A ka nevojë trupi i njeriut për sheqer?

A ka nevojë trupi i njeriut për sheqer?

LEXUESI: A ka lindur sheqeri, sikurse ushqimet e tjera, si nevojë e shëndetit të njeriut!? Asgjë nuk merret vesh deri tani. Debat i madh, që vështirë se mund t’i vihet një “kapak”, qoftë edhe për ca kohë.

PERGJIGJE NGA DENISA KONA

Vazhdimisht do ta trajtojmë këtë çështje, derisa të gjithë të jenë qartësuar. Sheqeri është domosdoshmëri. Konsensusi është unanim nga gjithë sfondi mjekësor mbi faktin, se trupi i njeriut nuk rron pa sheqerin, qelizat e trurit vdesin të parat pa glukozën. Nëse ka konvergjenca, kjo qëndron në vendin dhe peshën që karbohidratet duhet të zënë në dietë. Për ta kuptuar këtë, ju ndihmon të sillni ndër mend situatat e hipoglicemisë, një renie e madhe e sheqerit në gjak, që u ndodh sidomos diabetikëve, për shkak të medikamenteve që marrin për të ulur sheqerin e lartë në gjak. Ndodh pak a shumë si me ilaçet e kontrollit të hipertensionit, që mund të shkaktojnë hipotension. Por ilaçet që shkaktojnë hipoglicemi jane më të rrezikshme, mund te shkaktojne koma.

Vdekja nga uria është nga mungesa e sheqerit

Një person i pangrënë nuk vdes për shkak të mungesës së lëndëve ushqyese. Në publik, vdekja nga uria perceptohet si vdekje nga mungesa e substancave ushqyese. Sigurisht, çdo lëndë ushqyese është jetike, që do të thotë se mungesa ekstreme në secilën prej tyre mund të jetë fatale. Për disa shekuj me radhë, detarët që përshkruanin udhëtime të gjata pa zbritur në tokë, vdiqën nga skorbuti- mangësia ekstreme e vitaminës C.

Për ilustrim, Në 1499, Vasko da Gama humbi 116 njerëz nga ekuipazhi i tij prej 170 vetësh. Më 1520, Magelani humbi 208 burra nga 230 gjithsej. Të gjithë nga skorbuti. Këto ekuipazhe kishin të hanin dhe të pinin shumëçka, por vdiqën për një kokërr portokall. Në anije mungonte ushqimi i freskët i gjallë që përmbante vitaminë C, ndërsa prodhimi i suplementit nuk ekzistonte.

E ndërsa ngrënia e njëanshme shkakton mangësi në ushqyes të ndryshëm, të pangrënët për një kohë mund të rezultojë fatale, për shkak të rënies së sheqerit në gjak. Është sheqeri urgjenca e trupit, më parë se substancat ushqyese. Një person do të duhej më tepër kohë të vdesë nga mungesa në vitaminë C, A, B… , zink, hekur, magnez etj etj etj. por vdes më parë për shkak të rënies drastike të niveleve të sheqerit në gjak. Sheqeri është një nevojë më emergjente për jetën dhe vjen pas ujit ose bashkë me ujin dhe me kripën. Natriumi është gjithashtu thelbësor për ekuilibrin e lëngjeve dhe homeostazën qelizore. Claude Bernard ishte i pari që theksoi “intierieur milieu”.

Në dekadat e fundit, ka pasur një punë të jashtëzakonshme duke eksploruar natriumin dietik dhe shëndetin. Hiponatremia është serioze, mund të vijë nga probleme të ndryshme, si dështimi i zemrës, sëmundje të mëlçisë etj, por mund të vijë edhe nga ushtrimet, aktiviteti i madh fizik humbet kripën përmes djersitjes. Nuk përjashtohet ndonjë hiponatremi nga një dietë ekstreme e ulët në kripë apo ka kripë, edhe pse e pazakonte…

Personave në gjendje kritike për jetën, madje edhe pacientëve me kancer, duke paradoksale, por u bëjnë serum që përmban edhe sheqer, edhe kripë (natrium). Në disa raste, për shkak të kancerit që përdor shumë sheqer, pacientët e kancerit kalojnë në hipoglicemi. Ose ndodh mbiprodhimi i insulinës (nga insulinomat ose tumoret që prodhojnë insulinë ektopike), pra këto janë ndërlikime në malignanca (kancere). Dhënia e glukozës në serum nuk do të zgjidhë problemet themelore, por do të evitojë një moment rreziku të afërt nga koma hipoglicemike.

Ne flasim që dy bardhat, kripa dhe sheqeri janë dy helme. Në fakt, ato janë të tilla vetëm në tepricë. Pra, helmi është çështje doze. Por, a besoni se do të kishte gabuar Perendia, kur e mbushi tokën me ujë të kripur dhe gurë kripëzues? Apo që e mbushi Kopshtin e Edenit me pemë të ëmbla? ……………………..Përgjigja është JO!

Perëndia bëri çdo gjë ashtu si do të përdorej nga trupi i njeriut, që ky të funksionojë sipas Projektit të Krijimit. Me të vërtetë Perëndia futi brenda në ushqime, krahas substancave ushqyese, edhe substanca jo ushqyese, por me role të tjera. Disa psh i bëri substanca anti-oksiduese, disa anti-inflamatore, disa anti-alergjike, disa- antilipidemike, disa anti-kancer, anti-mykotike, anti-bakteriale, anti-virale, anti-trombotike etj….Dhe mes substancave të pafundme që krijoi dhe futi në ushqime, bëri edhe sheqerin (glukozën si prodhim ekskluziv i bimëve).

Sheqeri nuk është ushqim. Ai gjendet në ushqime, por vetë nuk është substancë ushqyese, nuk është as vitaminë, as mineral, as acid yndyror apo aminoacid. Por është karburant, është energjia që i duhet qelizave për të punuar. Pa sheqer, i pari ndalon truri pasi qelizat e trurit janë konsumatoret më të mëdha të 70% të sasisë së sheqerit, edhe më shumë sesa qelizat e muskujve. Sheqerin i pari e merr truri dhe pastaj çfarë mbetet për qelizat e tjera.

Pra, ekzistenca e sheqerit në botë nuk është një gabim dhe nuk është jashtë Projektit të Krijimit dhe funksionimit të trupit të njeriut.

Një argument më tepër: Perëndia na ka dhënë shqisën e të shijuarit të të ëmblës. Vetë ekzistenca e kësaj shijeje tregon se ushqimi i ëmbël është krijuar për t’u shijuar, ushqimi i ëmbël është krijuar për t’u konsumuar. Ushqimi i ëmbël është një dëshmi më tepër, se jeta është e ëmbël. Shijimi i së ëmblës, na është dhënë për të falenderuar Perëndinë për shijet që na dha për kënaqësinë tonë. Ushqimi i ëmbël është ushqimi i parë i njeriut në tokë. Në Parajsë rriteshin vetëm fruta dhe frutat kanë sheqerna natyralë. Nëse sheqeri do të ishte i panevojshëm për shëndetin e njeriut, Perëndia do të kishte qenë duke bërë një gabim të madh, duke krijuar kaq shumë fruta joshëse, me ngjyra, aroma dhe shumë ëmbëlsi. A ka gabuar Perëndia?

Jo! Gabimin e ka bërë njeriu!

MANIPULIMI I SHEQERIT, NJË NGA MËKATET MË TË RËNDA TË NJERIUT

Gabimin e ka bërë njeriu, i cili ngriti industrinë ushqimore për të ndryshuar dhe modifikuar strukturën e sheqerit dhe duke krijuar sheqerna artificialë. Në fakt, Amerika përdor për ta, emërtimin ‘ëmbëlsues artificialë’ pasi emrin sheqer e përdor vetëm për sheqerin e tryezës, saharozën. Veprimi i sheqernave artificialë nuk është i njëjtë me veprimin e sheqernave natyralë. Studimet kanë vërtetuar se këto lloj ëmbëlsuesish që u reklamuan në fillim si ‘me kalori të ulëta’, në fakt, shkaktojnë mosfunksionim metabolik, pankreatit dhe deri kancer të pankreasit dhe të mëlçisë.

Shurupi i misrit me fruktozë të lartë, një ëmbëlsues i bërë nga niseshte misri është nga më të përdorurit në industrinë ushqimore dhe njëherësh nga më të rrezikshmit për të shkaktuar obezitet, diabet, sëmundje të mëlçisë etj. Ky ëmbëlsues artificial dëmton mitokondritë e qelizave të mëlçisë. Studimet tregojnë se edhe sheqeri i thjeshtë i tepërt, shkakton mosfunksionim mitokondrial, që do të thotë se bën të mos funksionojnë qendrat e prodhimit të energjisë në qeliza, mitokondritë. Paradoksalisht!

SHEQERI, KUR KTHEHET NGA BURIM ENERGJIE, NE SHTERRUES ENERGJIE

Sheqeri, ky karburant kryesor për prodhimin e energjisë ATP në mitokondri, i cili bën të mundur që nga çdo molekulë sheqeri të prodhohen 30 molekula ATP (energjie), pikërisht kur konsumohet me tepri, që vjen nga konsumi i sheqerit të shtuar ( jo i ushqimeve që e përmbajnë natyrshëm si frutat dhe perimet) shkakton dëmtim të mitokondrive. Dhe kjo është arsyeja, që diabetikët dhe njerëzit që konsumojnë tepër ëmbëlsira nuk janë më shumë energjikë se të tjerët (edhe pse po marrin më tepër karburant), por përkundrazi, janë të lodhur, të përgjumur.

Ashtu si zjarri djeg oksigjenin dhe largon dioksidin e karbonit dhe ujin, mitokondritë e qelizave veprojnë si furra kur shndërrojnë glukozën në trifosfat adenosine (ATP). Ato “djegin” (përdorin) oksigjenin dhe heqin dioksidin e karbonit dhe ujin. Për shkak se procesi përdor oksigjen, thuhet se është aerobik (si në ushtrimin aerobik).

Në mitokondri, kryhet metabolizmi i sheqernave dhe energjia e lëshuar shfrytëzohet aq me efikasitet, saqë prodhohen rreth 30 molekula ATP (energjie) për secilën molekulë të glukozës të oksiduar.

Por në rast se mungon oksigjenimi? Ndodh që vetëm 2 molekula ATP prodhohen për çdo molekulë të glukozës. Në mungesë të oksigjenit të mjaftueshëm për qelizat, energjia prodhohet në kushtet anaerobe. Ky është procesi i glikolizës, ku glukoza shndërrohet në piruvate dhe ku lëshohet më pak se 10% e energjisë totale të mundshme në dispozicion nga glukoza. Në sajë të sheqerit, trupi mund të përftojë më tepër energji kur merr niacinë (vitaminë B3) e cila është mjaft e rëndësishme për prodhimin e ATP.

Prandaj është mirë, që kur merrni niacinë, të hani psh edhe një frutë. Ky shpjegim demonstron qartë dhe përfundimisht rëndësinë e madhe që ka glukoza në prodhimin e energjisë qelizore. Pa energji, qelizat ndalojnë së punuari, pa energji qelizat nuk mund të kryejnë proceset pastruese, riparuese dhe ndërtuese, nuk mund të ndahen. Shkurt, nuk kryejnë dot detyrat specifike që kanë. Sigurisht që energjia vjen edhe nga yndyrnat dhe proteinat, por rruga e transformimit të tyre në energji është më e komplikuar, kërkon faktorë shtesë enzimatikë, prandaj energjia nga karbohidratet është e preferuara e qelizave.

 

E megjithatë, sheqeri i tepërt, apo ëmbëlsuesit artificialë, si shurup misri i lartë në fruktozë, sidomos kur konsumohen në kombinim me një dietë me shumë yndyrna të dëmshme, dëmtojnë funksionin dhe madhësinë e mitokondrive. Kjo rezulton në çrregullim metabolik dhe ulje të oksidimit të acideve yndyrore (mosdjegia e yndyrës dhe akumulimi i saj në shtresa dhjamore dhe si kolesterol në gjak).

UDHEZIMET DIETIKE KONTRADIKTORE: ‘KUFIZONI FRUTAT SE KANE SHEQER’, ‘SHTONI FRUTAT SE KANE ANTIOKSIDANTE’….

Studimet demonstrojnë rëndësinë e minimizimit të marrjes së sheqernave të shtuara në dietë, veçanërisht fruktozës. Udhëzimet Dietike 2015-2020 për amerikanët rekomandojnë konsumimin e më pak se 10% të konsumit ditor të kalorive nga sheqernat e shtuar. Në një dietë me 2000 kalori në ditë, kjo përkthehet në më pak se 200 kalori ose 50 gr sheqerna të shtuar, mbi 3 lugë gjellë. Ky rekomandim përfshin kufizim edhe të disa frutave të pasura në fruktozë si mollë, qershi, rrush të thatë.

Të gjitha frutat përmbajnë fruktozë, por në sasi shumë më të ulët, sesa ëmbëlsuesi i krijuar nga industria. Eshte e veshtire qe nga konsumi i frutave te marresh fruktoze te tepert, ashtu si nga embelsuesit industriale. Nga ana tjeter, sheqeri brenda frutave eshte brenda nje matrice kimike, qe kundershton ngritjen pikiate te sheqerit ne gjak. Sepse frutat kane fibra, kane vitamina B kompleks, kane vitamine C, kane acide organike, kane flavonoide anti-glicemike.

Unë do t’ju thosha se rekomandimi per kufizim te frutave ‘sepse kane sheqer’ është absurd dhe bie në kundërshtim me rekomandimin tjetër zyrtar, që nxit popullsinë të konsumojnë sa më shumë fruta, minimalisht 5-7 porcione në ditë fruta dhe perime dhe idealisht, 10 porcione në ditë.

Të rekomandosh kufizimin e frutave sepse kanë fruktozë, në një kohë që ato janë burimi kryesor i antioksidantëvë (flavonoide, polifenole, flavonole, anthocianina etj) në dietë, kur frutat janë furnizueset kryesore të kaliumit- mineralit të zemrës, janë pastruese dhe depurufikuese të qelizave, pra të sugjerosh kufizim të frutave do të thotë të rekomandosh kundër mjaft prej përbërësve të tyre që ulin indeksin glicemik, ulin kolesterolin, ulin rrezikun për kancer, ofrojnë fibra të shëndetshme, ulin rrezikun për kapsllëk si dhe ofrojnë edhe vitamina dhe ushqyes të tjerë.

Të kërkosh të kufizosh lëngun e qershisë, vetëm pse ka fruktozë, do të thotë të shpërfillësh kiminë e plotë të këtij ushqimi. Sepse qershia ka edhe përbërës të tjerë me veprim antidiabetik. Psh një studim tregoi se 40 ml/ në ditë lëng qershie përmban 720 mg anthocianina dhe për 6 javë ka ulur në mënyrë domethënëse hemoglobinën e glukozuar *HbA1C. Studime të tjera dëshmojnë se konsumi i mollëve dhe dardhave ul rrezikun e shfaqjes së diabetit. Studimet e viteve të fundit kanë ndryshuar opinionin mbi frutat si rrezik për diabetin. Përkundrazi, studimet kanë treguar se jo vetëm risku për diabet rritet me konsum më të vogël të frutave, por gjithashtu, rriten edhe komplikacionet e diabetit. Në vendet ku mjekët rekomandojnë pacientët e tyre diabetikë të konsumojnë fruta, ishte më i vogël numri i diabetikëve me komplikacione, thoshtë një studim kinez i shfletuar kohë më parë.

Pra, këto rekomandime zyrtare për të kufizuar lëngun e qershisë apo mollët etj fruta, dhe ndërkohë që lejojnë 10% të kalorive nga sheqeri i shtuar, dmth, 50 gr = baras me 3 lugë gjelle sheqer, janë një nga këshillat më absurde dhe konfuze. Ato janë në kundërshtim me vetë shkencën që hulumton në vijimësi vetitë antidiabetike të frutave!!!!!

Departamenti Amerikan i Bujqësisë, USDA zëvendësoi MyPyramid me një ikonë të re, e quajtur MyPlate. Tani kërkesat për grupet ushqimore nuk paraqiten në formë piramide por në pjatë, pasi e bën më të lehtë për t’u kuptuar. Pjata është e ndarë si një tortë në copa të pabarabarta, ku frutat dhe perimet zënë gjysmën e pjatës. Pra, në volum, ushqimi bimor duhet të zërë vend më tepër se çdo grupim tjetër ushqimor.

Ka mjekë si Dr. Hyman, i cili thotë se 2/3 në volumin e përgjithshëm ushqimor duhet ta zënë perimet dhe frutat. Arsyet se pse iu dha një vend i rritur frutave dhe perimeve në ushqyerje, është se studimet kanë treguar se frutat dhe perimet shoqërohen me rrezik të zvogëluar të shumë sëmundjeve kronike. Dhe se frutat dhe perimet janë relativisht të ulëta në kalori dhe mund të zëvendësojnë ushqime me kalori të larta, që çojnë në shtimin e peshës.

Përbërësit e prodhimeve të pastiçerive, e domosdoshme të deklarohen!

Kthehemi tek sheqeri i tryezës. Jo aq i keq sa ëmbëlsuesit artificialë, por në rast të komsumit të shpeshtë, një keqësues i sigurt i shëndetit. Megjithatë, nëse një person ka aktivitet të madh fizik (ku përfshihet edhe seksi), ai mund të tolerojë shumë mirë, një ëmbëlsirë të vogël herë pas here. Por fruktozë shurup misri është e domosdoshme të evitohet (është pikërisht ky lloj ëmbëlsuesi industrial, që shkakton mëlçinë e dhjamosur).

Pyetja është: Si ta evitojmë të ligun?

Duke evituar ëmbëlsirat e marketeve dhe pastiçerive dhe produkte te tjera të gatshme, që përmbajnë këtë si ëmbëlsues me kosto më të ulët. Në rast se do të blini një ëmbëlsirë festive, zgjidhni një pastiçeri që i përgatit ato me sheqer tavoline, pra me glukozë, jo me shurup misri të lartë në fruktozë.

Kaq i rëndësishëm është ky fakt, saqë unë propozoj dhe kërkoj që ëmbëltoret dhe furrat e bukës duhet të jenë të detyruara të shënojnë përmbajtjen e përbërësve të çdo ëmbëlsirë- nëse përmban saharozë që është sheqeri i tryezës apo fruktozë shurup misri apo sheqerna të tjerë industrialë apo aspartame, i ashtuquajturi sheqer për diabetikë i akuzuar për nxitje të kancerit, migrenës, simptomave psikiatrike dhe neurologjike etj. Aspartame është një përbërës i detyrueshëm për t’u shënuar në etiketa në Angli apo në Kanada. Cështja është se ëmbëlsirat e gatshme janë të rrezikshme sepse përgatiten në një terren të errët të mosinformimit. Pra, praktikisht nuk di se çfarë po ha: gjalpë, margarinë, vaj palme, vaj luledielli…nuk di nëse ka ngjyra natyrale apo artificiale (i ashtuquajturi lëng luleshtrydhesh, një bojë që blejnë me kova ëmbëltoret duhet ndaluar, ose se paku, duhet deklaruar. Si dhe çdo përbërës tjetër).

E keqja më e vogël është ëmbëlsira e shtëpisë, pasi amvisat nuk përdorin asnjë lloj sheqeri industrial, por përdorim sheqer tryeze të bardhë, të verdhë dhe akoma më mirë, sheqer kaf.

ZGJEDHJE DHE ZGJIDHJE: SI TA EKUILIBROJMË SHEQERIN NË DIETË?

Sheqeri nuk është i keq. Ai është jetik. Por teprica e tij që e marrim përtej nevojave të organizmit, është vrasës. Aq sheqer sa ka futur Perëndia në ushqime, është e nevojshme dhe e mjaftueshme. Problemi është se ne e kalojmë masën, ne jemi të mbidozar nga sheqeri i ëmbëlsirave.

Një auto-pyetje është: Po sheqeri i bardhë përse u krijua, nëse nuk do të ishte për t’u shtuar në ushqime?

Sheqeri nuk u krijua në atë formë të përpunuar, të rafinuar, nga Perendia. Kemi të bëjmë sërish me ndërhyrjen e njeriut. Në kohët e vjetra, njerëzit nuk përdornin sheqer, nuk kishte dalë ende në skenë industria ushqimore që të nxirrte sheqerin nga kallami i sheqerit dhe nga panxhari i sheqerit. Melasa psh, shurupi që del nga kallami i sheqerit, është më pak i dëmshëm sesa sheqeri dhe madje ka edhe disa përfitime. Melasa ka ushqyes, sidomos minerale, ndërsa sheqeri ka zero ushqyes. Me dy fjalë, sheqeri i përfshirë në prodhimet e tokës mes morisë së substancave të tjera ekuilibruese si fibra, përbërës antiglicemikë, anti-oksidantë etj. është në harmoni dhe nuk lëshohet shpejt në gjak. Është si sistem ujitjeje me pikim. Ndësa sheqeri i krijuar nga industria dhe i shtuar ne ushqime përmbyt gjakun me një shkulm sheqeri (glicemie), që ‘thyen digën’. Sot dëmet e sheqerit të tepërt janë të vërtetuara. Cështja më e komplikuar është se sa sheqer bën dëm, pra cilët janë kufijtë e ‘nderit nga qederi’. Përgjigja është relative, varet nga shumë ndryshore si mosha, pesha, gjendja shëndetësore, aktiviteti fizik etj.

Hani ëmbëlsira natyrore- qershi, mollë, shalqi, manaferra, mana, rrush, fiq, kumbulla, shegë, hurma, portokalle…hani mjalt, pini lëngje perimesh rrënjë- kryesisht karotë dhe panxhar dhe me raste mund t’i lejoni vetes ndonjë ëmbëlsirë të mirë, por pas ngrënies së ëmbëlsirës, merruni me sport ose aktivitet tjetër fizik, që të mos lejoni sheqerin në gjak që të kërcejë. Gjithashtu, sa herë konsumoni më tepër sheqer, qoftë edhe nga prodhimet e miellit, i shoqëroni me ushqime të pasura me fibra, si dhe me proteina, në mënyrë që sheqeri në gjak të mos kalojë shpejt. Konsumoni limon, uthull molle dhe erëza anti-glicemike si kanellë, karafil, fara fenugreek, shafran Indie etj. Rritni djgien e kalorive duke shpejtuar metabolizmin me erëzat nxitëse si piperi i zi dhe speci i kuq djegës.

editor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *