A është bulmeti vërtet i keq ndaj viruseve të gripit dhe COVID-19?
Këtu çmontohen thashethemet që qarkullojnë në internet, informacionet e rreme nga ofrues të papërgjegjshëm të informacionit. Një lutje për lexuesit tanë: Mos shpërndani asnjë informacion shëndeti, pa marrë vlerësimin tonë si një lajm i vërtetë.

Shumë njerëz mendojnë se, meqenëse një gjë, rrjedh prej një gjëje tjetër, ato të dyja kanë të njëjtën përbërje dhe të njëjtën dobi ushqyese dhe shëndetësore. Ata mendojnë me habi, konfuzion dhe deri mosaprovim, se përse qumështi të jetë i keq dhe kosi i mirë, kur kosi bëhet po nga qumështi?! …
Për krahasim do të perifrazoja thënien e herbalistes amerikane, gruas së urtë Susun Weed, e cila thotë: “Soja është ushqimi më i keq në botë. Soja e fermentuar është ushqimi më i mirë në botë”. Populli ynë ka shprehjen: “Nga ferra mbin trëndafili!” Sigurisht qumështi vjen nga kosi, por procesi e fermentimit ndryshon formulën kimike dhe rrjedhimisht substancën. Këtë e dinë mirë kimistët, sesi një ndryshim i vogël i lidhjes molekulare, e kthen një ushqim të vlefshëm, në të dëmshëm dhe ndryshon vetitë e substancave.
Kosi është një ushqim me një status shumë të veçantë. Kur hamë kos, nuk marrim thjesht ushqyes, si kalcium, proteina, vitamina etj. Por hamë mbi të gjitha mikroorganizma të gjallë. Ne hamë baktere të mira që quhen PROBIOTIKË (pro-bios, pro jetës). Prania e tyre në kos është pika më e fortë e këtij nënprodukti të qumështit, që e bën një ushqim unik. Përmes kosit ne marrim bakteret e mira të cilat marrin pjesë në formimin dhe ruajtjen e imunitetit mukozal në zorrë dhe të florës bakteriale (mikrobioma si njihet ndryshe).
Rëndësia e kosit është e veçantë edhe kur vjen fjala tek infeksionet, sepse sistemi imunitar është i vendosur kryesisht në zorrë dhe përcaktohet në një masë të madhe nga kolonitë e mikrobeve të ndryshme në zorrë. Kosi ndihmon për të pasur një mikrobiomë të larmishme, të ekuilibruar, pa lejuar të shumëzohen në mënyrë patologjike mikrobe të tjera batkeriale, apo edhe kandida (myku).
Prandaj unë do të rekomandoja fuqimisht që të hani kos. Hani kos, mundësisht 2 gota plot me kos çdo ditë.
A do të ndihmonte kosi në rastin e Koronavirusit?

Përse jo?
Nëse probiotikët janë zbuluar efektivë në çaktivizimin e viruseve të ndryshme, ata mund të jenë po aq efektivë edhe ndaj COVID-19. Unë ju ftoj që me një gotë kos në dorë, të lexoni artikullin e postuar në websitin tonë https://upfla.re/8254-2/ “Probiotikët dhe paraprobiotikët në infeksionin viral”. Kini durim dhe lexojeni me vëmendje. Sepse kur lexoni studime të mira, ju bëheni të fortë dhe të pamanipulueshëm. Kjo quhet pilula “Molla e Shëndetit”.
PO GJALPI? A ËSHTË GJALPI I NDALUAR NË PERIUDHË EPIDEMIE VIRALE?

Ndërsa kosi është i mirë në një mënyrë për zorrët, gjalpi duket se është i mirë në një mënyrë tjetër. Gjalpi është një ushqim eksplicit për përmbajten e acidit buturik nga edhe ka marrë emrin anglisht (butter).
Gjalpi në sajë të përmbajtjes së acidit buturik nga rrjedh byturate, merr pjesë në imunitetin e zorrëve, zbutjen e acarrimeve të epitelit të zorrëve si dhe në mbrojtjen e tyre. Nga të moçmit, gjyshërit tanë, kemi trashëguar përvojën e çajit të nxehtë me një copë gjalpë brenda, në rastet e gripit dhe ftohjeve, që ndihmonte për lehtësim të acarrimit të fytit, zbutje të kollës, të dhimbjeve të kraharorit dhe për shërim më të shpejtë. URTËSIA POPULLORE NUK KA GABUAR!
Buturate apo acidi buturik është i domosdoshëm për shëndetin në zorrë, e provuar nga shkenca moderne. Ai prodhohet edhe nga një grup bakteresh në zorrë, dhe në rastin e varfërimit të buturatit në zorrë kemi të bëjmë me një mungesë ose varfërim të baktereve, që prodhojnë buturate (BPB). Ky varfërim çon në disbiosi mikrobike (prishje e florës bakteriale të zorrëve). Kjo disbiosi karakterizohet nga një biodiversitet i përgjithshëm i ulët dhe një varfërim i disa grupeve mikrobike kryesore në zorrë, që prodhojnë butyrate. Butyrate ka rol kyç jetësor si një modulues i funksionit të duhur imunitar në host (pritës). Studimet kanë dëshmuar se fëmijët që nuk kanë Butyrate të prodhuar nga bakteret në zorrë (BPB) janë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes alergjike dhe Diabetit Tip 1. Butyrate ushtron një rol kryesor për mirëmbajtjen e homeostazës imune si lokale (në zorrë) ashtu edhe sistemike (përmes butyrates qarkulluese). Butyrate e gjalpit ka treguar se promovon diferencimin e qelizave rregulluese T (një nënlloj i qelizave të sistemit imunitar që rregullojnë apo modulojnë përgjigjen imunitare, duke shtypur përgjigjen e qelizave të tjera imune. Ky është një “vetë-kontroll” i rëndësishëm i vendosur në sistemin imunitar për të parandaluar reagimet e tepërta dhe sëmundjet auto-imune).
Nivelet e ulëta të buturatit në zorrë dhe në qarkullimin e gjakut mund të favorizojnë një kontroll të reduktuar të qelizave T-rregulluese, duke shkaktuar kështu, një reagim të fuqishëm imuno-patologjik të qelizave T. Nga ana tjetër, butyrati i zorrëve është raportuar të frenojë citokinat lokale pro-inflamatore. Buturati në zorrë mbron gjithashtu integritetin e barrierës epiteliale të zorrëve. Ulja e niveleve të buturatit për rrjedhojë çon në një pengesë epiteliale të dëmtuar ose jofunksionale të zorrëve.
Nisur nga kjo, ka një kuptim akoma më të mirë, se përse njerëzit që vuajnë me kandida albikans në zorrë, rekomandoj të ndjekin një rregjim ushqimor pa qumësht, të reduktuar ose pa djathë, por duke konsumuar kosin dhe gjalpin nga grupi i bulmetrave. Gjalpi duket se do të ndikojë pozitivisht në rastin e një habitati të varfëruar në disa lloj mikrobesh, që çon edhe në dëmtim të epitelit të zorrëve. Gjalpi në saj të buturates do të mbrojë epitelin e dëmtuar, prej nga candida albicans synon të hyjë në gjak.
Sistemi imunitar në zorrë dhe lidhja e tij me imunitetin në mushkëri
Edhe pse COVID-19 është i fokusuar në rrugët e frymëmarrjes, për shkak se sistemi imunitar është i lokalizuar në një masë të madhe në zorrë, gjalpi do të luajë një rol pozitiv ndihmues. Nisur nga roli i gjalpit në zorrë, unë hipotezova se ky ushqim mund të luaj një rol të tillë edhe për epitele dhe mukoza të tjera dhe kërkova studimet për ndikimin e buturates në mushkëri….
Në një studim, autorët shprehen: “Edhe pse trajtimet paliative kanë zvogëluar ashpërsinë e simptomave dhe vdekjen e pacientëve me astmë, nuk ka një regjim terapeutik aktual që mund të shërojë sëmundjen. Një kuptim më i mirë i mekanizmave të përfshirë në inflamacion ka të ngjarë të sigurojë sugjerime të rëndësishme për mënyrën e përmirësimit të trajtimit dhe madje edhe kurimin e astmës. Në këtë kontekst, është shfaqur një interes në rritje për përcaktimin e rolit të mikrobiotës dhe metabolitëve të tyre gjatë zhvillimit të sëmundjes….
Dhe më tej… “Organet mukozale siç janë zorrët dhe mushkëritë përmbajnë një koleksion të madh të baktereve dhe mikroorganizmave të tjerë, që formojnë përgjigje imune lokale dhe distale. Mënyra e lindjes (vaginale ose përmes seksionit cezarian), dieta, përdorimi i antibiotikëve dhe ambienti rrethues paraqesin disa nga faktorët që ndikojnë në diversitetin e mikrobiotës, për të cilin sugjerohet se luan një rol të rëndësishëm në ndjeshmërinë e astmës. Kolonizimi diferencial i zorreve në hershmërinë e jetës mund të ketë një rol përcaktues në këtë proces dhe diversiteti mikrobial i rrugëve të frymëmarrjes duket se shoqërohet në mënyrë të kundërt me sensibilizimin ndaj pluhurave të shtëpisë në fëmijëri….

Në përputhje me këto vëzhgime, është treguar gjithashtu se varfërimi i ndërmjetësuar nga antibiotikët, i mikrobiotës, i bën minjtë më të ndjeshëm ndaj inflamacionit të mushkërive. Sidoqoftë, jo vetëm mikroorganizmat, por edhe metabolitët e tyre janë treguar si lojtarë kryesorë në kontrollin e përgjigjeve imune. Në fakt, metabolizmi i fibrave dietike dhe prodhimi i acideve yndyrore me zinxhir të shkurtër (SCFA), të tilla si propionat dhe acetat nga mikrobiota (mikroorganizmat në zorrë, por edhe në mushkëri), është konsideruar një mekanizëm kryesor, me anë të të cilit mikroorganizmat kontrollojnë inflamacionin e rrugëve ajrore.
Gjetjet tona,- thone studiuesit,- sjellin njohuri të reja mbi mekanizmat me të cilët metabolitët që rrjedhin nga mikrobiota rregullojnë sëmundjet, duke sugjeruar që buturati qetëson inflamacionin e mushkërive, me shumë gjasa përmes një modulimi negativ të përgjigjeve imune të ndërmjetësuara nga qelizat Th9. Qelizat Th9 orkestrojnë inflamacionin alergjik të mushkërive duke promovuar rekrutimin dhe aktivizimin e eozinofileve dhe qelizave master, dhe duke stimuluar prodhimin e mukusit epitelial, i cili dihet se varet kryesisht nga IL-9…
Prandaj, butyrati duhet të konsiderohet klinikisht në trajtimin e sëmundjeve inflamatore, në të cilat shtypja e qelizave Th9 është e nevojshme.” (Front. Immunol., 29 January 2019 | https://doi.org/10.3389/fimmu.2019.00067)
MIkrobiota e zorrëve, buturate e prodhuar nga bakteret ul inflamacionin ne mushkëri
Një studim tjetër nga Universiteti i Nju Jorkut tregon se mikrobiota e zorrëve kontribuon në rezistencë kundër patogjenëve viralë dhe bakterialë në mushkëri.
“Transplantimi i qelizave burimore alogjenike (allo-HCT) ofron trajtim kurativ të një sërë malignancash hematologjike dhe çrregullimesh imunitare, por shoqërohet me një varg komplikimesh, përfshirë infeksione të rënda. Gjatë 6 muajve të parë pas transplantit të qelizave burimore nga palca e kockave, ∼ 20% deri në 30% të pacientëve zhvillojnë infeksion viral të traktit respirator, të shkaktuar nga virusi i gripit (A dhe B), virusi parainfluenza, virusi syncytial i frymëmarrjes, metapneumovirusi njerëzor, koronavirusi, adenovirusi dhe rinovirusi.
Edhe pse këto infeksione virale tek individët e shëndetshëm janë përgjithësisht të shkurtra dhe të kufizuara vetëm në traktin e sipërm respirator, ato mund të jenë të rënda dhe të përparojnë në infeksion në traktin e poshtëm të frymëmarrjes (LRTI), te pacientët që i nënshtrohen allo-HCT, duke rezultuar në një sëmundshmëri dhe vdekshmëri të konsiderueshme. Gjatë infeksionit të virusit respirator, 18% deri 44% të pacientëve me transplant zhvillojnë LRTI, me shkalla të vdekshmërisë nga 25% deri 45%, sipas disa studimeve….
Kohët e fundit, është treguar se mikrobiota e zorrëve dhe metabolitët e saj, siç janë acidet yndyrore me zinxhir të shkurtër (SCFA), mund të modulojnë inflamacionin e hostit dhe të promovojnë tolerancën imunitare ndaj një sërë patogjenësh bakterialë dhe viralë. Butyrate, i lidhur me mikrobiotën, shërben si një përbërës i rëndësishëm imunomodulues. Ky produkt i fermentimit mikrobik nga bakteret e zorrëve anaerobe rrit integritetin e epitelit të zorrëve dhe modulon tolerancën enterike kundër bashkësive mikrobike. Përveç kësaj, butyrati kontribuon në shëndetin pritës në organet e largëta si mushkëritë. Një studim i fundit tregoi se administrimi i butyrate zvogëlon inflamacionin e mushkërive dhe dëmtimin gjatë pneumonisë.
PRISHJA E MIKROBIOTËS SË ZORRËVE RRIT RREZIKUN E INFEKSIONEVE VIRALE NË RRUGËT E POSHTME TË FRYMËMARRJES
Mikrobiota e zorrëve rrezikohet rëndë gjatë tek këta pacientë, për shkak të faktorëve të shumtë, siç është trajtimi me antibiotikë dhe prishja e mukozës së zorrëve duke shtuar kimioterapinë dhe rrezatimin. Përbërja e ndryshuar e mikrobiotës së zorrëve, shumëllojshmëria e reduktuar e mikrobeve (humbja e diversitetit) dhe sundimi i zorrëve nga patogjenët bakterialë shoqërohen me një rrezik të shtuar të përhapjes bakteriale, komplikimeve pulmonare dhe vdekshmërisë.” … Si përfundim, studiuesit analizuan mostrat fekale të pacientëve dhe vërtetuan se prishja e përbërjes së mikrobiotës së zorrëve, veçanërisht zvogëlimi i baktereve të zorrëve që prodhojnë buturate, shoqërohet me rrezikun më të madh të infeksioneve virale në rrugët e poshtme të frymëmarrjes, dmth në mushkëri. Numri më i madh i baktereve që prodhojnë buturate në mikrobiotën e fekaleve rrit rezistencën dhe mbrojtjen ndaj infeksionit viral të frymëmarrjes me LRTI në pacientët alo-HCT.” (Blood. 2018 Jun 28;131(26):2978-2986. doi: 10.1182/blood-2018-01-828996. Epub 2018 Apr 19.)
Që të kthehemi më konkretisht tek ushqimet, gjalpi na jep buturaten, atë që japin edhe një grup bakteresh të mira në zorrë, funksionet e të cilit i shpjeguam më sipër, por kosi gjithashtu shton prodhimin e buturates dhe propionates në zorrë, sepse nxit shtimin e këtyre lloj baktereve të mira që i prodhojnë, ul mbiprodhimin e baktereve patogjene në zorrë dhe rregullon ekuilibrat e kolonive të baktereve të ndryshme. Studimet tregojnë gjithashtu se kosi përmirëson përgjigjet imune të lindura dhe adaptive të trupit.
Pra, ngrënia e kosit dhe e gjalpit duhet të bëhet pjesë e dietës suaj antikoronë. Persona të veçantë që kanë një ndjeshmëri ndaj kosit, ngjashëm me qumështin, që ndodh shumë rrallë, duhet të marrin suplement probiotiku.
Ju uroj shëndet të fortë
Denisa Kona, kryeredaktore e gazetës Molla e Shëndetit, eksperte në Mjekësinë Ortomolekulare