“U plaksh bukur!”, siç thotë francezi. Por si?

Denisa Kona
A besoni ju tek Mjekësia Anti-Plakje? A besoj unë tek Mjekësia Anti-Plakje? Përpiqem të besoj, por shkenca ende nuk na e ka provuar, se mund ta sfidojë efektin kohë. Nëse plakja do të ngadalësohej, jeta do të zgjatej e nëse plakja do të zhdukej, do të jetonim në Përjetësi. Kush e di, ndoshta ndonjë ditë….
Por sot për sot, ajo pjesë që unë besoj tek Mjekësia Anti-Plakje, është pjesa që i takon asaj që vjen, jo asaj që shkoi. Une besoj se ka produkte natyrore, kozmetike, mënyra jetese, mënyra të menduari etj, që ndihmojnë që procesi i moshimit të jetë disi më i ngadaltë, që rrudhat të shtohen më ngadalë, degjenerimi gjenetik i lidhur me sëmundjet e moshës të ndodhë pak më ngadalë e më butë etj. Por çfarë ka shkuar, nuk kthehet më. I vdekuri nuk ngjallet, qelizat e vdekura nuk ngjallen.
Institucionet zyrtare në Amerikë në fushen e shëndetit nuk e kanë miratuar Akademinë Anti-Plakje dhe as Mjekësinë Anti-Plakje si një disiplinë. S’mund të them se pajtohem me këtë qëndrim radikal, që në fund të fundit, çmobilizon ëndrrën e njerëzimit, për të luftuar me pasojat e Kohës.
Por, gjetkë ‘më rreh çekani’. E kam me MASHTRIMIN E MADH, me industrinë kozmetike. Fotot e ndryshimeve që na servir kjo industri janë punime kompjuterike. Kjo industri luan me ndjenjat e miliona burrave dhe grave, që vuajnë humbjen e imazhit të rinisë. Shikoni! Të tërë plaken, shkencëtarë, klinicistë të mëdhenj, herbalistë të mëdhenj. Ata i dinë gjërat që punojnë, e megjithatë, kur ata plaken, ju shpresoni se nuk do të plakeni dhe do t’ia dridhni kohës?

Mjekësia Anti-plakje dhe Industria kozmetike nuk janë e njëjta gjë
Mjekësisë Anti-Plakje nuk mund t’i vihet shenja e barazimit me Industrinë Kozmetike. Mjekësia Anti-Plakje nuk kërkon të zhdukë rrudhat, sepse procesi i plakjes është proces natyror. Njerëzit e Mjekësisë Antiplakje janë shkencetarë dhe ata nuk ia lejojnë vetes të lajthisin. Ata e dinë se tjetër është procesi i shërimit dhe tjetër procesi i plakjes. Trupi i njeriut ka aftësi vetëshëruese në të gjitha moshat. Lëkura e njeriut dhe jo vetëm lëkura, kanë mekanizma që të shërojnë një prerje, plagë, djegie, hematomë etj, por jo të heqë një rrudhë. Trupi i njeriut ka mekanizma të fortë vetëshërues, por nuk ka mekanizma të kthejë moshën mbrapsht. Ja, kush nga ju mund të bëhet prapë 10 vjeç? As edhe një vit më i ri. Edhe pse një ndryshim në peshën trupore, një gjendje shpirtërore e gëzuar, një veshje e përshatshme mund të bëjë të dukemi një moment më të rinj se disa vjet më parë. Ky është një moment dhe zhduket, sapo ndryshon të themi veshja, krehja, shëndeti apo humori.
Disa gra besojnë tek produktet e tyre të bukurisë. Sigurisht, ato mund të jenë të këndshme, aromatike, ta mbajnë lëkurën me ndjesi freskie, sidomos nëse produkti ka pak nenexhik, ta mbajnë të lagështuar edhe të ushqyer, sidomos nëse ka pak vaj kokosi apo vitaminë E dhe C, ta rigjenerojnë më shpejt, nëse produkti ka pak kufilmë….POR….ASGJE NUK KTHEHET PAS! Edhe kur duket se një produkt i ka zbehur rrudhat, nuk është efekt i qendrueshëm, është një ngopje momentale, një mbushje apo hidratim, që sapo shkëputet burimi, shfryhet ‘tullumbacja’ dhe del e rrudhur siç ishte.
Dhe që t’i kthehem edhe njëherë mashtrimit të Industrisë Kozmetike, ata duan monopolin e rinisë së lëkurës (pamjes), por nuk interesohen për ‘rininë e brendshme’, rininë e organeve, shëndetin e tyre, ushqyerjen e tyre. Mirëpo burimi i vërtetë i rinisë dhe i pleqërisë, lëkurës nuk i vjen nga jashtë, por i vjen kryesisht nga brenda. Lëkura jonë nuk është kaq e thjeshtë si një copë beze që kur rri në diell ose kur e zë i ftohti, vjetërohet më shpejt. Faktorët mjedisorë ku futet klima, ndotja mjedisore, kimikatet, kremrat e bukurisë ….me veprimin ose mosveprimin e tyre mbi lëkurë japin një ndikim të pamohueshëm. Por lëkura jonë është shumë herë më e lidhur me faktorin gjenetik, me faktorin kohë (moshë), me faktorin meditim, me faktorin ushqim, me faktorin gjumë dhe sport.
E pra, duhet të na i thotë industria kozmetike këto, se nëse ke trashëguar një gen që lëkura jote të plaket më ngadalë, mund të jesh më pak e rrudhur se shoqet e tua, edhe pse nuk ke përdorur krem.
Industria kozmetike duhet të na thotë, se ushqimi kryesor, lëkures nuk i vjen nga kremi, por nga ushqimi. Lagështimi kryesor nuk i vjen nga kremrat hidratues, por nga uji i bollshëm i pastër, mbrojtja nga rrudhat nuk i vjen aq duke perdorur kremra antirudhë, sesa të shmangësh diellin e tepërt, sidomos daljen në diell pa syze.
Industria kozmetike pretendon produkte mrekullibërëse me kërmij, zhaba e iriqa, por nuk na thotë se vuajtjet shpirterore, mundimet fizike, dhimbjet e sëmundjeve, janë ato që humbasin tonin e muskujve në të gjithë trupin dhe sidomos të fytyres, ku dhembja gjen shprehjen e saj më të qartë.
Industria kozmetike nuk na thotë, se ne kemi në dorë faktorë më të mirë sesa kremrat e saj me çmime abuzive (kremra apo aroma me të njëjtat përmbajtje bimësh psh, janë shumë më të lira kur shiten si produkte shëndeti sesa si produkte kozmetike). Nuk na thotë kjo industri lakmitare, që shet PREMTIMIN për produkte rinie, jo vetë rininë, se faktori meditim është më i rëndësishëm, sepse gjatë kësaj kohe në organizëm ngadalësohen proceset e plakjes dhe koha sikur ngec. Dhe nuk na thotë se ndjekja e pasioneve, hobeve edhe atyre të papërmbushura në rini, të luajturit në instrument në vitet e shtyra janë ‘kremra’ më të mirë antiplakje. Industria kozmetike nuk na thotë, që kremin pa gjumin hidhe në kosh, sepse është gjumi, koha kur trupi prodhon me shumicë kolagjenin dhe kjo ndodh para orës 1-2 të natës. Dhe nuk ka asnjë mekanizëm të jashtëm, as produkte kolagjeni, që të bëjnë atë që bën trupi vete për të prodhuar kolagjenin.

Industria kozmetike merret me rrudhat tona mbi ballë, jo me mendimet që i kanë shkaktuar ato, merret me rrudhat në duar, jo me punët e rënda e të ashpra që i kanë shkaktuar ato, merret me rrudhat në sy, jo me efektin lexim, diell, gjestikulacion….Kozmetika rri në sipërfaqe, kur gjërat shkojnë shumë thellë. Ajo është sipërfaqësore, prandaj nuk i besoj asaj.

 Rinia dhe jetëgjatësia e organeve tona qëndron tek kremrat 

Përfundimi: Përdorni produkte kozmetike, nëse paratë nuk janë problem për ju, por më mirë përdorni fruta, perime e vajra të mirë si ushqim, përdorni për lëkurën ushqyes natyralë si psh, vaji i ullirit, përdorni vazelinën kundër tharjeve të të ftohtit dhe kundër rrudhave, që siç më ka treguar dermatologu Mikel Nakuçi, është më e mirë se çdo krem kozmetike, mbani nga një vazo aloe dhe përdorni xhelin e saj, krem i gatshëm nga fabrika e natyrës, përdorni bimët medicinale dhe frutat e pyllit- antioksidantë të fuqishëm që punojnë për shëndetin dhe për ngadalësimin e plakjes së brendshme e të jashtme, përdorni dyllin e bletës, një ushqyes i provuar i lëkurës dhe i lirë, merrni një CoQ10 si një nga bazat e mjekësisë- antiplakje, përdorni eëzat me kapacitet të lartë ORAC si karafil, kanellë, rigon etj, përdorni shafranin e Indisë në lëkurë dhe në pjatë, që ka një efekt epigjenetik, hani arra, fara luledielli, bajame të merrni yndyrnat që i duhen çdo qelize të trupit dhe qelizave të hipodermës, pini çaj mali si një nga bimët më të fuqishme anti-plakje sipas studimeve zbuluar nga Molla, merrni vitaminë C në doza ‘të paarsyeshme’ sipas mjekëve, por të domosdoshme për të prodhuar kolagjenin dhe për të bërë të mundur çdo lloj shërimi (sepse raca njerëzore ka pësuar një modifikim gjenetik dhe vuan nga hipo-askorbemia, dmth, vitamina C e ulët). Përdorni çajrat relaksues për të ulur stresin, sepse hormonet e stresit çojnë në plakje të parakohshme, përdorni çaj borziloku, lavande, bliri, alpin, bar blete, lule murrizi etj),…Merrni diell në mënyrë të arsyeshme ose Vitaminë D shtesë, sepse hulumtimet laboratorike kanë treguar bindshëm, se vitamina D mbron lëkurën kundër efekteve të rrezikshme të agjentëve të ndryshëm që nxisin plakjen e lëkurës, duke përfshirë rrezatimin ultravjollcë (UV)….Vallëzoni, dëgjoni muzikë, luani në instrumenta, dashuroni, luani me fëmijët, shijoni gjërat si fëmijët, merruni me kopshtari sado pak minuta, merruni me sport ose shëtitje, merrni suplemente vitaminash…lini duhanin, sheqerin, inatin…mos merrni hormone shtesë si kapsula dhe si kremra që të shtyni pleqërinë, por pranojeni plakjen çdo ditë pa u mërzitur, me rrudhat dhe me thinjat që shtohen.

Dhe së fundi, një propozim: Nderojini të moshuarit sepse kjo do t’ju kthehet në benefit. Nëse ju shikoni me përbuzje thinjat dhe rrudhat e moshës, nëse njerëzit e vjetër nuk ju duken të bukur e të rëndësishëm, ju do ta vuani më shumë procesin tuaj të plakjes, duke menduar se po bëheni i papëlqyeshëm nga të tjerët dhe i papranuar.  Duke pranuar dhe pëlqyer njerëzit në çdo moshë, do ta keni më të lehtë të ‘përtypni’ veten tuaj duke u plakur. E nëse sot ju duhet diçka për t’u krenuar, gjeni diçka tjetër, në vend se bukurinë dhe fuqinë e rinisë.

MOLLA E SHENDETIT, GAZETA REVOLUCION NE LAJMET E SHENDETIT

 

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *