Ja pse mjalti nuk është ushqim por ilaç!

PYETJA E LEXUESES:

Çfarë nevojash ushqyese plotësojmë duke ngrënë mjalt? Dhe, a do të hamë mjalt gjatë javës së sfidës pa bukë gruri dhe pa ëmbëlsira?

Pergjigja eshte: Po e madhe, por vetëm nëse është vërtet mjalt. Mjalti eshte nje dhurate e rralle e natyres per shendetin e njeriut. Por mjalti nuk është mirëfilli një ushqim, edhe pse kjo ju vjen e papritur, e di. Ne jemi edukuar të besojmë se mjalti është ushqim potent, pra një produkt shumë ushqtes. Por nuk është realisht kështu. Mjalti eshte 10% ushqim dhe 90% ilaç. Ku qëndron dallimi mes ushqimit- ushqyes dhe ushqimit-ilaç? Tek përbërja kimike e tij. Ushqimi që ushqen qelizat përmban makroushqyesit proteina, yndyrna dhe/ose karbohidrate dhe domosdoshmërisht doza të mira të mikroushqyesve vitamina dhe minerale. Ndërsa ushqimi- ilaç ka një kimi të varfër në ushqyes, por ka një kimi shumë interesante në përbërës jo-ushqyes që kryejnë funksione të shumta për të përmirësuar proceset biokimike, për të korrigjuar problemet. Ky lloj ushqimi i varfër në ushqyes edhe pse nuk i siguron qelizave doza të mira ushqyesish, i siguron mbrojtje nga dëmtimi.

Një shpjegim krahasues për frutat dhe perimet. Ju keni dëgjuar që ato kanë antioksidantë që kapin radikalet e lira të cilat dëmtojnë membranat qelizore,  organelet e qelizës ku kryen proceset e saj

jetësore, mes tyre mirokondritë ku prodhohet energjia qelizore dhe më së fundi, dëmtojnë bërthamën qelizore bashkë me vetë ADN-në. Një pjesë e këtyre anti-oksidantëve mund të jenë njëherësh edhe ushqyes si vitaminat C, E. Por pjesa më e madhe e antioksidantëve janë bioflavonoide, si psh kuercitin tek molla dhe qepa e kuqe, anthocianidin tek boronica dhe rrushi i zi, hesperidin tek limonat dhe portokallet, taninat tek çajin jeshil dhe kakitë (hurmat), apigenin tek selinoja dhe majdanozi etj etj etj, sepse ka shumë anti-oksidantë, madje edhe brenda një ushqimi. Kjo ishte së për një ide. Do t’ju them disa gjera qe nuk i keni shkuar ndër mend për mjaltin. Nga shija dhe ndjesia e ngopjes që mjalti na jep, ne mendojmë se ai është ushqim, madje ushqim i shkëlqyer.

Por ja të shohim të dhënat ushqyese të mjaltit.

  • Për 100 gr mjalt
    Karbohidrate në formë sheqernash mbi 82 gr.
  • Yndyrna 0 g
  • Proteina 0.3 g
  • Riboflavin (B2) 0.038 mg ose 3% e nevojave ditore
  • Niacin (B3) 0,121 mg ose 1% e nevojave ditore
  • Acid pantothenik (B5) 0.068 mg ose 1%
  • Vitamina B6 0.024 mg ose 2%
  • Foletë (B9) 2 μg ose 1%
  • Vitamina C 0.5 mg  ose 1%
  • Kalciumi 6 mg ose 1%
  • Hekuri 0.42 mg ose 3%
  • Magnezi 2 mg ose 1%
  • Fosfori 4 mg ose 1%
  • Kaliumi 52 mg ose 1%
  • Zink 0.22 mg ose 2% e nevojave ditore

Pasi e keni parë këtë tabelë dhe pasi sillni ndër mend tabelat e përmbajtjes ushqyese të mjaft ushqimeve të tjera, të cilat përmbushin nga 10%, 50% e deri në disa mijë % të nevojave ditore për vitamina dhe minerale (psh 100 gr majdanoz ka 1562% të nevojave ditore për vitaminë K ose 100 gr karota plotëson 104% të nevojave për vitaminë A), ju me të drejtë do të pyesni veten: Pse e kemi quajtur mjaltin ushqim? Ku jane ushqyesit? Dhe te mendosh qe keto sasi ne tabele jane per 100 gr mjalt, nderkohe qe ne do hame 5 gr, 10 gr apo 30 gr. Pra, edhe keto 1%-shat zbresin ne zero. Pastaj, vetepyetja jone vazhdon: E nese qenka keshtu, qe mjaltin nuk paska mikro-ushqyes, nga na i sjell tere keto perfitime per shendetin, duke nisur me fuqine? Do thoni: Ka proteina, kemi degjuar qe ka shume lloje aminoacidesh. Po, vertet, ka shume lloje, madje amino-acide esenciale, por te tera keto lloje jane vetem 0.3 gr proteina per 100 gr mjalt. Nderkohe qe sa per krahasim, 100 gr fasule ka 21 gr proteina, 100 gr thjerreza ka 9 gr proteina, 100 gr mish ka 26 gr proteina. Pra, të gjitha këto, vetëm sa i shtojnë me tepër shkëlqim mjaltit, por fuqia e vërtetë e dritës brenda mjaltit është tek enzimat e tij dhe flavonoidet…

Mjalti ka mbledhur ku janë e ku nuk janë gjithë polifenolet antioksidante më të mira, që gjenden të shpërndara në bimë të ndryshme. Si luteolin, myricetin, katekin, kuercitin, apigenin, acid egallic, acid kafeik, acid klorgjenik, naringenin, acid kumarik, acid galic, kaemferol, etj.

Këtu qëndron magjia e mjaltit. Mjalti në të vërtetë nuk është ushqim, nga lëndët e klasifikuara si ushqyese ai përmban me sasi vetëm karbohidrate të cilat janë të tëra lloje sheqeri (më shumë fruktozë dhe glukozë, pasuar nga saharozë, maltozë etj). Dhe sikurse mund ta keni dëgjuar, sheqeri nuk është ushqim, ai ofron kalori boshe. Megjithatë ai jep energji dhe përdoret nga qelizat të cilat kanë nevojë për energji. Kështu që sheqeri i gjendur natyrshëm brenda në ushqimet e gjalla, sheqeri natyral, jo ai i rafinuari nga industria, është i nevojshëm. Natyra nuk ka gabuar kur ka planifkuar që bimët të prodhojnë sheqer. As bletët si pjesë e saj dhe si një nga format më inteligjente të jetës, nuk kanë gabuar kur kanë bërë këtë ëmbëlsi në një marrëdhënie flirtuese me lulet.  Mbi të gjitha, bletët janë në gjendje që të prodhojnë nga glukoza e mjaltit, peroksid hidrogjeni, të cilit i dedikohet një pjesë e madhe e lavdisë së mjaltit.

Mjalti nuk është një ushqim, mjalti është një mrekulli, një produkt unik dhe i vetmi që vjen nga bota bimore dhe ajo shtazore njëherësh. Mjalti është esenca apo shpirti i luleve dhe shpirti i bletëve. Ky shpirt unik jeton shumë gjatë, është gati i pavdekshëm. ….Mjalti nuk prishet duke përbërë një rast unik në botën e ushqimit tonë. Huaj mjalti janë gjetur që datojnë që 3000 vjet më parë.

Por çfarë e bën mjaltin të paprishshëm?….

Mjalti përmban një numër enzimash, përfshirë invertase, që konverton saharozën në glukozë dhe fruktozë; amylase, e cila shpërbën niseshtenë në njësi më të vogla; përmban sidomos glukozë oksidazën, e cila konverton glukozën në glukonolaktone, e cila nga ana e saj prodhon acid glukonik (acidi kryesor ) si dhe peroksid hidrogjeni. (Mbajeni mend këtë miq: Peroksid hidrogjeni. Mjalti prodhon peroksid hidrogjeni, që e bën atë të jashtëzakonshëm në luftën kundër plagëve gangrenë dhe një armik të qelizave kanceroze. Tek mjalti konsiston një inteligjencë e pazakontë e natyrës, me anë të një enzime nga sheqeri prodhon peroksid hidrogjeni (H2O2). Pastaj një enzimë tjetër e mjaltit, katalaza, thyen peroksidin e formuar, në ujë dhe oksigjen. Një enzimë tjetër, acid fosforilazë, heq fosforin inorganik nga fosfatet organike, i cili është antiushqyës dhe frenon përdorimin e lëndëve ushqimore nga ushqimet e tjera.

Mjalti është diçka e çuditshme, ndryshe nga shumica e ushqimeve, nuk prishet me kalimin e kohës. Mostra më e vjetër e njohur e mjaltit, e gjetur në një varr të lashtë egjiptian, daton afërsisht 3000 vjet më parë, dhe ishte ende i ngrënshëm

Një faktor që e ndihmon mjaltin të rrojë gjatë është aciditeti i tij. Ph mesatar i mjaltit është rreth 4. Ky aciditet rezulton nga një numër acidesh, përfshirë acidin formik dhe acidin citrik, por acidi dominues është acidi glukonik, i prodhuar nga veprimi i enzimave të bletëve mbi molekulat e glukozës në mjaltë. Kjo shton më tej vetitë antibakteriale të mjaltit, pasi shumë baktere lulëzojnë në kushte neutrale dhe jo acide. Peroksidi i hidrogjenit pengon rritjen e baktereve. Vetitë antibakteriale të mjaltit janë vërtet mjaft të forta kur aplikohet mbi plagë. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe kur kemi të bëjmë me një ushqim që ka dhuntinë të jetë ‘i pavdekshëm’, Një ushqim i tillë është ai ku bakteret, myqet, viruset dhe çdo gjë që shkakton prishjen e tij, e kanë të pamundur të zhvillohen në të. Mjalti është akoma i ngrënshëm edhe kur është kristalizuar. Mjafton që të zhytet në ujë të ngrohtë për disa minuta dhe bëhet sërish i rrjedhshëm.

Përfundimi: Asnjë dietë nuk është e kompletuar siç duhet, nëse asaj i mungon mjalti. Prandaj në këtë javë sfide, përpiquni të siguroni pak mjalt të mirë. Gjithashtu u bëj thirrje bletërritësve të mos e gjymtojnë këtë prodhim të shenjtë, dhuratë të Perëndisë për njeriun. Shtoni zgjojet, në vend të shtoni sheqerin në mjalt. Qeverisë i bëj thirrje të mbështesë me fonde zhvillimin e bletarisë, sepse prodhimi i mjaltit në vend është  krejt i pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat e 2-3 milionë njerëzve për 365 ditë të vitit. Gjithashtu, të bllokohen të gjitha mjaltrat fals ose me etiketa të rregullta por të falsifikuar në përmbajtje, që mbushin rraftet e marketeve.

E pra, siç ka thënë babai i enzimave, Dr. Howell, enzimat janë katalizatorët, janë shkëndijat e jetës, ato bëjnë të mundur jetën në organizëm. Enzimat gjenden në ushqimet e gjalla dhe për këtë ai konkludoi: “Ushqimi i gjallë mban jetën, ushqimet e vdekura nuk mund ta mbajnë jetën”. Dhe kur është fjala për enzimat, mjalti është një ushqim i jashtëzakonshëm enzimatik. Dhe kur ne themi se ushqimet e gjalla, të freskëta plot enzima, mbështesin jetën, po një ushqim i paprishshëm si mjalti? Kështu bleta e vogël që mban jetën në planetin e madh, me prodhimin e saj unik favorizon jetëgjatësinë e qelizave tona.

 

Mjalti shëron djegiet dhe plagët

Molla e Shëndetit botoi disa kohë më parë intervistën e gjigandit J. Duke (i cili ndërroi jetë në dhjetor 20187), se si me anë të mjaltit manuka dhe të një fruti tropikal (fruti i dragoit), kishtë shpëtuar këmbën e tij nga prerja nga një infeksion tropikal). Sot ka prova të reja se mjalti i sterilizuar ndihmon në shërimin e plagëve të lëkurës pas operacionit dhe djegies së butë. Mjalti është efikas si një antiseptik për plagë, kryesisht si rezultat i aktivitetit antibakterial të peroksidit të hidrogjenit që prodhohet në mjaltë nga enzima glukozë oksidase.  Përqendrimet e peroksidit të hidrogjenit të krijuara në mjalt janë të ulëta në krahasim me peroksidin që zakonisht aplikohet në një plagë, kështu që dëmtimi citotoksik nga peroksid hidrogjeni është shumë i ulët.Veprimi antibakterial i mjaltit qëndron edhe në disa përbërës të tjerë si methylglyoxal dhe royalisin. Mjalti është një ndërtim unik. Vetitë shëruese të mjaltit u demonstruan në një studim që krahason trajtimin e mjaltit me atë të sulfadiazinës së argjendit, trajtimi standard për pacientët e djegies. Rezultatet tregojnë se trajtimet me mjalt rezultojnë në një sterilitet shumë më të madh të plagëve dhe një fillim më të shpejtë të shërimit. Këto eksperimente treguan se mjalti është superior ndaj trajtimeve standarde.

Mjalti për kollën, më i fortë se ilaçet

Agjencia Mbretërore e Medikamenteve dhe Agjencia Rregullatore për Produktet Shëndetësore rekomandon që tek fëmijët e moshës nën 6 vjeç të mos lejohet dhënia ilaçeve të zakonshme kundër kollës dhe për fëmijët nën moshën gjashtë vjeçare sugjeron se “një ilaç shtëpiak me mjaltë dhe limon, ka të ngjarë të jetë po aq i dobishëm dhe më i sigurt “.  Mjalti nuk duhet t’u jepet foshnjave për shkak të rrezikut të botulizmit foshnjor.  Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon mjaltin si një trajtim për kollë dhe dhimbje të fytit, duke përfshirë fëmijët, duke deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye për të menduar se mjalti është më pak efektiv sesa një ilaç tregtar. Mjalti rekomandohet nga një mjek kanadez për fëmijët mbi moshën një vjeç për trajtimin e kollës, pasi konsiderohet efektiv si ilaçi dextromethorphan dhe më efektiv se difenhidramina.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *