Ushqimet për shërimin e thyerjes së kockave

Proteinat e mishit, si ndikojnë në Osteoporozë?

Si t’i kuptojmë studimet e kundërta për efektin e proteinave në shkaktimin ose shërimin e frakturave

Denisa Kona

Komiteti i Mjekëve për Mjekësi Përgjegjëse, Washington, një grupim prej 12,000 mjekësh, në faqen e tij zyrtare këshillon profesionistët e shëndetit por edhe pacientët të marrin parasysh faktin, se ndryshe nga sa kanë supozuar deri tani, se marrja e kalciumit shtesë do të sigurojë kocka të forta, del nga hulumtimet se marrja e kalciumit është vetëm një pjesë e çështjes, madje thjesht rritja e marrjes së kalciumit është një strategji e papërshtatshme. Jo më pak i rëndësishëm është reduktimi i humbjeve të kalciumit nga kockat. Proteinat e kafshëve kanë tendencë të nxjerrin kalciumin nga kockat, duke çuar në nxjerrjen e saj në urinë. Proteinat e kafshëve janë të pasura në aminoacide që përmbajnë squfur, veçanërisht cistinë dhe metioninë. Squfuri konvertohet në sulfat, i cili tenton të acidifikojë gjakun. Gjatë procesit të neutralizimit të këtij acidi, kalciumi nga kocka (një mineral bazik) shpërndahet në gjak dhe filtrohet nëpër veshka në urinë. Mishi dhe vezët përmbajnë 2 deri në 5 herë më shumë nga këto aminoacide, sesa disa ushqime bimore. Një raport i vitit 1994 në Journal of Clinical Nutrition në Amerikë tregoi se kur proteinat e kafshëve u eliminuan nga dieta, humbjet e kalciumit u ndërprenë në gjysmën e tyre. Ne nxisim pacientët të marrin lehtësisht proteina adekuate nga kokrrat, fasulet, perimet dhe frutat”, përfundon Komiteti 12 mijë mjekëve.

Në anën tjetër, një studim që i përket autorëve Dawson-Hughes B1 tregon se proteinat dietetike ka disa efekte kundërshtare mbi balancën e kalciumit. Është vërejtur se rritja e proteinave dietike ngre nivelin qarkullues të faktorit 1 të rritjes së insulinës, që nxit formimin e osteoblastieve, qelzave kockore dhe rritjen e kockave. Në disa studime të Framinghamit, marrja e sasisë më të ulët të proteinave shtazore pasohej me humbje të dukshme të kockave nga shpina dhe femuri, sesa tek subjektet që konsumonin më shumë proteina. Në një studim tjetër, rritja totale e sasisë së proteinave u shoqërua me një reduktim të incidencës së frakturave të legenit në gratë pas menopauzës.

 Dr. FRASETO

Dieta acide, faktori i panjohur i thyerjes së kockave

Dr. Lynda Frassetto në Universitetin e Kalifornisë tregon se proteinat janë të domosdoshme për rritjen e kockave, por disa studime thonë se për çdo 50 gramë proteina të konsumuara, pra del jashtë me urinën 50 gr. kalcium. Disa anketa në mbarë botën dokumentojnë të dhëna, se dietat me bazë proteinike shtazore rrisin normat e thyerjes së legenit. Shpjegimi i kësaj marrëdhënieje midis proteinave shtazore dhe incidencës së thyerjes, lidhet dhe me faktin se popujt që konsumojnë një dietë të lartë në proteina shtazore kanë tendencë të konsumojnë pak perime, fruta, arra dhe fara. Kjo lloj diete i kontribuon acidozës metabolike kronike dhe dobësimit të kockave.
Proteinat në dietë janë të dobishme, por duke respektuar një ekuilibër mes ushqimeve acide dhe bazike, pra është çështje e mbajtjes së pehashit normal. Dieta acide mund të jetë faktori më i rëndësishëm dhe më pak i njohur, ndër gjithë faktorët e rrezikut të dobësimit dhe thyerjes së kockave. Të moshuarit dhe personat nën peshë shpesh kanë ushqim të varfëruar . Një dietë e lartë në proteina, por e varfër në kalcium, magnez, kalium dhe ushqyes të tjerë, rrit humbjen urinare të mineraleve dhe përkeqëson acidozën metabolike kronike, pra, ushqimi shumë acid është i dëmshëm për kockat në të gjitha moshat.

Studimi italian replikues

Një studim italian i botuar në shtator 2017 tregoi se dieta e peshkut dhe Dieta e Mishit dhanë këto rezultate. Dieta e Peshkut nuk e rriti rrezikun e frakturave në 86.5% të personave që morën këtë ditetë. Ndërsa dieta e mishit nuk e rriti rrezikun në 48.2% të subjekteve. Këto rezultate janë në përputhje me një përmbledhje të azhurnuar së fundmi të literaturës, e cila tregon se një marrje më e lartë e proteinave shtazore nuk është e dëmshme për kockat, edhe pse dikur mendohej se përbërësit gjenerues të acidit të një diete të lartë proteinike ​​ishin të dëmshme për kockat.

Parandalimi i osteoporozës parësore kërkon sjellje të shëndetshme, si ushtrime të rregullta fizike dhe marrje adekuate dietike të kalciumit, vitaminës D dhe proteinave. Në veçanti, proteinat (që rrjedhin nga mishi, peshku, qumështi dhe vezët) janë thelbësore sepse ato përfshihen në matricën organike të kockave si pjesë e strukturës së kolagjenit mbi të cilën ndodh mineralizimi dhe për shkak se proteinat dietike ndikojnë në sekretimin dhe veprimin e osteotropit , faktori i rritjes i ngjashëm me IGF-I, i cili është i rëndësishëm për formimin e kockave. Mineralet (në veçanti kalciumi dhe fosfori sepse ato përbëjnë afërsisht 80% deri 90% të përmbajtjes minerale të eshtrave) dhe vitaminat (p.sh., vitaminat D dhe K) janë gjithashtu thelbësore për kryerjen e proceseve metabolike dhe reaksioneve në kockë, shkruajnë autorët italianë….Tema do të vijojë pasi ka shumë për të thënë dhe konfuzioni nuk është shterrur ende.

Ikja e kalciumit, mungesa e frutave, shkaku kryesor

‘Faktorët që ndikojnë në anabolizmin e muskujve, gjithashtu ndikojnë në masën e eshtrave. Shëndeti i kockave është një çështje shumëfaktoriale muskulo-skeletale dhe jo vetëm skeletale… Humbja e masës kockore (osteopenia) dhe humbja e masës së muskujve (sarkopenia) që ndodhin me moshimin janë të lidhura ngushtë’

Duke kërkuar më tepër prova, ne gjetëm një studim me një këndvështrim të ri interesant. Autorët nga Universiteti Creighton dhe Universiteti i Illinois shkruajnë: “Shumë faktorë ndikojnë në masën kockore. Proteina është identifikuar si e dëmshme dhe e dobishme për shëndetin e kockave, varësisht nga një sërë faktorësh, duke përfshirë nivelin e proteinave në dietë, burimin e proteinave, marrjen e kalciumit, humbjen e peshës dhe bilancin acid/ bazë të dietës. Humbja e masës kockore (osteopenia) dhe humbja e masës së muskujve (sarkopenia) që ndodhin me moshimin janë të lidhura ngushtë. Faktorët që ndikojnë në anabolizmin e muskujve, gjithashtu ndikojnë në masën e eshtrave. Shëndeti i kockave është një çështje shumëfaktoriale muskulo-skeletale dhe jo vetëm skeletale. Kalciumi dhe marrja e proteinave bashkëveprojnë në mënyrë konstruktive duke prekur shëndetin e kockave. Marrja e kalciumit dhe proteinave duhet të jenë të përshtatshme për të kuptuar plotësisht përfitimin e secilës lëndë ushqyese për kockat. Marrja e proteinave tek të moshuarit ka të ngjarë të jetë e pamjaftueshme dhe më pak se sasia optimale (e duhura) për shëndetin e eshtrave. Çështja për profesionistët e shëndetit është nëse duhet të rritet apo jo, marrja e proteinave të rekomanduara, duke pasur parasysh mbizotërimin e osteoporozës dhe sarkopenisë.

Ndërsa proteina duket se ka një efekt të drejtpërdrejtë anabolik (ndërtues) në kockë, marrëdhënia midis konsumit të proteinave dhe kockave është komplikuar nga efekti  negativ i ekuilibrit të përgjithshëm acid-bazë të dietës. Një dietë e tipit perëndimor është raportuar të jetë e lidhur me osteoporozën dhe humbjen e kalciumit urinar. Kalciumi në urinë rritet me ushqime që formojnë acid, si mishi, peshku, vezët dhe drithërat. Humbja e kockave mund t’i atribuohet pjesërisht mobilizimit të kripërave skeletore për të balancuar acidin endogjen të prodhuar nga ushqimet që formojnë acid. Ndërkohë futja e frutave dhe perimeve të pasura me kalium, një mineral alkalizues, neutralizon këtë ndikim, gjë që mund të shpjegojë efektin pozitiv të frutave dhe perimeve në shëndetin e kockave. “Efekti dëmtues i aciditetit dietik në skelet është relativisht i vogël, por një efekt i vogël mund të ketë një ndikim të madh në kohë”, thonë autorët. “Dhe marrëdhënia e vërejtur mes konsumit të mishit dhe humbjes së kockave, në fakt mund të jetë një reflektim i marrjes së pamjaftueshme të frutave dhe perimeve, sesa konsumit të tepërt të mishit. Ndoshta më shumë duhet të fokusohemi në rritjen e konsumimit të frutave dhe perimeve, sesa në reduktimin e burimeve të proteinave”.

 Humbja e peshës, bashkë me humbjen e kockës

Humbja e masës kockore shpesh shoqëron humbjen e peshës të shkaktuar nga kufizimi i kalorive. Gjatë humbjes së peshës, është parë se një dietë më e lartë në proteina ruan mineralin e eshtrave, më mirë se një dietë e ulët në proteina. Në një studim të grave mbipeshë, ato që humbën peshë si rezultat i kirurgjisë bariatrike (zvogëlimi i stomakut) përjetuan humbje të konsiderueshme të masës së eshtrave, madje edhe në vendet që nuk ndikohen nga peshë e tepërt e trupit. Faktorë hormonalë, si faktori i rritjes IGF-1 (që gjendet në proteina shtazore), janë të lidhur me këtë proces dhe nivelet e IGF-1 ishin dukshëm më të ulëta, në ato që iu nënshtruan kirurgjisë bariatrike. Ushtrimi mund të kompensojë efektet e pafavorshme të kufizimit të energjisë në kocka, por nuk ka kundërshtuar dot humbjen e masës kockore gjatë humbjes së peshës.

Rëndësia e masës muskulore

Mirëmbajtja e forcës adekuate të kockave dhe densitetit me plakjen varet shumë nga mirëmbajtja e masës dhe funksionit të duhur të muskujve, i cili në anën tjetër varet nga marrja adekuate e proteinave me cilësi të lartë. Është sugjeruar që proteinat dietike janë esenciale si kalciumi dhe vitamina D për shëndetin e eshtrave dhe parandalimin e osteoporozës. Mekanizmat përgjegjës për humbjen e kockave me plakjen, qoftë mangësitë ushqyese, qoftë ulja e prodhimit të hormoneve të rritjes ose ulja e aktivitetit fizik, gjithashtu janë përgjegjës për humbjen e masës së muskujve.

 

PLAKJA E SHËNDETSHME

Ushqimet për shërimin e thyerjes së kockave

 Nga Sarah Davis

Studimet mbështetëse dhe oponenca nga Denisa Kona

Shumë njerëz pësojnë një thyerje kocke në një kohë në jetën e tyre, qoftë kur ishin fëmijë në shesh lojërash, qoftë si të rritur në një aksident ose në pleqëri nga një rrëzim. Kockat e thyera janë të dhimbshme dhe frustruese, për shkak se ato duan një kohë të gjatë për t’u shëruar. Sipas Fondacionit Nemours, trupi natyrshëm e shëron një kockë të thyer vetë. Disa ushqime mund të ndihmojnë për të përshpejtuar procesin e shërimit.

Brokoli

Brokoli është një nga ushqimet më të mira për shërimin e një kocke të thyer, për shkak se është i pasur me vitaminë K. Sipas Institutit Linus Pauling, vitamina K lidhet me minerale të tjera për të ndihmuar në ndërtimin e masës së kockave. Vitamina K mund të shpejtojë shërimin e një kocke të thyer, sepse ajo është e përfshirë në procesin e mineralizimit të eshtrave. Instituti Linus Pauling thotë se një filxhan brokoli ka 220 mcg vitaminë K. Në një artikull të botuar në “The Open Orthopaedics Journal” 2012, tre ortopedë shpjegojnë se vitamina K luan rol kyç në forcimin e osteocalcin, një komponent i proteinave të kockave, pa rritjen e dendësisë minerale të kockave. Ky proces, zvogëlon mjaft rrezikun e thyerjeve dhe përshpejton shërimin në rastin e lëndimit të kockave. Dozat ditore 90 mcg për femrat dhe 120 mcg për meshkujt gjenden në perimet me gjethe jeshile, brokoli, lulelakër, peshk, mëlçi, mish, vezë. Megjithatë, për të maksimalizuar forcimin e kockave, autorët sugjerojnë marrjen e një shtese vitaminë K2.

Portokalli

Portokalli mund të ketë disa përfitime për eshtrat e thyera. Sipas Qendrës për Kocka më të Mira, portokallet janë të pasura në vitaminë C, e cila vepron si një agjent anti-inflamator, redukton dhimbjen duke inkurajuar rritjen e masës kockore të re. Vitamina C rrit gjithashtu funksionin e sistemit imunitar, në mënyrë që shërimi të vijë më shpejt. Por me sa duket, nuk janë disa mg vitaminë C tek portokallet, që punojnë për shëndetin e kockave, por janë flavonoidet e saj specifike. Një studim impresionues, hesperidina në lëngun e portokallit drejton diferencimin e osteoblasteve, qelizave që sintetizojnë kockat, duke formuar një indeks të fortë dhe të dendur mineralizues. Siç shkruan edhe Dr. Merkola, pulpa e portokallit mbron nga humbja e kockave dhe kjo i detyrohet Hesperidinës, flavanoni më i bollshëm në agrume. Eksperimentet në minj kanë treguar se pas operacionit të kockave, minjtë janë shëruar më shpejt me lëngun e portokallit.

Domatet

Dy gota lëng domate në ditë forcon kockat dhe mund të shmangë osteoporozën. Hulumtimi i ri nga Leticia dhe Venket Rao, PhD, në Universitetin e Torontos, Kanada, i financuar nga Heinz dhe i paraqitur në Konferencën Amerikane të Ushqimit në Filadelfia të vitit 2002, sugjeron se domatet mund të ndihmojnë në parandalimin e osteoporozës. Domatet janë burim i pasur i lykopenit dhe një hulumtim i fuqishëm tregoi se zvogëlon rrezikun e kancerit të prostatës, qafës së mitrës dhe gjirit si dhe sëmundjeve të zemrës. Tani, shkencëtarët kanë gjetur se lykopeni, ngadalëson shkatërrimin e qelizave të kockave. Ata krahasuan efektet e shtojcave të lykopenit dhe lëngut të domates në shenjat kimike të humbjes së kockave në gratë postmenopauzë. Një substancë e quajtur N-telopeptid, një shenjë e humbjes së kockave, u pa se ulej me konsumin e lëngut të domateve. Lykopen është një lloj antioksidanti dhe parandalon dëmtimin e qelizave duke neutralizuar speciet reaktive të oksigjenit (ROS). Studiesit thanë se shkalla e humbjes së qelizave të kockave u ul me uljen e niveleve të ROS, të mundësuar nga domatja.

Flavonoidet, arma sekrete që pengon shkatërrimin e kockave

Një studim gjigand që kemi hulumtuar tregon se flavonoidet, që gjenden në ushqime bimore nga pemët dhe perimet, barishtet, erëzat dhe vajrat esenciale etj, kanë potencialin më të madh të përbërësve dietikë për promovimin e shëndetit të kockave, përtej kalciumit dhe vitaminës D. Studimet epidemiologjike të fundit tregojnë se konsumimi i flavonoideve ka një lidhje më të fortë me kockat, sesa konsumi i përgjithshëm i frutave dhe perimeve. Disa prej tyre janë raportuar se rritin formimin e kockave dhe pengojnë resorbimin e kockës nëpërmjet rrugëve sinjalizuese qelizore, që ndikojnë si osteoblastet, edhe osteoklastet (që prishin kockën e vjetër).

Një studim tregoi se ekstrakti i polifenoleve të kumbullës së tharë ka penguar stresin oksidativ të shkaktuar nga përgjigja inflamatore ndaj lipopolisaharidit, një endotoksinë që shkakton dëmtime qelizore dhe diferencimin e osteoklasteve. Studimi befasues i Departmentit të Epidemiologjisë, Universiteti i Jugut, Florida tregoi se në mënyrë të ngjashme, resveratroli i rrushit të kuq frenoi aktivizimin e osteoklasteve që prishin kockat. Polifenolet e çajit të gjelbër mund të ofrojnë mbrojtje në gjendjet e inflamacionit kronik . Provat në minj  treguan se epigallocatechin dhe epikatekin zbutën humbjen e masës së kockave të nxitur nga inflamacioni dhe veçanërisht, ruajtën masën dhe strukturën e kockave të femurit. Është e rëndësishme të theksohet se dozat e përdorura të flavonoideve në kumbull, resveratrol dhe çajin e gjelbër ishin farmakologjike (të larta).

Kosi vjen me dy dhurata për kockat…

Formula e Pauling shëron jo vetëm arteriet, edhe kockat

Dr. Susan Brown nga Qendra për Kocka Më të mira thekson se aminoacidet, të cilat janë blloqe ndërtimi të proteinave dhe kalciumit ndihmojnë për të shëruar eshtrat e thyera. Ajo thekson se aminoacidet që gjenden në kos, si lysine dhe glutamine, rrisin absorbimin e kalciumit dhe përqëndrimin e tij në kocka. Përveç kësaj, kalciumi në dietën me kos është thelbësor për shërimin e kockave. Por ushqyesi esencial për kockat e shëndetshme tek kosi është lysine, amino-acidi i treguar nga shkencëtari Linus Pauling si mjaft i rëndësishëm për shërimin e enëve të dëmtuara të gjakut. Lysine ndërton kolagjenin. Studiuesit e ‘Institute of Medical Pathology, University of Siena, Italy’ provuan efektin e 400 mg L-lysine në 15 gra të shëndetshme dhe 15 të tjera me osteoporozë dhe rezultuan se se aminoacidi L-lysine rrit absorbimin (thithjen) e kalciumit nga zorrët dhe përmirëson ruajtjen e kalciumit të ricikluar nga veshkat. Vitamina C është një lojtar kyç edhe ajo në prodhimin e kolagjenit, punon bashkë me lysinen dhe është thelbësore për shërimin e kockave. Kosi do të ndihmojë për të mirëmbajtur shëndetin e kockave, por një suplement shtesë Vitaminë C+ Lysine do të japë një rezultat edhe më të madh, sidomos në rastet e frakturave.

Një polifenol mbrojtës tek ulliri dhe majdanozi

Një përbërës i përbashkët në ullinj dhe në majdanoz pengon humbjen e kockave në minj. Një studim i Departamentit të Inxhinierisë Biomjekësore të Universitetit Yokahoma, Japoni, tregoi se apigenin që gjendet në këto dy ushqime ka efekte fiziologjike në zbutjen e sëmundjeve si osteoporoza. Studiuesit provuan se polifenoli i ullinjve dhe majdanozit ndaloi osteoblastogjenezën dhe osteoklastogjenezën dhe shtypi humbjen e kockave trabekulare në femuret e minjve. Majdanozi është parë në studime të tjera veçanërisht efektiv kundër artritit reumatoid. Komponimet e tij, flavonoidet si beta-karoten bashkë me vitaminën C posedojnë veprim anti-inflamator që ndihmon në kontrollin e artritit. Konsumi i rregullt besohet të përshpejtojë procesin e heqjes së acidit urik, i cili është i lidhur me simptomat e përdhesit, artritit metabolik.

Fara e zezë mbron nga osteoporoza, minjtë që kanë hequr vezoret

Një studim nga Departamenti i Fiziologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti Ain Shams, Kajro tregon se Osteoporoza paraqet një çështje të rëndësishme të shëndetit publik. Eshtë një çrregullim skeletor i karakterizuar nga forca e kompromentuar e kockave, që predispozon për rritje të rrezikut të frakturës. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis mungesës së estrogjenit pas menopauzës dhe zhvillimit të osteoporozës. Rreth 33% e grave mbi 50 vjeç do të pësojnë fraktura të kockave si rezultat i osteoporozës. Nigella Sativa (NS) është treguar se ka efekte të dobishme në sëmundjet e kockave dhe nyjeve. Studimi i tanishëm u krye për të sqaruar efektin mbrojtës të Nigella Sativa në osteoporozën e prodhuar nga ovariektomia (heqja e vezoreve) tek minjtë.

METODAT: Minjtë femra të moshës 12-14 muaj u ndanë në tre grupe: një grup kontrolli, një grup që iu hoqën vezoret dhe një grup i tretë që iu hoqën vezoret dhe iu dha nga goja fara e zezë. Pas 12 javësh, studiuesit matën nivelin plazmatik të kalciumit (Ca (+2)), fosforit (Pi), fosfatazës alkaline (ALP), të kolagjenit tip 1, faktorit të nekrozës ë tumorit-α (TNF-α), dhe interleukin-6 (IL-6). Minjve iu bë ekzaminimi histologjik i mëlçisë. Rezultatet treguan një rënie të konsiderueshme në plazmë të Ca (+2), të shoqëruar nga një rritje e konsiderueshme në plazmë të ALP, kolagjenit tip 1 telopeptid, TNF-α dhe IL-6. Këto ndryshime u përmbysën nga trajtimi i minjve me farën e zezë (Nigella Sativa) dhe këta tregues ishin të ngjashëm me grupin e minjve që nuk bënë ovariektomi.

Ekzaminimi histologjik i tibias zbuloi trabekulat e kockave të gërryera në mënyrë të pandërprerë me hapësira të zgjeruara të palcës kockore në minjtë që hoqën vezoret dhe nuk morën farën e zezë, shoqëruar me një rënie të konsiderueshme në trashësinë e kockave kortikale dhe trabekulare, në krahasim me minjtë e shëndetshëm. Këto parametra u kthyen dukshëm në minjtë që bënë ovariektomi, por që morën edhe farën e zezë. Madje, minjtë e grupit që iu nënshtruan heqjes së vezoreve dhe nuk morën farën e zezë, patën probleme serioze edhe në mëlçi. Ekzaminimi histologjik i mëlçisë tregoi infiltrim qelizor mononuklear dhe bllokimin e enës së gjakut vena-porta, një enë mjaft e rëndësishme kryesore që furnizon mëlçinë me gjak. Kjo pasojë nuk ndodhi me minjtë që pësuan të njëjtën kirurgji por që morën farën e bekuar. Studiuesit mendojnë se efektet mbrojtëse të nigella sativas i detyrohen acideve yndyrore të pangopura si dhe vetive antioksiduese dhe anti-inflamatore të farës.

Një tjetër studim botuar në Pubmed dhe i përgatitur nga Universiteti i Turqisë, Departamenti i Kirurgjisë Orale dhe Maksilofaciale në bashkëpunim me departamente të tjera, avancon më tej përfitimet e Nigella Sativas për kockat. Jo vetëm mbron kockat nga osteoporoza, por madje ndihmon në shërim. “Aplikimi sistematik i ekstraktit të farës nigella sativa demonstroi efekte tepër pozitive në shërimin e zgjeruar të kockave në modelin eksperimental osteoporotik” thonë studiuesit.

Refleksion nga Denisa Kona:

Mekanizmat që japin studiuesit mbi mënyrën se si i kryejnë efektet mbrojtëse substanca të ndryshme të natyrës, pothuajse konvergojnë të gjitha në: veprim anti-inflamator dhe veprim anti-oksidant. Kjo riprovon argumentin gjithnjë e më të fuqizuar nga shkenca e re, se shkaku i pothuajse të gjitha sëmundjeve është zjarri i inflamacionit dhe stresi i lartë oksidativ, që çon në prodhimin e radikaleve të lira, disa prej të cilave, specie mjaft reaktive të oksigjenit, pra, mjaft dëmtuese. Kjo nënvizon rëndësinë e një diete anti-inflamatore dhe anti-oksidante, krahas dendësisë në lëndë ushqyese. Nëse një dietë i ka të trija këto, ajo pothuajse ka gjithçka që i duhet trupit të njeriut për t’u furnizuar dhe riparuar.

Të gjithë faktorët e tjerë jashtë-ushqimorë, si stresi i madh fizik dhe mendor, helmet, toksinat, infeksionet e çdo lloji, sado të ndryshëm që janë, në fund të fundit takohen në një pikë: Që të gjithë shkaktojnë stres oksidativ të lartë dhe inflamacion të lartë. Prandaj dietat anti-inflamatore dhe anti-oksidante si dhe suplementet anti-oksidante së bashku me ato ushqyese, janë përgjigja për të gjitha shkaqet e dëmtimeve qelizore dhe zgjidhja universale.

editor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *