Mban dietë dhe i shkakton vetes aritmi. Analiza e një rasti

Mban dietë dobësimi dhe i shkakton vetes aritmi. Analiza e një rasti

Nga Denisa Kona

Lexuesja thotë: Herë pas here mundohem sikur të mbaj dietë, të ul kaloritë duke pakësuar ushqimin, si për shëndet më të mirë dhe për kontroll të peshës trupore. Mirëpo më ndodh gjithnjë aritmi, sëidomos kur lë dy vaktë bashkë pa ngrënë. Unë nuk vuaj nga ndonjë sëmundje e zemrës. As nuk marr ilapçe. Pse më ndodh kjo gjë?

I kërkova lexueses të më tregonte menunë e një prej atyre ditëve, kur ajo kufizon ushqimin dhe pëson aritmi. Ajo më tha se dje në mëngjes kishte pirë një filxhan çaj trëndafili të egër. Në drekë kishte ngrënë një supë orizi me 1 karote dhe 1 domate të mesmë të grira, plus vaj ulliri dhe 40 gr mish pule, shoqëruar me 100 gr bukë dhe 1 domate të vogël. Pasdite kishte pirë përsëri një çaj trëndafili. Në darkë kishte pirë një gotë kos dhe kishte ngrënë 1 kokërr molle. Kufizime të ngjashme ajo kishte bërë edhe në ditë të tjera.

Ky mund të quhet gjysmë agjërim (jo në kuptimin fetar) ose mund të quhet dietë dobësimi.

Nga mund të vijë aritmia e lexueses, e cila na ndjek me përgjigjen e hapur publikisht? Dy janë hipotezat:

  1. Një mangësi në mineralet elektrolite, që rregullojnë impulset elektrike të zemrës, sidomos një mangësi e dyshuar në kalium, por edhe në magnez. Mangësi që vjen për shkak të eliminimit apo kufizimit të ushqimeve që i përmbajnë këto lëndë ushqyese, më keq akoma, dhe që thellohen nëse janë mangësi të ditë- pas- ditëshme.
  2. Një çekuiliber elektrolitesh për shkak të mangësisë së rëndë ushqyese nga një anë, e ndihmuar edhe nga një humbje urinare, nga konsumi i një çaji diuretik si trëndafili i egër.

 

Një njeri duhet të marrë në ditë 4700 mg kalium. Këto janë nevojat ditore të miratuara nga Committee to Review the Dietary Reference Intakes for Sodium and Potassium (RDA- Recommended Dietary Allowance).

Le të shohim se sa kalium ka marrë lexuesja. A e ka plotësuar ajo rekomandimin për nevojat ditore që ka zemra dhe truri i saj për kalium dhe padyshim të gjitha qelizat e trupit?

Ajo ka pirë 1 filxhan çaj trëndafili të egër në mëngjes. Meqenëse 100 gr trëndafil ka 429 mg kalium, ajo mund të ketë marrë rreth 43 mg kalium nga 10 gr fruta trëndafili. Po kaq edhe nga konsumi i çajit pasdite. Ja u bënë 86 mg kalium.

I ka shoqëruar me 1 lugë gjelle mjalt, në rastin më të mirë (sepse nuk jepet si detaj) dhe meqenëse 100 gr mjalt ka 52 mg magnez, ja ka marrë rreth 20 mg magnez nga mjalti. Nga 2 gota çaji trëndafili të egër me mjalt ka marrë 106 mg kalium.

Dreka: Le te themi se ka përdorur për supën 100 gr oriz që ka 43 mg kalium. 100 gr karota (1 karotë mesatare) ka 375 mg kalium, 1 kokërr domate 150 gr ka rreth 180 mg kalium (më shumë sesa kumbullat që kanë emër). Vaji i ullirit nuk ka kalium. Mishi i pulës në 50 gr ka rreth 200 mg kalium. Supa është shoqëruar me 100 gr bukë që ka . 107 mg kalium. Gjithsej nga supa e shoqeruar me buke lexuesja ka marrë 905 mg kalium.

Në darkë, lexuesja ka konsumuar 1 gotë kos, rreth 300 gr kos me 420 mg kalium. Dhe një mollë me rreth 200 mg kalium nëse fruti ka qenë 200 gr kokrra. Kështu 620 mg kalium lexuesja i ka marrë në vaktin e darkës.

Totali i kaliumit që lexuesja ka marrë në ditë është: 106 + 905 + 620= 1631 mg. Kjo sasi kaliumi është jashtëzakonisht e ulët për të përmbushur kërkesën ditore të qelizave për këtë mineral elektrolit, sidomos kërkesën e qelizave të trurit dhe të zemres, që janë organe elektrike, siç i ka quajtur kardiologu amerikan Dr. Sinatra.

Kaliumi është quajtur ‘minerali i zemrës’, pikërisht sepse rregullon impulset elektrike të zemrës, përçueshmërinë. Një zemër mund të jetë e shëndetshme, por ndalon, kur çakordohet ritmi i saj (ka pasur ndodhi të tilla edhe në sportistë). Dieta shumë e mangët në kalium, që lexuesja kishte praktikuar, ishte shkaku i aritmisë së saj. Cajrat nga ana tjetër, duke nxitur diurezën (largimin e ujit nga organizmi) mund të kenë larguar edhe më shumë kalium, megjithëse ne nuk e dimë se sa kalium ka shkarkuar çaji i trëndafilit të egër dhe nëse kjo sasi është më tepër apo më pak, sesa sasia e kaliumit, që ky frut pylli i ka dhënë trupit.

Në rast se lexuesja do të kishte përdorur çaj majdanozi, do të kishim qenë më të sigurt se nuk ka pasur humbje në kalium, për shkak se këtë e kemi hulumtuar në studime shkencore ku caji i majdanozit krahasohej me pilulat diuretike për ulje tensioni, disa nga të cilat, përveç natriumit dhe ujit, shkarkonin edhe kaliumin nga trupi. Ndërsa me majdanozin kjo gjë nuk ndodhte dhe ky ishte një diuretik i sigurt. Megjithatë, për trëndafilin e egër nuk ekziston ndonjë provë studimore, klinike apo dëshmi se pirja e tij si çaj do të shkarkonte kaliumin. Populli ynë e ka bimë mjaft të përdorur, nuk ka asnjë sinjal të tillë, prandaj e vetmja tezë mbetet që aritmia e lexueses të jetë shkaktuar nga mangësia dietike e kaliumit.

Mesimi qe nxjerrim nga ky rast është ky:

Me ushqimin nuk bëhet shaka.

Kufizimi kuturu i ushqimit, nuk është sport.

Të heqësh një vakt apo dy vakte si pa të keq, me periudha te gjata, se ‘ka dalë moda’, është të injorosh atë nevojë, që njeriu ka njohur historikisht për t’u ushqyer tre vakte në ditë ose në rast se lihet një vakt kryesor, duhet të konsumohen gjëra të lehta, midis vakteve. Por nuk është e shëndetshme, që vazhdimisht të ushqehesh vetëm një herë në ditë, me një vakt modest.

Agjërimi për periudha të kufizuara dhe përshtatur gjendjes shëndetësore të individit, sjell dobi si shpirtërore edhe fizike, pasi është një periudhë pastrimi e dyanshme si dhe riparimi (Në këtë kohë enzimat e pankreasit shkojnë për proceset rigjeneruese, shëruese, ndërtuese, në vend se për tretjen e ushqimit dhe energjia qelizore nuk harxhohet për proceset metabolike të tretjes së ushqimit, por për rigjenerim). Deri këtu gjërat janë në rregull. Por nderprerja e plotë ose kufizimi i rëndë i ushqimit në mënyrë të zgjatur, ka pasoja në kequshqyerje. Kequshqyerja prish homeostazën qelizore, prish sistemet e organizmit, trupi i njeriut është projektuar për të rrojtur me ujë dhe ushqim.

Rasti i kësaj lexueseje është rasti i një kufizimi të paarsyeshëm të ushqimit, një ngrënie e paplotë, e pabalancuar, me qëllimin e vetëm për të ulur kaloritë, por nuk bën llogari, se bashkë me kaloritë, ulen edhe ushqyesit e ndryshëm. Unë mora në analizë vetëm rastin e kaliumit, nisur nga simptoma e saj e aritmisë kardiake, por me atë mënyrë të ushqyeri, ajo me siguri që ka deficite në shumë lloj ushqyesish. Në një kohë kur mangësitë në ushqyes janë të zakonshme në popullatat botërore në kushtet e ushqyerjes ‘normale’ me dietën perëndimore, këto mangësi janë akoma më dramatike tek personat që mbajnë dieta për dobësim. Prandaj, kushdo që mban dieta për dobësim, duhet të llogarisë dozat e ushqyesve që merr dhe të zbulojë se cilët ushqyes ka mangët, në mënyrë që t’i marrë ata në formë suplementesh ose me rregullim diete. Kjo është domosdoshmëri.

Tani vijmë prapë tek rasti konkret: A duhet të marrë lexuesja suplement kaliumi? Jo. Sepse mund të crregullohen nivelet nga poshtë lart, pra nga hipokalemi, mund te kaloje ne hiperkalemi. Me kaliumin nuk bëhet shaka. Kaliumi nuk mund të merret si vetëmjekim (përveç se nga kardiologu ose në repartet e urgjencës).  Prandaj, mësoni mirë listën e ushqimeve brenda së cilës janë përfshirë në mënyrë krahasimore, ato ushqime që janë më të pasurat në kalium si dhe disa nga ato që janë relativisht të varfra në kalium.

Minerali i zemres, kaliumi, ushqimet ku gjendet

Njihuni me listen e ushqimeve qe permbajne kalium, te matura per cdo 100 gr. Mbani parasysh se një ushqim tregon përmbajtje më të lartë kaliumi, por prej tij mund të konsumohet më pak. Psh kakao pluhur mund të konsumojmë 50 gr dhe të marrim gjysmën e vlerës në tabelë që shënon për 100 gr. Ndërkohe portokalli nuk tregon shumë, por nëse pimë 1 gotë me lëng portokalli ne mund të marrim rreth 3-fishin e sasisë së kaliumit, sesa treguesi në tabelë. Bajamja tregon më shumë përmbajtje kaliumi për peshë të barabarta, se çdo frut tjetër. Mirëpo bajame mund të hamë 30 apo 60 gr në ditë, rrallë edhe 100 gr, kurse nga një frut tjetër mund të hamë nga 200 gr e deri në 1 kg në ditë.

Karota tregon më tepër kalium se banania, mirëpo një banane mund të jetë 300 gr dhe jep trefishin e shifrës në listë (jep mbi 1000 mg kalium). Ndërsa ngrënia e 300 gr karotave nuk është kaq e lehtë. Por në rast se bëjmë një gotë më lëng karote të shtrydhur ose pimë lëngun e karotave të zjera, ne mund të marrim kaliumin që gjendet në gjysmë kg karote ose në 300 gr karota, duke e tejkaluar sërish bananen e famshme për kaliumin. Majdanozi tregon sasi të madhe kaliumi, por ne zakonisht do të konsumojmë rreth 20-30 gr majdanoz të freskët dhe jo 100 gr.

  • Kakaoja 1524 mg
  • Fasulet 1254 mg
  • Bajamet 705 mg
  • Majdanozi 554 mg
  • Spinaqi 558 mg
  • Avokadot 485 mg
  • Trëndafil i egër 429 mg
  • Patatet 421 mg
  • Mishi 421 mg
  • Finoku 414 mg
  • Sardelet 397 mg
  • Karotat 375 mg
  • Thjerrëzat 369 mg
  • Salmoni 363 mg
  • Bananet 358 mg
  • Specat 340 mg
  • Kungulli i verdhë 340 mg
  • Brokoli 316 mg
  • Kakia kineze 310 mg
  • Bamjet 299 mg
  • Patëllxhani 299 mg
  • Pjepri 267 mg
  • Lakra e kuqe 262 mg
  • Kungujt e njomë jeshil 261 mg
  • Selinoja 260
  • Kajsitë 259 mg
  • Fiqtë 242 mg
  • Domatet 237 mg
  • Shegët 236 mg
  • Sallata jeshile 194 mg
  • Rrushi 191 mg
  • Pjeshkat 190 mg
  • Portokallet 181 mg
  • Qershitë 173 mg
  • Lakra 170 mg
  • Kumbullat 157 mg
  • Sallatori 147 mg
  • Qepët 146 mg
  • Kosi 141 mg
  • Vezët 126 mg
  • Dardhat 116 mg
  • Shalqiri 112 gr
  • Mollët 107 mg
  • Mielli i grurit 107 mg
  • Gjiza 104 mg
  • Djathi 98 mg
  • Tërshëra 61 mg
  • Mjalti 52 mg
  • Orizi 43 mg
  • Gjalpi 24 mg
  • Vaji i ullirit 1 mg

 

Kardiologët, kujdes nivelet e kaliumit tek pacientët e tyre!

HIPOKALEMIA MUND TE SHAKTOHET NGA RECETA E MJEKUT

Prof. Petr Widimsky, FESC, An article from the e-Journal of Cardiology Practice

Kardiologët praktikues duhet të mbajnë nivelin e kaliumit brenda kufijve normalë në të gjithë pacientët e tyre kardiakë. Hipokalemia (ulja e kaliumit) e panjohur është një shkak kryesor i vdekshmërisë jatrogjenike në mesin e pacientëve kardiakë, që kanë një rrezik të qenësishëm për aritmi dhe që përdorin shpesh ilaçe që rrisin rrezikun e hipokalemisë dhe /ose aritmisë. (Vdekshmëria jatrogjenike do të thotë, ‘e shkaktuar nga mjeku’).

Hipokalemia simptomatike ose e rëndë duhet të korrigjohet me një tretësirë të kaliumit intravenoz: 10-40 mEq të infuzuar gjatë dy deri në tre orësh (shkalla e infuzionit nuk duhet të kalojë 40 mEq / orë). Në situata më pak urgjente, plotësimi oral është i preferuar dhe më i sigurt: 50-100 mEq / d i ndarë dy-katër herë në ditë. Trajtimi afatgjatë duhet të bazohet në njohjen e shkakut të hipokalemisë.

Faktorët e rrezikut dhe parandalimi

Hipokalemia dhe zemra

Kaliumi është kationi më i bollshëm ndërqelizor dhe është i domosdoshëm për ruajtjen e një ndryshimi normal të ngarkimit midis hapësirës ndërqelizore dhe jashtëqelizore. Homostaza e kaliumit është e rëndësishme për funksionimin normal të qelizave dhe rregullohet nga pompa e shkëmbimit të joneve (kryesisht pompa ATPase qelizore, të lidhura me membranën, kaliumin, natriumin). Crregullimet e niveleve të kaliumit shpesh çojnë në anomali të ritmit neuromuskular, gastrointestinal dhe kardiak.

Niveli normal i kaliumit plazmatik është 3,8 – 5,1 mmol / l. Devijimet në të dy ekstremet (hipo- dhe hiperkalemia) kanë të bëjnë me rrezikun e aritmive kardiake. Nivelet e kaliumit nën 3,0 mmol / l shkaktojnë një zgjatje të konsiderueshme të intervalit Q-T me rrezikun e mëvonshëm të pikave të rrotullimit, fibrilimin e ventrikulit dhe vdekjen e papritur kardiake.

Nivelet e kaliumit mbi 6,0 mmol / l shkaktojnë kulmin e valëve T, komplekset më të gjera QRS dhe mund të rezultojnë në bradikardi, asistolë dhe vdekje të papritur. Hiperkalemia shkaktohet më shpesh nga dështimi i veshkave (shpesh një shkas është terapia suboptimale e barnave, p.sh. spironolactone ose diuretikë të tjerë që ruajnë kaliumin dhe / ose frenues të enzimës konvertues angiotensin, apo edhe terapi plotësuese të kaliumit) ose nga hemoliza.

Hipokalemia , e kundërta e hiperkalemisë, zakonisht ndodh si ndërlikim i sëmundjeve të caktuara ose medikamenteve. Eshtë interesante se ushqimi ‘modern’ ka ulur ndjeshëm përmbajtjen e kaliumit. Si rezultat, tendenca drejt hipokalemisë së butë është mjaft e shpeshtë tek subjektet e shëndetshme. Kjo mund të korrigjohet lehtësisht nga ndryshimi i zakoneve ushqimore – d.m.th rritja e konsumit të frutave dhe perimeve të freskëta. Shkaqet e mundshme të hipokalemisë janë renditur në Tabelën 1.

 

Shkaqet e mundshme të hipokalemisë

  • Diuretikët (shkarkuesit)
  • Laksativët (kundër kapsllëkut)
  • Humbjet gastrointestinale (diarre, të vjella)
  • Teprica e zgjatur e kafeinës
  • Mangësi ushqimore afatgjatë
  • Barna të tjera (theofilina, aminofilina, kafeina, verapamil, amfotericina B, ampicilin, cerbenicillin, penicilinë me dozë të lartë, amfetaminë, aminoglikozide)
  • Terapia me kortikosteroide, sindromi Cushing
  • Hipertiyroidizmi
  • Hiperaldosteronizmi
  • Ketoacidoza diabetike
  • Alkaloza (e kundërta e acidozës)
  • Hiperhidratimi
  • Hipotermia
  • Paraliza hipokalemike periodike
  • Crregullimet tubulare renale (acidoza tubulare renale distale, sindroma Bartter, sindroma Gitelman)
  • Katekolaminat, simpatomimetika
  • Fibroza cistike
  • Insulina
  • Hipomagnezemia (rënia e niveleve të magnezit)

 

Aspekti më i rrezikshëm i hipokalemisë është rreziku i ndryshimeve të EKG-së (zgjatja e QT, shfaqja e valëve U, rrafshimi i valës T ose depresioni i segmentit ST) që rezultojnë në aritmi kardiake potencialisht vdekjeprurëse. Rreziku pro-aritmik i hipokalemisë rritet ndjeshëm kur hipokalemia shfaqet njëkohësisht me cilësimet e tjera pro-aritmike

Sëmundjet / Situatat që Kontribuojnë Potencialisht në Rrezikun Pro-Arritmik të Hipokalemisë.

Terapia e hipokalemisë

Trajtimi i hipokalemisë varet nga ashpërsia dhe etiologjia e saj. Për dallim nga hiponatremia, në të cilën mund të vlerësohet me lehtësi deficiti i natriumit të trupit, kaliumi i serumit nuk mund të reflektojë me saktësi rezervat totale të trupit. Gjatë ketoacidozës diabetike, nivelet e kaliumit në serum mund të ngrihen fillimisht, edhe kur është i pranishëm një varfërim i rëndë i kaliumit të përgjithshëm të trupit. Korrigjimi i acidozës në ketoacidozë diabetike mund të shkaktojë një rënie të ndjeshme të niveleve të kaliumit në serum.

Trajtimi afatgjatë duhet të bazohet në njohjen e shkakut të hipokalemisë. Kur ky shkak është p.sh. efekti i drogës – më shpesh diuretikët, mund të korrigjohet, nuk nevojitet trajtim tjetër afatgjatë. Ilaçet që çojnë në rritje të niveleve të kaliumit janë diuretikët që kursejnë kaliumin (spironolactone, amiloride), tableta të klorurit të kaliumit dhe frenuesit ACE. Këto ilaçe gjithmonë duhet të përdoren me kujdes për të shmangur hiperkaleminë, e cila mund të jetë po aq e rrezikshme sa hipokalemia.

Përfundim:

Hipokalemia është një çrregullim i shpeshtë, veçanërisht i rëndësishëm në pacientët me zemër. Ndërsa tek pacientët pa sëmundje të zemrës, hipokalemia rrallë çon në vdekje. Në mesin e pacientëve kardiakë të cilët kanë rrezik të qenësishëm për aritmi dhe që shpesh përdorin medikamente potencialisht duke rritur rreziqet e hipokalemisë dhe / ose aritmisë, hipokalemia e panjohur mund të jetë një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë iatrogjenike (nga receta e mjekut). Sa i përket hiperkalemisë gjithashtu mbart rrezik të konsiderueshëm, është me rëndësi të madhe që një kardiolog praktikues të mbajë nivelet e kaliumit brenda kufijve normalë në të gjithë pacientët kardiakë.

Përmbajtja e këtij artikulli pasqyron mendimin personal të autorit dhe nuk është domosdoshmërisht pozicioni zyrtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë.

 

editor

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *