to. Por a i falet kjo një dietologeje apo dikujt që merr atribute për edukimin shëndetësor të njerëzve? A mund të jetë kaq pa peshë ky veprim, (që edhe pse besoj se nuk ka dashakeqësi në vetvete, është i pathelluar), i dekurajon njerëzit me hipertension, të mos e marrin këtë barishte kaq të shëndetshme, në parandalim dhe trajtim të hipertensionit?
HOMEOSTAZA E KALIUMIT
Ilaçet e hipertensionit, rreziku tek të moshuarit
Duke ndjerë shqetësim mbi homeostazën e kaliumit prej terapisë me diuretikë, ne kërkuam një studim të posaçëm për të dhe gjetëm studimin e Universitetit Maryland, Baltimore, SHBA: “Terapia antihipertensive me bazë diuretike dhe homeostaza e kaliumit në pacientët e moshuar”. Autorët shkruajnë: “Plakja dhe hipertensioni shoqërohen me një rënie progresive në rrjedhën e gjakut të veshkave dhe funksionin e veshkave. Si rezultat, mjekët që planifikojnë strategji terapeutike për të kontrolluar tensionin e gjakut duhet të marrin në konsideratë këto ndryshime dhe se si ato lidhen me homeostazën e kaliumit, veçanërisht në pacientët e moshuar. Drogat antihipertensive të zakonshme si beta-bllokuesit, frenuesit e enzimave angiotensinë-konvertuese dhe diuretikët që shkarkojnë nga trupi kaliumin duhet të përdoren me kujdes në pacientët me funksion në rënie të veshkave. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në pacientët me diabet të cilët mund të kenë acidozë tubulare renale të tipit IV si dhe në pacientët në terapi anti-inflamatore jo steroide. Ndërsa, terapitë e tjera si bllokuesit e kanal-kalciumit duhet të përdoren me kujdes në njerëzit me insuficencë renale të konsiderueshme dhe hiperkalemi (kalium tepër), pasi ky skenar klinik mund të rezultojë në një rrezik më të madh të bllokut të plotë të zemrës.”
A ka majdanozi rreziqet e diuretikëve të tjerë?
A i ka majdanozi si diuretik, efektet anësore të diuretikëve medicinalë, duke nisur me lodhjen, përdhesin, nxitjen e diabetit e duke përfundur me bllokun në zemër? Jo. Asnjë nga studimet që kemi shqyrtuar për ekstraktin ujor të majdanozit si një diuretik nuk paralajmërojnë për efekte anësore si ato të diuretikëve farmaceutikë. Pas shumë kërkimeve të gjata, mbi ndonjë prishje të mundshme të balancave elektrolite prej majdanozit, nuk gjetëm asnjë të dhënë. Fatlumturisht! Madje, gjetëm se “Majdanozi është një diuretik i shkëlqyer për shkak të përmbajtjes së tij të lartë të kaliumit”. “Ka shumë efekte anësore të diuretikëve dhe hipokalemia është më e rrezikshmja. Majdanozi është i pasur me kalium, kështu që efektet e tij diuretike nuk kanë çuar në shterimin e kaliumit, duke e bërë atë një diuretik të sigurt dhe kjo është në përputhje me një studim të mëparshëm që serumi K thuajse nuk u ul në minjtë e trajtuar me majdanoz”. Kështu thonë autorët e studimit më të ri “Majdanozi, mekanizmi i një ilaçi anti-urolithiazë”, i botuar në ‘American Journal of Clinical and Experimental Urology’ në nëntor 2017.
Ky është padyshim një avantazh i madh i majdanozit kundrejt ‘pilulave të ujit”. Nëse majdanozi do të shkaktonte zbrazje prej kaliumit, ky shqetësim do të ishte raportuar, ashtu siç është raportuar në studime shkencore por edhe në shënimet e herbalistëve, se bishtkali (equisetum arvense) shteron vitaminën B1 apo jamballi (Glycyrrhiza glabra) shkarkon kaliumin. (Jamballi, megjithatë është efikas në rastet e hiperkalemisë në dializë).
Majdanozi mbron zemrën dhe aortën e diabetikëve
Profesorët e Universitetit të Stambollit të dy departamenteve, kimi dhe farmakologji ndërmorën studimin me titull
“Efektet e majdanozit (Petroselinum crispum) në aortën dhe zemrën e minjve diabetikë”. Pasi vënë në dukje që në fillim, se majdanozi është një nga bimët medicinale të përdorura nga diabetikët në Turqi, ata shtojnë: “Është raportuar se zvogëlon nivelin e glukozës në gjak. Por në këtë studim ne po hetojmë efektet e majdanozit në dëmtimin prej radikaleve të lira të shkaktuar nga diabeti, në aortën dhe indet e zemrës e miut. Minjtë u ndanë në 6 grupe të ndryshme: Njëri grup kontrolli (pra, minjtë pa diabet), grupet e tjera minjve iu shkaktua diabeti. Në disa grupe iu dha të hanë majdanoz (2 g/kg), disa morën ilaçin anti-diabetik (5 mg/ kg) dhe kjo zgjati për 28 ditë. Indet e aortës dhe indet e zemrës u vrojtuan nga studiuesit për të parë se ç‘kishte ngjarë. Ata matën peroksidimin e lipideve (oksidimi i yndyrnave si shkak i inflamacionit) dhe nivelet e glutathiones, antioksidantit nr. 1 të vetë trupit. U matën dhe nivelet e glukozës në gjak. Rezultatet e studimit treguan se oksidimi i yndyrnave ishte rritur dhe nivelet e glutathiones ishin ulur si në indet e aortave dhe zemrave të minjve diabetikë. Megjithatë, trajtimi me majdanoz ose medikamentin glibornurid përmbysi efektet e diabetit- glukozën e lartë në gjak, peroksidimin e lipideve të indeve dhe nivelet e glutathiones. Një tjetër studim nga autorët Yanardağ et al tregoi se aktiviteti antihiperglicemik i majdanozit është jo për shkak të ndonjë rigjenerimi në qelizat beta të pankreasit. Këtë gjë majdanozi nuk e bën. Por majdanozi ka penguar induktimin e hiperglicemisë në indet e zemrës dhe të aortës së minjve. Domethënë, ka mbrojtur zemrën dhe aortën nga helmimi dhe dëmtimi prej sheqerit.
Këto studime u thonë diabetikëve, përdoreni majdanozin, sepse ai jo vetëm ul sheqerin e lartë në gjak, por edhe zvogëlon dëmet që sheqeri ka bërë ose pritet të bëjë mbi enët e gjakut, inde dhe organet. Ndonjëherë, diabetikët tremben nga paralajmërimet se ‘x bimë ul sheqerin në gjak, prandaj shmangeni nëse jeni duke marrë ilaçe për diabetin’. Ata duhet ta kuptojnë kështu: Çdo bimë, çaj, lëng ushqim, vitaminë etj. që ul sheqerin në gjak, është ilaç natyror për diabetin e tyre dhe duhet të përpiqen të trajtohen me këtë, para se të dorëzohen tek medikamenti. Dhe nëse janë tashmë me medikamente apo injeksione insuline, duhet të ulin dozat e ilaçeve gjithnjë duke kontrolluar nivelet e sheqerit në gjak dhe në dijeni të mjekut.
Epërsi
Shëron edhe atje, ku diuretikët e tjerë dëmtojnë
Avantazhet e majdanozit ndaj medikamenteve diuretike janë se, ndërsa disa prej tyre mund të shkaktojnë diabet, përdhes, dhimbje koke, infarkt… majdanozi bën të kundërtën: Ai ka treguar me studime efekt anti-diabetik dhe anti-podagra, duke hequr acidin urik nga kyçet dhe acidin e tepërt urik në gjak. Majdanozi heq dhimbjet e kokës, mbron indet e zemrës nga stresi oksidativ, mbron veshkat, ul sheqerin në gjak. Pra, ky diuretik është jo vetëm shumë më i sigurtë sesa diuretikët medikalë, por edhe ndihmon, shëron, atje ku ata dëmtojnë.
Konkluzioni është ky: Një barishte diuretike, një barishte që nxit largimin e ujit të tepërt, por edhe të kripës së tepërt nga trupi, një barishte që mbron indet e zemrës dhe të aortës (sipas studimeve) nuk mundet kurrë të jetë e rrezikshme për njerëzit me hipertension. E kundërta është e vërtetë!
Majdanozi nuk ka krahasim me asnjë nga medikamentet e prodhuara për hipertensionin. Kjo bimë inteligjente përmban rreth 100 kimikate, disa prej të cilave janë njohur për veprime të caktuara farmakologjike e të tjera ndoshta do të mbeten mister. Një ilaç kompleks, që njeriu nuk e krijon dot kurrë.
Porosia për kujdes
Porosia për kujdes në konsumim ose shmangie është për punëtorët e fushave, për shkak se majdanozi përmban psoralen që shkakton skuqje të lëkurës nga dielli. Gratë shtatzëna të mos e marrin në doza medicinale, sepse majdanozi ka apiol dhe myristicin që japin kontraktim të mitrës. Njerëzit në dializë mos ta marrin pa mbikqyrjen e mjekut. Ata që marrin hollues gjaku, Warfarin, të mos përdorin sasi të madhe majdanozi, sepse ka shumë vitaminë K, që kundërshton efektin e ilaçit Warfarin.
I gjallë apo çaj? Si janë vlerat më të mëdha?
Denisa Kona
Të dashur lexues! Pas pyetjes që kemi postuar në profilin tonë në facebook, se si është më i vlefshëm majdanozi, i gjallë apo infuzion ujor, në përgjigjet tuaja gjeta kërshëri për të ditur më tepër. Unë ashtu si ju, e konsumoj të gjallë në sallatë, në tarator ose kos, në sanduiç shtëpie, thatë fare, të qullosur në supë, infuzion ujor (tip çaji). Dhe gjithnjë kam menduar se ai është i vlefshëm në çdo formë. Eshtë pikërisht kështu. Por më i vlefshëm ai është në formën e infuzionit ujor dhe ja pse: Do ta marrim me radhë. Në fillim, japim bazën ushqyese (që nuk përfshin përbërësit medicinalë) që ka majdanozi, referuar data-base së USDA.
100 gr majdanoz i freskët ka: 6.33 g karbohidrate, 3.3 g fibra, afër 3 gr proteina dhe 0.8 gr yndyrna. Kjo sa u takon makroushqyesve. Tani kalojmë tek mikro-ushqyesit: Nuk do t’i listoj të tërë, por ata ku majdanozi merr ‘shumë yje’. Majdanozi është pa ekzagjerim një nga barishtet më të mira për sytë, sepse ka Vitamine A equiv. 421 μg dhe plotëson 53% të nevojave ditore që kemi për këtë vitaminë. Një pyetja e mirë është: Po pse, mund të hamë ne 100 gr majdanoz të freskët në ditë? Kur ne kemi dëgjuar, që bimët medicinale përdoren me lugë çaji, në sasi të vogla, se ndryshe bëjnë dëm? Po, është e vërtetë se shumica e bimëve medicinale përdoren me lugë çaji kur janë të thara e të pluhrosura e disa edhe me lugë gjelle. Por majdanozi është një nga bimët medicinale më të sigurta e njëherësh shumë ushqyes. Saktësisht quhet barishte ushqyese dhe vjen në një kategori më afër me perimet. Kjo do të thotë se barishte si hithra, majdanozi, laboti apo radhiqja ne mund t’i përdorim në sasi më të madhe, sesa bimët e tjera medicinale. Ne mund të konsumojme 100 gr majdanoz të freskët ose 30 gr të tharë duke bërë një infuzion ujor 1-2-ditor. Bimët ushqyese më mirë bëhen infuzion ujor, që do të thotë se ato rrinë me orë të tëra në ujin e nxehtë, pasi ky është hequr nga zjarri. Po pse? Sepse janë të sigurta, nuk kanë alkaloide helmuese që do na bënin dëm dhe kanë plot ushqyes, që duhet t’ua marrim në sasi, duke i lënë gjatë në ujë që të lëshohen. Ndërsa bimët medicinale në përgjithësi bëhen çajra dhe mbulohen me kapak për 5-20 minuta, sepse shumë prej tyre, kur bëhen të koncentruar e sidomos në përiudha afatgjata përdorimi, kalojnë në dëmtim të mëlçisë. Kështu, nëse duam të marrim përfitimet ushqyese të majdanozit, forma më e mirë është infuzion, nëse duam thjesht efektin diuretik për gurët e veshkave ose hipertension, e përdorim si çaj.
Por si ta bëjme majdanozin infuzion ujor ushqyes?
Marrim 100 gr të freskët dhe e hedhim në 1.5- 2.5 litra ujë që ka valuar pak më parë. E mbulojmë kavanozin e madh apo tenxheren me kapak dhe pas 4-8 orësh infuzioni është gati për t’u pirë. Po pse infuzioni ujor është më mirë se majdanozi i freskët? Sepse majdanozi ka shumë Vitaminë A në formën beta-karoten, konkretisht ka 5054 μg, 47% të nevojave ditore dhe beta-karoteni është i mbërthyer mes fibrave të patretshme të majdanozit. Që ta marrim atë, majdanozi si dhe karota, duhen zbutur të prishin strukturën e fibrave të patretshme. Karota ka nevojë për zjerje, ndërsa majdanozi meqë është më i brishtë si gjethe, i mjafton të zhytet në ujë të nxehtë.
Majdanozi e përforcon veten si barishte e syve sepse ai ka edhe dy ushqyes të tjerë të rëndësishëm të syrit: lutein dhe zeaxanthin dhe i ka në një doze spektakolare prej 5561 μg.
Çfarë marrim tjetër më mirë nga majdanozi i gatuar këtë herë?
Nga majdanozi i gatuar në supë etj. ne marrim më tepër vitaminë K, pasi majdanozi është një i central i çmendur i kësaj vitamine. 100 gr majdanoz ka 1562% të nevojave ditore për vitaminë K. E përsëris, 1562% të nevojave ditore me 1640 μg. Vitamina K do yndyrën shoqëruese, madje edhe beta-karoteni, sepse ato treten në vaj. Kështu që do të thithen më mirë. Por ama, në supë nuk e përdorim dot sasinë e madhe të majdanozit infuzion.
Nëse ju pëlqen që të hani majdanozin të gjallë, duke e shtuar në sallata të cilat kanë patjetër vaj, rritet marrja e vitaminës K prej qelizave, por ka edhe një përfitim tjetër, që na humbet kur e gatuajmë. Marrim vitaminën C, e cila shkatërrohet në masë të madhe në nxehtësi. Megjithatë, ky nuk do të jetë ndonjë përfitim i madh, sepse majdanozi i gjallë nuk haet dot në sasi të mëdha, për shkak të fibrave të patretshme që shqetësojnë stomakun. Dhe duke qenë se nuk haet dot në sasi, do hanim psh 10 gr majdanoz dhe do merrnin me 13 mg vitaminë C, diçka e vogël pa përfitim terapeutik.
Pastaj, duke parë edhe listën e ushqyesve të tjerë që gjenden në 100 gr majdanoz, unë dua t’ju nxis që ta përdorni atë si infuzion ujor, që të mund të konsumoni psh 100 gr majdanoz të freskët në dy ditë. Sepse me një kosto shumë të ulët, që gjendet në 100 gr majdanoz, do hani mirë (pa e kuptuar që po hani një vakt të madh që permban 7-9% të nevojave për vitamina B kompleks dhe 38% të nevojave për folate. (Por kujdes, shtatzanat nuk duhet të nxiten ta marrin, se majdanozi ka një përbërës kimik jo ushqimor, apigenin, që stimulon mitrën). Por ama u bën mjaft mirë fëmijëve, edhe atyre autikë në veçanti. Majdanozi me këtë sasi folate që përmban si dhe me sasinë e hekurit që është e pazakontë (6.2 mg ose 48% e nevojave ditore) është një bimë dhe ushqim i madh për anemiket. Nuk di ç’të lëvdoj më parë tek majdanozi: Pasurinë në vitamina apo mineralet organike që e bëjnë një ushqim nga më të mirët për kockat, zemrën, trurin. Ndërsa une kam para sysh kiminë e tij, një këngë dashurie rritet në zemrën time për të dhe për Perëndinë: Majdanozi ka 138 mg kalcium dhe përmbush 14% të nevojave ditore për të, ka hekur 6.2 mg me 48% në nevojave ditore, magnez 50 mg ose 14% e nevojave ditore, kalium 554 mg ose 12% e nevojave ditore, edhe…zink që nuk gjendet lehtë në dietat e zakonshme ushqimore dhe plotëson 11% të nevojave tona për zink. Majdanozi ka edhe minerale të tjera në gjurmë, të cilat nuk janë vështirë të realizohen nga shumica e ushqimeve. Dhe qershia mbi tortë, barishtja ka edhe vitamine E, 5% të nevojave ditore.
E kështu, ndërsa ju e hani majdanozin për shije, aromë ose për kura shëndetësore si psh për të ulur sheqerin në gjak, për tretjen e ushqimit apo infeksionet urinare e prostatën, ju pa kuptuar jeni duke plotësuar edhe nevojat ushqyese. Prandaj ju nxis ta konsumoni lirisht në formën e infuzionit bimor ose në formën e supave me majdanoz dhe perime e barishte të tjera, si një supë të ndritshme të gjelbër, si një tonik pranvere. Majdanozi mund të përdoret edhe në smothie perimesh e barishtesh, pasi edhe kështu fibrat e tij të patretshme do të shkatërrohen për t’i dhuruar ushqyesit më mirë sesa ngrënia e gjetheve të papërpunuara. Këtu majdanozi gjen rastin të japë edhe klorofilin e tij.
Në fund do të themi: Mbilleni kudo ku mundeni, bëhet det. Ruani farën dhe e keni për vitin pasues e me radhë. Majdanozi bën shumë fara.
Por sa?
Referencat për dozat e majdanozit janë të ndryshme sipas burimeve, por edhe sipas kushteve shëndetësore. Dr. Xhon Kristofer rekomandon një kupë mbushur me gjethe të freskëta majdanozi, në 1 litër ujë. Në rastet e pengesës urinare, sasia e rekomanduar nga Dr. Kristofer është shumë e madhe, ½ gotë çaj majdanozi çdo 1 apo 2 orë. Ai tha se duhen të paktën 2 litra çaj në ditë. Ndërsa Fondacioni Mateljan jep si racion ditor, gjysmë kupe (30-31 gr majdanoz të freskët), pa rrethana sëmundshmërie.
Doza për tensionin e lartë, dështimin e zemrës, alergjitë është 3 herë në ditë nga 1 gotë. Përgatitja: Në çdo gotë, 2 lugë çaji barishte e tharë (3.2 gr), gjithsej 10 gr në ditë. Kjo sasi është ekuivalente me 35-40 gr majdanoz të freskët.
Si tinkturë shtëpie, ½ e një luge çaji merret 3 herë në ditë.
Pacientët në dializë dhe ata me hiperkalemi, nuk mund të ndjekin këshillat që vlejnë për të tjerët.
Një supë e ndritshme e gjelbër, një tonik pranvere
Përbërësit:
- 2 lugë gjalpë të pakripur
- 1 lugë gjelle vaj ulliri ekstra i virgjër
- 1 copë selino e copëtuar (gjethet mbahen për garniturë)
- 2 presha, të prerë
- 1 patate
- 1 thelp të madh hudhre prerë në feta të holla
- 1 lugë çaji kripë deti të trashë
- 120 gr spinaq
- 1 filxhan çaji me gjethe majdanozi të freskët
- 1/2 filxhan kos
- 2 lugë lëng limoni
Shkrihet gjalpi me vajin në një tenxhere supe me ngrohje mesatare. Shtohen selino, presha dhe patate dhe përzihen herë pas here, derisa preshat janë të butë, rreth 6 minuta. Shtohet hudhër dhe kripë dhe përzihet për 2 minuta të tjera. Shtohen 3 gota uji dhe në zjarr të ngadaltë, derisa patatja është e butë, rreth 10 minuta.
Pastaj kombinojmë spinaqin dhe majdanozin në një blender dhe e shtojmë mbi supën e nxehtë me perime. E lëmë që të ftohet pak dhe pastaj shtojmë kos dhe lëng limoni dhe përsëri smoothie (që ka dalë nga blenderi), derisa supa të marrë trashësinë e butë të një pureje apo smoothie.
MIKJA E TË GJITHËVE – Një bimë e shquar për ndërtimin e gjakut
Kjo është një barishte e vlefshme për kardiakët, diabetikët, njerëzit me hipertension, me gurë dhe infeksion në veshka, anemi, kequshqyerje, keqtretje, osteoporozë, miopi, edema
Indianët e Meksikës në Jukatanë përdorin një çaj prej majdanozi për të trajtuar inflamacionin e veshkave, pamundësinë për të urinuar, urinimin e dhimbshëm, gurët e veshkave dhe edemën. Ata shtojnë në 1 litër ujë të nxehtë, një filxhan me majdanoz të copëtuar, e mbulojnë dhe e pinë pas 40 minutash apo 1 ore gotën e parë dhe gotat e tjera të ndara gjatë gjithës ditës, 3 deri në 4 gota.
Një klinikë natyropatie në Kinë e rekomandon atë për fazat e rënda të Sëmundjes Kronike të Veshkave (CDK), si faza 5. Sepse majdanozi ofron për pacientët në këtë fazë disa përfitime, si pastrimi i veshkave, kontrollimi i presionit të gjakut dhe mbështetja e funksionit të veshkave. “Në fazën 5 CKD, ka shumë mbeturina dhe toksina në trupin tuaj. Për shkak të tyre, ju mund të përjetoni simptoma duke përfshirë të përziera, vjellje, oreks të dobët dhe shije metalike në gojë. Majdanozi është një diuretik natyral, që zvogëlon volumin e lëngjeve në trup, duke rritur volumin e urinës. Rritja e prodhimit të urinës ka efekt pastrimi duke hequr jo vetëm bakteret, por edhe mbeturinat e kreatininës, azotin dhe urenë në gjak. Në këtë mënyrë, mund të jetoni më gjatë pa dializë”, thuhet në faqen e klinikës. Por, majdanozi në diagnoza të tilla nuk duhet përdorur kuturu, pa marrëveshjen me mjekun dhe duke monitoruar gjendjen.
Infuzioni i majdanozit u tregua i dobishëm në llogore, në Luftën e Parë Botërore, kur burrat kishin ndërlikime në veshka ose kur vuanin nga dizenteria.
Majdanozi gjithashtu është përdorur tradicionalisht si tonik ushqyes për njerëzit që kanë humbur peshë ose që janë shumë të lodhur. Ky përdorim i fundit ka rimarrë rëndësi, sepse përmbajtja ushqyese e majdanozit (është jashtëzakonisht i pasur në vitamina dhe minerale) tani është identifikuar mirë. Kjo është një barishte ushqyese, një tonik i veshkave dhe një pastrues i butë i gjakut. Majdanozi kombinon me tërfilin e kuq për pastrimin e indeve të thella dhe veshkave, kombinon me jonxhën për ndërtimin e gjakut (ndryshe nga ç’na rrëfeu një gazetë shëndeti, sipas së cilës, shumë majdanoz mund të shkaktojë anemi. Po si? Shumë majdanoz do të thotë shumë acid folik, shumë hekur dhe shumë vitaminë C. A mund të çojnë këto tre ‘shuma’ në anemi? Përkundrazi, kjo bimë mjaft ushqyese dhe plot klorofil për ndërtimin e qelizave të kuqe të gjakut, vetëm se do të ndihmojë në luftimin e anemisë. Majdanozi mund të ofrojë veçanërisht përfitimet e tij, kur nevojitet një veprim ushqyes në ‘ciklin e shërimit’, siç ka përmendur edhe filozofi romak, Plin Plaku.
Aspekte të tjera shëruese të majdanozit: Majdanozi parandalon degjenerimin makular të syve që vjen me moshën, ushqim kundër miopisë, përmirëson tretjen, ju bën të ndiheni i lehtë, rregullon sheqerin në gjak, heq edemat e këmbëve dhe përmirëson punën e veshkave, mbron nga kanceret, midis të tjerave bën pjesë në terapinë e pastrimit nga metalet toksike, ashtu si korianderi, ushqim i shkëlqyer alkalin, kundër acidozës metabolike, rrit sistemin imunitar. Duke pasur shumë acid folik, mbron zemrën sepse ul homocisteinën e rrezikshme, rregullon gjenin TGF-β1, në sajë të antioksidantit apigenin, i cili kontrollon rënien e flokëve. Eshtë një minierë e vitaminës K dhe e mineraleve organike e për rrjedhim ushqen kockat, parandalon thyerjet e njëherësh parandalon kalcifikimin e enëve të gjakut.
Një familje diuretikësh natyralë për hipertensionin
Le të shikojmë etimologjinë e bimës, të emrit të saj latin ‘petroselenium’, që në greqishten e vjetër ‘petroselino’ do të thotë petro- gur dhe selino. Po të shikosh këtë lidhje, plus ngjashmërinë fizike të majdanozit me selinonë dhe po ta dish se vetë lëngu i selinosë është ilaç për hipertensionin, nuk do të besosh lehtë, se si mundet majdanozi të kishte qenë një hipertensiv, kur selinoja gjithashtu diuretike (edhe vazodilatative), është një hipotensive. Po të njohësh familjen e majdanozit, familja Apeaceae, bimët anëtare të saj dhe cilësitë e tyre, do ta dish se cilësia diuretike e tyre dhe ulja e tensionit janë cilësi të vetë familjes. Si selinoja dhe majdanozi, finoku gjithashtu është hipotensiv. Levistiku mjekësor është edhe ai një lloj diuretiku, që nxit eliminimin e ujit (të edemave). Kopra, angjelika e cila ka komponime që veprojnë si bllokues të kanal-kalciumit për uljen e tensionit të lartë, korianderi i njohur edhe si majdanozi kinez, pastinaku, qimnoni me farat dhe vajin e tij esencial gjithashtu shërben si një ‘pilulë uji” për uljen e tensionit. Karotat, një perime-rrënjë nga e njëjta familje, e dëshmuar për uljen e presionit sistolik. Nga njëra anë e pasur me nitrate, që konvertohen në oksid nitrik që shkaktojnë vazodilatacion- zgjerimin e enëve të gjakut që çon në ulje të tensionit, nga ana tjetër ka efekt diuretik, lehtëson largimin e toksikane nga trupi, efektiv në eliminimin e acidit urik (Anon 1952). Gazeta Botërore e Kërkimeve Farmaceutike liston 42 bimë diuretike të familjes së majdanozit, Apiaceae. Kështu majdanozi dëshmon familjarisht se është një diuretik, një shkarkues i kripës dhe ulës i tensionit të lartë.
Bota është e madhe, vendet duken të largëta, pa lidhje, por ja që janë të lidhura përmes mijëra rrugësh. Kështu është edhe bota e dijes. Pa këto rrugë lidhjesh, si lidhjet sinaptike mes qelizave të trurit, çdo gjë që lexon, mbetet cung dhe nuk integrohet e nuk shërben në diturinë e plotë.
Mega- klorofil për detoksifikim e shërim
Majdanozi është i pasur me klorofil, substanca që prodhon energji që i jep barishteve ngjyrën e saj karakteristike jeshile. Klorofili ndihmon në alkalizimin e trupit, pastron gjakun dhe formon qeliza të reja të kuqe të gjakut. Përveç kësaj, klorofili dhe flavonoidet në majdanoz ndihmojnë në rritjen e formimit qelizor të glutathiones. Nivelet më të larta të këtij antiksidanti të brendshëm të trupit (glutathiones) i lejojnë trupit të çhelmojë dhe të shërohet në mënyrë më efikase. Nëpërmjet këtyre cilësive, majdanozi arrin të përmirësojë vetitë e oksigjenimit qelizor. Rritja e oksigjenimit = rritja e energjisë qelizore = detoksifikim dhe mekanizma shërimi.
Përmirëson frymën dhe aromën e trupit
Përmbajtja e pasur e klorofilit është gjithashtu një flladitëse e trupit dhe freskuese e frymës. Klorofili redukton bakteret që shkaktojnë erë, të cilat janë përgjegjëse për prodhimin e frymës së keqe dhe erën e trupit. Majdanozi kombinon mirë me hudhër dhe qepë dhe zvogëlon erën e fortë që i japin trupit, këto ushqime të pasura në squfur.